Faleminderit Elhaida Dani!
Nga Albert
Vataj
Ka ndodhur. Përmendu,
nuk je në ëndërr. E pagjasa, ajo shkallmoi mure të trasha ku ne gjendeshim të
rrethuar, dhe u bë reale. Është një 20-vjeçare që guxon dhe fiton. Është ajo, për
të cilën ti ke të drejtë të krenohesh. Është ajo, talenti dhe zëri i së cilës u
bënë apologji e krenarisë tënd të nëpërkëmbur. Për të flasin të gjithë. Ajo,
tashmë është në Olimpin e vëmëndjes dhe kureshtisë. Multimedia shqipshkruese
dhe shqipfolëse, dhe jo vetëm, është e përfshirë e gjitha në këtë pasion të çmendur fitoreje. Është
ajo, Elhaida Dani, e cila që 6 vjeç nisi shtegtimin në rrugën e muzikës dhe që
tash arrin të magjeps me zërin dhe interpretimin e saj, krejkënd që e dëgjon. Elhaida
Dani, 20-vjeçarja nga Shkodra triumfon në spektaklin “The Voice of Italy 2013”.
Lotë dhe ngazëllim, përqafime dhe klithma kushtruese, dritë dhe gazmend, mbushën
momentin e ngjitjes në apogje. E pabesueshme, dalldisëse, emocionuese, delir në
shtegun e përjetimit.
Faleminderit
me tan zemër, bija e Shkodrës, troku i mbram i djepit të kulturës, amaneti i gjeneratave,
filizi i këtij trulli me humus historish krenie dhe triumfi. Na bekove me
fitoren tënde.
Sa shumë
kishim nevojë për një prekje të tillë magjike. Sa shumë dhe sa gjatë na
mungonte një dorë e ngrohtë dhe një zë i magjishëm, për të na ngritur në këtë
rrëzim të pafajshëm. Kishim kaq shumë dyzime në vetvete. E pamundura na përndiqte,
si një hije përgjatë gjithë përpjekjeve tona. Pa kuptuar pamë se sa poshtë
kishim rënë. Sa kishim nevojë të ngriheshim, të rinisnim rrugën për tu ngjitur.
Iknim nga vetja dhe shumëçka që mëtonte atë. Dhimbja e anatemës na kishte dërmuar
mish e shpirtë. E gjithë kjo gjendje e amullt e sendërtuar rrumujshëm në boshin
tonë të dalldisur prej të shkaures dhe politikës, parakaloi brenda atyre
çasteve kur pritej verdikti, kur emri Elhaida Dani të mbushte jo vetëm sallën e
spektaklit të madh të RAI-t, por zemrat gjëmuese të të gjithë shqiptarëve që numronin
rrahjet e zemrave dhe minutat e triumfit, si momentet e kësaj prekje magjike. Ishte
një natë e gjatë. Një spektakël madhështor në RAI, në atë dritare të kahershme,
prej ku shqiptarët u panë spariherë me perëndimin, me pjesën tjetër të botës që
gjallonte përtej kësaj Shqipërie që mëkonte parajsën e rrejshme. Nata e 30
majit, ishte një përballje, një ballafaqim, një kurajo për të thyer tabu, për të
shkallmuar mite. Është shkodranja 20-vjeçare, Elhaida Dani, ajo e cila mban mbi
vete, jo vetëm densitetin e përgjegjësisë, ankthit dhe sfidës, por dhe barrën e
rëndë të përfaqësimit. Miljona shqiptarë dhe jo vetëm, kanë përcjellë të enjtet
e makthshme të garës në “The Voice of Italy”. Sot ata janë krenar, pa atë të
shkuar ngjethëse, larg pëshpëritjeve dashakeqe, tej gishtave tregues që
gozhdonin fatin e keq të shqiptarëve për çdo mëkat ekstrakomunitar, apo edhe
Italian. Italia, ky vend fqinj, italianët ky popull që bashkon dhe ndan me
shqiptarët shumçka nga e shkuara dhe e tashmja, mbëmjen e 30, duke hyrë 31
maji, durtrokitën, votuan dhe besuan si zëri i tyre, uraganin vocal të
shkodranes 20-vjeçare.
Elhaida Dani
është tashmë fituesja e “The Voice of Italy 2013”, duke kaluar çdo sfidë e duke
bërë krenar çdo shqiptar. E përlotur, në fund të mbrëmjes që e shpalli atë
fituese me 71,70% të votave të publikut italian, ajo falënderoi të gjithë ata,
që kishin besuar në zërin e saj, madje edhe në shqip, duke thënë
“faleminderit”. Bashkë me trajnerin e saj në këtë aventurë, Riccardo Cocciante,
ajo interpretoi nën triumf të plotë këngën “When love calls your name”. Elhaida
shkoi në finale bashkë me konkurrentin tjetër, Timothy Cavicchini. Gjatë gjithë
spektaklit, ajo ka qenë më e duartrokitura dhe më e komentuara në rrjetet
sociale. “Bravissima! Stratosferica! Non ha rivali! Fenomenale! É la migliore
di tutti! Stupenda!”, ishin ndër komplimentet, që kanë shoqëruar gjatë gjithë
kësaj mbrëmjeje, atë që tashmë është zëri, jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i
Italisë...
Faleminderit
Elhaida.
Comments
Post a Comment