Joschka Fischer: Erozioni i Europes
Erozioni i Evropës
Derisa tregjet e ruajtën qetësinë, kriza e Qipros zbuloi shtrirjen e plotë të katastrofës politike, të cilën kriza e eurozonës e kishte shkruar: Bashkimi Evropian është i dezintegruar deri në palcë. Kriza aktuale e evropianëve për sa i përket besimit në Evropë është shumë më e rrezikshme se sa ajo e shqetësimeve të reja për tregjet, për shkak se ajo nuk mund të kapërcehet me ndonjë injektim të ri likuiditeti nga BQE-ja.
Rendi i vjetër politik i Evropës ishte i bazuar në konkurrencën, mosbesimin, rivalitetet për pushtetin dhe, krejt në fund, luftën në mesin e shteteve sovrane. Ai rend u shkatërrua më 8 maj 1945 dhe ishte zëvendësuar nga një sistem i bazuar në besim të dyanshëm, solidaritet, sundim të ligjit dhe kompromis. Mirëpo, me krizën që i shkatërroi këto themele, besimi tani po ia hapë rrugën mosbesimit, solidariteti po i dorëzohet paragjykimeve të lashta (dhe madje urrejtjeve të reja ndërmjet jugut të varfër dhe veriut të pasur), ndërsa kompromisi po përshkohet me diktat. Dhe Gjermania edhe njëherë po gjendet në epiqendër të procesit të dezintegrimit.
Kjo ndodhur për shkak se Gjermania, deri më tash ekonomia më e fuqishme e BE-së, e ka forcuar strategjinë e kapërcimit të krizës në eurozonë që i përshtatej vetë Gjermanisë në fillim të mijëvjeçarit, mirëpo nën kushte krejtësisht të ndryshme të brendshme dhe të jashtme ekonomike.
Për shtetet e trazuara të jugut të Evropës, përzierja e mbështetur nga Gjermania e masave të kursimit dhe reformave strukturore është dëshmuar fatale, për shkak se mungojnë komponentët vendimtarë të tretë dhe të katërt – zbutja e borxhit dhe rritja.
Është vetëm çështje kohe se kur ndonjë prej shteteve të mëdha të Evropës në krizë të zgjedhë një lidership politik që nuk do t’i pranojë më diktatet për kursime. Madje edhe tani, me afrimin e kohës së zgjedhjeve, qeveritë kombëtare pak a shumë premtojnë haptazi se do t’i mbrojnë qytetarët e tyre nga Evropa, për shkak se Gjermania po i sheh kursimet dhe reformat strukturore si mënyrë për t’u krenuar me menaxhimin e krizës.
Argumenti se “një dashuri e zorshme” ishte e domosdoshme për Evropën Jugore, për shkak se përndryshe asgjë nuk do të ndryshonte, është i qëndrueshëm. Dashuria në të vërtetë ka qenë bukur e zorshme, duke gjeneruar shtrëngime të shpejta ekonomike, papunësi masive (në një nivel edhe më të lartë se 50 për qind në mesin e të rinjve) dhe përkeqësim fiskal të vazhdueshëm, falë kostove në rritje të borxhit. Në të vërtetë, të gjitha shtetet anëtare të eurozonës tani po përjetojnë rritje të ngadaltë ekonomike, nëse jo recesion.
Po çfarë do Gjermania? Një Evropë gjermane nuk do të funksiononte kurrë derisa shtresa politike e shtetit ka mungesë të theksuar si të kurajës ashtu edhe të përkushtimit për të ndjekur një Gjermani evropiane. Prandaj, a dëshiron Gjermania ta mbajë në një vend një union monetar dhe kësisoj ta ruajë BE-në, apo do të lejojë që ngurrimi dhe mungesa e vizionit të përshpejtojnë erozionin e themeleve të Evropës?
Në këtë krizë, synimi qëndron në ulësen e prapme të veprimit (apo mungon plotësisht). “International Herald Tribune” ka cituar kohë më parë Winston Churchillin: “Nuk mjafton të bëjmë më të mirën që mundemi; ndonjëherë duhet të bëjmë atë që nevojitet”. Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëhet në Evropë dhe në eurozonë.
Ajo që duhet të bëhej ishte e qartë prej shumë kohësh. Çmimi i mbijetesës së unionit monetar dhe kështu edhe të vetë projektit evropian, është më shumë bashkim: një union bankar, një union fiskal dhe një union politik. Ata, të cilët e kundërshtojnë këtë për shkak se i druajnë përgjegjësisë së përbashkët, transfereve nga të pasurit te të varfrit dhe humbjes së sovranitetit kombëtar, do të duhet të pranojnë rinacionalizimin e Evropës – dhe kështu edhe daljen e saj nga skena botërore. Asnjë alternativë – dhe pa dyshim jo status quo – nuk do të funksionojë.
Është gjë e ditur nga të gjithë në Evropë se kriza aktuale ose do të shkatërrojë BE-në ose do të sjellë një union politik, dhe se pa një zgjidhje të bazuar në solidaritet për borxhin ekzistues dhe pa ndarjen e pjesshme të borxhit të ri, euroja nuk mund të shpëtohet. Hapa të tillë do ta bënin transferimin e sovranitetit të pashmangshëm. Por a është Gjermania – apo Franca – e gatshme ta bëjë një gjë të tillë?
Kriza e vërtetë e BE-së dhe e unionit monetar nuk është financiare por politike – apo, më saktësisht, është krizë lidershipi. Një mungesë vizioni, kuraje dhe fuqie për këtë qëllim vihet re gjithandej nëpër kryeqytetet evropiane, por veçanërisht në Berlin (dhe atë si në qeveri ashtu edhe në opozitë).
Politikanët kombëtarë të Evropës vazhdimisht kritikojnë BE-në për mungesë të trashëgimisë demokratike, ata për më tepër mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për këtë. Apo a janë bërë proevropianët aq frikacakë dhe të brengosur sa që preferojnë thjeshtë t’ua dorëzojnë frerët popullistëve dhe nacionalistëve antievropianë? Kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë, për shkak se kriza tani është e rrënjosur tejet thellë sa të zgjidhej në mënyra teknokratike.
Gjermania po përgatitet për zgjedhje kombëtare, në të cilat – pak a shumë sikurse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Francë – kriza evropiane do të luajë rolin kryesor, apo të paktën vetëm një rol minor.
Si qeveria ashtu edhe opozita besojnë se do të bënin më mirë që popullit t’ia tregonin të vërtetën për sa i përket çështjes më vitale të ditës, vetëm pas zgjedhjeve (dhe atë në doza të matura).
Një rezultat i tillë do të paraqiste tallje për demokracinë. Mirëpo gjërat do të mund të përfundonin më ndryshe, nëse dinamikat e krizës së Evropës i zhveshin planet e politikanëve gjermanë. Një befasi e pakëndshme nuk mund të hidhet poshtë; në këtë pikë, ky mund të jetë burimi më i madh i shpresës për Evropën.
Comments
Post a Comment