Mesdheu si fantazi e përjetshme
Dy ditë me radhë shkrimtarë nga Mesdheu dhe Gjermania evokuan hapësirën mesdhetare jo vetëm si një zonë ku lindi qyterërimi perëndimor por edhe si një burim të përhershëm fantazie për botën e artit, letërsisë e kulturës.
Mesdheu si një fantazi e përjetshme! Po t'i hedhësh sytë kësaj njolle blu në hartën e botës, të bie ndërmend vlerësimi i historianit të njohur francez, Fernand Braudel se Mesdheu duket aty "si një e çarë gjigande e tokës, i rrethuar nga shumë vende, kultura dhe gjuhë". Në brigjet e këtij deti historik është zhvilluar në shekuj një mozaik kulturor unikal, shumëgjuhësh dhe i jashtëzakonshëm në pasurinë e tij.
Mesdheu - Deti i Bardhë
Dy ditë me radhë në fundjavë (10-11.05) Mesdheu mblodhi në Berlin shkrimtarë, publicistë e poetë nga Mesdheu e Gjermania jo thjesht për të eksploruar një hapësirë gjeografike në diskutime e lexime letrare. Shkrimtarët gjermanë, Durs Grünbein, Sybille Lewitscharoff, Mauro Covacich dhe Kenka Lekovich nga Italia, si edhe Fatos Lubonja nga Shqipëria u takuan në një podium për të evokuar një det kulture, Mesdheun si një burim të përhershëm për fantazinë letrare dhe artistike duke filluar nga antikiteti. Takimi i letërsive të Mesdhut është pjesë e festivalit të letërsisë „Deti i Bardhë“- i cili mban qëllimisht emrin arab e turk të Mesdheut, - për t'iu kundërvënë kështu eurocentrizmit dhe skepticizmit me të cilin ndeshen vendet mesdhetare, përfshirë edhe ato në pjesën afrikane të këtij deti.
Projekti është konceptuar si një udhëtim letrar nëpër qytete të Mesdheut, duke e hapur siparin fillimisht në Berlin, për të vazhduar pastaj në vjeshtë me takime të tjera në një qytet mesdhetar. Takimi i fundit u zhvillua në Trieste. Ndërsa në herën e dytë të zhvillimit të këtij takimi të letërsive të Mesdheut, do të jetë Tirana, vendi që mirëpret këtë vjeshtë shkrimtarët mesdhetarë. Projekti është mbështetur nga fondacioni kulturor, „Allianz“ dhe qendra letrare „Literarisches Colloquium Berlin“. Një vizitë në Shqipëri e bëri drejtorin e këtij fondacioni, Michael Thoss të vendoste menjëherë edhe për sjelljen e këtij festivali edhe në Shqipëri."Projekti ynë "Deti i Bardhë" do të ndërlidhë me njëri-tjetrin, vende dhe autorë përgjatë Mesdheut, që dikur kanë pasur më shumë komunikim me njëri-tjetrin. Tirana duhej të ishte pjesë, sepse një vit më parë ishim në Itali dhe të dy vendet janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në histori. Përveç kësaj ne në perëndim kemi shumë pak njohur për Shqipërinë, apo Ballkanin, ndërkohë që atje të gjithë janë të entuziazmuar për Europën dhe BE-në".
Mesdheu - universiteti më i vjetër
Hapësira mesdhetare e njohur si djepi i qytetërimit perëndimor, i lindjes së tre feve monoteiste, e poezisë dhe filozofisë prej kohësh është kthyer në lëndë letrare për poetin e njohur gjerman Durs Grünbein. Në fjalën e tij „Akademia e detit“, ai e cilësoi Mesdheun si “universitetin më të vjetër“. Në brigjet e tij u ngritën bibliotekat e para publike. Edhe arritjet më të mëdha të kulturës perëndimore e kanë fillesën e tyre në këtë hapësirë. Ndërsa për shkrimtaren Kenka Lekovich metaforat e jashtëzakonshme të mitologjisë e letërsisë antike me vendlindje Mesdheun, mund të interpretohen mjaft mirë si simbole për të kuptuar edhe Europën e sotme. Publicisti Fatos Lubonja e kaloi fokusin në rrezikun që mbartin mitet, sidomos kur ato instrumentalizohen për shkak të politikave nacionaliste, nga të cilat Ballkani ka vuajtur gjithmonë. "Unë jam për dekonstruktimin e miteve të tilla". Miti i vetëm për të cilin kemi nevojë është humanizmi, tha ai.
Por ky det i himnizuar për bukurinë e tij blu, aq tërheqës për turistët, ka edhe një anë tjetër të errët. Sot ai është kthyer në ujërat e vdekjes, duke u marrë jetën shumë afrikanëve që duan të vijnë drejt tokës së premtuar, Europës. Poeti Durs Grünbein e kritikoi Europën për qëndrimin e saj refuzues, gjithmonë në përpjekje për të mbrojtur mirëqenien e saj. Agjencia europiane për ruajtjen e kufijve, "Frontex -po e kthen Europën në një fortifikatë", tha ai.
Kur identiteti mesdhetar kthehet në disavantazh
Kriza ekonomike e disa vendeve mesdhetare zuri vend po ashtu në debatin mes shkrimtarëve. “Vendeve të jugut, problematikët e momentit, iu është kthyer në disavantazh pikërisht ruajtja e identetit të tyre mesdhetar", u shpreh Durs Grünbein jo pa ironi për qëndrimin e Europës Veriore dhe klishetë që vërtiten në mediat bulevardeske gjermane për vendet mesdhetare. Ndërsa poeti italian, Mauro Covacich u shpreh se "kriza ka bërë që Europa Qendrore dhe Veriore si edhe vendet e jugut në brigjet e Mesdheut të largohen nga njëri tjetri. Ne jemi ndryshe, këtë e shikon qartë kur nget makinën në rrugët e Romës", tha ai.
Megjithatë nga vendet e Mesdheut nuk vjen vetëm kriza e borxhet, ishin në një ujdi shkrimtarët e Mesdheut dhe ata të Europës Qendrore! Europa nuk ka marrë nga Mesdheu vetëm emrin - virgjëresha e mitologjisë greke e rrëmbyer nga Zeusi - por edhe një trashëgimi kulturore që është kthyer prej shekujsh në burim të artit dhe ideve europiane.
DW
Comments
Post a Comment