Pirgu: "Dua më shumë Shqipërinë", në Televizionin e Zvicrës
Në përfundim të emisionit, Saimir Pirgu lë vulën e tij duke
kënduar këngën „Dua më shumë Shqipërinë“, me të cilën entuziazmon publikun dhe
nikoqirin e tij, Aschbacher
Tenori i famshëm shqiptar, Saimir Pirgu ka qenë pak ditë më
parë mysafir në emisionin shumë të popullarizuar të televizionit publik të
Zvicrës (SRF1) Aeschbacher show. Në një prezantim që moderatori Aeschbacher i
bëri Pirgut, u shpreh veç tjerash se ai ka bërë një karrierë „përrallore e të
rrufeshme“, duke mbërritur për pak vite në lartësinë e yjeve të operës së sotme
botërore.
„Me 22 vjet Saimir Pirgu feston suksesin e tij në festivalin
e Salzburgut, Austri. Ndërkohë, sot, Pirgu 31 vjeçar është bërë tashmë tenor i
famshëm. Pak ditë më parë ai ka kënduar në krah të Placido Domingos dhe Diana Damrau në shtëpinë e operës të Nju
Jorkut „Metropolitan“, ndërsa gjatë muajit maj ai është i pranishëm në shtëpinë
e operës në Cyrih me „Traviata-n“ e Verdit“.
Në emisionin e përmendur, Pirgu imponohet me spontanitetin e
tij dhe thjeshtësinë prej artisti të madh që nuk i pëlqen pozat por paraqitet
ashtu si është. Ai, duke folur me një gjermanishte të mirë, evokon fillimet e
tij në muzikë, në Shqipërinë komuniste, kur e kishin zgjedhur të shkollohej për
violinë. Por më vonë ai ka parë se violina nuk kishte qenë zgjedhja e tij dhe
ka zbuluar pasionin e madh për këndimin operistik.
Pirgu më tutje flet për kohën e fillimit të studimeve në
Bolzano (Bozen) të Tirolit jugor (Itali), për peripecitë e tij si një student i
varfër nga Shqipëria. Por, në saje të angazhimit dhe talentit të rrallë, ai
shumë shpejt mbaron shkollimin muzikor. Madje, aq shpejtë sa që edhe prindërit
e tij, laikë në muzikë, dyshojnë se mos ai po merrej me punë të këqija, atje në
Itali. Sidoqoftë, Saimiri i bind ata se është bërë këngëtar i operës, vetëm kur
i fton të marrin pjesë si shikues në festivalin e Salzburgut.
Në përfundim të emisionit, Saimir Pirgu lë vulën e tij duke
kënduar këngën „Dua më shumë Shqipërinë“, me të cilën entuziazmon publikun dhe
nikoqirin e tij, Aschbacher.
http://www.srf.ch/player/tv/aeschbacher/video/saimir-pirgu?id=491292f4-7a9a-4df0-b4f8-9638cff36201
Comments
Post a Comment