Biçikleta e parë në Shqipëri, më 1907 nga konsulli suedez



E ka kaluar shekullin që kur në Shkodër u pa të lëvizte rrugëve të saj, sa me kalldrëm e sa gjithë pluhur, një i huaj me një mjet që s'e kishte parë asnjë vendali i padalë jashtë shtetit. Kalendari fiksonte vitin 1907. Ai qe konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët. Me kaq, kurioziteti u shua, po s'u shua lakmia për ta pasur një mjet të tillë udhëtimi dhe kush qe më i kamur e më i dalë jashtë Shqipërisë, nuk ngurroi të sillte biçikleta të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik na duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka "Marubi" e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë për t'i dhënë më vërtetësi kohore asaj. Fillimisht biçikleta në qytetin tonë u quajt "Velisipet", por edhe dyrrotullake.
Shkodra, ky qytet që besonte në tri fe: myslimane, katolike dhe ortodokse, Shkodra, kjo pioniere e thuajse të gjitha fushave të artit e të kulturës në Shqipëri, pati edhe anën tjetër të medaljes: gruaja qe e mënjanuar nga jeta e shoqërisë, fanatizmi bënte punën e tij, ndaj dhe një ditë, si pas një kushtrimi, qytetarët u dyndën sërish nga rruga kryesore ku po kalonte… një grua mbi biçikletë. Dhe ajo nuk qe shqiptare, por një grua e konsullatës austriake. Edhe pse biçikleta nuk kishte fituar "qytetarinë" e plotë, ajo po kuptohej sikur ishte krijuar enkas për këtë qytet, aq sa policia vendore që në vitin 1915 u pajis e nisi të pedalojë me biçikleta. Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë vendosën të krijojnë sportin e çiklizmit që në vitin 1920. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Evropë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ato erdhën nga viti në vit duke u shtuar, por si gjithnjë, deri në çlirimin e Shqipërisë nga nazifashistët, në nëntor 1944, biçikleta qe privilegj i burrave e djemve. U arrit deri atje sa të kishte dhe një "konkurrencë" se kush të kishte biçikletën më të bukur.
Zhvillimi i Shkodrës, krijimi i një zone industriale jashtë vijës së verdhë të qytetit, e bëri biçikletën një mjet pune të domosdoshëm, jo vetëm për burrat, por edhe për vajzat e për gratë, aq sa, në aneksin e stadiumit të qytetit e në fusha të periferisë shihje vazhdimisht me dhjetëra femra duke mësuar pedalimin në biçikletë, shkruan BalkanWeb.
Nga fundi i viteve '50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte rreth 60 000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10 000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike, merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar, ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës. 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk