Rrokun pre një pasioni kuqezi
Nga Albert Vataj
Ndjenjat tona delikate shpeshherë gjenden të pushtume prej
nji përqafimi dalldisës. Përflakemi prej dritës dhe zjarmisë që hedh mbi ne kjo
penelat e beftë. Gjëndje dhe situata të ndryshme, ngasin për me çu peshë llavën
që lëvrinë thellë pamjeve tona të prarura, pranive përgjuese që pipëtijnë në
poterën toksore të kryeqytetit, si shkas përditësimi. Momenti na hedh në një përjetim
si mbi prush që shpuzit e ne përpushemi, e tuj u djeg përshkëndijmë me ngjyra
dhe dritë përreth. Shumëçka e hov hera herës tallazin e vërshimit tem të qetë,
duke e shkumëzu e trand çdo copëz të unit që struket si një zog i friguem prej
tançkaje që për të asht kërcënim. Ai është një prej ngasjeve më emocionuese që
përcjell me vështrim qëmtues, në krejt këtë amfiteatër panoramik që kumton
kryeqyteti në një ditë të zakonshme. Shihem me të çdo ditë në qëndresën e tij
stoike përballë Teatrit të Operas dhe Baletit. Ai nuk nguron të përkëdhel sedrën
teme nacionale, si një ditë e përditë. Nën peshën e erës që e shpalos, pamja
dhe përjetimi janë magjepsëse. Bluja e thëlle qiellit që grish bardhësinë e
reve lodruese në këtë pamje spektakolare qiellore, e vendos atë, mbi krahun e
hekur që zgjaton, si mbi pasionin tim të dalldisun. E kuqja e saj tallazon në
erën që loz shkujdesur me të. Shqiponja dykrenore, me fluturimin e vet rrok
plot pasion horizontin. Unë jam përsëri aty duke e soditun, duke e fotografu,
duke mbledhun copë pas cope, çdo moment dhe çdo trajtë të kësaj shfaqjeje,
sikur ata të ishin magjepsjet e fundit kuqezi nën këtë qiell lozonjar qershori.
Kjo lojë formash më ngas në këtë marrëdhënie ndjesore, e cila ngulmon të mbush
çdo kthinë të brendisë teme në këtë marsh shqiptar. E kam parë sa herë këtë
manifestim kuqezi, mbi duart e pafund të tifozave që tallazojnë stadjumet në përballjet
e fushave të blerta. Në skena dhe ring, në pode nderi e në konkurim vlerash
përfaqësuese, gjithnjë ngasës, tundues dhe emocionues. Ka një jetë që kjo
krijesë e përkatësisë sonë kombëtare në botë, shpalon duke zgjuar hove dhe
vullnesa të mira, gjithkund ku Uni ynë gufonte prej dëshirës me kumtu
kushtrueshëm qenësinë tonë shqiptare. Që prej kreshtës së Deçiçit, më 1911,
duke notu në gjak dhe duke flatru në jetë, prej ballkonit të shtëpisë vlonjatë,
motit të 1912, atëkohë e përgjithmonë, ky shpirt veç fluturon. E në vështrimin
tem, sot, mi përmend një për një të gjithë historitë, një për një mi shfleton bëmat
e mbrumun kuqzi. Kurrçka ska që e përshkruan atë që zemra ta thotë e shpirti ta
ndjell në këtë marrëdhënie, në këtë ngulm valimtar, që del prej thell teje dhe
shpalon në këtë pëlhurë kuqezi. Nevoja për të qenë të mikluar prej një
komunikimi të tillë, nuk buron vetëm prej limfës historike. Është një gjëndje e
amullt brenda teje që të sëmbon duke të hedhur në këtë përballje, në këtë betejë
dëshirash flatëruese. Ke nevojë dhe ëndërron të fluturosh si ky zog, si ky
simbol nacional, nuk nguron, dhe hidhesh në krahët e dëshirës dhe ndjehesh
flamur, kuqezi, në jetë të jetëve kuqezi.
Comments
Post a Comment