Alexander Pope, Të dashurosh mendjen e një gruaje



Në verën e vitit 1714, poeti i njohur anglez, Alexander Pope, kalonte orë të tëra i mbyllur në apartamentin e tij, duke i shkruar letra Marta Blount. Ndërsa në gazetat letrare të kohës kishin nisur të botoheshin vargjet e tij të para, Pope vijonte të mendonte për vajzën që e kishte njohur në një nga libraritë e qytetit. Në një muaj njohje i kishin dhënë njëri-tjetrit dhjetëra letra. “Është provë e sinqeritetit ndaj jush fakti që ju shkruaj kur jam duke pirë dhe jam i gatshëm të nxjerr të vërtetën. Dhe, sigurisht, një letër e shkruar pas orës dymbëdhjetë të natës duhet të jetë e mbushur me këtë përbërës të fisëm. Zemra duhet të zhuritet në zjarr, që më pas të ngrohet nga vera dhe nga ju. Vera zgjedh dhe freskon pasionet e fshehura të mendjes, siç bëjnë ngjyrat e fundosura në një pikturë, që më pas dalin me gjithë shkëlqimin e tyre natyral. Me sa duket, cilësitë e mia paskan ngrirë aq shumë dhe paskan qenë mbyllur aq hermetikisht në kutinë e mërzitshme të orëve të mia të esëllta, saqë më duket tepër e çuditshme kur, tani, i pirë, i shoh këto cilësi e virtyte të dalin kaq të shumta. Në këto vërshime të zemrës sime, ju dërgoj falënderimet e mia plot mirësjellje, për dy letrat që më dërguat. Ajo që fillon me “I magjishmi z. Pop” ishte për mua një kënaqësi përtej çdo mundësie që kam për ta shprehur. Është e vërtetë që ju jeni kaq e pashme, por jo vetëm kjo. Ky humor dhe kjo qetësi e juaja për mua janë aq të magjishme, sa nuk u rezistoj dot. Fytyra juaj është e parezitueshme, ngaqë është e veshur me buzëqeshje dhe atëherë kur nuk ka rast të denjë të jetë. Supozoj se këtë letër nuk do ta bëni publike për t’u dukur…”. Pope ishte 26 vjeç kur nisi historinë e gjatë të dashurisë me anglezen me emrin Marta. Ashtu si poeti, ajo ishte e dhënë pas librave dhe kishte dëshirë të shkruante letra. Letrat e Martës do të ktheheshin për poetin në motive për vargje të tëra që shkroi në atë periudhë. I konsideruar si poeti më i madh anglez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kryesisht për vargjet e tij satirike, dhe përkthimin në anglisht të Homerit, Pope bëri jetën e një burri të lirë duke mos u martua asnjëherë. Por, nëse ndodhte që në shtëpinë e tij mungonte një grua, në zemrën e poetit gjithnjë kishte një të tillë. “Nuk mund të shkruaj nëse nuk kam përballë një grua”, thënia e tij që do të frymëzonte më pas të gjithë të rinjtë që e lidhin krijimin e artit me aventurat dashurore, do të kthehesh në moto të atyre viteve. Femrat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën letrare të poetit. Më shumë se lidhjet pasionante ai ishte i dashuruar pas mendjes së tyre. Ai kërkonte të shkëmbente përmes letrave mendimet dhe konceptet mbi letërsinë dhe jetën me një grua. Kështu kishte ndodhur dhe me lidhjen që kishte pasur me Meri Uortley Montag. Me këtë grua, Alexander shprehte gjithë shqetësimin e tij si letrar. Në kohën kur ajo ishte në udhëtime në një letër ai i shkruan se nëse udhëton për në Itali, nuk do t’ia fal nëse nuk e njofton në kohë për t’u takuar atje. “Jam shumë i sigurt se nuk mund të jem kurrë i sjellshëm përveçse kur udhëtoj me ju, dhe nuk do të korrigjohet kurrë humbja që Homeri do të pësojë nëse unë do të vij ta bëj përkthimin e tij në Azi. Dhe ju përsëri do të më kritikoni mua që s’doja asnjë mirësi tjetër përveçse t’ju bëja shoqëri. Nuk keni se si të ndryshoni, por do të vazhdoni të jeni një grua aziatike, sado të përpiqeni të hiqeni si angleze përpara njerëzve të tjerë. I dëshiroj si një mrekulli sonetet e tua, vërejtjet e tua, diturinë tuaj orientale, por asgjë nuk dëshiroj më shumë sesa vetë qenien tënde orientale. Patjetër që duhet të keni udhëtuar në thellësi të natyrës së vërtetë dhe në thjeshtësinë e sjelljeve në këto tre vite që keni jetuar në Lindje, saqë do të më dukeni shumë vite më e re se ç’jeni kaq afër pafajësisë dhe fëmijërisë. Pres të shoh shpirtin tuaj po aq të zbuluar sa dhe trupin tuaj, dhe se i keni lënë, sado të vështira të jenë shumë nga zakonet e mallkuara europiane. Pa e fyer modestinë tuaj, ndiej një dëshirë përvëluese për të parë shpirtin tuaj të zhveshur, sepse jam i sigurt se do të shoh shpirtin më të bardhë në tërë universin….”. Po në atë vit, Pope shkëmbente letra me një tjetër grua, Tereza Blant. Ajo e kishte tërhequr me bukurinë dhe mendjen e saj, megjithëse pas disa letrave ishte tërhequr e nuk i shkruante më. Por, Pope ishte i vendosur ta bënte sërish që ajo t’i shkruante. “Nuk është e mjaftueshme për reputacionin tuaj zonjë, që t’i mbani duart e pastra nga boja që ju nevojitet për të kënaqur një korrespodent mashkull. Ah! Ndërsa zemra juaj ju lejon ta nxisni në këtë liri të turpshme të shkruarit, ju nuk jeni ajo çka doni që unë me plot dëshirë të mendoj se jeni: një grua e virtytshme! Jam aq mendjelehtë sa të dal në përfundim, se heshtja juaj zonjë është miratim, dhe unë vazhdoj t’ju shkruaj. Por, për t’u paraqitur sa më i drejtë në këtë letër, po ju jap ca lajme. Ju më kërkuat t’ju jap lajme me mijëra herë, që herën e parë që më drejtuat fjalën, aq sa shumë do të mendonin se ju nuk kishit ç’prisnit më shumë nga buzët e mia. Dhe, vërtet, a nuk është shenjë e dy dashnorëve të lidhur ngushtë, kur janë aq të paturp sa të duan të dinë se ç’po ndodh në botën e secilit? Gjithçka që dua të them është se, unë ose ju, nuk mund të dashurohemi me tjetrin. Jua lë juve ta gjeni se cili nga ne të dy është kjo qenie budallaqe dhe e pandjeshme, kaq e verbër ndaj shkëlqimit dhe magjisë së tjetrit”. Alexander Pope është një nga poetët që përveç librave që shkroi, la pas dhe një mori letrash të mrekullueshme të cilat i shkruante kur i vetëm në shtëpinë e tij në Londër, i vinin në mendje mikeshat e tij. Me to ai fliste gjithçka, duke ua bërë më të lehtë punën biografëve për të shpjeguar vargjet dhe jetën e tij. Por, vetëm njëra prej tyre mbeti gjatë gjithë jetës peng i zemrës së Pope. Ajo ishte Marta, gruaja të cilës i dedikoi dhe testamentin para se të ndahej nga jeta.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk