Koleksioni i rrallë fotografik i Shqipërisë së 1922
Rozë Uajlldër Llejni nuk ishte antropologe me njohuri të thella mbi Ballkanin, as analiste politike si paraardhësja e saj britanike, Edith Durham, dhe as shkrimtare e mirëfilltë udhëtimesh. Gjithsesi ajo arriti që me stil dhe thjeshtësi të bënte të kuptueshme për amerikanët botën e malësorëve të veriut të Shqipërisë.
Një ditë Rozë Uajlldër Llejni (Rose Wilder Lane) ndodhej në një kamp refugjatësh në Shkodër kur pak para largimit të saj, një veprimtare tjetër e Kryqit të Kuq Amerikan, Fransis Hardi (Frances Hardy), e bindi të shkonte me të në një ekspeditë në malet e veriut të Shqipërisë, në një udhëtim për të ngritur shkolla.
“Kostandinopoja s’është gjë! Të gjithë shkojnë në Kostandinopojë. Por nëse nuk shikon Shqipërinë, nuk ke parë gjë. Aty lart po, pikërisht aty në ato male, një ditë rruge prej këtu jetojnë njerëz si njëzet shekuj më parë, para se të njiheshin grekët, romakët ose sllavët. Ka ngulime parahistorike, legjenda të vjetra, këngë dhe zakone për të cilat nuk dihet asgjë. Asnjë i huaj s’i ka parë. Zoti i madh! Ti rri këtu dhe flet për Kostandinopojën!” “Por nëse nuk shkohet, si të bëjmë?” pyeta unë. “Si bëhet çdo gjë në jetë? Thjesht, bëhet! Marrim kuaj, u hipim dhe nisemi.” “Të marrim edhe pushkë me vete?” “Mos ki frikë, nuk ka rrezik. Mbase hasim në ndonjë pritë hasmërie dhe vrasin udhërrëfyesit tanë, por askush nuk vret gra. As burrat nuk vriten kur janë me gra”.
Rozë Uajlldër Llejni ndërroi planet e saj aty për aty dhe u nis me Francës dhe një grua tjetër, Margrët Aleksandër (Margaret Alexander). Bashkë me to ishte Rexh Meta, një refugjat dymbëdhjetëvjeçar nga Kosova i cili kishte humbur prindërit dhe kishte përfunduar në një kamp refugjatësh në Shkodër. Aty kishte mësuar anglisht. Gjithashtu me grupin e udhëtarëve ishte edhe Rrok Perolli, punonjës i Ministrisë së Brendshme, si përkthyes. Një vit më parë, Rroku kishte qenë i burgosur në Serbi dhe ishte dënuar me vdekje. Ai u arratis dhe arriti të kalonte kufirin për në Shqipëri. Tani kishte frikë që malësorët do ta shisnin te serbët.
E frymëzuar nga udhëtimi i saj në vitin 1921, Rozë Uajlldër Llejni shkroi dhe botoi librin e saj më të njohur, Peaks of Shala, Being a Record of Certain Wanderings among the Hill-tribes of Albania(Majat e Shalës: përshkrim i disa rrugëve mes fiseve të malësisë së Shqipërisë), Londër 1922, ndihmesë e çmuar në njohjen e Shqipërisë prej amerikanëve në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë.
Rozë Uajlldër Llejni nuk ishte antropologe me njohuri të thella mbi Ballkanin, as analiste politike si paraardhësja e saj britanike, Edith Durham, dhe as shkrimtare e mirëfilltë udhëtimesh. Gjithsesi ajo arriti që me stil dhe thjeshtësi të bënte të kuptueshme për amerikanët botën e malësorëve të veriut të Shqipërisë. Me gjithë temën tërësisht të panjohur, Majat e Shalës u bë libër shumë i suksesshëm.
Pas tirazhit të parë u ribotua edhe tri herë dhe u lexua shumë në Amerikë dhe në Angli. Në vitin 1926, pesë vjet pas udhëtimit të saj në Dukagjin, Rozë Uajlldër Llejni u kthye në Shqipëri me mikeshën e saj Helenë Dor Bojllstën (Helen Dore Boylston, 1895-1984) dhe me shërbëtoren e tyre të tmerruar franceze, Ivonë, me qëllim që të ndërtonin një shtëpi dhe të jetonin bashkë në vendin e ëndrrave të saj. Rrëfimi i udhëtimit të tyre me një makinë të tipit Model T Ford, që i dhanë emrin Zenobia, nga Parisi në Tiranë u botua nga Uilliëm Holc (William Holtz) në librin Travels ëith Zenobia, Paris to Albania in a Model T Ford: A Journal by Rose Wilder Lane and Helen Dore Boylston (Udhëtime me Zenobian: nga Parisi për në Shqipëri në një Ford T. Ditar i Rozë Uajlldër Llejnit dhe i Helenë Dor Bojllstënit), Kolumbia 1983. Për fat të keq, një vit e gjysmë më vonë ajo u detyrua të kthehej në Amerikë për arsye familjare dhe, pas kësaj, Depresioni i Madh ekonomik i vitit 1929 shkatërroi përfundimisht shpresën e saj për të jetuar në Shqipërinë që donte kaq shumë.
Rozë Uajlldër Llejni vdiq në vitin 1968 në moshën 81-vjeçare, një ditë para nisjes së saj në një udhëtim rreth botës. Fotografitë e këtij koleksioni nuk janë marrë nga vetë Rozë Uajlldër Llejni gjatë ekspeditës së saj të vitit 1921. Kur shkoi në Shqipëri një vit më pas, ajo mori një fotografe, Anetë Markuis (Annette Marquis), dhe dy udhërrëfyes për të përsëritur udhëtimin e vitit 1921. Kësaj radhe, moti ishte më i mirë dhe udhëtimi më pak i lodhshëm. Pas shumë peripecive Anetë Markuisi u kthye shëndoshë e mirë. Aparati fotografik ra në ujë por, për fat, negativat nuk ishin dëmtuar.
Bio
Shkrimtarja amerikane Rozë Uajlldër Llejn (1886-1968), e bija e Llora Ingëllz Uajlldërit (Laura Ingalls Wilder, 1867-1957), autorja e librave të suksesshme, Little House on the Prairie, lindi ne Dakotën e Jugut. U rrit në Mizuri ku në moshën 17-vjeçare punoi për Ëestern Union në Kanzas Siti. Në vitin 1908 u nis për në San Fransisko ku shkroi rubrikën e gruas për gazetën San Francisco Bulletin. Me tregimet e saj të shkurtra në gazetat për gruan u bë gazetarja më e paguar në Shtetet e Bashkuara. Pas botimit të librit të parë, ajo filloi punë për Kryqin e Kuq dhe Ndihmë për Lindjen e Afërt (American Red Cross and Near East Relief), duke hetuar dhe duke shkruar për kushtet në Evropë dhe në Lindjen e Afërt (përfshirë Ballkanin) për të grumbulluar fonde për ndihmë. Filloi punë në zyrën e Kryqit të Kuq në Paris dhe udhëtoi në Itali, Greqi, Jugosllavi dhe Shqipëri, vend ky që e mahniti.
Gazeta Express
Comments
Post a Comment