Vizatimi 3D, arti i manipilimit viziv të mendjes
Nga Albert Vataj
Nuk është thjeshtë vullneti për të kapur lapsin dhe për të
derdhur një talent rutinor vizatimi, megjithëse ky kurajoz novator kumton
modestish se "E gjithë çfarë ju duhet është një laps dhe diçka për të
nxjerrë në pah, dhe ju mund të krijojë me të vërtetë prekjen magjike”. Kësisoj
s’mund të jetë kryekëput kështu, jo vetëm një laps e trandjea e një fillese.
Sikurse as përshkimi prej një dakordësie që zgjon brenda vetes për një rrekje
talenti në zgjim. Është shumë më shumë, është ngasje për tu qasur teknikave të
reja, siç është vizatimi 3D, ngulmi për të manipuluar momente dhe detaje të
ndryshme të zakonshme në një projektim vizatimor mbreslënës. Është thirrja
kushtruese për ta ndërkallur brendin tënde në një mënyrë komunikimi estetik të
allasojtë, tjetërqysh ngase armata e artistëve komunikon me artdashësin. Kur
artisti, Alessandro Diddi, vë laps në letër, veprat e tij vijnë në jetë,
impresionet shumëzojnë pjesëmarrjen në këtë joshje komunikimi. Ai guxon dhe
provon të rroket prej një sprove të tjetërllojtë. E bën këtë pa shumë
pretendime, dhe pa ngulmin për t’i ngarkuar rëndë punët e tij, me nëntekst dhe
pështjellim ndjenjash dhe përjetimesh.
E veçanta dhe ajo që e bën këtë akt artdëshmues një joshje
dhe afrimitet, është finesa dhe delikatesa e manipulimit të imazheve reale me
vizatimet. Vizatimet 3D janë arritur nga një mashtrim i mendjes, duke përdorur
hije dhe kënde për t'i dhënë atyre një jetë të vetiake dhe të bëjë 'kërcimin brofës
në faqen e vijuese'.
Duke u qasur në dakordësinë e asaj që arti i tij mëton,
Alessandro Diddi shton: "Unë dua që
vizatimet e mia të vënë në dijeni të gjithë, se mesazhi që kumton është se syri
mund të gënjejë mendjen dhe të bëjë që ju të besoni se ka dimensione që nuk
janë me të vërtetë aty".
Duke përdorur duart e veta dhe objekte për të bërë vizatimet
të paraqiten edhe më shumë jetësore, ai pjesmerr në këtë lojë manipulimi viziv
në trajtesa të ndryshme, si për të na bindur se shumëçka në mëndjen tonë është
qëllesë përceptimi, përjetimi dhe përfshirje, nën urdhëresën e shikimit. Në një
farë mënyre ne vazhdojmë të jemi të manipuluar nga ajo që syri na e servir,
shpesh duke ndikuar dhe sendërtuar trubullt pikpamjet, reagimet dhe përfshirjen
në kontakt fizik me realitetin. Ndërsa
shfleton këtë parakalim objektesh dhe lojërash vizive, të bie në sy se si ai
fut vetveten gjithsekund në rol. Dhe është pikërisht kjo që e bën më të
besueshëm aktin dhe më kërcënues rënin pre e manipulimit.
Këtë e përcjellim në rastin konkret kur lapsin dhe dorën e
tij e tërheqin dy burra, me gjith forcë. Për të vazhduar këtë lojë marroke arti
viziv dhe loje me dimensionet dhe kontaktin fizik, me gjarprin, i cili zgjaton
në perpjekjet për të dalë nga kuadrati i bardhë i fletës së vizatimit.
Një tjetër tregon gishtat e artistit të cilat zgjatojnë
jashtë kuadrit fizik duke mbetur brenda fletës së vizatimit, e transformuar, e
kapur në metamorfozë, pikërisht prej kthetrave të tendosura dhe kërcënuese.
Duke shtuar në lidhje me marrëdhëniet dhe shikuesit, me atë
masë që konsumon këtë lloj arti Alessandro Diddi, është i mendimit dhe tejçon
rrëfenjën në një kuadër vërtetësie dhe transparence, duke shtuar se kur
njerëzit të shohin vizatimet e tij, ata mbesin të shtangur. Një moment befasie
e ngrin këtë mundësi komunikimi, anipse si në të gjithë marrëdhëniet me artin,
edhe kësaj here, kundruesi kërkon me ngulm shtegun për të depërtuar në tërësinë
e përjetimit, për të jetuar çastin. Kjo qasje është përpjekje e tyre për të
kapur fillin e së vërtetës, për të përjashtuar vetveten nga kjo lojë
manipuluese vizuale, dhe për tu bërë njësh me kumtin, duke e pranuar ta përshkojë
atë.
Ata e pranojnë vullnetarisht
rënien në këtë grackë. Pjesmerren kryekëput në këtë lojë dimensionesh, shkujdesje
e lapsit në përcaktimin korrekt të objekteve, dhe ashtu të pafat në këtë ngulm
për të zbuluar trukun, u mbetet vetë të argëtohen, të shijonë këtë mashtrim të
mendjes nga syri.
Kur ju e kuptoni mekanizmin e projektimit “anamorphic”, ti e
kupton se nuk ka diçka jashtë normales, përkundrazi. Gjithçka të duket e vërtetë
dhe përjetuese, reale dhe dinamike, vepruese dhe e gjallë. Fundja vendos të bësh
një marrëveshje me veten në këtë lojë trajtesash të këtij zhanri, të kësaj mënyre
komunikimi estetik.
Qëllimi im, thotë piktori, është gjithmonë për të krijuar
diçka të re dhe origjinale, të cilat njerëzit do të duan të shikojnë dhe të
ndjehen të intriguar nga kjo lojë, nga kjo përfshirje. Thjesht duke u përpjekur
që të kombinohen dy pasionet e mia, skicat dhe figurat, vazhdon Alessandro
Diddi, unë kam qenë në gjendje dhe besoj, se ja kam dal të vij ndryshe në këtë
ballafaqim, në këtë kontakt me admiruesit e këtij lloj arti.
Edhe pse nuk ka asnjë mesazh, përpjekjet për të lexuar punët
e mia, shton artisti, unë nuk mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të
kuptojnë, se ajo nuk është e nevojshme për të konsumuar në sasi të madhe të
burimeve për të arritur diçka interesante. Ata argëtohen, përfshihen, shtangen,
debatojnë dhe ikin me një ngarkesë përjetimi dhe trullosje. Me modesti ai përfund
se: "E gjithë çfarë ju duhet është një laps dhe diçka për të nxjerrë në
pah, dhe ju mund të krijojë me të vërtetë prekjen magjike”.
Comments
Post a Comment