Nga Ditari i një gjeniu, Salvador Dali
Falemnderit Zotit, në këtë periudhë të jetës sime, flë e
pikturoj më mirë e më me kënaqësi se zakonisht. Kësisoj, duhet të bëj kujdes
për të shmangur plasarimat që më krijohen nëpër cepat e buzëve si pasojë e
pashmangshme e pështymës që grumbullohet prej kënaqësisë që më sjellin këto dy
mundësi hyjnore: të flë e të pikturoj. Po, duke fjetur e duke pikturuar, unë
përjargem nga kënaqësia. Sigurisht, me një gjest të vrullshëm apo të ngathët të
dorës, do mund të përthahesha në çastin e një prej zgjimeve të mia parajsore
apo në çastin jo më pak parajsor të ndërprerjes së punës, por jam aq terësisht
i kushtuar ndaj kënaqësive të mia jetësore dhe intelektuale sa refuzoj ta bëj
një gjë të tillë! Ja një problem moral që duhet zgjidhur. Duhet lejuar që
jargët e kënaqësisë të shtohen, apo duhen bërë përpjekje për ta fshirë
pështymën që në fillim? Në pritje të zgjidhjes, kam krijuar një tjetër metodë
gjumëndjellëse, metodë që një ditë do të duhet të përfshihet medoemos në
terësinë e krijimeve të mia. Në përgjithësi, njerëzit marrin barna
gjumëndjellës kur kanë probleme me gjumin.Unë bëj krejtësisht të kundërtën.
Pikërisht kur gjumi im arrin në kulmin e
rregullsisë e të dalldisë vegjetale, vendos të marr, disi me naze, një pilulë
gjumi. Atëherë, me të vërtetë e pa asnjë thërrime metafore, mund të flë një
cope, duke u zgjuar terësisht i përtërirë, me inteligjencë të gjallëruar prej
një limfe të re që nuk resht së rrjedhuri derisa të kenë çilur idetë më
delikate. Një gjë e tillë më ndodhi pikërisht sot në mëngjes sepse, mbrëmë,
mora një pilulë me qëllim që ta bëja të teptiste kupën e ekuilibrit tim të
tashëm. Dhe çfarë rizgjimi në orën njëmbëdhjetë e gjysmë, mbi tarracë, në
rrezet e diellit, ku piva kafen me
qumësht e me mjaltë, nën një qiell pa re dhe pa u besdisur as dhe nga ereksioni
më i vogël!
1 gusht 1952
Këtë mbrëmje, për herë të parë të paktën që prej një viti,
rri e vështroj qiellin me yje. Më duket i vogël. Jam unë ai që rritet apo
universi që tkurret? Apo mos vallë po ndodhin të dyja njëherësh? Çfarë
ndryshimi me soditjet e dhimbshme yjore të adoleshencës sime. Ma asgjësonin atë
që romanticizmi më nxiste të besoja asokohe: pafundësitë e pamatshme kozmike.
Isha pré e trishtimit sepse të gjitha emocionet e mia ishin të papërcaktueshme.
Tashti, përkundrazi, emocioni im është kaq i përcaktueshëm sa do mund ta
riprodhoja një kopje. Dhe në çast vendos ta porosit një në allçi, që të mund të
paraqesë me saktësi të epërme emocionin e përftuar nga soditja e kupës
qiellore.
I jam mirënjohës fizikës moderne e cila, me kërkimet e saj,
ka vërtetuar konceptin e këndshëm dhe të pëlqyeshëm anti-romantik që “hapsira
ka mbaruar“. Emocioni im ka formën e përkryer të një continuum me katër
mollaqe, butësia e vetë mishit të Universit. Duke shkuar në shtrat i
rraskapitur nga një ditë e tërë pune, përpiqem ta ruaj ende emocionin tim, duke
vijuar ta siguroj veten gjithnjë e më tepër e duke i thënë se, në fund të
fundit, Universi- edhe pse në zgjerim me tërë lëndën që përmban, sado e
bollshme që të duket- nuk është tjetër veçse një çështje si ajo e numërimit të
bathëve. Jam aq i kënaqur që më në fund e shoh Universin të reduktuar në këto
përmasa të arsyeshme, sa do të isha gati të fërkoja duart, kuptohet nëse një
gjest kaq i neveritshëm nuk do të ishte tipik antidalinian. Duart, para se të
flë, në vend që t’i fërkoj do t’i puth me ngazëllimin më të çiltërt, duke
përsëritur me vete se Universi, ashtu si tërë gjërat lëndore, ka një pamje
tmerrësisht të mjerë dhe të rrëgjuar nëse e krahasojmë, përshembull, me
gjerësinë e një balli të pikturuar nga Rafaeli.
15 shtator 1952
Galën e adhuroj akoma më shumë nga ç’mund ta mendoja. Për më
tepër, kam nisur të pikturoj ashtu sikundër një bilbil këndon. Papritmas
kanarina ime- dhe është mjaft e çuditshme, ngaqë prej kohësh nuk këndonte
më-nis të cicërojë. Huani i vogël flë në dhomën tonë. Është një ndërthurje e
njëmendtë e Murilos dhe Rafaelos. Kam vizatuar tre portrete nudo të Galës duke
u lutur. Që prej tre ditësh e ndezim zjarrin në vatrën e madhe të dhomës sonë. Kur
fikim dritën, drutë e përflakura na ndriçojnë! Është shumë bukur të mos jem
akoma në burg, aq bukur sa po vendos të bëj pushim edhe nesër, përpara se të
kridhem në ëndërrimin e madh, rraskapitës, të epërm, të këndshëm, që lidhet me
vallëzimin Beistegui. Përfundoj duart dhe krahët e Virgjëreshës.
1 Maj 1953
E kalova dimrin në New York si zakonisht, duke sjellë
sukseset më të mëdha të çdo lloji. Që prej një muaji ndodhemi në Port Lligat
dhe sot, ashtu si vitin e shkuar, vendos të rifilloj ditarin tim. E përuroj 1
majin dalinian duke punuar në mënyrë të tërbuar, i nxitur prej një angështie të
ëmbël krijuese. Mustaqet e mia nuk kanë qenë kurrë kaq të gjata. I tërë trupi
im është ndryrë brënda veshjeve. Vetëm mustaqet më teptisin përjashta.
2 maj 1953
Si epigraf në librin tim mbi artizanatin, kam shkruar: Van
Gogu preu veshin e tij; para se të presë tuajin, lexojeni këtë libër. Lexojeni
këtë ditar.
6 maj 1953
Gjithçka ka gjasa të bëhet mirë ose keq. Gjer dhe piktura
ime.
Dijeni se vegimi më i mahnitshëm që truri juaj është në
gjendje të ngjizë mund të pikturohet me talentin artizanal të Leonardos ose
Vermerit.
8 maj 1953
Piktor, ti nuk je orator. Kësisoj pikturo dhe hesht!
Pasqyrë krahasuese e vlerave të disa piktorëve të shquar,
sipas analizës daliniane
Përgatiti e përktheu: Shpëtim Kelmendi
Comments
Post a Comment