“Grimca së Zotit” laurohet me Nobel në Stokholm
Albert Vataj
“Grimca e Zotit” e njohur shkencërisht si “grimca Higgs”, e
bërë publike si zbulim korrikun e vitit të shkuar ka shtyrë komisionin e vlerësimit
në Stokholm të shpall etërit e saj fitues të çmimit Nobel në fizikë për vitin
2013. Ishte si një lindje e vështirë, sepse edhe si ngjizje ishte jo më pak e mundimshme.
Fituesit e çmimit Nobel për fizikën për vitin 2013 janë belgu Francois Englert
dhe britaniku Peter Higgs. Komisioni i Çmimit Nobel i shpalli fituesit dje në
Stokholm fizikantët duke rikthyer kështu vëmëndjen e kureshtarëve dhe
komunitetit të shkencëtarëve tek CERN dhe “grimca Higgs”. Një ditë më parë prej
kësaj lajmëtareje triumfalistësh në Stokholm u bë e njohur se dy amerikanë dhe
një gjerman ishin fituan çmimin Nobel për mjekësinë për vitin 2013. Ata ishin James
Rothman, Randy Schekman dhe Thomas Sudhof, të cilët u nderuan për studimin e tyre
lidhur me organizimin e sistemit të transportit të qelizës.
Fizikanët Englert dhe Higgs u zgjodhën për “zbulimin teorik
të një mekanizmi që kontribuon për të kuptuar origjinën e masës së grimcave
elementare nënatomike”. Dy shkencëtarët janë të njohur për zbulimin e grimcës
Higgs, e quajtur edhe “grimca e Zotit” sepse vërteton një koncept bazë të
fizikës së grimcave, që besohet se bën të mundur ekzistencën e vetë atomeve.
Shpallja e fituesve u bë me një orë vonesë, diçka e pazakontë për të cilën nuk
u dha ndonjë sqarim.
Zanafilla e “Grimcës Higgs”, origjinës së universit
Shkencëtarët e Cern-it
kishin bërë publike nga Large Hadron Collider (LHC) se kanë zbuluar një grimcë
të re në përputhje me pjesëzën Higgs. Mendoj se mund të jemi krenarë, të
lumtur, por e tëra kjo është vetëm një fillim dhe mendoj se do të ketë ndikime
globale në të ardhmen. Ai zbulimi vjen në kohën e duhur dhe mendoj se mund të
jemi shumë optimistë. Ndër të gjitha grimcat e parashikuara nga "modeli
standard" i fizikës, ekzistenca e thërrmijës Higgs është vërtetuar e
fundit. Ajo është kaq e rëndësishme, por dhe kaq e vështirë për t'u zbuluar,
saqë njerëzit e quajtën në fillim "grimca e mallkuar nga Zoti". Makina
e CERN-it për të provuar ekzistencën ose jo të thërrmijës Higgs ka kushtuar dhjetëra
miliardë dollarë dhe për ta ndërtuar janë dashur afro 20 vjet. Më shumë se 7
000 shkencëtarë nga 80 vende të ndryshme të botës kanë marrë pjesë në krijimin
e saj, me qëllimin për të gjetur dëshmi për ekzistencën e "grimcës së
Zotit". Nga një këndvështrim shkencor, zbulimi i kësaj grimce është më i
rëndësishëm sesa mbërritja në Hënë.
Shpallja e fitores nga CERN
Ishte 4 korrik i vitit 1912, kur Organizata Europiane për
Kërkimet Bërthamore (CERN) shpalli zbulimin e një grimce të re në dy programet
eksperimentale të saj "ATLAS" dhe "CMS". Kjo grimcë përmban
shumë veçori të përbashkëta me thërrmijën Higgs, për të cilën shkencëtarët kanë
kryer me vite të tëra kërkime. Zbulimi tronditi qarqet shkencore. Ekzistenca
teorike e thërrmijës Higgs u parashikua nga shkencëtari britanik Peter Higgs në
vitet '60 të shekullit të kaluar. Kjo thërrmijë vlerësohet si burimi i cilësisë
së materies. Grimcat e tjera "notojnë" në "detin" e formuar
prej thërrmijave Higgs, duke iu nënshtruar atyre dhe duke krijuar inerci, çka përfundimisht
prodhon cilësinë, bazën e ndërtimit të gjithësisë.
Në një prononcim publik për zbulimin i cili mori Nobel në
fizikë për 2013, drejtori gjeneral i CERN-it, Rolf Diter Hojer kishte shpjeguar:
“Sot shënojmë një arritje historike, por jemi vetëm në fillim. Tani, mbetet një
punë e madhe para nesh. Është megjithatë një arritje. Mendoj se mund të jemi
krenarë, të lumtur, por e tëra kjo është vetëm një fillim dhe mendoj se do të
ketë ndikime globale në të ardhmen. Ai (zbulimi) vjen në kohën e duhur dhe
mendoj se mund të jemi shumë optimistë”.
Pritshmëritë ishin të larta, spekullimet gjithashtu dhe
shkencëtarët në Cern të Zvicrës
shpallën pikërisht atë që bota prej disa ditësh priste të dëgjonte: zbulimin e
një grimce subatomike e cila përputhet me të shumëpërfolurën “grimca Higgs” apo
pjesëza e Zotit. Të dy eksperimentet e realizuara me këtë qëllim në Large
Hadron Collider kanë mbërritur rezultate të denja për tu përcaktuar si zbulim. Fizikanti
John Ellis gjatë ndarjes së këtij emocioni me botën që e gozhduar përtej
ekranit priste lajmin e madh, mësohet të ketë cituar se: “Është kaq emocionuese
që pas shumë vitesh supozimi, pritjeje dhe kërkimi, më në fund mund të kemi
zbuluar hallkën e munguar që e bën të arsyeshëm këndvështrimin tonë ndaj
universit. Mbase është grimca Higgs, mbase jo, por mendoj se mbetet i
rëndësishëm fakti që ne do të arrijmë ta shohim.”
“Pjesëza e Zotit” do të ndihmonte të shpjegohej përse
grimcat kanë masë e të mbushë në këtë mënyrë boshllëqet e hershme të teorisë më
të rëndësishme të momentit mbi funksionimin e Universit. Forca e sinjalit në
akseleratorin e Cern-it, më i
fuqishmi i ndërtuar deri më sot, tregoi se studiuesit ishin shumë pranë
zbulimit të jashtëzakonshëm që do t’i jepte fund dekada të tëra përpjekjesh për
të provuar se grimca në fjalë ekziston vërtet. Por përse është investuar kaq
shumë mund dhe kohë në gjetjen e saj? “Grimca e Zotit” i jep masë grimcave të
tjera, shpjegojnë ekspertët. Nëse këta të fundit nuk do ta kishin masën e tyre,
atëherë s’do kishte yje, galaksi, s`do të kishte as atome. I gjithë Universi do
të ishte ndryshe. Masa vlerëson se sa përmbajtje ka një objekt, siç është
grimca apo molekula.
Higgs, thërrmija që mund të ndryshojë fizikën
Fizikanët kanë zbuluar tashmë 12 nga blloqet që përbëjnë
“ndërtesën” e natyrës. Pas një kërkimi 50-vjeçar, përafrohen zbulimit të njërit
prej tipareve më të rëndësishme “grimcës Higgs”.
Peter Higgs ai që predikoi dhe pagëzoi “Grimcën e Zotit
Grimca është emëruar sipas Peter Higgsit, hulumtuesit
britanik, i cili më 1964 vendosi bazat për studimet e kësaj çështje. Grimca
njihet edhe si “Grimcë e Zotit” për shkak të rëndësisë që ka. Vetëm për gjetjen
e saj janë vënë në dispozicion deri më tani 3 miliardë euro. Kjo, sepse bëhet
fjalë me të vërtetë për diçka speciale. Një vizitë në Edimburg, në apartamentin
e njeriut që paratha ekzistencën e kësaj grimce shumë të rëndësishme, nxjerr në
pah se sa i thjeshtë është Peter Higgs, me gjithë emrin e madh që ka. Ai është
shumë modest, në moshën 82-vjeçare, me flokë të bardhë të rrallë dhe me një
buzëqeshje hezituese. Flet me fjali shumë të shkurtra. Flet me qetësi kur
përshkruan momentin kur pati mendimin më të rëndësishëm të jetës së tij. Kujton
qartë se ishte në një librari duke shfletuar disa gazeta shkencore, kur befas
ideja i erdhi në mendje. Ai madje mban mend edhe datën e saktë të kësaj
ngjarjeje shumë të rëndësishme për të dhe për të gjithë botën shkencore. Ishte
16 qershor i vitit 1964. Që nga ajo kohë nuk ka botuar në revista shkencore dhe
është i ndërgjegjshëm që disa madje edhe e përqeshin për atë që ka zbuluar,
duke mos e marrë seriozisht, dhe madje duke mos e marrë seriozisht as punën e
tij për grimcën që mban emrin e tij. Dhe sipas tij, nuk është se nuk kanë
tërësisht të drejtë. Artikulli në të cilin Peter ka folur për idenë e kësaj
grimce misterioze nuk e kalon një faqe dhe në të ndodhen vetëm 4 formula. Në
thelb, Higgs solli në vëmendje të botës shkencore një kleçkë interesante
matematike, por çfarë kleçke se? Një kleçkë e tillë që edhe sot e kësaj dite
vazhdon që të mbesë shumë e rëndësishme dhe me vlerë për fizikën dhe më aktuale
se kurrë. Arsyeja? Sepse, i ka ndihmuar fizikanët që të kuptojnë fenomenin e
masës. Pa këtë kleçkë të këtij skocezi flegmatik, ekuacionet në fizikën e
grimcave do të ishin të mërzitshme dhe të lodhshme. Ata e kanë përshkruar
universin si një masë të madhe të populluar kryesisht nga grimca ekskluzive pa
masë. Por pa një masë nuk mund të lëvizin dhe ekzistojnë as yjet dhe as
planetët dhe në një botë të tillë njerëzit do të ishin inekzistentë. Për t’i
dhënë jetë kësaj “toke djerrë”, Higgs propozoi hipotezën e tij, atë që universi
është i mbushur me një lloj “supe” që përbëhet nga grimca të padukshme. E
gjithë lënda që lëviz në këtë fluid merr me vete një porcion të vogël të kësaj
“supe” dhe inercia që rezulton nga lëvizjet i jep grimcave masë. Për të
imagjinuar efektin e “kalorësit të lirë”, ‘CERN’ dhe fizikanti teorik i këtij
laboratori gjigand, John Ellis, krahason universin me një baticë të rrafshët.
“Grimcat kanë këpucë, nëse mund të shprehemi kështu, në të cilat ngjitet
balta”, - thotë fizikani. Me kleçkën e tij, Higs i ka dhënë fizikanëve një mjet
për të ndrequr ekuacionet e tyre. Në këtë mënyrë dhe përmes kësaj “kleçke”, ata
ishin në gjendje që të formulonin modelin standard të lëndës, që përfaqëson
edhe pikëpamjen e përbotshme të fizikës sot. Ajo që duhet të bëjnë fizikanët e
gjithë botës tani është që të provojnë ekzistencën e ‘grimcës Higs’. Në fizikë
nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme fakti që së pari grimcat zbulohen në letër
dhe më pas provohet ekzistenca e tyre edhe në natyrë në kushte laboratorike. Në
rastin e anti-materies, kanë kaluar 4 vjet nga momenti i idesë tek ai i
zbulimit dhe shkencëtarëve, ndërkohë iu desh 20 vjet për të zbuluar neutrinon.
Por intervali mes idesë dhe zbulimit nuk ka qenë kurrë më i madh se në rastin e
“grimcës Higgs” në të gjithë historinë e fizikës. Në laboratorët e fuqishëm
nëntokësorë, shkencëtarët lejuan elektronet, protonet dhe anti-grimcat e tyre
që të përplaseshin me njëra-tjetrën me një forcë gjithnjë e më të madhe dhe me
një emetim energjie gjithnjë e më të madh në këtë proces. Të gjitha grimcat
përbërëse të materies, deri më tani janë zbuluar njëra pas tjetrës, sikundër
kishte parashikuar edhe fizika teorike. Më pas erdhi radha e muon, tau dhe tau
neutrinos. Të gjithë blloqet ndërtuese të lëndës u zbuluan herët ose vonë,
përveç misteriozit Higgs. Atëherë shumëkujt i lindi pyetja: mos vallë teoria e
tij ishte e gabuar? A mos vallë lënda ishte krijuar në një mënyrë tjetër? 11
vjet të shkuara, fizikanët e ‘CERN’ besonin se e kishin “kapur” më në fund një
moment të ekzistencës së grimcës në përshpejtuesin e tyre. Besuan se mund të
njihnin sinjale të të dhënave të kësaj grimce, edhe pse bëhej fjalë për sinjale
shumë të dobëta. Por në atëkohë menaxherët e ‘CERN’ nuk u dhanë gjuetarëve të
Higgs kohën që ata kërkuan për të provuar dhe thelluar studimin e tyre dhe për
t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së misterit. Në atë kohë kishte plane për
ndërtimin e një përshpejtuesi më të madh dhe përshpejtuesi i vjetër nuk mund të
funksiononte për ca kohë, derisa të zëvendësohej nga i riu. Kështu, europianët
duhet që të shinin se si amerikanët në përshpejtuesit e Çikagos po bënin
përpara dhe po i afroheshin zbulimit. A do ta merrnin ata trofeun e gjetjes së
“grimcës Higgs”? Por tani edhe ky shqetësim i përket të shkuarës, duke qenë se
përshpejtuesi amerikan është mbyllur që tetorin e kaluar. Qendra e pushtetit të
fizikës së energjisë së lartë është zhvendosur. Për 70 vjet me radhë, që nga
koha kur ‘Manhattan Project’ rezultoi në ndërtimin e bombës atomike, ajo ishte
gjithmonë në bregun matanë Atlantikut. Tani shkencëtarët europianë shpresojnë
se zbulimi i ‘grimcës Higgs’ të shënojë edhe fillimin e një epoke të re dhe që
fizika e shekullit të 21-të të formulohet në kontinentin e ri. Dhe qendra e
kësaj është Gjeneva.
Comments
Post a Comment