Përpara Aulona, Forca Fatma_Nga Edison Ypi
Aq e përkorë, aq njerëzore dhe diskrete në
pamje dhe në sjellje, sa të sjell ndërment Gina Lollobrigita-n që thoshte,
"Femër e bukur, nuk është ajo që duket joshëse sa më tepër që xhvishet.
Femër e bukur është ajo që bëhet aq më tepër joshëse sa më tepër të
vishet".
Dhe Ti e dashur Fatma,
Ti që nuk je më pak rrezëllitëse se Dielli që
sapo ka dalë mbi Grykën e Holtës.
"Shoqet" tuaja nëpër televizione,
njëra si sekretarja, tjetra si infermierja, tjetra si murgesha e përdalë e
porno-filmave, po i veremosin shqiptarët.
Ju jeni ndryshe.
Ju të dyja po bëni një video-variete' që vetë
e keni ideuar, vetë po e realizoni.
Është fantastike iniciativa Juaj.
Sheshbeshi ynë televiziv është i tëri një
shkretëtirë e acartë. Një peisazh lunar. Pa jetë, pa ajër, pa ujë. Ku nën një
qiell të zi zvarriten insekte helmues dhe krokodila tinzarë. Ku, si tarallaku
dhe teveqeli, po ashtu edhe karakuçka dhe karapiçka dhe karamjaçka, të gjitha
dhe të gjithë pjerdhin në të njëjtin poç ku ka ndonjë lek. Këtu, pavarësisht
nga skenografia e thjeshtë apo e sofistikuar, pavarësisht nga të ftuarit
laj-thaj-ndej-hekuros e palos, nja dhjetë a njëzetë gjithsej, dhe pavarësisht
nga gjithçka tjetër, të gjithë ata dhe të gjitha ato i hedhin e i presin
njëri-tjetrit po atë lëndë të fëlliqur broçkullash të pafundme të mërzitëshme
deri në llahtari.
Shumica dërrmuese e njerëzve të kësaj bote nuk
e përdorin mendjen për asgjë tjetër përpos preokupimeve për mbijetesën. Bota
është përplot me kopjet identike të atij që vetëm ha e 10 e shumzohet.
Megjithatë në botë ka miliona njerëz që kanë
ide. Por vetëm pak prej tyre arrijnë t'i komunikojnë ato ide. Shumica e ideve,
pasi shprehen, vijnë e fundosen atje nga erdhën, vdesin brenda mendjes ku
lindën. Edhe më të pakët janë ata idetë e të cilëve rezultojnë të vlefshme.
Meqënëse, siç dihet, pjesa dërrmuese e ideve të vlefëshme që përcjellin librat,
filmat, programet, janë pleh, idetë e fitimtarëve të vërtetë në fushbetejën e
ashpër të ideve, janë fare pak. Shkaqet e pamundësisë së shndrrimit të ideve të
vlefshme në realitet mediatik cilësor dhe të qëndrueshëm, janë nga më të
ndryshmit. Sepse, për shembull, bartësit dhe zbatuesit e ideve, janë njerëz pa
qasje realiste me botën dhe jetën, ose pa energji, pa këmbëngulje, pa fantazi
të mjaftueshme. Jo rrallë, shkak për mosrealizimin e ideve të mira janë edhe
rrethanat materiale të pafavorshme.
Ju të dyja, Ti Aulona dhe Ti Fatma, jeni nga
fatlumet e rralla, nga rastet e pakëta, që për meritën tuaj, idenë e vlefëshme
që j'u shkrepi në mendje, j'a keni arritur edhe ta komunikoni edhe ta zbatoni.
Ju maratonomaket e medias shqiptare, me masën e deritanishme të konsensusit të
audiancës, keni arritur një sukses. Pavarësisht se tanipërtani modest, suksesi
Juaj nuk është sukses dosido. Suksesi Juaj është sukses i vërtetë, sukses autentik.
Sepse Ju rrugën e keni bërë të tërën vetë.
Kjo është hera e parë në Historinë e
Shqipërisë pas-diktatoriale, që jo nga Fati por nga vullneti, jo dy meshkuj por
dy femra, jo të marra përdore nga ndonjë producent por tërësisht me forcat
tuaja, jo me produkt të imituar apo kopjuar por me ide dhe produkt krejtësisht
tuajin, keni arritur të parin sukses televiziv origjinal.
Puna dhe suksesi juaj nuk janë ende
madhështorë. "Madhështorë", tanipërtani janë ata dhe ato që pjerdhin
nëpër studio. Ju jeni madhështore nga një pikëpamje tjetër.
Ju jeni madhështore sepse në të folurën tuaj
nuk ka absolutisht asnjë klishe', asnjë kopjim, asnjë imitim, asnjë gjurmë të
së folurës së drunjtë. Në lojën tuaj aktoriale aq të freskët, aq të këndëshme,
aq spontane, aq të larmishme, nuk ka asgjë nga trashëgimia e neveritëshme e
soc-spektaklit dhe në përgjithësi soc-kulturës. Në produktin tuaj nuk ka asgjë
nga ajo lëndë e pështirë plot teatralitet, plot ngrehje dhe burracakëri, pa
asnjë lloj qasje nënështruese ndaj publikut, që është prezente në krejt
prodhimtarinë "artistike" të së kaluarës dhe të së tashmes tonë me të
cilën janë plot e përplot gjithçka që pretendohet artistike, kudo, nëpër
gazeta, televizione, shkrime, libra, revista, spektakle, filma. Ju dhe video-produkti
juaj nuk ngjani me asgjë paraardhëse. Aq e vërtetë është ky konkluzion sa nuk
pranon asnjë krahasim. Ç'ësht' e vërteta ndodh ndonjëherë që qeshni me fjalët
tuaja, që është gabim goxha i madh. Por po të konsiderosh se, si po e shohim
përditë, një popull i tërë po qeshet e gajaset me fatet e veta, Ju jeni në
rregull.
Këtu, të dashura Aulona dhe Fatma, si me
siguri e keni vënë re dhe vetë, meshkujt dhe femrat që bëjnë televizion nuk
janë asgjë tjetër përpos një lukuni materialistash të tërbuar, pa asnjë ide, pa
asnjë talent, pa asnjë profesionalizëm, pa asnjë vullnet, pa asnjë ideal. Ata
me zor të madh thurin një fjali, ata nuk improvizojnë asgjë, nuk rrezatojnë
asgjë. Ata, porpos materializmit, pares dhe vetëm pares, nuk i bëjnë hyzmet
asgjëje të lartë. Ata janë një tufë ujqërish të uritur që gjithë kohës u rrinë
pas bythe producentave për tu xhvatur paret. Ata përbindësha kanë krijuar rreth
punëdhënësve një dhjam derri të trashë të padepërtueshëm që s'i lë rradhë as
hapësirë askujt tjetër për të bërë diçka pak më tepër se paraja, pak më ndryshe
se interesi, pak më mirë se materialiteti.
Ju, me zotësinë tuaj, talentin tuaj, i keni
sfiduar, ata derra të ndyrë, atë dhjamë të pështirë.
Jo se keni bërë ndonjë gjë të madhe. Dhe këtu
qëndron merita. Ajo që Ju keni arritur deri tani është, një filizë delikate në
mes të furtunës, një barkë e vogël në mes të detit.
Si i bëhet që kjo filizë kaq delikate dhe kaq
elokuente të rritet, ajo varkëz të mos mbytet ?
Si i bëhet që me "Aulona &
Fatma" të mos ndodhi si me "Thelma & Luisa" ?
Shqipëria që Ju tanipërtani po eksploroni
është e kufizuar, është e fundme.
Duhet të dilni nga studiot e mbyllura ku të
zihet fryma.
Duhet të zhyteni në Shqipërinë e pakufizuar,
në Shqipërinë e pafundme, në Shqipërinë plot dritë dhe ajër të pastër.
Duhet të bëni si thotë Giacomo Leopardi;
"...naufragar m'e' dolce in questo mare".
Shqipëria e pafundme për tu
"Naufragar", ekziston. Ndodhet nëpër rrugë, qytete, katunde.
Shqipëria e pafundme është një oqean, nga
cilido breg i së cilës Ju të zhyteni, keni për të gjetur vetëm perla.
Po bëtë këtë, do mrekulloni shqiptarët dhe do
nderoni veten.
Përndryshe, po nuk dolët në Shqipërinë e
pafundme, do endeni e do endeni pafund nëpër oqeanin e dallgëzuar të
shqiptarizmit si një barkë pa busull dhe nuk do arrini kurrë në asnjë breg.
Përpara Aulona, Forca Fatma. Përdoreni mirë
talentin. Si dini vetëm ju. Me ironi, dhe, ah, jeni të vetmet që e keni provuar
se mund ta bëni, me autoironi.
Forca goca.
Forca, se barka është e vogël, dhe ka rrezik
ta përpijnë ujrat.
Forca, sot ose kurrë.
Sa pa e marrë edhe një herë çiftelinë gegët
kombëtaristë.
Sa pa na e vënë edhe një herë zjarrin toskët
etatistë.
shqiptarja.com
23 tetor 2013
Comments
Post a Comment