Albert Kamy: Një vend vlen aq sa vlen shtypi i tij...

NGA: ARDIAN MARASHI
Albert Kamy: Një vend vlen aq sa vlen shtypi i tij...Albert Kamy e nisi jetën aktive pro-fesionale si gazetar, në Algjer, kur sapo kishte përfunduar studimet për filozofi. Qysh në atë kohë ai u shqua për vështrimin e mprehtë dhe për guximin qytetar. Cikli i katër reportazheve të tij, me titull Mjerimi i Kabilisë, ku ai paraqet me nota të gjalla e të forta situatën e mjeruar në të cilën regjimi kolonial e kishte lënë malësinë e Kabilisë, mbahet si një ndër krijimet më kuptimplote të djaloshit Kamy. Në vazhdim, në momentin që vendoset përfundimisht në Francë, Kamy e nxjerr jetesën me penën e gazetarit, në të përditshmen pariziane Paris-Soir, kurse gjatë luftës dhe menjëherë pas kësaj ai drejton gazetën Combat, ndërsa më pas e gjejmë në gazetën L’Express. Kamy e donte gazetarinë jo thjeshtë për faktin se ajo e mbante të lidhur me aktualitetin, por sidomos për shkak të mundësisë që i jepte gazeta për t’i shprehur idetë e tij pikërisht në momentin kur ato ishin më aktuale se kurrë dhe kishin më tepër ndikim te publiku.

Gazetaria krijon qysh herët tek Kamy bindjen se artisti, për të qenë në nivelin që meriton ky emër, duhet të zbresë “në arenë”, aty ku prej mijëvjeçarësh vazhdon përleshja mes xhelatëve dhe viktimave. Në fjalimin e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel, Kamy vëren se shekulli XX e mbushi me pesimizëm botën: “Njerëzve të lindur në fillim të Luftës I Botërore, që u bënë njëzet vjeçarë në çastin kur po instaloheshin njëheri pushteti hitlerian e gjyqet e para revolucionare, që u ballafaquan në vijim, si për ta përsosur përvojën e jetës, me Luftën e Spanjës, me Luftën II Botërore, me universin e kampeve të përqendrimit, me Europën e torturës e të burgjeve, u duhet sot t’i rrisin bijtë e veprat e veta në një botë të kërcënuar nga shkatërrimi bërthamor. Askush, më duket mua, nuk mund t’u kërkojë atyre me qenë optimistë.” Kurse në Aktualet, vepër në tre volume, ku ai përmbledh shumicën e shkrimeve të tij publicistike, mendimi vjen më i drejtpërdrejtë dhe shpreh gjithë nervin e brendshëm të veprave të mirënjohura Miti i Sizifit dhe Njeriu i revoltuar: “Të jetosh përkundër një muri, kjo është jetë qeni. Ç’të them! Njerëzit e brezit tim jetuan e po jetojnë përditë e më tepër një jetë qeni.”

Në kontekstin botëror aspak optimist të shekullit XX, Kamy beson se arti fiton një rol të privilegjuar për ardhmërinë e botës: arti i bashkon njerëzit që tirania i ndan. Artisti është i thirrur ta pranojë sfidën e të jetuarit përkundër murit të “absurdit” dhe, më tepër se kaq, të mbajë gjallë moralin e qëndresës dhe ta ushqejë revoltën e vet me zjarrin e shpirtit. Koncepti kamyzian i arenës, i hedhur në pallatin mbretëror të Suedisë, përbën mesazhin kryesor që nobelisti i ri u bën kolegëve të artit: “Në arenën e historisë kanë qenë gjithmonë martiri e luani... Por artisti deri më sot ka ndenjur në shkallë. Ai këndonte për kurrgjësend, për veten e tij, ose në rastin më të mirë për t’i dhënë zemër martirit e për t’ia larguar paksa mendjen nga uria luanit. Tani, në të kundërt, artisti gjindet në arenë.” Kur historia në mënyrë të papërgjegjshme përgatit kataklizmën e rruzullit, artistit nuk i falet të bëjë sehir, e aq më pak të vihet në shërbim të atyre që e bëjnë historinë. I vetëdijshëm për pushtetin e fjalës së lirë, shkrimtari merr përsipër gjithë përgjegjësinë e qytetarit: “Të krijosh sot, domethënë të krijosh me rrezik”, shpall Kamy në fjalimin e Nobelit.

Nga vetë pozita në të cilën ndodhet, midis luanëve e viktimave, artisti flet “për ata që nuk e kanë këtë mundësi” të flasin, për të persekutuarit nga heshtja. Në traditën e madhe të artit fisnik, ai u drejtohet njerëzve me gjuhën e bashkimit e të lirisë, duke nxjerrë në shesh të vërtetat e një bote që gënjen. Me këtë, ai beson në natyrën çliruese të artit, ide të cilën Kamy e shprehte qysh në publicistikën e rinisë së tij algjeriane, teksa formulonte këtë vlerësim për Moxartin: “Madhështia e vërtetë, e vetmja madhështi e admirueshme e Moxartit, është se ende sot, ashtu si gjithë krijuesit e mëdhenj, ai ua bën jetën më të lehtë miliona njerëzve, të cilëve qeveritë tona shumë të nevojshme ua sjellin në majë të hundës.”

I patundur në të vërtetën, Kamy e shpreh dhe e mbron atë me këmbëngulje, shpesh edhe duke rrezikuar jetën e vet, si për shembull në shkrimet për luftën civile në Algjeri, apo gjatë debateve me surrealistët e më pas në konfliktin ideologjik me Sartrin dhe me kampin ekzistencialist: “Ata që më besojnë, e dinë se unë nuk do t’i gënjej kurrë”, shprehej Kamy. Të shumtë qenë artistët të cilët përgjatë historisë pohuan paqen dhe drejtësinë kundër dhunës, por nuk qenë të paktë të tjerët që rishpikën në art traditën e bukolikeve dhe të fjalës shterpë. “Ende sot mund të inçizohet biseda mondane që vazhdon në shkallët e arenës, ndërkohë që viktima shqyhet nga dhëmbët e luanit”, nënvizon Kamy në fjalimin e Nobelit. Duke konsideruar tablonë letrare në Perëndim e në Lindje, Kamy vëren një shmangie të pajustifikueshme të artit nga thelbi i vet, një bjerrje në kahun e eksperimentit formalist apo angazhimit politik, çka e shtyn që të shprehet me hidhërim: “Arti modern, pothuaj i gjithi, është art tiranësh e skllevërish, jo krijuesish”, e në vijim, po nga tribuna e Nobelit, t’u lëshojë artistëve e shkrimtarëve thirrjen: “Të kthehemi tek e vërteta”.

Vetë Kamyja është kundërshtar i deklaruar i formës shterpë dhe i artit të ashtuquajtur “i angazhuar”, kurse tregohet disi më tolerant në lidhje me angazhimin e artistit në partitë politike: “Në fund të fundit, ky është një problem aq pa bereqet sa besimi në botën tjetër, një çështje që çdokush e rregullon me veten e vet e mbi të cilën nuk duhet gjykuar. Lidhesh për një parti siç lidhesh për një grua. Sa i takon shkrimtarit, mund të gjykojmë nga vepra e tij mbi pasojat e angazhimit.”

Çdo angazhim që synon të imponojë një kuptim unik të botës, qoftë ky angazhim fetar, marksist a ekzistencialist, shndërrohet në ideologji, e si i tillë herët apo vonë shkatërron kodin e artit. Vetë Kamy angazhohet vendosmërisht me Murtajën, e cila sipas kritikut J.-Y.Guérin shënon “cakun e skajshëm të asaj çka mund të shkruhej në epokën e letërsisë së angazhuar”, ama Kamy mbetet artist dhe zgjedhja e tij është e vetmja që i takon të bëjë një artisti: nuk e fut Kamy mesazhin politik te Murtaja, por lexuesi që lexon Murtajën zbulon nga vetja e vet atë kuptim politik që i duket se e gjen ndër rreshta.

Ndaj kritikave që i vijnë me breshëri sa majtas-djathtas, Kamy reagon në këtë mënyrë me veten e vet: “Më kritikojnë për librat se gjoja nuk nxirrkan në pah aspektin politik. Përkthimi i kësaj: duan që unë të nxjerr në skenë partitë. Por unë nxjerr në skenë vetëm individë, në kundërvënie me makinën e Shtetit, sepse unë di çka them.” J.Grenier, mësuesi i filozofisë në universitet, që e njihte mirë ish-studentin e vet, shprehej: “E kuptoj mirë pse fjala e Kamysë zë vend. Ai nuk flet me dorashka, me a parte, me mezza voce, me nënkuptime. Puna e parë: ai thotë çka për të thënë, drejtpërdrejt.”

Angazhim të drejtpërdrejtë Kamy shpreh në faqet e Njeriut të revoltuar, e sidomos të volumeve me shkrime publicistike, të titulluar Aktualet, të cilat siç i vlerëson kritika “ngrihen në nivelin e letërsisë më fisnike.” Me përvojën e gjatë si gazetar, sidomos në krye të gazetës së përditshme Combat, Kamy punon që të ngrejë një shtyp kritik të mbështetur në dy parime: ndershmëri e informacioneve dhe cilësi e komenteve. I ndërgjegjshëm për rolin dhe për pushtetin e shtypit në shoqërinë moderne, ai ecën me moton se gazeta lipset të informojë mirë, në vend që të informojë shpejt. Angazhimi i Kamysë në publicistikë përkon me këtë të vërtetë, të cilën ai e shpreh në krye të vëllimit të parë të Aktualeve: “Shpesh, një vend vlen aq sa vlen shtypi i tij.”

Ndërsa tek Njeriu i revoltuar Kamy shkruan se “në art, stili më i fuqishëm është shprehje e revoltës më të lartë”, tek Aktualet ai e vë në zbatim pikërisht këtë parim, duke iu qasur dita-ditës problemeve bashkëkohëse me po atë stil rigoroz e të fuqishëm që lexuesi e gjen gjithkund në veprën e tij letrare. Në ciklin e artikujve As viktima as xhelatë, të shkruar fill mbas luftës, Kamy përcakton qartë e në mënyrë të prerë pozicionin e artistit në shoqëri: “Nga vetë funksioni i tij, artisti dëshmon në favor të lirisë... Në botën e të dënuarve me vdekje siç është kjo e jona, artistët dëshmojnë për atë gjë e cila te njeriu nuk vdes kurrë. Askënd nuk kanë armik ata, përveç xhelatit.” Artisti, që rreh të kuptojë thelbin e botës e të njeriut, nuk e ka luksin që të ketë armiq, ai s’ka nge të ketë armiq, sepse armiqësia e bllokon dialogun dhe mundësia e të kuptuarit do të zvogëlohej për të. Për më tepër, artisti është ai që i krijon me dashuri të gjithë personazhet e vet, e për këtë arsye nuk pranon me qenë armik për vdekje i askujt. Vetë Kamy nuk ka nge t’i urrejë të tjerët, sepse në radhë të parë atij i duhet t’i dëgjojë ata, të dëgjojë me dorë në zemër secilin prej tyre, për t’i kuptuar si artist të vërtetat e çdonjërit. Kështu, në vetë xhelatin, ai lufton funksionin si të tillë e jo personin fizik. “Duam t’ju shkatërrojmë fuqinë e jo t’ju gjymtojmë shpirtin”: me këto fjalë u drejtohet Kamy nazistëve gjatë luftës dhe gjithë atyre që, me ose pa vetëdije, kryejnë funksionin e xhelatit. Të njëjtin pozicion ai e shpreh edhe në parathënien e veprave të plota të shkrimtarit të mirënjohur francez Martin dy Gar: “Artisti i vërtetë, megjithëse jeta e tij është pikësëpari luftë e betejë, nuk ka armiq.”

Përkthyesi italian i veprës së Kamysë e kishte pyetur një ditë këtë se pse ai nuk qëndronte gjithmonë në Algjer apo diku në brigjet e Mesdheut, meqenëse tërë vepra e tij këta vende ekzalton. “Keni të drejtë, - i qe përgjigjur Kamy, - por një shkrimtari francez i duhet të jetojë në Paris.” Përkthyesi italian kishte kuptuar se Parisi i shërbente Kamysë për të zhvilluar më mirë luftën për idetë që ai kishte për zemër.
Në shtypin e Parisit Kamy u angazhua vendosmërisht në debatet e polemikat e kohës, për të goditur sa majtas djathtas “luanët” e rinj e të vjetër që kishin zaptuar “arenën” e historisë. Sidoqoftë, në çaste të caktuara Kamy di të tërhiqet me zgjuarsi nga skena publike dhe nga gazetat, një tërheqje e përkohshme e cila e shpëton veprën e tij letrare prej bjerrjes stilistike, por edhe atë vetë si shkrimtar prej rrezikut të konformizmit ideor. Lidhur me këtë, Kamy shprehet: “Intelektuali do bënte mirë të mos fliste gjithë kohën. Së pari, kjo do e lodhte, e sidomos nuk do i linte kohë të mendohej.”

Tek i kushton çdo shkrimi të vet, pra edhe atij publicistik, të njëjtën vëmendje e rëndësi, Kamy ndien se punët e gazetës ia gllabërojnë gjithë ditën dhe se mungesa e kohës e pengon seriozisht për tu marrë me art. Angazhimin në gazetari ai e quan nga më të përgjegjshmit e nga më të vështirët, teksa shënon: “Gazetaria nuk është shkollë e përsosmërisë. Duhen njëqind numra për të saktësuar vetëm një ide.” Pse s’ka gjithmonë aq kohë sa për të humbur njëqind numra gazete vetëm që të shprehë një ide të saktë, Kamy ndihet herë pas here i shtrënguar të zgjedhë mes gazetarisë dhe artit, por edhe ta vazhdojë me mjete të artit luftën për idetë. Në kontrast me hallakatjen e gjithanshme të epokës, arti nuk pranon kurrfarë çoroditjeje. “Në art, një epokë krijuese përcaktohet nga rregullsia e një stili të aplikuar në një kohë të rrëmujshme”, shprehet Kamy tek Njeriu i revoltuar. Në rrëmujë të historisë, arti dëshmon qëndrueshmërinë e vet, falë atij klasicizmi të njëmendët, i cili përtërihet nga njëra epokë në tjetrën.

Sot, në njëqindvjetorin e lindjes, Kamy përkujtuhet me nderim e respekt të veçantë në të katër anët e globit, prej miliona lexuesve në mbarë botën. Ai do të nderohet e do të përkujtohet gjatë edhe në Shqipëri, ku emri dhe vepra e tij kanë gjetur një respekt të admirueshëm ende pa qenë të përkthyera në shqip. Sot kur shqipja e ka krijuar dhe po e plotëson ditë-ditës bibliotekën me veprat e Albert Kamysë, lexuesi ndien akoma më tepër respekt dhe admirim për këtë artist shumëformësh, vepra e të cilit kërkon përkushtimin e të lexuarit në thellësi.
*Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk