Harresa dhe heshtja që rrethoi një pjesë të letërsisë sonë
Mark SIMONI
Para njëzet vitesh udhëtova për në Agrixhento, në
jug të Siçilisë, për të vizituar shtëpinë-muze të Luigji Pirandelos, (me varrin
e poetit në oborrin përpara saj), dhe për të mësuar diçka rreth letërsisë së këtij
autori të madh. Kjo rrugë më bëri të has në një libër shumë interesant, “Popolo,
lingua e letteratura albanese”–Prof Papas Gaetano Petrota” botim i vitit 1932 në
Palermo; një studim pothuaj shterrues i periudhës para viteve ’30 përsa i përket
letërsisë shqipe, dokumentave gjuhësor të saj, letërsisë popullore dhe
studiuesve te huaj që qenë marrë me të, letërsisë së kultivuar, shtypit
periodik shqiptar (1848-1930), si dhe studimet shqiptare rreth gjuhës dhe dialekteve
të shqipes, alfabetit, gramatikës, fjalorëve, etnografisë nga 32 studies e
hulumtues të huaj. Diku qenë dhe disa shkrimtarë që më vonë as i kishte përmendur
kush. Të lënë në harresë, të padëgjuar anjëherë, të rrethuar me heshtje. Kështu
kishte ndodhur me një pjesë jo të vogël të historisë së letërsisë shqipe. Por
ndërsa disa prej tyre qenë ndaluar, kritikuar ashpër, u ishin djegur librat,
qenë anatemuar pa asnjë mëshirë, me një kategori tjetër qe vepruar me ndëshkimin
e mospërmendjes, mbyllur në raftet e fondeve të rezervuara të bibliotekave, përjashtuar
nga çdo kujdes, të papërmendur, të paanalizuar, si të mos kishin qenë kurrë.
Shumë më vonë u mora me këtë libër. E punova dhe e përgatita për botim. Faqe të
shumta të tij thirrën në vemendje një pjesë të letërsisë së harruar, ndriquan sadopak
një skutë të errët të historisë së letërsisë sonë. Libri u botua nga “Almera”
dhe u përkthye nga Qemal Velija.
Vonesa në njohjen e dijeve është një dëm që ndikon
patjetër në formim. Si tashti më kujtohet që kur qeshë në fillim të gjimnazit,
im atë punonte për një studim rreth letërsisë së vjetër. Pati marrë leje që të
shfrytëzonte fondin e rezervuar, dhe njëherë solli në shtëpi një koleksion
vjetor të revistës “Hylli i dritës”. Dhe aty, fshehtas, duke rrëmuar, pashë për
herë të parë portretin e Gjergj Fishtës në një
fotografi, dalë me miqtë e tij, (katërshja e famshme që tashmë e kanë
parë të gjithë). Kisha dëgjuar për letërsinë e tij, (“Gomari i Baba Tasit” qe
botuar me fragmente aty në revistë), disa malësorë të ardhur prej heret nga mbi
Shkodra e dinin përmendësh Oso Kukën dhe shumë nga “Lahuta e Malësisë”, pata dëgjuar
dhe për këmbën e dëmtuar të Fishtës në një aksident tek fabrika e miellit, por
për t’ia parë portretin s’ia kisha parë kurrë. E pata menduar ndryshe dhe jo të
shëndoshë, madje s’më pëlqeu ashtu shëndeti i tij. (Siç duket shkrimtarët e
atyre viteve unë i kisha në kokë si më të dobët, më velet, më të hajthshëm).
Kjo më kujtoi faktin që shkodranët Dom Ndoc Nikën (ngaqë qe i shëndoshë) e thërrisnin
Dom Ndoc Duçja. Merreshin me shëndetin e tij dhe jo me letërsinë e tij, jo me
faktin që kishte shtypshkronjën e parë të ardhur nga Austria, me të cilën i bëri
një shërbim të madh shkrimit, orientoi dhe ndikoi me volumin e botimeve të
shumta Kongresin e Manastirit që të vendoste medeomos për alfabetin latin dhe
jo për atë arab apo cirilik.
Për lexuesin e këtij suplementi unë selektova dhe
zgjodha disa prej autorëve të atyre viteve, për t’i ardhë sadopak në ndihmë
krijimit të një panorame sa më të saktë të situatës letrare të at’hershme.
Veprat dhe emrat e autorëve përmirësojnë disi imazhin e deformuar të dijeve mbi
letërsinë e asaj periudhe.
Comments
Post a Comment