Takim me Pietron në Milano
Duke qenë edhe piktor e skulptor, ai kryen pikturat murale të Kishës Ortodokse të qytetit e po ashtu shpesh i merrej mendimi nga qytetarë të ndryshëm për aftësitë e fëmijëve të tyre në artet pamore. Një nga këta ishte dhe marangozi çam Arsen Idromeno që me këshillën e mjeshtrit Marubi e dërgoi djalin e tij Kolë të studionte pikturë në Venecia. Ndoshta artisti i njohur Kolë Idromeno është një krijesë artistike e lindur nga ideja e Pietro Marubit… Historia e këtij djaloshi italian që erdhi në një qytet të Shqipërisë dhe ngriti historinë e fotografisë shqiptare, është një histori e cila të grish teksa e lexon. Dy artistët Ardian Paci dhe Edi Muka janë frymëzuar nga jeta dhe punët e tij, për ta sjellë të konceptuar në një formë të gjetur artistike në Padiglione d’Arte Contemporan në Milano, në kuadër të ekspozitës së artistit Paci, “Vite në tranzicion”. Ekspozita do të hapet sot dhe mban titullin “Marubi, një italian në Shkodër”, ku do të vlerësohet si një histori interesante e integrimit dhe migrimit dhe punën që lindi në një prej arkivave më të rëndësishëm të fotografisë në Ballkan: Fototeka “Marubi”. Krijuar nga një italian, studioja që dokumenton historinë e Shqipërisë dhe jetën e popullit prej vitit 1856: sot është regjistruar në një arkiv unik në Europë, e njohur nga UNESCO, si trashëgimi ndërkombëtare, me më shumë se 180 mijë fotografi. Historia e të riut italian, që do të kthehej në një nga protagonistët më të rëndësishëm të zhvillimit të historisë së fotografisë shqiptare do të vijë përmes fotove të zgjedhura të tij. Mbi jetën dhe rëndësinë e koleksionit të Marubit, do të flasë dhe drejtori i Fototekës Kombëtare Marubi, Luçian Bedeni, si dhe albanologia Lucia Nadin. Aktiviteti, përveçse hapjes së një debati filozofik e sociologjik në vendin fqinj, Itali, pritet të paraqesë rastin unik të fotografisë. Një material për “Marubët” lidhet me raportin e krijuar me vendin e origjinës; udhëtime, transferime, zhvendosje. Shikohet ky si një “dokument” për të imagjinuar mënyra të jetesës, forma të reja të marrëdhënies me kontekstin, por edhe me gjuhë të reja artistike. Një bashkëngjitje ky përshkrim i punëve të Pacit, i konsideruar plot me çështje të rëndësishme. Koncepti drejtohet për nga kuptimet e reja të lëvizshmërisë dhe ekonomisë, si dhe të punës artistike në këtë kontekst. Ashpërsia dhe qartësia, teoria dhe praktika, njohuria dhe dijet janë të kombinuara duke çuar në një veprimtari produktive e bazuar tek komuniteti, terma që jo gjithmonë lidhen me emancipimin, ku mungesat kushtëzojnë dhe kërcënojnë jetën sociale. Kjo është pjesë e historisë së Pietro Marubit, arkitekt, piktor dhe skulptor italian, i cili në vitin 1856 u largua nga Italia për të lëvizur drejt Shkodrës, ku themeloi të parën studio fotografike në Shqipëri. Fototeka “Marubi” shpejt u bë një nga studiot më të rëndësishme të fotografisë në Ballkan, dhe dokumentoi historinë e Shqipërisë dhe jetën e popullit. Studio mbeti aktive deri në vitin 1970, duke u bërë pronë e shtetit. Kjo e Pietro Marubit është një nga historitë e shumta të migrimit, integrimit e punës midis Italisë dhe Shqipërisë, duke u bërë një shembull unik në Europë: Trashëgimia ndërkombëtare e mbrojtur nga UNESCO. Për jetën e Pietros, më shumë se ato çfarë na thonë fjalitë e mbetura në shtypin e kohës, flasin fotot e tij, vështrimet e personazheve që ai fotografoi, të cilët vazhdojnë të ruajnë qartësinë, edhe pse ka kaluar një shekull nga koha kur ai i fokusoi në letër.
Comments
Post a Comment