Tirana, kjo melankolike e ndrojtur që kridhet në shi
Nga Albert Vataj
Pranvera e vonë që shtriu pendët deri në të hyrë të nëntorit
dukej se nuk do të linte vjeshtën të behte në Tiranë. Ngjyrat dhe hareja që
gufonte në të përditshmen e metropolit kish ndalur kohën dhe tërbuar vërshimin.
Kësisoj do të zvargej deri mëngjesin e sotëm, kur dita zbardh e kredhur në një
mantel gri, e rigat lozonjare të shiut turiten kërshërinë e kundrimit të
qytetit nën strehën e këtij qielli lojcak.
Deri në të prekur pragun e muzgut, do derdhej kjo pamje në
kureshtinë e jetës në këtë qytet zhurmëshumë. Dhe sapo ngre siparin, e brof në
mbrëmesoren beftë që laget e shamaton nën zë, kumton, Tirana në shi. Kjo ngasje
përngjason një gjendjeje të gjurmuar nga paniku, nga nevoja për t’ia mabathur,
nga domosdoja për të zgjuar brenda ritmit të kryeqytetit pulsin e një vrulli të
tjetërllojtë. Ngado që përlan me shikim, ngjyra e murrme në të zi, nderet si një
pelerinë e vjetër. Strehët dhe zogjt kullojnë, duke mbartur mbi vete lajmësin e
ardhjes së vjeshtës, behjses së shirave, kësaj zoritje të përditshmërisë së
qytetit.
Njerëzit struken nën çadra dhe petkat e vjeshtës, siç
struken skutave pritanakët dhe udhëhumburit, lupsarët dhe barbonët. Troku i
litarëve të shikut mbi syprinën e paformë përpiqet t’i ngjajë një melodie që
zgjon prej përjetimeve të thella, ose i kredh në më të thella, melankolikët. Në
kryqëzime semaforët luajnë me nervat e vërshimit pafre. Tavolinat braktisura të
bareve përcjellin një natyrë morte. Një ndjenjë trishtimi të amullt përcjell
kurrizi i përthyer i kortezhit që gjarpëron turravrap rrugëve. Në sheshe
makinat i gërmushën asfaltit, siç qaset të shfrejë nën zë zemëratën e vet këmbët
në këpucët që futin ujë. Neonet vajtojnë një dritë pikëlluese, duke shquar
siluetat e ikanakëve që fugojnë papushim. Veç këngës monotone të shiut dhe fërgëllimit
të gomave të makinës, asnjë zë tjetër nuk pipëtin në këtë panoramë të mrrylët
mbrëmjeje në Tiranë.
Përtej xhamave të dyqaneve, makinave dhe syzeve “ca pika
shiu ranë mbi qelq” janë vetçse një kujtim i vagullt poetik, një mbamendje lirike
që njom siluetat që nxijnë çdo çast e më tepër, kumtimit të këtij muzgu.
Comments
Post a Comment