Edvard Munsch, gjithëkohja e “Klithmës” ngjethëse
Nga Albert Vataj
Plot 150 vjet më parë lindi
Edvard Munsch, fillimtari i simbolizmit dhe ekspresionizmit norvegjez, tragjiku
dhe gjëmimtari i potershëm i ndërkohjes dhe brendisë ndëshkuese. Ai ishte nistari
ndjellës i trajtimit të temave psikologjike në art, të cilat i sendërtoi mbi
disa nga parimet kryesore të fund shekullit të XIX me simbolikën e tij të
spikatur dhe në vijimësi në lëvrimin krijues nën ndikimin ekspresionizmit
gjerman të shekullit XX. Me “Klithmën” (1893), ai çau mohimin dhe depërtoi
dhunshëm në zemër të kohës dhe nuk pushoi piskamën e tij përpirëse at mot e tash.
"Babai im ishte temperament nervoz dhe obsesiv. Prej tij kam trashëguar
farën e çmendurisë. Engjëjt e frikës, pikëllimit dhe vdekja qëndronte afër meje
që nga dita që kam lindur", - kumton kësisoj Munsch, ndërsa këqyr vetveten
përmes të çarave të mureve, ku shpirti i tij i trazuar e kishte burgosur. Ai
erdhi nga “ferri” për të mbajtur të ndezur pishtarët e gulçeve dhe gufeve. Brofi
si shtatore kërcënuese nën një taban që lëvizte dhe hodhi shikimin dhe britmën
tej, më gjithë forcën e brendisë, duke prishaqefur trajtat e sheshta të kohës.
Ai kishte ...
Galeria mëtuese e kreshpërimit
estetik të Edvard Munsch, e një vullnese që hepohej nëpër terrene të mrazta
është plazmuar në memorien e historisë së pikturës si një gjurmë e thellë drite
në kurmin e lënduar të kohës. Ngjyresat dhe trajtesat e tablove, kumtet dhe
kungimet e shpirtit të tij krijues u kalitën në kudhrën e mendimit dhe anatemës,
u fundosën e dolën krye, u shembën dhe u ringritën rishtas për të mbetur ashtu
të nderura si flamur sfide në gjithëkohjen e andjes sonë për të rijetuar
lëngimin e tij.
Jetëshkrim i piktorit
Edvard Munsch erdhi në jetë më 12
dhjetor të vitit 1863 në Løten të Norvegjisë dhe ishte i biri i Christian
Munsch, një doktori ushtarak. Copëza të shumta të mozaikut të vogëlisë dhe
adoleshencës së tij, i hoqi zvarrë, përmes ditësh të ngrysura, lotësh dhe
hutimi, në Kristiania, që tash njihet si Oslo, kryeqyteti norvegjez. Nëna e
Edvard Munsch, vëllai, dhe një nga motrat u ndanë nga jeta radhas, duke e
kredhur gjeniun e ardhshëm të penelatës, në një dëshpërim, i cili iu vu nga pas
këmba-këmbës për 81 vjet, deri natën e 23 janar 1944 kur dha shpirt, ndërsa
flinte. Marrëdhëniet e tij me të atin kaluan nëpër momente të acarta. Atmosfera
morte në familje, duke mbetur gjithnjë si frymëmarrje ngjethëse që vërdallosej
në jetësoren e piktorit, padyshim që lanë gjurmë në dimensionin e tij
shpirtëror dhe artistik. Për asnjë moment ai nuk iku nga ligësia dhe angështia.
Edhe asohere kur një rreze dritë çante përmes penelatave të mrrylëta dhe
lëshohej krahëhapur përmbi të, si në krahët e një pasioni, ai tkurrej, strukej
dhe gjëmonte si një re e mbarsur me shtrëngatë. Nuk mundte shpirti dhe shtati i
tij të kridheshin në penelat të hareshme e saora të lëshonte veten në harbimin
e një lulimi gazmues. Gjithqysh rendi pa u ndalur.
Kur Munsch mbërriti te “Klithma”
Ishte viti 1893, kur Edvard
Munsch filloi të punonte për "Klithmën", emblema e korpusit të tij
krijues dhe njiherash piktura që do ta shuguronte me “shenjtër” në altarin e
artit modern. Kësodore, ajo do të mëtohej si një autoportret përshkrimor i një
përjetimi, i cili zë fill atëherë që ai kjartëson përmes një rrëfimtarie plot
kand: “Unë po ecja rrugës me dy miq, ndërkohë që dielli po perëndonte e qielli
papritmas u bë i kuq, si të kish marrë ngjyrën e gjakut. Për një çast ndala dhe
i kapitur, u mbështeta në parvazin e urës ku po kalonim. Pastaj, hodha sytë
drejt fjordit, i cili ish mbuluar me një ngjyrë të zezë në blu, e më tutje,
pashë qytetin e flakëruar si të përmbytur në gjak, përpirë nga gjuhë të shumta
zjarresh. Miqtë e mi vazhduan rrugën, ndërkohë që unë vazhdoja të dridhesha
prej ankthit që më kish pushtuar dhe, ishte pikërisht në atë çast që bota rreth
meje, u shpua tejpërtej nga një klithmë pambarim”. Kësisoj hodhi rrënjë për t’u
shndërruar në një bimë e përbindshme “Klithma”, shtati dhe hija e së cilës
fillëron mëdyshjen e njeriut modern, të vetvetishmen e asaj trajte të trazuar
dhe atij shpirti që liria e kredh pamëshirshëm në bashkëjetim me fatin e keq
dhe kacafytjen dhëmb për dhëmb më të tashmen e tij.
Edvard Munsch e lëshoj atë
“Klithmë” duke nxjerr s’brendshmi vetes terrin dhe helmin, ankthin dhe
tragjizmin, frikën dhe kushtrimin. U skalit në shkëmb dhe hyri në përmendore,
për të mbetur ndërkohja e tij në të gjithmonshmen dhe uni jonë i trazuar.
Edvard Munsch dhe gratë
Edvard Munsch mëtonte afrinë e
një burri tërheqës. Bukuria e tij, disi e ashpër, prania shkëmbore e vështrimit
dhe personalitetit, shkaktonin një kandë të tjetërllojtë ngase konsumonin gratë
e asaj kohe. Tipi i tij i çaprazët s’kishte si të shpëtonte anatemës së
kungimit ndiesor, pasion i cili gëloi në trajta të prishqejfura gjithherë.
Aniqysh, ndodhitë, duket sikur ia vizatojnë më qartë se vetë penelat, atë që
piktorin e lidhte me gratë. Kësisoj, një ditë, në shtëpi i bujtën papritur ca
miq dhe i dhanë lajmin tragjik, se Tulla, e dashura e tij fort e shtrenjtë,
kish vdekur. Ata e shoqëruan në shtëpinë e saj, ku kishin sendërtuar me
kujdesin e fanatikëve të ferrit, një shaka vërtetë makabre. Trupi i pajetë i
gruas qe vendosur mbi “shtratin mortor”. Në çastin kur Munsch po shihte me
pikëllim të thellë, atë që ai kish dashur aq shumë, trupi i saj lëvizi papritmas.
Ishte një skenë ngjethëse! Tulla Larsen, ishte e bindur se Munsch, duke parë se
ajo po “ringjallej” para syve të tij, do të vendoste më së fundi të martohej me
të. Por, Edvard Munsch e kaploi një zemëratë e tërbuar. Një re e zezë inati dhe
dhune u lëshua prej tij plot mraz e tërbim. Saora, mes tyre zë fill zjarr një
sherr, i cili merr fund me një krismë revolveri. Një plumb e goditi piktorin në
dorë, e një prej gishtave, i ra i këputur përtokë. Tashmë, ideja e tij se
gruaja ishte mishërim i së keqes, qe bërë realitet. Nuk kish më vend për dyzime
rreth kësaj. Ai s’u martua kurrë, edhe pse pas asaj ngjarje, u njoh me shumë
gra të tjera. Pas atij përjetimi të duhishëm, ai ra në depresion të thellë, dhe
u shtrua në spital, duke e cilësuar periudhën që ndenji në të, si “fundin e një
epoke” të jetës së tij. Me një qartësi gjykimi të pashoq, lidhur me këtë, ai
pat shkruar: “Dobësitë që kam, janë pjesë e vetvetes sime. Unë s’kam dashur të
shpëtoj nga sëmundja që kam, sepse arti im është fryt i saj”.
Pas daljes nga klinika me shëndet
të mirë, vazhdon të bëjë një jetë pak a shumë të qetë, por nuk do të pikturojë
kurrë më, si më parë. Në disa shënime të mëvonshme, mes të tjerash, ai ka
shkruar: “Pa frikën dhe sëmundjen, jeta ime do të kish qenë si një varkë pa
rrema”.
Nëpër gjurmët e këtij
gjenialiteti
Në moshën 17-vjeçare u mor në
patronazh prej Christian Krohg, një piktori natyralist, shumë i famshëm për
kohën në Norvegji. Talenti i Edvardit u shfaq që më punët e hershme, por
ngjarjet traumatike që ia plagosën fëmijërinë patën një impakt të thellë për
vizionin e tij artistik, shumë më tepër se ndikimi i kujtdo tjetër artisti apo
lëvizje kulturore që qarkullonte në atë kohë.
Më 1885, Munsch mori fillimisht
për tre javë një bursë studimi në Paris. Një vit më vonë, filloi të punonte për
"Fëmijën e sëmurë", që do të jetë realisht puna e tij e parë e
vërtetë. Këtu do jetë vërtetë Munsch, i cili na zbulon pjesën më të errët të
rinisë së vet, në një pikturë bazuar mbi kujtimet e Sofisë, motrës së tij të
dashur, teksa sfilitej nga tuberkulozi. Munsch iu shmang afrimeve natyralistike
të Krogh dhe tendencave ekspresioniste në punën e vet. Vdekja, sëmundja, dhe angështia
mentale ishin temat që do të ishin prej atëherë e në vazhdim figurat dominuese
në pikturat e veta. Megjithatë, "Fëmija i sëmurë" nuk ishte
fillimisht e vlerësuar prej kritikëve, ajo do mbetet më vonë një nga punët e
tij më të rëndësishme, përgjatë dhe me "Dita tjetër" dhe "Puberteti",
dy pikturat që i takojnë së njëjtës periudhë. Munsch do kalonte kohë të
mjaftueshme duke diskutuar probleme të ndryshme filozofike me liderin e
bohemëve norvegjezë, Kristiania Hans Jaeger, dhe do arrinte në atë pikë saqë të
vendoste impresionizmin në shpirtin e vet, dhe jo sytë e veta, kur donte të
realizonte kanavacën.
Më 1889, në moshën 26-vjeçare
Edvard Munsch, realizoi ekspozitën e tij të parë retrospektive në Shoqatën e
Studentëve Norvegjezë, në Kristiania. Ekspozita do të konsiderohej vërtetë si
një sukses, dhe s'kish dyshim, kjo nga ata që e njihnin, pasi ai zgjodhi të prezantonte
ndriçimin e vet, krijimet me më pak ankth, dhe mu për këtë arsye iu blatua një
grant për udhëtime, i cili e lejoi të kthehej në Paris për tre vitet e ardhshme,
për të vazhduar studime të mëtejshme. Përvoja me Léon Bonnat do të jetësohej në
ndryshesa dhe hope të ndryshme artistike të Munsch. Vepra e tij mori drejtime
shumë më të avancuara artistike. Sakaq lindën interesat e tij për artin post-impresionistëve.
Ekspozitat e tij, të cilat vazhduan më vonë, këtë herë u realizuan në Shoqatën
e Artistëve në Berlin. Ekspozita ishte e suksesshme, por në fund konsiderohet
edhe si një disfatë, pasi kritikët e denoncuan veprën e tij si të një artisti
anarkist duke e ndaluar si heretik. Megjithëkëtë, kjo u pasua nga një sukses,
pasi prej këtej e tutje, Munsch ishte një emër shumë i përfolur në Gjermani.
Munsch jetoi dhe punoi për shumë vjet në Berlin dhe Paris dhe, ndërkohë, punët
e tij u përfshinë në shumë e shumë ekspozita.
Korpusi krijues i piktorit
Edvard Munsch padyshim që i
përkiste një panteoni artistësh vizionar. Kulti i tij artistik përbënte esencën
e njëmendtë, anën e errët të shoqërisë së atëkohshme. Kryerendëse ishte krejt kjo
trajtesë artistike, krejt ky kundrim jashtë rreshtit që mbrujti dhe u ndesh
fyta-fytaz me kundërshti, mosdakordësi dhe mospranim. Gjakimi i tij jetësor,
këndshkimi prej nga ai do të këqyrte botën dhe lejonte atë të këqyrej prej saj,
e ndau me një mur të trashë dhe të lartë. E pagëzoi vetminë e tij të trishtuar
në altarët e Hadit. Jeta sentimentale e rrugëtuar nëpër një terren të çaprazët
nuk e largoi atë nga penelatat e errëta të panoramës së jetësores. E
vetvetishmja e tij nuk përshfaqi vetëm momentet e shpirtit të vet, por edhe të
çdo lulimi dhembshurie e flatrimi të frymës. Krejt çka u bë filozofi e jetës,
veprës dhe amshimit të tij.
Ai luftonte çdo moment me veten
dhe kjo përpjekje titanike është bujaria e muzës së tij krijuese, e cila mbushi
përlot hambarin e galerisë artistikë me qindra piktura, gdhendje në dru dhe
litografi, ndërsa muralet do t'i japin Oslos karakterin e vet unik, që
shëmbëllen edhe sot. Jeta torturuese e Edvad Munsch la sakaq ngjyra brilante,
të cilat jehojnë zezonën e trishtimit dhe një pasqyrë ku mund të mbështetesh
kundër përballjes së vuajtjes humane. Ai mbase nuk mund të jetë aq shumë i
dukshëm sa janë artistët e tjerë europianë si Salvador Dali apo Pablo Picasso,
por kjo rrjedhoi më shumë prej faktit se ia dhuroi të gjithë koleksionin e vet
qytetit të Oslos. Krejt çfarë ai la ishte një koleksion prej rreth 1100
piktura, 4500 vizatime. Megjithëkëtë, Munsch mbetet një nga artistët më
inovatorë që jetuan në fillim të shekullit të njëzetë.
Epilogu i një zemërdhimbjeje
Idetë nihiliste të tij formësohen
më së miri sipas së cilës "një pasion për të shkatërruar është gjithashtu
një pasion krijues". Edhe pse hera-herësh pikturat e tij patën një "shpërthim
të dhunshëm të zemërimit moral", ai nuk u gjunjëzua. Si qëndrestar përmbi
anatemën pranoi kësisoj punët e tij "pikturë e shpirtit". Të qenit
ndryshe nga të tjerët do ta mbante gjithnjë klimën rreth tij të tendosur, dhe
muzikaliteti tragjik do të ishte vetë simfonia që shkroi. Penelatat e tablove
përtypin shpesh hijet dhe unazat e ngjyrave që rrethojnë figurat. Krejt kjo për
të dëshmuar përjetimin e një atmosfere frike, kërcënimi, ankthi, apo
intensiteti seksual. Nëpër zërat kritikues kish edhe ndonjë vetanak që ngrihej
mbi dallgët e mendimit të kohës, duke shtuar se "Me mospërfillje të
pamëshirshme për formën, qartësinë, elegancën, tërësinë dhe realizmin, ai
pikturon me forcë intuitive e talent, më vizionin delikat të shpirtit". E
gjatë ishte Golgota e mundimshme e shenjtërimit të artit të tij. Ndër të tjera,
ai kujtonte: "Pas njëzet viteve të luftës dhe mjerimit, forcat e mira në
fund do të vijnë në ndihmën time, në Gjermani-dhe një derë të ndritshme hap për
mua". U hap porta e pranimit dhe e përjetësisë së këtij mishërimi të devocionit
artistik dhe evoluimit të botëkuptimit dhe dinamizmit. Ai jetoi me shpirt,
anipse të trazuar, dhe himnizon me veprën e vet gjeneratat. Ai ishte drithërimë
personale që rijeton në spazmat e pareshtura të jetësores moderne të individit
në gjithkohjen e vet, duke “Klithur”.
Comments
Post a Comment