Fotomodele me thinja dhe rrudha
Thinjat dhe rrudhat ishin deri para 20 vjetësh pothuajse të pakonceptueshme nëpër reklama.
Sapo fillon të shkrepet aparati fotografik Ulla Schrëter fillon të marrë marrë poza. Ajo merr herë pozën e të moshuarës që ka mbetur e re edhe në veshje, herë të gjyshes së dashur nga fshati e herë të një zone monade që merr vesh nga bota. Ulla Schrëter është një fotomodele e kërkuar - megjithëse është 72 vjeç. Flokët e saj gri në argjend ajo i mban të shkurtra, i kuqi i buzëve nuk feks dhe shkon me trikon e leshit ngjyrë jargavani në rozë. Ajo është e suksesshme në grupin e fotomodelëve 50plus, sepse ka pikërisht atë që duhet sot: origjinalitetin.
Thinjat dhe rrudhat ishin deri para 20 vjetësh pothuajse të pakonceptueshme nëpër reklama. Aty prezantohej vetëm një botë me të rinj dhe trupa të përsosur. Gjyshet me flokë të thinjura që dikur ishin një përjashtim, janë ndërkohë pjesë e reklamave.
Reklama autentike për mbi 50-vjeçarët
Ndryshimi demografik ka arritur pra prej disa vitesh edhe tek reklamat. Vështirë se gjen sot ndonjë koncern që mund të heqë dorë nga fuqia blerëse e mbi-50-vjeçarëve. Që sot çdo dy euro që shpenzohet në Gjermani, shpenzohet nga brezi 50plus. Madje për prodhime të caktuara, p.sh. për ashensorë specialë që montohen në shkallë, apo sigurime shtesë për të moshuarit do të ishte e pabesushme që reklama të bëhej nga një njëzetvjeçar. Kurse një çift i lumtur 65 vjeçarësh që pozon duke shijuar me një gotë verë mbrëmjen e jetës në anije në det, ngjall emocionet e duhura tek grupmosha që synon të arrijë reklama.
Agjencia e fotomodelëve "Markenmodels" në Frankfurt e ka kuptuar këtë prirje të re. Në muret e saj varen portrete fotomodelesh si Ulla Schrëters dhe të tjerë burrash e grash në moshën më të mirë. Norman Stoesser i agjencisë "Markenmodels" në Frankfurt thotë se industria e reklamave kërkon "fotomodelë mbi 50 vjeç që të duken të fortë, të gjallë dhe të shëndetshëm." Fjala është që ata t'i reflektojnë këto gjëra në mënyrë sa më të besueshme. Nga modelet 50plus kërkohet që të kenë fytyrë të shëndeshtme, dhëmbo të shëndoshë dhe trup të mirë, por jo të jenë të dobëta si fotomodelet e reja.
Gjyshet e sotme më të lirshme dhe moderne
Po a të bën mosha më tërheqës, më të pashëm dhe "të freskët" si modelet e agjencisë "Markenmodels" në Frankfurt? Apo kjo është vetëm një strategji e suksesshme e reklamave dhe e departamenteve të marketingut? Për gjyshet klasike me topuz dhe syze mbi hundë sot ka shumë pak kërkesa. Edhe kur për fotografitë kërkohen ndonjëherë gjyshe me nipër e mbesa, ato duhet të jenë të gjalla dhe moderne.
Një studim i Shoqatës për Hulumtimin e Sjelljes së Konsumatorëve (GfK) tregon se gjyshet sot nuk janë më gratë që vishen me rroba të errëta, mbajnë këpucë të sheshta ose pa takë të lartë që përshtaten edhe me çantën. Prej thënieve të grave mbi 50 vjeç të intervistuara për këtë studim del se vihet re një "prirje e shoqërisë për t'u veshur si në kohën e lirë." - thotë Petra Dillemuth, eksperte pranë GfK. "Të moshuarat sot vishen më lirshëm dhe më moderne se brezat e dikurshëm."
Jo në pasarelat e modës
Ulla Schrëter, e cila ka punuar si fotomodele edhe kur ishte 20 vjeç, thotë se rrudhat dhe të qenit e moshuar kërkohen vetëm për disa lloje reklamash. Ndërsa në reklamat e kozmetikës apo të modës dhe sidomos në pasarelat e modës nuk gjen modele me thinja apo me rrudha, edhe pse në Gjermani zhvillohet këtë dimër sërish konkursi "Miss 50plus Germany". Me 30 vjeç je e vjetër për industrinë e modës, thotë Ulla Schrëter.
Po a mendon 72-vjeçarja Ulla Schrëter t'i japë fund ndonjëherë karrierës si fotomodele? Jo! Ajo ka 50 vjet që punon si në këtë fushë dhe e do shumë punën e saj: "Ti njeh njerëz të rinj dhe del nga shtëpia dhe jeta e përditshme," thotë ajo, duke shtuar edhe se e ndjen veten të përkëdhelur në sedër që ende vazhdojnë ta anagazhojnë si fotomodele.
Comments
Post a Comment