Shtëpi e ëmbla shtëpi, folezë dhe altar
Albert Vataj ©
Ajo është, si çdo folezë, si çdo tjetër pritani e zellshme,
e ngrohtë dhe e dashur, si krejt tjetërçka që zë fill me gjakimin tënd të
qenësishëm. Asnjëherë përmasat nuk më janë orvatur si kriter përcaktues i vlerës
dhe dakordësisë për t’i hedhur në krahët e ndonjë idili. Për më tepër luksi dhe
salltaneti, ojnat dhe gajlet, kanë patur durim për të qëndruar gjithnjë lag
meje dhe unë gjithashtu nuk jam ngasin prej tyne, ndryshe nga dallditë e tjera,
në krahët e të cilave jam përflakun me mish e me shpirt; mund të ndërmend,
dashurinë për rolin e bashkëshortit dhe prindit, të çmendurin për disiplinën
dhe dijen, ngadhënjimtarin për njeriun tokësor dhe shpirtin shugurues.
Kjo folezë, e rëndësishme është të jetë funksionale, të jetë
gjithnjë brenda meje si një përjetim, anipse ajo asht e përbame prej
materialesh, të cilat edhe pse janë pa jetë, gjithqysh munden me u ba pjesë e përjetimeve
dhe emocioneve. “Shtëpi e ëmbla shtëpi”, nuk asht dhe aq një sentencë, se sa një
pagzimore e atyre mureve, objekteve dhe sendeve, që munden me ken për ty ndër
gjanat e rëndësishme, ndër gjendjet, me të cilat na lidhin shumë momente të gjithfarëllojshme.
Është afrija jonë me diçka, është përfshirja jonë me çdo copëz,
kënd apo kthinë të shtëpisë, ajo që sendërton përbrenda nesh një pasion, një të
tashme, të cilën duke e pranu brenda vetes, e ushqen papushim me gjakun dhe dëshirat
e tua, duke e kthyer sakaq në një altar të së tashmes tende dhe olimp të
dëshirimeve tuaja ardhacake.
Comments
Post a Comment