KUR DIGJEN BIBLIOTEKAT

Valbona Nathanaili u ka bërë një grupi libër-dashësish personazhe publikë dhe jo publikë pyetjen “Nëse do ju duhej të shpëtonit vetëm tre libra nga një bibliotekë që po digjet, cilët tituj do të zgjidhnit?”. Rezultatet e këtij sondazhi krejt informal i botoi gazeta MAPO e datës 25 janar. Edhe pse një grup 31 vetësh të zgjedhur pa ndonjë kriter të qartë nuk përfaqëson gjë domethënëse, nga pikëpamja statistikore, përsëri përgjigjet e dhëna të ndihmojnë të krijosh një ide se çfarë shijesh letrare kanë shqiptarët sot.
Asnjë kriter i mëtejshëm nuk jepet për librat: fiction dhe non-fiction, letërsi e huaj dhe shqipe, libra shqip dhe në gjuhë të huaj: të pyeturit kanë përmendur tre librat që do të donin të shpëtonin nga biblioteka që po digjet; në mjaft raste, në vend të librave janë përmendur autorët.
Mes autorëve, dy emra spikatin në sfondin e të tjerëve: Fjodor Dostojevski dhe Erich-Maria Remarque, të cilët duken se gëzojnë popullaritet dukshëm të madh mes të anketuarve. Po ashtu, më shumë se një i pyetur ka dashur të shpëtojë libra nga Gabriel-Garcia Marquez, Alexandre Dumas (Konti i Montekristos), George Orwell (1984).
Tërheq vëmendjen numri i paktë i autorëve që shkruajnë shqip dhe cilësia e dyshimtë e përzierjes – dy herë dalin në përgjigjet Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, ndërsa vetëm një herë përmenden Xhafer Belegu, Ndriçim Kulla, Faik Konica, Eqrem Bej Vlora, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Blendi Fevziu, Fan Noli, Fahri Balliu.
Nga kjo anketë më tepër ilustruese mund të nxjerrësh veç përfundime ilustruese. Për shembull, që lexuesi shqiptar sot, me gjithë zgjerimin e paparë të editorisë dhe rritjen e numrit të titujve të botuar, mbetet peng i shijeve, zgjedhjeve dhe joshjeve të periudhës totalitare – mjaft të shohësh sundimin e listës nga Remarque, Dumas dhe një autor kult, si Dostojevski; ose edhe të tjerë si Jack London, Luigi Pirandello, Dino Buzzati, Heinrich Böll, Herman Hesse, James Aldridge (Diplomatët), Stefan Zweig, John Galsworthy (Saga e Forsajtëve), Ferencz Molnar (Djemtë e rrugës Pal), Anton Çehov. Të habit pak mungesa e francezëve si Hugo, Balzac, Stendhal; ose e rusëve si Tolstoj, të cilët i kanë humbur betejat imagjinare me Harold Robbins-in dhe Jean Giono-n.
Më pak ndeshen, ndër këto nominations, autorë klasikë si Machiavelli, Edgar Poe, William Shakespeare, Homeri, Dante Alighieri, Miguel de Cervantes, Nikolai Gogol, Michel de Montaigne; njëlloj sikurse autorë të huaj të zbuluar dhe të përkthyer rishtas, si Ayn Rand, Marcel Proust, André Malraux, Pier Paolo Pasolini, Umberto Eco, Paulo Coelho, Italo Calvino, Haruki Murakami, Khaled Hossein, Isabel Allende, Milorad Paviq, Mesha Selimoviç, e ndonjë tjetër.
Me shkrimtarët shqiptarë që përmenden në listat, e vetmja gjellë që mund të gatuhet është turlia. Duke gjykuar nga atmosfera dhe pritmëritë e krijuara në mediat, por edhe nga parada e titujve në shtëpitë botuese, lexuesi do të priste më shumë anketues të gatshëm për të shpëtuar Ismail Kadarenë; të cilin e përmend vetëm Alfred Lela, me Kronikë në gur (një libër që do ta kisha shpëtuar edhe unë); shkëlqejnë me mungesën e tyre Fishta, Naimi, De Rada, Migjeni dhe, në një plan tjetër, D. Agolli ose M. Camaj; për të mos folur për autorë shqip bashkëkohorë – pa çka se të anketuarit i bëjnë vend, në listën e shpëtimit, autorëve të huaj minorë si Paul Johnson, Stephen Chbosky, Rhonda Byme, Christopher Andersen, Pierre Gripari e ndonjë tjetër.
Natyrisht, se çfarë do të shpëtojë dikush nga biblioteka e vet do të jetë edhe zgjedhje personale; dhe hierarkitë e autorëve dhe veprave ekzistojnë vetëm në programet shkollore dhe antologjitë. Mirëpo përfaqësimi i letërsisë shqipe në këto lista shënjon mjerim: të letërsisë vetë, të shkallës sa ajo lexohet, dhe të raportit të lexuesve me të.
Për autorët klasikë shpesh thuhet se të gjithë i lëvdojnë, askush nuk i lexon. Në letërsinë shqipe ky fat i është rezervuar Naimit dhe Fishtës, sidomos poemave të tyre të mëdha epike, të cilat shpesh përjetohen si torturë nga nxënësit e shkollave.
E megjithatë, të mendosh se me Historinë e Skënderbeut dhe Bagëti e Bujqësinë është bërë edhe rezistencë kulturore kundër osmanëve; ndërsa Lahutën e Malsisë praktikisht shumë lexues e kanë shpëtuar, duke vënë edhe kokën në rrezik për ta fshehur, nga pirgjet e librave që digjeshin.
Më në fund, është e frikshme të mendosh që edhe një autor bashkëkohor, kandidat i shumëvjetshëm për Nobelin letrar, si Ismail Kadareja, mund të ketë përfunduar, për shumë prej nesh, në ikonë kombëtariste – nën të cilën mund të luftosh beteja e të përgjakesh me armikun; por gjithsesi pa e lexuar.
Le të mendojmë, për një çast, sikur pyetja të ish formuluar kështu: “Kush është shkrimtari më i madh bashkëkohor shqiptar?” Me ndonjë përjashtim të papërfillshëm, të gjithë të intervistuarit do të ishin përgjigjur: Ismail Kadareja. E megjithatë, kur u kërkon të përmendin librat që do të shpëtonin nga biblioteka në zjarr, Kadarenë e përmendin po aq shpesh sa, të themi, Ndriçim Kullën.
Një arsyetim tjetër do të ishte: Kadareja është kaq i njohur, sa u përket të gjithëve; ndërsa të intervistuarit priren të shpëtojnë ato libra me të cilët identifikohen më ngushtë, duke u dalluar prej të tjerëve; në kuptimin që të thuash do të shpëtoja Kadarenë nuk ke thënë asgjë, ndërsa të thuash do të shpëtoj Ferencz Molnar-in e Djemve të rrugës Pal ke sjellë në bisedë një buqetë me kujtime të freskëta të tuat.
Dhe kjo na çon sërish te pyetja: cila është kjo bibliotekë që po digjet? Biblioteka ime personale, biblioteka e Aleksandrisë, biblioteka kombëtare apo biblioteka e Babelit?
Nga përgjigjet e dhëna, duket sikur të intervistuarit kanë pasur parasysh biblioteka të ndryshme: disa atë të Aleksandrisë, disa të tjerë atë që sapo kanë ndërtuar, me libra të blerë vitet e fundit, dhe disa të tjerë akoma, bibliotekën e trashëguar nga vitet e totalitarizmit, kur libri i humbur nuk zëvendësohej dot më.
Nga biblioteka e Aleksandrisë mund të shpëtosh, madje duhet të shpëtosh Homerin, Danten, Cervantes-in, Hugo-in; nga biblioteka kombëtare kushedi dorëshkrimet e fondit albanologjik; nga ajo e Babel-it ndoshta vetëm bibliotekarin – ndërsa nga biblioteka personale pikërisht atë libër që ka pushuar së funksionuari si libër, për t’u shndërruar në relike: një vepër të nënshkruar, një dhuratë e vyer, një incunabulum. Nuk arrij dot të përfytyroj atë rrethanë groteske kur dikush do të shpëtonte librin Mendohu dhe pasurohu, të Napoleon Hill – çka e bën këtë të fundit pak intrigues, madje edhe për kë ia ka vënë zjarrin bibliotekës në fjalë; sepse pyetja në këtë rast mund të formulohej edhe kështu: a ia vlen të digjet biblioteka që e përmban këtë titull?
Gjithsesi, akti i shpëtimit të librave, në një shoqëri të lirë nga censura, nuk ka shumë kuptim – përveçse po të jetë fjala për ndonjë katastrofë me përmasa planetare, p.sh. kur Toka është në prag të goditjes fatale nga një asteroid. Përndryshe, edhe kur shpëtojmë ndonjë vëllim, këtë e bëjmë pse e vlerësojmë si objekt material unik, jo si libër.
Që këtej edhe shakaja: Çfarë libri do të shpëtoje nga Panairi i Librit që po digjet? Librin e vizitorëve.
I cili është, në fakt, i vetmi libër unik në llojin e vet; të gjithë të tjerët, kopje kopjesh, janë më shumë mallra të nxjerra në treg prej shtëpive botuese, sesa vepra arti për t’u ruajtur.
Coda: Kush e ka lexuar romanin 1984 do ta mbajë mend si një nga funksionet kryesore të Ministry of Truth ishte që ta rishkruante të shkuarën ose historinë, për t’ia përshtatur së sotmes. Për shembull, nëse The Big Brother kish lavdëruar në një fjalim dikur një bashkëpunëtor të vetin i cili tani ishte shpallur armik, atëherë të gjitha kopjet e atij fjalimi do të zëvendësoheshin me kopje të reja, ku pasazhi në fjalë të ishte redaktuar; ndërsa të vjetrat do të asgjësoheshin. Në vitet e totalitarizmit shumë prej nesh kemi pasur në shtëpi libra të tillë, të cilët nuk duhej të ekzistonin, pse vinin nga një univers paralel, i mbetur përgjysmë a i dështuar: p.sh. Raporti i Enver Hoxhës në Kongresin e Tretë të PPSh-së (ku dënohej kulti i individit dhe gabimet e Stalinit); ose albumi fotografik luksoz i vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Libra të tillë të shtyrë jashtë ekzistencës kushedi do t’ia vlente t’i shpëtoje edhe sot; krahas dorëshkrimeve të rishkruara, librave të destinuara për karton, librave me gabime të rënda dhe librave të shkruara me dorë, kaligrafikisht, faqe pas faqeje, si në kohën e murgjve dhe të manastireve.

Marre nga: http://xhaxhai.wordpress.com

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk