Mikelanxhelo i perëndishëm dhe misteri tokësor i krijimit
Tash, 450 vjet nga vdekja e piktorit, skulptorit, arkitetkit
dhe poetit të rilindjes italiane, Mikelanxhelo Buonaroti
Nga Albert Vataj
Kurrnji mëdyshje nuk orvatet më iu qas të drejtës së sekujt
për ta konsideruar Mikelanxhelon, i perëdishëm. Veprën e tij shëmbëllen kumtin
e tokësores, ngasun prej dalldisë së krijimit nga fryma e shenjtë. Gjithëpoaq,
pakgjë e punës përgatitore, lënda jetësore të këtij mjeshtri të penelit dhe
daltës ka mbëtur, në ndërkohjen e tij, e më së paku, në dëshmimin e të tashmes.
Si çdo gjeni tjetër i asaj ndërkohje, i mëhershëm ose i mëpastajm, një mantel
misteri u rri përmbi. Mëdyshje dhe hamendjet, munden sakaq me e thur cohën e
tyne të njëmendtë, me kast me e mbulu krejtçka deri te kurorëzimi i veprës.
Behin saora turlilloj sajesash dhe qëmtesash, të cilat duke u sendërtu përplot
ojna e gajle, e turbullojnë pa mund të tashmen e të lëkundurve në besi. Nëse
për Shekspirin nuk nguruen prej atyne shërbestarëve të dyshimit, që tuj hedh
baltë mbi krijimtarinë e tij, ia lejuan vetes me vu në pikëpyetje autorsinë
disa kryeveprave, për Mikelanxhelon nuk mundi me kapërcy ndokush aq larg,
anipse u munduen ngadhnjyeshëm. Megjithatë mungesa e boceteve, punës paraprake
të disa prej gjenialiteteve të penelit, të cilat ai vetë hamendet t'i ketë
djegur, e duhit me mister të perëndishmen e krijimtarisë së tij në art.
Mbamendje dhe mirënjohje për kolosin rilindas
Vijmë kësisoj, tash kur mbushen 450 vjet nga vdekja e një
prej atyne shkreptimave më të vezullimshme që ka mujt me ra faqe kësaj toke, të
fikunit jetësor të Michelangelo Buonaroti. Njanit prej gurëthemeleve më të
qenësishëm të rilindjes italiane, piktorit, skulptorit, arkitektit dhe poetit
më të zashëm. Michelanxhelo di Lodovico Buonarroti Simoni, lindi më 6 mars 1475
në Caprese, vdiq më 18 shkurt 1564 në Romë. Deri në të mbrame të frymës, ai nuk
reshti së qëmtuari vlerat më të epërme estetike. Mishërimi i këtij ngulmi e jetësoi
penelatën, daltën dhe penën në memorien e brezave. Ai që bëri gurit të flasë,
penelin të dëshmojë dhe penën të kumtojë, ai ka ditur e s'do resht në përjetësi
të magjeps ëndjet tona delikate, të shastis ngulmin e kureshtive dhe të shtag
qëmtimet e stërholluara estetike.
Rrugëtimi i gjenilitetit
Ky dëshmimtar i zellshëm i artit edhe me voglinë e tij
kishte se çfarë të kumtonte. Mbamendet se e ëma Francesca Neri e
"braktisi" Mikelanxhelon, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Kjo ndodhi e
trishtë, si dhe fakti që i ati mendonte se arti ishin thjesht një zeje, ashtu
si këpucarët, gdhendësit, e mbyll në vete. Gjithsesi i ati e pikasi heret të
jashtëzakonshmen që gurgullonte brenda kurmit qumështor të të birit. Hapi
nistor i kësaj yshtje në universin e gjeniut, ishin mësimet e gramatikës, të
cilat, mjeshtri i ardhshëm do 'ti merrte nga një personalitet i njohur i kohës,
Francesco Galeota. Afria me Francesco Granacci, një shok 6 vjet më të madh, i
cili ishte duke studiuar artin e pikturës në studion e Chirlandaios, e yshti
Mikelanxhelon të bashkëngjitej të njëjtit interes.
Ishte vetëm 13 vjeç kur ai i tha më në fund të atit (i cili
shpresonte që Mikelanxhelo të bëhej tregëtar dhe të mbante lart mbiemrin e
familjes si dhe të shumëfishonte aq pasuri sa ai vetë kish krijuar deri më sot)
se ai do të merrte pjesë në shkollën e piktorit Domenico Chirlandaio. Pasi gati
një vit studimesh në artet e afreskut, Mikelanxhelo vazhdoi shkollën e
skulpturës në kopshtet e Midiçi dhe shumë shpejt ai u bë i ftuar nderi në
shtëpin e Lorenzo de Mediçi, të Madhit. Atje u njoh me Mediçit e rinjë, dy nga
të cilët me pas u bënë Papë (Leo X dhe Clement VII). Gjithashtu në të njejtën
kohë iu dha mundësia të njihej nëpërmjet Mediçit të Madh dhe me humanistë të
kohës, si Marsilo Ficino dhe poetin Angelo Poliziano.
Gjatë viteve që ai shpenzoi në Kopshtin e San Markos,
Mikelanxhelo filloi studimin e anatomisë së njeriut. Si shkëmbim për të marrë
leje në studimin e kufomave, gjest i cili ndalohej nga feja, drejtuesi i kishes
së Santo Spirito, Niccolo Bichiellini mori si dhurat një kryq të gedhendur nga
Mikelanxhelo, punim i detajuar në perfektison i fytyrës së Krishtit. Por kjo
ngasje do të sëmbonte hera-herës shëndetin e tij. Te e vona ai detyrohej të
ndërpriste studimet për ti rinisur ato me normalizimin e shëndetit.
Debutimet e tij të guximshme do të kumtoheshin kur ai ishte
6 vjeç. "The Battle of the Centaurs" dhe "Madonna della
Scala" dy skulptura relievi që datojnë në 1489-1492, Casa Buonarroti,
Florencë janë tregimtaret e asaj se ai tashmë kishte arritur të kapte stilin,
rrugëtimin drejt apogjeut.
Mikelanxhelo, jetesim i kurmit antik
Nga të gjitha orvatjet e njeriut të vdekshëm për të krijuar
shëmbëllimin e energjisë së pafundme, për të lindur nga diçkaja ndjesore
gjithçkanë e perëndishme, për të përjetësuar nga asgjëja universalen e amshuar,
ajo e Mikelanxhelo-s është triumfale, vetanake dhe hyjnore.
Njeriu që përvetësoi duke e rikrijuar artin antik, ishte
Mikelanxhelo. E gjithë forca e tij shprehëse, egoizmi i sendërtuar si energji
shtytëse, e bëri këtë përvojë më të gjallë dhe më depërtuese. Në ndërkohjen e
vitit 1496 mjeshtri kur erdhi në Romë u mahnit nga ajo që pa. Kësisoj ai i dha
jetë një pasioni që e dalldisi duke e kredhur në imitimin e skulpturave
greko-romake, njëra prej të cilave, rezulton të jetë zhdukur, u shit asohere si
një antikë, duke shënuar sakaq rastin e parë të fallsifikimit në art.
Trupi, anatomia, gjithçka e magjisë së krijimit përbënin
ngasësit e babëzisë fizike të Mikelanxhelo. Ai gjithkah hedh penelin dhe daltën
e plazmon këtë shpirt. Davidi, i parë në vetvete shëmbëllen një vepër
jashtëzakonisht të tendosur dhe e gjallë e antikitetit. Kur ngjitemi lart këtij
jetësimi në mermer dhe përballëmi me shprehitë që mjeshtri i shkroi në
portretin epik të Davidit, mësojmë mbi forcën kunguese, që bota e lashtë nuk e
njohu, nuk e përvetësoi, nuk e mishëroi askurrë. Mbamendet se Keneth Clark të
ketë thënë kësisoj, se "kjo cilësi, të cilën mund ta dukej heroike nuk
është pjesë e përfytyrimit që shumë njerëz kanë për qytetërimin". Ajo
mëton vullnesën spartane, mohin e rehatisë, përbetimin për ta kthyer jetën në
një shkas për ndeshje. Së këndejmi, ngulmohet t'i mëshohet idesë se
Mikelanxhelo përmbi tjetërëçka, është një fenomen, një ngjarje e mbamendjes së
njeriut perëndimor. Trupi njerëzor që skaliti ky mjeshtër, ai trup që në epokën
gotike ishte subjekt turpi dhe fshehjeje, mund të transformohej në mjetin e
shprehjes së ndjenajve fisnike, energjisë gjallëruese dhe të përkryerës si të
perëndishme. Kjo kurajo u bë gjaku i kohës për 400 vjet, fuqija jetëdhënëse e
përballjes.
Kapela Sistina, misteri i krijimit
Zanafilla e veprës më të magjishme kapërthyer në ndërkohjen
e ëndjeve estetike, të asaj vepre e ngjizur për adhuruesin që adhurohet me
përgjërim është e themeltë te Papa Julius II dhe njimendja e një gjeniu për ta
jetësuar magjepsejen e Kapela Sistina.
Skishte se si të ishte krej tokësore ky akt i perëndishëm i
këtij gjeniu. Aniqysh, hyjnore e kishte frymën që mbushi gjoksin e këtij
shpërthimi etern, që lë pa frymë atëmot e përgjithmonë sekënd që gjendet nën
peshën zotëruese të kësaj mrekulloreje që i nderet përsipër si ai qiell që
kumton kremtimi i të shenjtes, në ne e për ne.
Kureshtia që ka ngucatur nëpër ndërkohje hulumtues të
ndryshëm është përpjekur të hedh drojshëm hapin në misterin e këtij krijimi.
Dhjetra letërkëmbime që kishte Mikelanxheli me babain dhe vëllezërit, hedhin
dritë mbi këtë mister, mantel të cilin e endi vetë mjshtri. Së këndejmi ka mund
të mbërrijë deri në ditët tona, dhe ti përkasë visareve të njerëzimi krejçka
përbënte filozofinë e tokësores prej artisti të mjeshtrit.
Një nga kritikët më të mëdhenj të artit të Mikelanxhelos
ndërmend: "Mund të shoh pas pesëqind vjetësh fijëzat e furçës së piktorit
që kanë mbetur aty edhe pas përfundimit të veprës. Gjëja e parë që më ka bërë
përshtypje te gjenia e tij ishte shpejtësia me të cilën punonte". Por
përtej gjithëkëtyre të dhënave të hollësishme që kanë behur në të tashmen në
lidhje me punën e mjeshtrit, marrëdhëniet, njerëzit, materialet, kohëzgjatjen
dhe teknologjinë e përdorur për kryeveprën e Kapeles Sistina, ka disa të
vërteta që ende mbeten në një hije të padepërtueshme misteri. Para se
Mikelanxhelo të ngjyente furçën në bojë dhe të niste punën për krijimin e
personazheve të mrekullueshëm të Zotit, Krishtit, Adamit, Marisë dhe gjithë
personazheve të tjerë, në ç'mënyrë Mikelanxhelo u frymëzua, u parapërgatit për
të krijuar kolosët? Ngasa ndërmendet derimtash, krejt tjetërsi prej
pararendësve dhe bashkëkohësve e tij, Mikelanxheloja nuk i qasej modeleve
paraprake. Kjo ngase derisot nuk kanë mbërritur dhe aq gjurmë të kësaj teknike.
Nuk dihet kurrçka, ose dihet vagullt për punën parapërgatitore të
Mikelanxhelos. Hamendet prej shumkujt që u ndal tek kjo figurë, se ai vetë
kërkonte që ajo të mbetej një sekret. Qëllimisht duket se ai e ka fshehur ose
fshirë këto gjurmë për ta mbajtur larg tokësores këtë akt të perëndishëm
krijimi, i patëdytë në llojin dhe përmasat, kohën dhe teknikën e përdorur në
ndërkohjen e kurorëzimit.
Kur gjeniu fshihte gjurmët
Është me interes të mëtohet se Mikelanxhelo, në të gjallë,
një ndër gjërat që nuk e bënte kurrë ishte t'u tregonte njerëzve vizatimet e
tij paraprake, ato të cilat i jetësonte në ato murale të magjishme që shtangin
edhe sot si asokohe.
Në mbamendjen e një biografi të mjeshtrit, "kjo fshehje
e gjurmëve" që e ngjitën atë në Olimpin e famës, shpjegohet me faktin se
nëse dikush do t'i kishte parë do të mahnitej me punën dhe energjinë e madhe të
derdhur në to nga Mikelanxhelo, gjë të cilën ky i fundit donte ta merrte me
vete në varr. Në këtë pikë ai ishte shumë diskret. Anipse ishte nën hyqmin e
njerëzve më të pushtetshëm të kohës, kurrqysh punët paraprake nuk bëheshin të
njohura para se ata të shndërroheshin në murale gjigande.
Mbamendet një rast, se para se të zhvendosej nga Roma në
Firence, në vitin 1518, ai i dogji të gjitha vizatimet në strehëzën vetanake,
duke lënë "gojëkyqur" rrëfimtarët e shtegtimit të tij tokësor përnga
e perëndishmja. Gjithqysh diçka kishte mbetur nga këto gjurmë. Nga krejtçka
trashëgohet, tash mundet me promovu të drejtën e dëshmimit të gjeniut vetëm 800
ekzemplare, krejtkah lavdia ka lëshu dritën e këtij gjeniliteti të allasojtë.
Përpos tana hamendjeve dhe qëmtesash, ajo që grish vëmëndje
është ngulmi i tre shkencëtarëve gjermanë, sipas të cilëve metodat e përdorura
nga rilindësi për parapërgatitjen e betejës epike të pikturimit të 300
personazheve të Kapelës në një sipërfaqe: gjatësi 40.9 metra, gjerësia 13.4 metra dhe lartësia
20.7 metra, mbeten një mister. Në librin e tyre "Mikelanxhelo: Veprat e
plota", ata ngulmojnë se nga ato pak vizatime paraprake që janë gjetur,
vetëm një numër i vogël i përket dorës së tij mjeshtërore. Në fakt, një
pretendim i tillë nuk është një risi. Prej vitesh ka pasur argumente dhe
kundërargumente kësisoj. Më heret, të tjerë zbirilues të asaj të shkuare të
dengur nga mjegullnaja e misterit, janë njëmendur se nga 800 vizatimet
paraprake të Mikelanxhelos, vetëm 200 dëshmojnë autenticitetin. Duke
përplotsuar ngultaz qëndrimin e tyre, biografët gjerman mbeten të mendimit
"se pjesa më e madhe e "vizatimeve paraprake", janë kopje të
bëra pas mbarimit të pikturës gjigante, kopje të cilat janë servirur si të
vërteta".
I preferuari i 12 papatëve
Mëtohet se Mikelanxhelo gjatë karrierës së tij ka punuar me
12 papë, por marrëdhënien më ndryshta mbamenden ato me Julius II. Artisti nga
Areco, në vitin 1508 kur ishte 33 vjeç, voziste në detin e pamatë të famës që i
solli Davidi, skulptura që u kthye në emblemë. Asokohe, Julius II e thirri në
Romë artistin duke e urdhëruar që t'i krijonte një monument gjigand varri, të
denjë për nga përmasat dhe arritja artistike me atë të një faraon. Papa donte
që kjo vepër të përbëhej nga 40 punë në përmasat njerëzore, në mënyrë që të
gëzonte statusin si mrekullia e tetë e botës. Ndoshta për fat ky monument nuk u
mbarua kurrë, por ajo çka artisti e konsideron si "tragjedia e
varrit" e përndoqi Mikelanxhelon edhe shumë pas vdekjes së Juliusit.
Në vitin 1506, pas një grindjeje me Papa Juliusi II,
Mikelanxhelo iku nga Roma kaluar. Por Papa e ktheu pas duke e detyruar që të
derdhte në bronz një statujë për veten, e cila më vonë u shkri duke u
shndërruar në top.
Zëfillja e një mrekullie
Kapela Sistina, ishte kapela personale e Papës. Më heret ajo
ishte zbukuruar ndërkohë me vepra të mjeshtërve Botiçeli dhe Pruxhino. Tavani ishte
në ngjyrë blu i mbushur me yje të artë që vezullinin. Asohere Kapela vuante
harresën dhe vetminë, gjëndje mënjanimi që vinte nga një plasaritje e tavanit.
Juliusi donte që ajo të rinovohej tërësisht. E kush tjetër më i besueshëm do të
ishte për papatin se gjeniu që lindi Davidin. Papa i kërkoi Mikelanxhelos që në
tavan të pikturonte përfytyrimin e 12 apostujve. Nistorja ideore për Mikelanxhelon nuk përflaku dot entuziazimn e
mjeshtrit. Justifikimi që zuri fill ishte se piktura nuk ishte profesioni i tij.
Debati mes Papës dhe Mikelanxhelos zgjatoi për dy muaj radhazi. Nuk mbamendet
saktësisht se çfarë e tendosi këtë fill komunikimi mes Papës dhe mjeshtrit,
ideja apo pazari. Por ajo që kumtohet, mbamendet se, në maj, artisti pranoi
duke kërkuar në këmbim një pagesë prej 500 dukatesh, të cilat duhet t'i
jepeshin menjëherë. Gjithpoaq ideja fillestare e 12 apostujve u shndërrua në
pikturimin e 300 personazheve të tjerë. Faza nistore e punës përfundoi në vitin
1512. Plot 24 vjet më vonë, Mikelanxheloja u kthye të përfundonte pikturën. Në
maj të vitit 1536 ai ishte në punë për "Gjykimi i fundit" dhe
"Dita e zemërimit", dy tema të cilat zënë gjithë murin mbi altar, me
pamjen e frikshme të fatit të mëkatarëve, ditën e gjykimit.
Burimi i frymëzimit të Mikelanxhelos ishte besimi, sikurse e
ka përmendur vetë në një poezi, se "Vetëm te bukuritë me të cilat ne
përballemi në Tokë mund të gjejmë një pjesë të vogël të asaj çka është në të
vërtetë Parajsa". Ishte kjo kremte e frymëzimit hyjnor, kjo grishje e patëdytë
në llojin e vet, që në shpalimin mrekullues ka magjepsur, gjëndje dehjeje, e
cila gjallon atëmot e tash.
Statuja e Davidit
Jetësimi i një beteje epike të Davidit kundër Goliathit,
rrugëtuar gjatë në mbamendjen dhe shpirtin triumfues duke u përjetësuar në një
vepër të veçme përnga stili dhe përmasat, kumti dhe ngulmi ka dëshmuar
madhështoren e mishëruar. Statuja e Davidit, përfunduar nga Mikelanxhelo në
1504. Ajo është një nga veprat më të njohura të Rilindjes, dhe një nga
përshkënditjet më të vetveishme të shkrepëtimës së këtij ylli të artit.
Mikelanxhelo u kthye në Firence në asokohjen e viteve
1499-1501 kur shumëçka po ndryshonin në
republikë. Një statujë kolosale e David që simbolizonte lirinë firenceze, do të
vendosej në Piazza della Signoria, përballë Palazzo Vecchio bashkë me forcën e
dëshmimit të Mikelanxhelos, i cili u përgjigj duke përfunduar veprën në 1504.
Kjo kryevepër, e bërë nga blloqet e mermerit të nxjerra nga guroret e Karrarës,
të cilat ishin punuar edhe më heret, përfundimisht përcaktuan rëndësinë e tij
si skulptor me aftësi teknike të jashtëzakonshme dhe fortësinë e imagjinatës së
tij simbolike.
Gjatë kësaj ndërkoje, Mikelanxhelo pikturoi "Familja e
Shenjtë" dhe "Shën Gjoni", e njohur gjithashtu edhe si Doni
Tondo ose Familja e Shenjtë e Tribunës. "Madonna dhe Fëmija", e
njohur si Manchester Madonna dhe e gjendur tanimë në Galerinë Kombëtare, Londër
shtresojnë aktin e tij të krijimit.
"Mëshira" që kremton dhimbjen
Dhe ja ku gjendemi te "Mëshira" (1498-1499). Ajo
është një kryevepër e Mikelanxhelo Buonarroti, e vendosur në Bazilikën e Shën
Pjetrit në Vatikan. Kjo është sprova zanafillore e kësaj tematike që do të
pasohet në të pastajmen me të tjera shpërthime kushtruese të mjeshtrit. Asokohe
statuja u bë për funeralin e një kardinali francez, por u zhvendos në
vendndodhjen e tij aktuale, në shekullin e XVIII. Kjo punë shumë e famshme e
artistit përshkruan trupin e Jezusit në prehërin e Marisë, pas kryqëzimit.
Përveç mishërimit të themeltë biblik, "Mëshira" është një kriojim i
rëndësishëm, pasi balancon idealet e bukurisë klasike të rilindjes me
natyralizmin.
Struktura është piramidale, dhe kulmi përkon me kokën përgjysëm
praruar të hyjlinëses Mari. Statuja zgjerohet progresivisht tek veshja e
Marisë, në bazë, tek shkëmbi i Golgotës. Pamja është gati në një proporcion të
saktë, duke e ditur sa e madhe është vështirësia e gdhendjes së një mashkulli
plotësisht të rritur, i shtrirë me gjatësi të plote në prehërin e një gruaje.
Pjesa më e madhe e trupit të Marisë është fshehur nga veshja e saj monumentale,
kështu që marrëdhëniet e figurave duket krejt e natyrshme. Interpretimi i
Michelagelos per "Mëshirën" ishte shumë i ndryshëm nga ai i
bashkëkohësve. Ai gdhëndi një Mari të bukur dhe të re, në vend të Marisë të
kredhur në mundime e në moshë të 50-tave, mosha reale. Shenjat e kryqëzimit
janë davaritur qëllimshëm duke mëtuar si trajtim shprehës disa vrima të vogla
gozhdësh dhe një plagë në një anë, të Jezusit. Fytyra e Krishtit nuk tregon
shenja të vuajtjeve dhe torturave. Michelangelo nuk donte që versioni i tij i
"Mëshirës" të përfaqësonte vdekjen. Simbolika e kumtuar kësisoj është
krejtçfarë Mikelanxhelo kungoi përgjatë kalvarit të shugurimit të të
shenjtërisë tokësore në art.
Mikelanxhelo Buonaroti në mbamendjen e brezave do të mbetet
një akt i perëndishëm dhe një mantel misteri. Kjo ngase vetëm kësisoj
shtresimet e brezave do të munden me e shpalu gjithherë petale pas petaleje
dritim magjiplotë, me të cilin ai mbështolli veprën e tij.
Comments
Post a Comment