Filozofi Heidegger dhe nacionalsocializmi
A ka qenë filozofi gjerman një antisemit i bindur? Mendimet e ekspertëve për afërsinë e Heideggerit me nacionalsocializmin janë të ndara. Një vëllim me shënime të tij që publikohet për herë të parë e ka rindezur debatin.
Martin Heidegger (1889-1976) vlerësohet si një nga filozofët gjermanë më me influencë të shekullit të 20-të. Por ai ka qenë edhe anëtar i partisë së Hitleriut NSDAP, nga viti 1933 deri 1945. Në fjalën e tij të parë si rektor i Universitetit të Freiburgut, Heidegger kërkon në 1933 një rinovim nga themelet të Universitetit me nacionalsocializmin si forcën përcaktuese dhe lidhje me bashkësinë popullore. Se sa e mbështeste vërtet Heidegger ideologjinë nacionalsocialiste është diçka e polemizuar. A ka ajo lidhje me filozofinë e tij apo donte Heidegger të shfrytëzonte momentin e favorshëm për të realizuar idetë e veta?
Publikimi i parë i fletoreve të zeza
Filozofi Peter Trawny ka ndezur tani diskutimin për angazhimin politik të Heideggerit me publikimin e të ashtuquajturave fletore të zeza. Fjala është për 34 fletore shënimesh të Heideggerit në të cilat filozofi nga 1931 deri në fillim të viteve 1970 shënonte mendimet e tij. Emrin ato e kanë marrë nga kapakët origjinalë në ngjyrë të zezë. "Fletoret jo vetëm nuk ishin publikuar më parë por ishin pak a shumë të panjohura, pothuajse askush nuk i kishte lexuar ato. Vetë Heidegger është kujdesur që askush të mos i shihte me përjashtim të familjes së tij", thotë botuesi Trawny. Nga fletoret të cilat nga fundi i shkurtit deri në mes të marsit do të botohen në tetë vëllime, studiuesit presin të fitojnë njohuri të reja rreth botës së mendimeve të filozofit, përfshirë këtu edhe mendimet e tij për nacionalsocializmin.
Vëllimi që do të publikohet në 15 mars përmban edhe një fletore nga vitet 1945/46 për të cilin deri tani mendohej se nuk ekzistonte më. Vetëm pak kohë më parë ajo u rishfaq tek Silvio Vietta. Studiuesi i letërsisë tregon kujtimet e tij personale për Martin Heidegger: filozofi ka qenë mik i familjes, me mamanë e Viettas ai kishte pasur më vonë edhe një lidhje sentimentale. Fletoren ai ia kishte dhuruar asaj në atë kohë. "Në fletore bëhet fjalë për përpjekjet e Hedeggerit për të stabilizuar veten në atë kohë të vështirë dhe kritike", thotë Vietta. Në fletore nuk ka pasazhe antisemite.
Heidegger dhe hebraizmi
Peter Trawny i ka lexuar të 34 fletoret dhe gjen në to jo pak pasazhe problematike: "Tani për herë të parë duhet të themi se Heidegger jo vetëm ishte angazhuar për nacionalsocializmin, e kishte marrë atë seriozisht dhe e ka shoqëruar për një farë kohe me simpati për ta kritikuar fort më vonë. Tani na duhet të shohim se mendimet e tij kanë qenë të hapura për antisemitizmin." Kështu Heidegger në fletoret shkruan se hebrejtë kanë mjaft prirje për llogaritë. Me këtë Heidegger nuk përdor vetëm paragjykime antisemite por krijon edhe një lidhje me filozofinë e tij në të cilën ai e kritikon fort epokën e teknikës: "Llogaritja për shembull vendoset në një raport të veçantë me teknikën dhe papritur hebraizmi kthehet në një përfaqësues të veçantë të teknikës universale."
Veç kësaj Heidegger mbështetet në "protokollet e të urtëve të Sionit", me karakter antisemit. Kështu ai shkruan se "hebraizmi botëror" lufton në mënyrë anonime kundër nacionalsocialistëve. "Ky është një stereotip antisemit i asaj kohe sipas të cilit mendohej se ekzistonte një forcë anonime që vepronte në plan ndërkombëtar, e cila quhej hebraizëm botëror, dhe që përpiqej për shembull të zhdukte gjermanët", thotë Peter Trawny.
Heidegger kishte shumë miq hebrej
Silvio Vietta e konsideron absurde akuzën e antisemitizmit. "Besoj se Trawny e kanalizon këtë në drejtimin e gabuar. Kjo s'ka të bëjë fare me antisemitizmin. Këtë e hedh poshtë edhe fakti që Heidegger ka mësuar tek një hebre, Edmund Husserl, dhe me publicisten hebreje Hannah Arendt ka pasur madje një lidhje sentimentale. Por Vietta pranon se: "Heidegger i ka kritikuar vërtet hebrejtë për të menduarit me llogari. Ai harronte se hebrejtë në një farë mase kanë qenë të detyruar ta luajnë këtë rol gjatë historisë së tyre. Ata kanë qenë vërtet elita financiare edhe në Perandorinë e vjetër gjermane, përpara se t'i nxirrnin me forcë nga pozicione të tilla." Por kjo është një kritikë ndaj të menduarit me llogari dhe nuk ka të bëjë aspak me racizmin.
Heidegger: "Në 1933 të gjitha këto nuk ishin shumë të qarta"
Ajo që e pati afruar Heideggerin me nacionalsocializmin sipas Viettas ka qenë dëshira e tij për një revolucion, për rilindjen e shpirtit gjerman. "Dhe ai besonte ndoshta në mënyrë disi naive kur mori postin e rektorit në 1933 se një rilindje e universitetit mund të sillte edhe një rilindje shpirtërore të Gjermanisë. Por nga vitet 1934/35 ai kuptoi se Rajhu i Tretë ishte pikërisht e kundërta e saj që ai donte: ai ishte një makineri lufte, një filozofi teknike." Në 1934 Heidegger hoqi dorë edhe nga rektorati. "Një herë më ka thënë: 'E di, në 1933 e gjitha kjo nuk ishte kaq e qartë."
Por Peter Trawny e sheh këtë me sy më kritik: ndër të tjera vëllimi me shënimet e Heideggerit gjatë kohës së rektoratit nga 1931 deri 1934 tregon se në ç'mënyrë radikale Heidegger ishte përfshirë në frymën e asaj kohe. Pasazhet që mund të interpretohen si antisemite gjenden rreth fundit të viteve 1930. "Për mendimin tim këto janë pasazhe që përpiqen të shpalosin një antisemitizëm specifik në filozofinë e tij. Dhe ky është problemi i vërtetë: që nuk kemi një filozof i cili ka privatisht ndjenja antisemite apo paragjykime për hebrejtë, por një filozof që përpiqet të përkufizojë dhe shtjellojë në mënyrë filozofike një definicion si për shembull 'hebraizmi botëror'."
Diskutimi pra do të vazhdojë edhe ca kohë. Për më tepër që Silvio Vietta ka njoftuar edhe një tjetër publikim për herë të parë: një letërkëmbim mes babait të tij dhe Heideggerit.
Comments
Post a Comment