Poezi, ti që shenjtëron shpirtrat e dlirë
Sot më 21 mars, Dita Ndërkombëtare e poezisë
Nga Albërt Vataj
Atje ku s'ka asgjë, ai krijon, ajo lind.
Bzan, ku heshtja rrënjëzon një gjëndje të amullt, të trishtë, të ndërkryme. Ma
t'thuktit za, ndigju faqe kësaj toke, ia nep. Hesht me vetminë, nën qiparis,
përmbi krrakamë korbash e natash që terri i ther. Frymën përgjon teksa në ty,
gjimon nji za, që heshtjen vret.
Këndon krejkund muzika zë fill, në
fëshfërimën hollake të gjetheve, në rrapëllimën e zemëratës së reve, në puhizën
e lehtë të pendëve të një zogu, në fërgëllimin e kurmit të një pasioni, në
britmën rrënqethëse të një nëne, në hapin e ndrojtur të një ikanaku nëpër terr.
Ti je aty, ku të tjerët nuk të shohin, nuk të ndjejnë, s'të prekim dot, e
megjithatë, ledhatare beh me fjalën tande të purpurtë, shkundullitëse je me
virrmën që ngjeth, ngasëse me t'amëltat tinguj që flakëron, ti poezi. Jë
gjithçka në azgjënë e trajtës. Je ajri kur frymëmerr një kraharor që zbohet
prej buçimave të thekshme. Je qielli i yjëzuem e hanëplotë, në rrugëtimin
zemërthyem të një yryshi të ndërkryem.
Ti, poezi, je aty ku poeti është trup e
shport, ku shëmbëllimi frushullon nëpër ëndje si frymë, e përpushet nëpër shtat
si afsh. Në buzë të ulet, si një flutur krahëflakëruar në dëshirime të prushta,
e kandesh kllapitjeve ndër dehje, që gurrojn shtërzive të gjakut.
Ma e epërmja vetëdije, ndër të zakonshmet e
virtytshme të njeriut, asht ajo, poezia. Ajo e cila mishëron hyjnoren, në
kurmin e asaj qënje të brishtë dhe mëkatare, në ty poet. Në këtë cak
mbamendjeje, për këta shenjtor të fjalës dhe të virtytit, të qiellores
tokësore, beh, me një urim dhe përunje dlirane e zanafilluar në veten teme ma
të kthjellët, më të papërlyme, ma të dlirë, në veten teme që flet me mu,
atëherë kur gjithçka përreth zë dhe hesht, kur krejtçka më ka vënë përfundi e
m'zatet babzishëm.
Kam një and me e lumni me shenjtëni krejt
ata, të cilët ngritën deri në qiell këtë përmendore të metaforës, këtë
shenjtëri të predikimeve njerëzore. Tash këtë 21 mars, Ditën Ndërkombëtare të
poezisë, ditën e shenjtërimit të shpirtit, poetë, vjershëtorë, krejt ju që me
pëshpërimat e shpirtit, e llamburitni me drita yjësish netët e ndrydhjes dhe
mëdyshjes, dëshpërimit dhe vetmisë. Ju poetë që kushtrimet e metaforave dhe
shkulmeve të zashme të shpirtit, i flatruat nëpër kremte zotash që kunguat me
tharmin e dëshirimit.
Si mëkues i sublimes, ti poet, mëton
misionarin e paepur dhe doktrinarin ngadhnjimtar. Në kujtesën e së tashmes,
mbamendet dhe kremtohet, se ajo, poezia, ishte e themelta formë e komunikimit
estetik dhe historik. Kësisoj zuni fill më e vetvetishmja trashëgimi, që
njerzimi rrok prej kohësh të largëta. Te njeriu modern ka mbetur ajo krijesë epike, e cila beson tek
fjala, tek shëmbëllimet dhe përfytyrimi, si në zërin e thellë të vetëdijes, si
në arsyen e epërme të gjëndjeve, që e përkundin nevojën e tij për mrekullim, që
e përfundin në ngasjen për jetësime ambozi dhe pelin.
Kur n'zemër t'poetit dhimbja ia ngjesh me
tërbim, e trishtimi zashëm vikamët në kup të qiellit ia nep, poezia, asht një
shpend që shkapet krahët, një vlagë që lëron ma thellë plagën. Prahesh
n'kushtrim, e s'ka gja çka me e paqtu këtë dhimbje prore, qi kafshon unshëm
shtatin e molisun të gjendjeve të vagullta që përpushim. Lëshohesh përpara me
tërbim si një përrua i ngasun prej rrebeshit, e përpara mësun tuj e dyst malin,
krejtkah teposhtja t'ka hov. S'ke dit me hesht, me u përlesh s'ke nguru.
Ai, poeti, krejçfarë e ysht në këtë arenë
përballjeje, është misioni, për të cilin ai i është përbëtuar vetvetes, amaneteve
që e zgjojnë dhe e hedhin pupth në yshtje dhe kandje përjetuese. Ai në
jetësimin e çasteve sublime, grimcave që bubrron realiteti, thur vargun, si
përplasja e reve rrufenë, e lëshohet predikues në kërshërinë e sejcilit, si
psalmet e një besimi prehistorik. Së këndejmi, ngarendur me fjalën, ai hedh
farën e së bukurës, shëmbëllimit të së epërmes, përfytyrimin e të magjishmes.
Krejtkjo në emër të besimit, poezisë, shenjtërimit të këtij shërbestari të
dlirë të vullneteve.
Thellë lëron kurmin e njeriut, qiellit, me
një psherëtimë gjithësinë e tejpërtej. I perëndishme është ai çast. Andet me
ardh te unë si një predikim, e kurrnji mallkim s'të tuti. Jeton në mu dhe në
krejt ata zemra, si njaj zog vetmitar që me kangë e çukitje zbon kafazin e
krahnorit tënd.
Sot është një ditë e shenjtë, një kremte e
mirënjohjes për të gjithë ata që duke dhënë copë nga një copë botën e tyre
shpirtërore, e mbushën me dritë të tashmen e sekujt, që në dëshirimet e veta
kandet me vrapu pas ngjyrave, pas kjartësisë, pas hoveve të shpirtit!
Poezia është liri dhe e vërtetë e asaj
kohe, jo shumëfishimi abstrakt i ndjenjës.
Poezia asht frymëmarrja eterne që ne
poetët, i napim momenteve vetanaka, gjendjeve të strukuni në lëvozhgën e
gjallimeve të mefshta dhe shkelmimeve rrapëllitëse. Ne kridhena në përjetime të
llojllojshme, aty ku tjetërkush nuk përgjon kurrçka që lëviz, nuk pikas
gjallimin e asgjasë të tjetërllojtë. Prej grimcave të vockla të përthyerjes së
dritës, ne shpuzimit shpërthime galaksishë. Atje ku pikat e shiut zvargen, ne kacavjerrim
njasi përjetimesh të etuna, të cilat vetëm qiellin munden me ia kumtu zjarminë.
Ajo, poezia, është vetë misteri i jetës…
Ajo nuk është askun dhe gjithkund, rrok
përplot pasion qenësin e saj të hyjshme, të mylmyeme nëpër shugurime të
perëndishme.
Poetët nuk janë njerëz të jashtëzakontë,
jo. Ata janë secili prej nesh. Poezia gëlon në çdo shpirt. Vetë jeta është një
poezi. Sa herë që rrekemi të dëgjojmë tjetërçka ngase e përmbyt ëndjen tonë
kureshtare, dhe josh afrinë me dëgjimin, ne ndjejmë se diçka po ndodh brenda
nesh. Zëri që na pëshpërin është ajo vetvete që ka kapërcyer pragun e është
kredhur në brendinë tonë dhe ashtu e dehur nga hapësira, e etur nga drita, e
dalldisur nga ngjyrat, lëshohet turraz në atë botë që struket brenda nesh, si
një fëmij i ndrojtur. Lule më lule e hedh hovin, ledh më lëdh përhidhet si
shkrepëtim dritë. Rend me vrap e fluturon nëpër krejt qiejt e shfrimeve
poetike, për me sjell prej andej, cicërima zogjsh, shamatime resh, gufime
zemëratash e lëngime të amështa të syve që u fiken në epjen eterne të
përmallimit. Afshet ma gurgulluese të mishit në prekjet përfytyruese dritash të
perëndishme mëton. Poet, ti njeri me Zotin përbri, fenë e shpirtit predikon, të
vërtetën që përmes ngadhnimesh kacarritet për të ardh, me ty, te ti. Më
delikatet ndjesi shkakton prej gjendjeve zotëruese, prej netëve që kurmi prehet
në andrra me kryet vënë në gur.
Prej shkreptimave të rrufeve, dritë i nep
skutave ma të thella, e prej andej e dëbon gjendjet e ndrydhuna, qeninen e
burgosun në vullnetet e tua të varrueme prej vetmisë dhe frikës së netëve të
gjata të pritjes, jashtë i nxjerr.
Nëpër ndërkallje të këtilla marroke, ti
hovesh prej meje, poezi, depërtuese, e tejpërtejme si britma që vërret nëpër
natë, si zani që flatron përmadhshëm prej kambanave, ndjeve në qytetin tem.
Shkartis frymën që era ia përzien nëpër
gjethe, tuj ngec doherë nëpër ta, si gishtat e mi në flokët e tu e dashtun, të
shpupurishun prej stuhive të afshit.
Andrra mëkon e nëpër andrra jetën shuguron,
si t'epërmen mbrrimje që vetja ka cek me kap në çaste solemne, kur shpirti flet
ma zashëm se heshtja, që me hijen tande përgjithnji i sheh me ty, poet.
Në lot e ngjyn pendën e legjendës, t'i
ligjërues sqim e kumtues. Në gjak e lan eposi vargun, në teh të rrufesë e në
frymëmarrjen ma të thekshme të ferrit, çapit me hapin e tij të lehtë, poet.
Nëpër ode e ditirambe, nepesh, kotesh, si
fëmij i nji epoke t'harrume, i nji miti të mbetun kyçun në gjuhën që zani nuk e
gërmëzoi. E derdhesh turravrap për me e mrri me kangën e zogut, larminë e lulimit,
i pari pranverën. Dimnin tuj e lan në kreshta tuj kuvendu.
Dhimbja, dhëmbët kur në mish mi ngul,
britmat më zenithen, e veç teje, jo tjetërkush, prej kësaj piskame s'theret.
I përafrum në përfytyrime e emocioneve ma
të thekshme, zgjon kandën e përjetimit, njat thellësi të vetvetishme që ngjizet
përbrenda teje.
I beson pendëve të fjalës ma t'randin
amanet të shpirtit. E kënaqesh kur këndon me erën që nëpër degë hoket, me
aromën që prej kurmit turfullon njat gjendje eteri që vetëm ti mundesh me e
deshifru, më pasionin tand.
Nata të pëshpërit në vesh kuvendime yjesh,
e çka hana ka përgju mes pemëve dhe reve.
N'krahë kujtimesh më hedh si n'prehna
përmallimesh që m'kanë zhuritun. Tek loti që tinëz prej qerpikut zbret, njom
buzët që puthja ti ka kallën n'harrim.
Poezi, ti që shenjtëron shpirtrat e dlirë,
ti je krejçka që kam në këtë përleshje epike me njeriun, Hy.
Comments
Post a Comment