Një nënë është një shenjtore edhe te “La Charité” e William Bouguereau
Nga Albert Vataj
Ajo është “La Charité” (Mëshira), e
piktorit William Adolphe Bouguereau (30 nëntor 1825 - 19 gusht 1905). Eshtë
realizuar në vaj, kanavacë në vitin 1878. Përmasat: 196 x 117 cm (77,17 "
x 46,06 "). I përket një koleksioni privat.
“La Charité” është një nga punët që
sinjifikon krejt galerinë krijuese të William Bouguereau, i cili megjithëse u
anatemua si askush tjetër, u mohua dhe u dëbua bashkë me stilin e tij akademik,
sot e gjejmë në podin e famës, larg nga e shkuara fyese, pluhuri i harresës dhe
dangat e poshtërimit.
“La Charité” (Mëshira) aktualisht mban
rekordin botëror si piktura më e shtrenjtë e shitur e galerisë së Bouguereau.
Ajo u shit në një ankand në vitin 2000 kundrejt vlerës 3.600.000 dollarë. Për
një piktor të mbetur pas portave të mbyllura, kjo është një befasi.
“La Charité” (Mëshira) përshkruan një grua
të bukur, shëmbëllimi i përsosmërisë femërore, dlirësisë së kulluar, hireve
rrezatuese dhe forcës amësore. Ajo kridhet në këtë tablo jo vetëm si elementi
dominues por edhe dëshmimi më universal dhe i vetvetishëm i rolit të një nëne, i
rolit të vazhdimsisë së jetës. Ajo shpreh kujdeseni dhe mbrojtjen e pesë fëmijë
të vegjël, duke u dhënë atyre edukatë, ushqim dhe dije. Mirërritja është
përfaqësuar nga gjinjtë e saj të kolmë që tregon synimin për të lejuar fëmijët të
gjejnë aty përkujdesje në të ushqyer. Prarimi i syve, drejtqëndimi dhe
rreqarkimi i krahëve që zapton tre nga vogëlushët, shëmbëllen atë kumt gruaje
dhe nëne që jetësohet në botkuptimin e të pazevendësueshmes, që nga Hyjlindësja
e këndej.
Eshtë ngadhnjimi emblematik i një nëne,
njimendja dhe vullnesa e saj e hovshme për të dhënë për ta gjithçka nga vetja
përkundër gjithë përpjekjeve dhe sakrificave vetmohuese.
Nën këmbën e saj të majtë qëndron një enë përmbys
me monedha ari dhe argjendi, të cilat qëllimisht janë derdhur. Ky simbol tregon
se nuk ka kosto për lumturinë e tyre, që e tejkalon atë për të cilën ajo, nëna,
është e gatshme t’ua japë me mish e me shpirtë. Pratë kësisoj nuk trajtohen si përparësi,
ata nuk zotërojnë atë forcë, atë energji që u duhet atyre për t’u rritur të
shëndetshëm të edukuar dhe të ditur. Burimi i vetëm prej nga ata e marrin atë
që u duhet në jetë është ëma e tyre, është e perëndishmja, që piktori e ka
trajtuar si një shenjtore, si një amanet që ka marrë mbi vete në përjetësi një
grua, një nënë. Një tjetër detaj është edhe tematika e dijes, e shtjelluar
nëpërmjet elementit të fëmijës, i cili është mbështetur mbi disa libra dhe diç
lexon në një fletë të shkëputur dhe të vendosur në shkallare. Fëmija i ndrojtur
që struket në të djathtë nën petkat solemne që derdhen përposhtë prej shtatit
të gruas, dëshmon dhe denoncon realitetin, ashpërsinë dhe egërsinë, me të cilën
ai do të qaset. Por nëna është aty, e vetmja dhe më e vetvetishmja mburoje dhe
edukuese e fëmijëve, të cilët mbartin misionin trashëgimisë. Ajo rend në
përjetësi me dashurinë dhe detyrimin, për fëmijët e saj, për jetën, për
gjeneratat. Një nënë është themeli i një brezi!
Albert Vataj
Comments
Post a Comment