Petrit Palushi: Më shpejt do integrohemi në Evropë sesa do ta integrojmë letërsinë

Shkrimtari, studiuesi i letërsisë dhe publicisti Petrit Palushi, aktualisht është drejtor i Radio Kukësit. Është autor i romaneve “Këpucët e Kaltrinës” (2013), “Artemisa e mëkatit” (2010), “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” (2007), “Tri motra në një qytet” (2006); botim i dytë (2011), “Përroi i Andrrës” (2004), i librave me ese “Misteri i rrëfimit”, (1999), “Shkrimtari dhe anatema” (1995), “Kryqëzimi i Havzi Nelës” (2008), si dhe i librit - ditar “Kukësi në 79 ditë” (1999). Për prozën, është fitues i disa çmimeve letrare. Njëkohësisht po përgatit Fjalorin me 50 mijë njësi frazeologji të shqipes, të mbledhura në rrethin e Kukësit dhe treva të tjera të Veriut.

ANKTH. Ankthi shfaqet te njeriu në forma të ndryshme përjetimi, por asnjëherë nuk mund ta marr me mend ankthin që kaplon atë njeri që s’ka shtëpi (banesë) dhe natën e kalon në qiell të haptë. Në Kukësin e Vjetër, aty kah vitet ’70 të shekullit të shkuar, e kalonte jetën e vet një dervish i çuditshëm pranë Urës së Drinit të Zi. Aty kryente ritet fetare, edhe pse asokohe qe e ndaluar. Kur po prishej qyteti, dilte nëpër rrugë duke bërtitë: “Kur të prishet ura, ku kam me jetue?!”

ARTIST. Përgjithësisht njihet fjala “artist”, por jo si duhet koncepti i fjalës. Kjo ndodh se shpesh mungon raporti artist-lexues, ose artist - shikues. Krijimi nuk vjen nga ndërgjegja kolektive, por individuale. Prandaj për artistin shpesh ka moskuptueshmëri. Psh., piktori në tablonë e vet mund ta bëjë pemën të kuqe, herë të jeshiltë, një tjetërherë të verdhë, jo si ia derdh pemës rrezet dielli, por si e sheh ai me sytë e vet si krijues dhe kurrsesi nuk mund të qortohet. Piktori gjithashtu, llavën e vullkanit e derdh në tablo vetëm në një plan të parë të dukshëm. Në qoftëse arti figurativ vjen si konkretizim i fantazisë së artistit, pra shfaqet dukshëm dhe krejt haptë para syve të vështruesit, dhe kjo është krejt e natyrshme, arti letrar bën të kundërtën: ndez shkëndinë e pasionit tek çdo lexues dhe bëhet objekt frymëzimi për të gjithë pa dallim, artistë apo jo artistë. Arti figurativ e shpreh mendimin e vet, dmth., shfaq vetveten që në takimin e parë me të, pra e shpalon vetveten. Të pëlqen ose s’të pëlqen, është në gjendje të thotë: “Ja ku jam. Më ke në plan të parë, sepse jam i vendosur në hapësirë, i pozicionuar ashtu siç më sheh, pa ekuivok, ekzistencialisht.”

KOSOVA. Shpesh mundohem ta shoh Kosovën edhe me letërsinë e saj të krijuar në rrjedha të dekadave dhe këtu, natyrisht që është fjala për letërsinë e cilësishme. Por, me përjashtim të pak autorëve, kjo letërsi nuk njihet sa dhe si duhet në Shqipëri. Ka një lloj muri të çuditshëm, të pakuptimtë. Edhe për Anton Pashkun, e njëjta gjë. Ndonjë studim tek-tuk për të, botimet e tij s’i gjen n’asnjë librari. Në vijim po përmend vetëm 10 autorë të Kosovës, ku shpërfillja ndaj tyre në Shqipëri është e dukshme, madje cinike: Beqir Musliu, Teki Dervishi, Ymer Shkreli, Agim Deva, Musa Ramadani, Mirko Gashi, Rrahman Dedaj, Abdullah Konushevci, Ramadan Musliu, Rexhep Murtez Shala. Kam përshtypjen se Shqipëria dhe Kosova do të marrin statusin për në Europë, shumë kohë më parë se letërsia shqipe të integrohet mes veti.

LETËRSIA. Letërsia vjen si një lëndë e trilluar dhe jep atë që s’ndodh asnjëherë ose ndodh shumë rrallë. Ajo mund të ndihet komode nëse parashihet, frymon dhe i ofrohet lexuesit vetëm si lëndë e trilluar (e sajuar, e paqenë, e abstraguar), por kurrsesi dhe asnjëherë si informacion, që mund të zëvendësonte disiplina të tjera si historia, dituria e natyrës apo gjeografia. Ndryshe letërsia do të zhvishej nga thelbi i saj i përnjëmendtë sa mund të quhej letërsi historike, letërsi politike, letërsi gjeografike, etj., pikërisht se asaj mund t’i mungonte ajo gjë që esencialisht e modelon dhe e frymon seriozisht letërsinë e përnjëmendtë: lënda e trilluar. Letërsia është cilësi e jetës, s’është dhe s’mund të jetë pasqyrë e saj; në këtë kontekst ajo mund të shpërfaqet vetëm si reflektim jete në një fije të vetme ose në shumë fije të lidhura apo harmonizuara shumë kujdesshëm. Kjo do të thotë se krijimi është një realitet kryekëput i paqenë dhe i abstragueshëm. Letërsia është zbulim i jetës; mendimi i kahershëm se ajo është pasqyrë e jetës, mbetet pa dyshim një mendim periferik për letërsinë, një koncept krejtësisht jashtëletrar. Pasqyrimi ndodh kur njeriu e sheh veten në ujë, ose në pasqyrë. Gjendja e autorit përkon me një gjendje psh., me një ndodhi në natyrë (po ta bënim më të kapshëm e më të prekshëm shpjegimin), me një lloj ngacmimi që më pas i hap rrugë një rrëfimi pikërisht për atë gjendje, në qoftë se mund ta quajmë kështu, gjithçka të modelohet dhe të marrë pamjen e një pjese të jetës. Letërsia parasheh të nxisë të padukshmen, të krijojë kontradiktën ndërmjet ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes së lexuesit. Kjo gjë vjen për shkak të klimës letrare të veprës, që parasheh të gjithë përbërësit që e mbajnë atë në këmbë: rrëfimi, makrotema dhe pjesët ndihmëse të saj, stila, gjuha jo si veshje e jashtme, por si natyralizim i vetë rrëfimit. Aty lexuesi gjen atë që s’e sheh dhe takon në jetë, por i duket si pjesë e vetvetes; kjo ndodh se letërsia krijon një realitet tjetër, që ka të bëjë me realitetin e trilluar, por jo të zbukuruar, si ajo që prodhoi shundi socrealist.

NGACMIM. Shpesh përdoret edhe si shtysa fillestare për një vepër letrare. Nga përvoja ime krijuese kur shkruaja romanin “Përroi i Andrrës”, ngacmimin e kisha marrë fillimisht tek legjenda mbi atë përrua. Vetëm kaq. Ajo legjendë më rrinte në mendje dhe shpjegimi fillestar kish të bënte me atë që, po të flinte dikush pranë atij përroi, kur të zgjohej, kryet mund ta kish të rënduar dhe për shumë kohë mund të trazohej prej ëndrrave të rënda që kish parë aty. Për mua përroi qëndronte thjesht si njësi gjeografike, e dija se ku ndodhej por s’e kisha parë. Gjatë shkrimit të veprës lënda më krijoi segmente të shumtë kuptimore, m’u desh të përdorja një gjuhë të tillë për të krijuar një atmosferë letrare sa më të besueshme, shpesh ta përdorja mitin në funksion të kumtit të veprës. Pra realiteti më ofroi pamjen e jashtme të legjendës, m’u desh që legjendën ta lëshoja rrafsh për toke dhe të krijoja një realitet tjetër, natyrisht krejt të trilluar. Do kohë mbasi e botova romanin, shkova dhe e pashë atë përrua (prej të cilit mora legjendën dhe titullin metaforik të romanit); qe një përrua i zakonshëm, si gjithë përrenjtë e tjerë, madje mu pranë tij ose dhe më larg, ndodhen përrenj të tjerë më të frikshëm.
PARLAMENTAR. Në Shqipëri, nëse do të hartohej një fjalor serioz i shqipes, fjala “parlamentar” mund të shpjegohej kështu: “Ai ose ajo, që si synim kryesor ka realizimin e kërkesave vetjake; që flet mbarë e mbrapsht në Parlament duke përdorë edhe fjalë që ende nuk kanë fituar qytetarinë në fjalorë të shqipes”.
PASKAJORJA. Paskajorja nuk asht përrallë dimni dhe as gogol me trembë gjuhën shqipe.
Prej kohës kanë nisë diskutimet nëse duhet ndryshuar standardi apo jo, por nëse diskutimet nuk përqëndrohen fillimisht në futjen e Paskajores, atëherë diskutimet mbeten në një hulli të zbrazët.
Përderisa kaluan rreth 4 dekada nga viti 1972, del se paskajorja funksionon shkëlqyeshëm në të folmen e përditshme tek gegët. Kjo rrjedh nga verifikimi i lëndës.
Ka ndodhë një kontradiktë e hatashme, e papame n’asnjë gjuhë t’Europës: është mënjanuar me dhunë paskajorja në standardin e shqipes, edhepse ajo praktikohet në të folmen e 70 % të shqip-folësve. Paskajorja gege nuk është përrallë dimni, por ka qenë dhe është realitet.
Rifutja e Paskajores, e kthen standardin e sotëm nga para-standard në standard normal, të funksionushëm; çeshtjet e tjera për rishikim të standardit, janë dytësore në krahasim me paskajoren. Në të folmen e përditshme nuk merr kush leje si me folë, por ka disa rregulla që s’mund të lëvizet. Atëherë, kjo është shumë e thjeshtë; Paskajorja në 72-in u hoq, jo si diçka e tepërt, por si diçka që u konsiderua gabimisht si e tepërt. Kjo duhet t’i kthehet, pra duhet një rimarrje e paskajores. Kjo gjë s’e prish standardin, por e afron atë realisht me gjuhën. Tani shoqëria shqiptare po integrohet tek vetvetja, është lëvizja e lirë e njerëzve, para 1990-s llava e gjuhës toske detyrimisht që kishte vërshimin e vet për shkak t’atyre kushteve tashmë të njohura. Gjërat nuk mund të shihen ende me atë atdhetarinë e ngushtë, shpesh dhe të vjetëruar, sa edhe vetë Standardi, si pa e kuptuar po merr formën e një parafabrikati.
Pra, nuk kërkohet t’i shtohet shqipes e tepërta, por t’i kthehet ajo që i mungon: Paskajorja.

Marrë nga Koha Ditore

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk