Ernest Koliqi, ky dishepull i dijes dhe apostull i risive
Nga Albert Vataj
shtë në kryeradhën e vepruesve vullnetmirë, të cilët
kremtuan në botëkuptimin e kohës dhe grishën në mbamëndjen e brezave, visaret e
njëmendta të traditës dhe vlerave shpirtnore të shqiptarëve. Qëndruesi i paepur
i stuhive politike. I keqkuptuar dhe i anatemuar, kësisoj, prej çaprazit të
rendeve politike dhe kapërcyellit të ndryshesave, ku ai ishte personazh i
spikatur. Pakkush si ai, ishte i
kudogjindshëm dhe i vetvetishëm për aktin shqiptar të njohjes së
përbotshme të asaj pasurie të pashtershme. Si dishepull i dijes dhe apostull i
krijimit, ai shëmbëlleu mëtimin më të qenësishëm të shërbestarit të devotshëm
të shqipes dhe ngadhënjimtarit të ndryshesave në artin e rrëfimtarisë.
Rrallëherë arsimi dhe letërsia shqipe asht ndesh me një model të tjetërllojtë,
ngase ai ishte. Mbamendja shqiptare, në rrugëtimin e rrëmetshëm të vetëdijes
kombëtarë, Ernest Koliqit i ka lënë një vend në panteonin e nderit, anipse për
një kohë të gjatë emri dhe vepra e tij kaluan për nën tehun e anatemës dhe
harrimit.
Ernest Koliqi, mbamendet njeri me dije të thella, erudit,
vizionar, mbartës i traditës dhe trashëgimisë së vyeme shqiptare. Ky parak i
modernitetit në letërsinë shqipe, ngultas dhe me një kurajo të pashoqe
sendërtoi në botëkuptimin e tij krijues, në korpusin e sentimenteve estetike në
kumt, risi dhe stil. Tematika e trajtesës në krijimtarinë e Koliqit është
dashtazi mbartëse e elementeve dhe trajtimeve, të cilat u kthyen në shkreptima
flakatare domethëniesh dhe kumtesh. Në krejtçka lëvroi në krijimtari, dallohet
tempi i një jetësuesi të vrullshëm, mbarsur me tërësinë e...
Më 20 maj 1903, 111 vjet ma parë lindi në Shkodër në një
familje me origjinë nga Dukagjini, e rame ma vonë në Anën e Malit, e masandej
në Shirokë, Ernest Koliqi. Erdh në jetë djali i Shanit dhe i Age Simonit, me
vëlla Mikel Koliqin, t'parin kardinal shqiptar, e tjerë vllazën, Viktorin,
Guljelmin, Lecin, e motrat, Margeritën dhe Terezinën. Ai do të ishte themeltari
i narrativës modernë shqipshkruese, poeti, romancieri, esseisti, përkthyesi, gazetari,
dramaturg, vepruesi politik dhe kontrubuesi i pashoq i kulturës kombëtare
shqiptare në atëkohjen e potershëm të shekullit XX.
Familja në zanafillë kishte mbiemrin Kolaj, por nga tregtia
e vazhdueshme me Malin e Zi i mbet Koliqi nga një periudhë e mbrapa. Ndoqi
mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. I ati, Shani e dërgon për të
studiuar në Itali kur ishte 15 vjeç. Studion në Kolegjin Jezuit Arici në
Breshia. Në gazetën "Noi giovani", të cilën e themelon vetë me disa
bashkënxënës, boton poezitë e tij të para në italisht. Më 1921 kthehet në
Shqipëri dhe ristudion shqipen me themel, mentori i tij, Imzot Luigj Bumçi e
prezanton me përfaqësuesit më premtues të brezit kulturor, si Kolë Thaçi, Kolë
Kamsi, Lazër Shantoja, e Karl Gurakuqi. Në një konkurs për himnin kombëtar, mes
krijuesve, merr pjesë edhe Ernesti, i cili vlerësohet me çmim të parë nga një
juri e përbërë prej Gj. Fishtës, F.Nolit, M.Frashërit, L.Gurakuqit. Dy vjet më
pas themelon së bashku me patër Anton Harapin dhe Nush Topallin, revistën
"Ora e Maleve", me drejtor gjegjës Shuk Gurakuqin. Në vitin 1924,
pjesëmerr zellshëm në shoqërinë patriotike "Bashkimi", e krijuar nga
Avni Rustemi. Thirret më pas Luigj Gurakuqi në Tiranë si sekretar personal.
Emërohet gjithashtu sekretar i Ministrisë së Brendshme. I nxitur nga Gurakuqi
dhe miqtë e tij, dërgon në shtyp poemthin dramatik "Kushtrimi i
Skënderbeut". Kjo vepër i dha shpresën për të hyrë përgjithmonë në botën e
letrave shqipe. Për shkak të lidhjeve të tij të reja politike, detyrohet t'emigrojë
për pesë vjet në Tuzla të Bosnjës për t'i shpëtuar ndonjë goditjeje nga forcat
zogiste, pas lëvizjes së dështuar të Nolit. Në vitin 1929, i ndikuar nga ky
rreth shqiptarësh, Koliqi shkruan vëllimin me tregime "Hija e
maleve", vëllim i cili e pagëzon edhe si krijuesin e prozës moderne
shqiptare. Me një stil të mrekullueshëm narrativ, ai arrin të paraqesë në këtë
botim një sërë episodesh të jetës malësore nën ndikimin e rregullave të ashpra
të Lekë Dukagjinit, por pa munguar edhe skenat e jetës qytetare shkodrane, të
cilat i njihte në qelizë. Me këtë vëllim ai mirëpritet të kthehet në qarqet
letrare në Shqipëri. Monarkia e fal Koliqin më 1930 dhe e emëron mësues të
thjeshtë gjimnazi. Nga viti 1930, ishte mësues në Shkollën Italiane Tregtare në
Vlorë ku i jep mësim mes të tjerëve edhe Petro Markos dhe në gjimnazin e
shtetit në Shkodër, ku i jep mësim Lazër Radit. Ku dhe i porositur nga Mustafa
Kruja me mbledhë librat e bibliotekës së tij që qe shpërnda ndër françeskanë e
jezuitë. Derisa shtrëngohet, sërish për arsye politike, të largohet për në
Itali. Në vitin 1932, botoi vëllimin e parë të antologjisë "Poetët e
mëdhenj të Italisë", me një parathënie nga Fishta, një antologji që u
përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban
katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Aligierin, Petrarkën, Arioston, Tasson.
Gjatë viteve 1933-1934 regjistrohet në Universitetin e Padovës për të vazhduar
studimet. Edhe pse me punë në Padova, Koliqi nuk i shkëput lidhjet me
Shqipërinë. Bashkëpunon me redaksinë e të përjavshmes kulturore
"Illyria". Gjitha vjershat e veta i përmbledh në vëllimin
"Gjurmat e stinëve" ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e
jetës shkodrane dhe gjejmë të pasqyruar shpirtin e poetit me ndjesina atdhedashurore.
Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër
aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. Në një sërë
botimesh periodike dhe veprash të tij, Koliqi afirmohet si një talent i
letërsisë shqiptare.
1935, Itali - Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime,
boton një libër me 16 novela me titull "Tregtar flamujsh" me lëndë të
nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të
Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i
nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Ky vëllim novelash, siç vëren
Miaser Dibra, i përket një shkalle pjekurie më të madhe të autorit. Po këtë vit
boton edhe poemthin në prozë "Quattuor".
1936 - Emërohet Lektor i Shqipes pranë Universitetit të
Padovës që drejtohej nga Carlo Tagliavini. Boton vëllimin e dytë të antologjisë
"Poetët e mëdhenj të Italisë" (me parathënie nga Tagliavini). Ky
vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini,
Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli,
dhe Gabriele D'Annunzio-n.[5] Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u
botua. 1937 kryen studimet në Padova me tezën "Epica popolare
albanese" ("Epika popullore shqiptare"), tezë doktorate e cila u
vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj, që u mbërrit me
ndihmën e disa kangëve që ia dha Atë Bernardin Palaj.
Në shtatorin e vitit 1941 kur me një vendim, mbi 200
arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë,
trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka
qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e
shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në
të gjithë trojet shqiptare. Nga 1942-1943 ishte kryetar i Institutit të
Studimeve Shqiptare.
Më 1944 largohet për në Itali. Vepra e tij letrare u ndalua
edhe pse nuk përmbante asfarë shenje a parashenje politike. U ndalua për shkak
të veprimtarisë politike të autorit, përkatësisë fetare dhe gjuhës letrare të
përdorur. "L'Albanie Libre" është një e përkohshme e sapodalë në Romë
me të cilën Koliqi fillon bashkëpunimin. Ndër të shumtat shkrime, këtu nis të
botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues "Dy shkollat letrare
shkodrane - e Etënve Jezuitë dhe e Etënve Françeskanë". Në këtë studim të
tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë
shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike.
Themelon të përkohshmen "Shêjzat" që e drejtoi për
18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Jo vetëm shpaloste
letërsinë bashkëkohore në botën shqipfolëse, por gjithashtu i dha za letërsisë
arbëreshe dhe vazhdoi me lavrue autorët e paraluftës, shumë prej të cilëvet të
vdekur e pjesa tjetër në mërgim, që denigroheshin aq shumë nga kritikat e
Tiranës. Koliqi kështu shërbeu si një zë i largët kundërshtues i shkatërrimit
kultural të Shqipërisë nga rendi stalinian i vendosur. Prej veprimtarisë së
tij, letrare e politike, u sulmua nga autoritetet shqiptare e pas-luftës si
përfaqësuesi kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare e fashiste. Veprimtaria
krijuese dhe promovuese e vlerave nuk do të reshte edhe në mërgim. përkundrazi
ai e pasuroi lëmin e albanologjisë me universin e tij të pamatë dijetues,
Ky vërshim i jashtëzakonshëm ndalet në shtëpinë e tij në
Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros po në këtë qytet me datën 18, i nderuar nga
i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në
ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë,
shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme. Ai meriton
mirënjohjen me të përunjur prej gjeneratave, për krejtçka ai bëri me kaq
përkushtim e me pasion për letërsinë dhe arsimin shqip, për vlerat shpirtnore
shqiptare, këto visare të paçmuara. Ai është një kujtesë kremtesh solemne, një
akt historik.
Comments
Post a Comment