PATËR FISHTA / POET I MADH KOMBËTAR SHQIPTAR



Nga Ali Klissura

Poezia nuk është vetëm arti i harmonisë dhe i ritmit dhe qëllimi i saj nuk është vetëm të falë kënaqësi shpirtërore ikanake. I takon poetëve të vërtetë të udhëhiqen nga mëtime më të larta. Nëpërmjet veprave të tyre, ata pasurojnë shpirtin dhe lartësojnë qënien njerëzore. Te njeriu ata zgjojnë ndjenjat më të fisme nëpërmjet imazheve goditëse dhe bukurive të natyrës, duke i dhënë kështu jetë ngjarjeve më madhështore dhe bëmave më të paharrueshme.
Nga kjo pikëpamje, Fishta është pa dyshim një poet i madh. I lindur në zonën e Shkodrës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, rregulltar i urdhrit françeskan, Fishta mbetet jo vetëm poeti ynë më i madh kombëtar, por gjithashtu, e mbi të gjitha, një pedagog i mirëfilltë i ndjenjës patriotike të popullit tonë. Ai meriton të admirohet për talentin e tij letrar, po aq sa meriton të vlerësohet për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në formimin dhe konsolidimin e vetëdijes shqiptare. Ai ka zhvilluar aktivitetin e tij intelektual në një periudhë kritike në rrugëtimin e popullit tonë, në një kohë kur rilindja kombëtare përballej jo vetëm me probleme të mëdha politike, brenda dhe jashtë vendit, por edhe me ngërçin e dasisë fetare, i cili ndikonte fort mbi masat dhe bëhej jo rrallë terren për intrigat e fuqive të ndryshme dhe mëtimeve të tyre mbi Shqipërinë.
Këto pengesa kishin pasoja serioze në arritjen e një bashkimi të vërtetë kombëtar. Talenti poetik dhe retorik i Fishtës i dha një vrull të madh këtij bashkimi. Pa asnjë drojtje mund të thuhet që Patër Fishta dhe Naim Frashëri janë, ndër bashkombasit tanë, ata të cilët, nëpërmjet forcës së ideve dhe patriotizmit të tyre, kanë kontribuar më shumë për zgjimin e ndjenjës kombëtare shqiptare të përgjumur prej shekujsh nën sundimin e perandorisë osmane. Bash për të gjitha këto arsye, çdo shqiptar me bon sens dhe i pandjeshëm ndaj absurditeteve të propagandës anti-kombëtare, duhet të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj këtyre poetëve të mëdhenj për shërbimet që ata kanë kryer ndaj kulturës shqiptare dhe atdheut.
Tash për tash gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegnishten e folur në veri të vendit dhe toskërishten, të folur në jug. Fishta, me prejardhje shkodrane, e ka shkruar të tërë veprën e vet letrare në gegnisht. Kjo është arsyeja përse gjuha e tij nuk kuptohet lehtësisht nga masat e Shqipërisë së jugut. Më shumë ajo lexohet dhe çmohet nga njerëz intelektualisht të pregatitur. Gjithsesi, në Shqipërinë e veriut, Fishta mbetet një poet popullor. Poemat e tij recitohen dhe këndohen edhe nga malësorët më të thjeshtë.
Sidoqoftë, Fishta është mjeshtri i padiskutueshëm i letrave shqipe duke mos rreshtur së frymëzuari të gjithë rininë e dhënë pas lëvrimit të letërsisë. Vepra e tij kryesore, «Lahuta e Malcis», është një përmbledhje poemash, disa prej të cilave mund të konsiderohen si kryevepra jo vetëm të letërisë shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare. Pjesë e kësaj përmbledhjeje është edhe kënga e Oso Kukës në të cilën poeti përshkruan, me fjalë të zgjedhura, bëmat heroike të këtij bashkombasi i cili, duke i vënë flakën barutit, hodhi në erë fortesën e Vraninës me gjithë garnizonin e saj, vetëm e vetëm që të mos t’i dorëzohej trupave sllave që e kishin rrethuar. Piskama e furishme dhe e frikshme e Oso Kukës ndaj pashait turk që guxoi të shprehte dyshime mbi shpirtin e sakrificës të shqiptarëve mbart aq shumë shprehi naltësimi, fisnikërie dhe force, sa në përkthimin në gjermanisht të baroneshës Ameli fon Godin, kjo poemë është gjykuar si e pajisur me vlerat më të larta letrare, në rrethet e specialistëve gjermanë. Pa dashur të biem në qerthullin e mëndjemadhësisë kombëtare duke e krahasuar poetin shqiptar me gjeniun letrar përbotësisht të admiruar ndër shekuj, mund të themi që Fishta ka të drejtë të konsiderohet si Homer i Shqipërisë. Gjithçka rraca shqiptare ka të vyer dhe bujarisht të naltësuar në përjetimet dhe ndjenjat e saj, u nxorën në pah dhe u kënduan në mënyrë të përkorë në rreshtat e shkruar prej tij. Për të gjitha këto arsye, Fishta kontribuoi nëpërmjet veprave të tij në përforcimin e karakterit shqiptar dhe pasurimin e trashëgimisë morale të popullit tonë.
Megjithkëtë, ky burrë i shquar, që nderon kombin shqiptar në sytë e të huajve dhe që meriton, në çdo pikpamje, mirënjohjen tonë, nëpërkëmbet dhe përçmohet nga regjimi i sotshëm në Shqipëri. Kujtimi i lavdishëm i këtij qytetari të shquar është fashitur qëllimisht në vendin tonë nga pushtetmbajtësit. Deri edhe emri i është fshirë nga lista e personaliteteve të letrave shqipe, në të cilën rradhiten sot autorë dhe apologjistë të regjimit, mediokriteti i të cilëve i bën të padenjë për tu konsideruar qoftë edhe si nxënës në krahasim me mjeshtrin. Ostracizmi dhe harresa i janë imponuar sot veprës së pavdekshme të Fishtës, ndërkohë që ajo gjallon më shumë se kurrë në shpirtin e patriotëve dhe mbetet kurdoherë e shenjtë në zemrat e tyre. Fishta, fanari i madh i kulturës dhe intelektualëve shqiptarë, i cili prej rreth një shekulli rrezatonte mbi rininë shqiptare, është shuar qysh prej ditës që sundon regjimi i sotshëm. Nuk ka goditje më të rëndë për kulturën e bashkombasve tanë dhe fyerje më të madhe ndaj dinjitetit kombëtar.
Po përse vallë, kjo furi e klikës që sundon në Shqipëri, ndaj kujtimit të një poeti të shquar i cili nuk jeton më? Kjo padrejtësi e ulët ka një arsye të errët, të cilën tiranët e mbajnë të heshtur, të kamufluar nën pretekste groteske, me qëllim që masa e nënshtruar të mos ta njohë. Gjithë vepra letrare e Fishtës frymëzohet nga qëndresa e paepur e popullit shqiptar ndaj pushtimit sllavomadh. Fishta ekzaltonte ndjenjën kombëtare duke u kënduar bëmave të paraardhësve në luftën e tyre qindravjeçare, siç e tregon edhe shembulli i poemës së Oso Kukës. Përcjellja dhe përhapja e një letërsie të tillë nuk i shkonte aspak për shtat regjimit të ardhur në pushtet pas luftës botërore, dhe ca më pak krerëve të tij që nuk ishin tjetër veç krijesa të Titos. «Çkishërimi» zyrtar i Fishtës ndodhi pikërisht në kohën kur regjimi i tashëm ishte veç një satelit i Jugosllavisë. Kjo e bën edhe më të urryer këtë vendim politik.
Një letërsi që i predikon rinisë shqiptare, si një dogmë kombëtare, qëndresën ndaj mëshimit sllavomadh –i cili ka përthithur treçerekun e rracës sonë dhe duket se ka për qëllim të gëlltisë edhe atë çka mbetur, duke e gozhduar popullin tonë në brigjet e Adriatikut– nuk i përshtatej politikës së qeverisë edhe pas braktisjes së Titos dhe përqafimit të Stalinit. Kështu shpjegohet sjellja armiqsore e qeverisë së Tiranës ndaj Fishtës. Kjo sjellje mund të ndryshojë kur Shqipëria të jetë e çliruar nga influenca sllave. Atëherë Fishta, viktimë e veprës së tij letrare për shkak të oportunizmit politik të pushtetarëve aktualë, do të rehabilitohet në gjithë apoteozën e lavdisë së tij.
Për të mos rrëfyer këtë të vërtetë të trishtë hapur, komunistët shqiptarë përdorën një mjet banal: akuzuan Fishtën si bashkëpuntor të pushtuesit fashist.
Mbi këtë akuzë na duket me vend të japim këto sqarime:
Si fillim, komunistët shqiptarë përzjejnë politikanin dhe shkrimtarin, ndërkohë që dallimi në këtë pikë është me rëndësi. Fishta nuk ishte aspak politikan. Si të gjithë artistët e mëdhenj, interesohej shumë pak mbi politikën e përditshme. Gjatë gjithë jetës së tij, Fishta, rregulltar dhe shkrimtar, nuk ka qënë asnjëherë nëpunës; qe vetëm deputet në Parlamentin shqiptar gjatë viteve 1920-1924, kur shteti shqiptar u rigjallërua si për mrekulli. Ai nuk merrte pjesë në debtatet parlamentare mbi çështjet administrative, juridike, ekonomike, politike. Veç, sa bëhej fjalë për çështje që e preknin personalisht, si aspiratat për bashkim etnik dhe mbrojtje të të drejtave të pakicave shqiptare nën sundim të huaj, zëri i tij gjëmonte kundër padrejtësive ndërkombëtare ndaj popullit shqiptar. Nën ndikimin e fuqishëm të zellit të tij patriotik dhe elokuent mbi çështje thjesht kombëtare, kuvendi ndihej i detyruar të merrte vendime që ndoshta nuk ishin gjithmonë të duhurit politikisht dhe që e vinin qeverinë në pozita të siklteshme në raport me Shtetet fqinj.
Fishta apolitik është gjendur i përzjerë në mënyrë indirekte dhe kundër vullnetit të tij në divergjenca sociale gjatë viteve të fundit të jetës, në një kohë kur dy lëvizjet e mëdha botërore, fashizmi dhe komunizmi, patën pasoja të thella në Shqipëri dhe provokuan trazira. Është e vërtetë që Fishta, i moshuar dhe me forca të pakta, shëndetlig dhe në fund të jetës, nuk u përfshi në qëndresën ndaj pushtuesit dhe, madje, as bëri thirrje në favor të saj. Nuk mund të përjashtohet fakti që Fishta, që i pat kushtuar jetën predikimit dhe ekzaltimit të bashkimit etnik, nuk qe i pandjeshëm kur ky bashkim u arrit, megjithëse nën një regjim jo të pavarur, në rrethanat e luftës. Është shumë e mundur që brenda vetes ai të ketë ndjerë mirënjohje ndaj politikës së Boshtit që kishte realizuar këtë bashkim. Gjatë luftës së fundit shumë nga bashkombasit tanë, të detyruar nga rrethanat, zgjodhën me mirdashësi e mirëbesim një Shqipëri etnikisht të bashkuar nën influencën e një Fuqie, dhe jo një Shqipëri të përgjysmuar por juridikisht të pavarur.
Megjithëse kam qënë personalisht kundër kësaj zgjedhjeje, nuk i kam akuzuar kurrë si tradhtarë ata që kishin një opinion të kundërt me timin. Pavarësia e plotë kombëtare dhe integriteti territorial me bashkimin etnik janë dy çështje me një rëndësi madhore të njënjishme; është shumë e vështirë të zgjedhësh midis të dyjave, sidomos kur bëhet fjalë, si në rastin tonë, për braktisjen e gjysmës së popullit shqiptar nën një sundim absolutisht të huaj. Rrjedha e ngjarjeve pas luftës duket se i ka dhënë të drejtë atyre që ishin në kundërshtim me opinion tim, sepse me Shqipërinë e vogël e të kërcënuar, fatalisht të destinuar të jetë një satelit i një Fuqie apo i një tjetre, kemi humbur tash si integritetin territorial dhe bashkimin kombëtar, po ashtu edhe lirinë dhe pavarësinë.
Argumenti kryesor i akuzave komuniste kundër Fishtës qëndron në faktin që ai pati pranuar, ndërkohë që vendi ishte i pushtuar nga trupat fashiste, titullin e anëtarit të Akademisë së letrave në Romë, i cili ju akordua nga qeveria italiane e atëhershme. Titulli i akademikut nuk është një funksion politik apo administrativ dhe fakti i pranimit të tij nuk mund të konsiderohet si një bashkëpunim i mirëfilltë me pushtuesin. Por edhe nëse e pranojmë si të tillë, i njëjti argument duhet të vlente për të gjithë. Sot, në rangjet e komunistëve ka shumë individë që qenë nëpunës apo oficerë në shërbim të qeverisë shqiptare të udhëhequr nga fashistët. Dihet rasti i njohur i Dr.Omer Nishanit. Ky veteran i komunizmit shqiptar ishte drejtori i organit të partisë komuniste që shtypej në Gjenevë, në gjirin e emigracionit politik shqiptar, në periudhën 1924-1939. Pas kthimit në Shqipëri gjatë pushtimit fashist, Nishani u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Kjo nuk e pengoi të zgjidhej kryetar i Presidiumit, domethënë president i Republikës demokratike popullore shqiptare, kur regjimi komunist mori pushtetin, në fund të luftës së përbotshme.
Kontradika flagrante që shfaq sjellja e regjimit ndaj dy bashkombasve, njëri me tendencë nacionaliste, tjetri i ekstremit të majtë, dëshmon mjaftueshëm mbi motivin e vërtetë që nxit pushtetarët shqiptarë, nën argumenta kallp, të denigrojnë poetin tonë të madh kombëtar. Për këtë arsye, akuzat idhnake të një regjimi shtypës, që tejçohen dinakërisht kundër Fishtës, nuk mund të pengojnë shqiptarët të admirojnë gjeniun e tij poetik dhe të nderojnë personin e tij, për shërbimet e mëdha që i ka kryer çështjes së atdheut.
fryma.info 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk