Zigmund Frojd, vetanaku që guxoi të nxjerrë brendanjeriun nga terri e ta shpalojë faqe dritës, ta çburgosë nga padija dhe anatema
Nga Albert Vataj
158 vjet lindi Zigmund Frojd, (6 maj 1856-23 shtator
1939) një prej gladiatorëve më të kurajshëm të mendimit dhe sprovës së të
vetvetishmes, i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se kurrkush tjetër më
parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut, kësaj krijese të mbështjellë prej
misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda tij dhe ndjellakeqes për ta
nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet, si asnjëherë më
parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese,
ai guxoi dhe triumfoi.
Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa
me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që
zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të
gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën
tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e
mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të
thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë. Ai ishte Zigmund Frojd.
Ëndrrat me sy hapur (fantazitë erotike)
jetohen me një interes të madh: mbahen shumë parasysh nga objekti dhe zakonisht
janë të fshehura me një ndjeshmëri të madhe, sikur u përkasin gjërave më intime
të personalitetit të tij. Megjithatë, është e lehtë të njohësh në rrugë një
person të zhytur në ëndërra me sy hapur nga buzëqeshja e tij e papritur,
pothuajse e përhumbur, nga mënyra si flet me veten e tij, ose nga fakti i
shpejtimit të hapave, që është tregues i kulmit të gjendjes imagjinare. Çdo
krizë histerie ka rezultuar të jetë një shpërthim i pavullnetshëm i ëndërrave
me sy hapur të këtij tipi.
- Simptomat histerike janë simbole mnemonike
(që kanë të bëjnë me kujtesën e disa mbresave dhe përvoja operative apo
traumatike);
- Simptomat histerike, si dhe strukturat e
tjera psikike, janë shprehje të plotësimit të një dëshire;
- Simptomat histerike janë realizime të një
fantazie të pavetëdijshme që shërben për plotësimin e një dëshire;
- Simptomat histerike i shërbejnë qëllimit të
kënaqësisë seksuale dhe përfaqësojnë një pjesë seksuale të subjektit (një pjesë
që i përgjigjet njërit prej komponentëve të instiktit të tij seksual);
- Simptomat histerike i përgjigjen kthimit të
kënaqësisë seksuale të përdorur gjatë periudhës së fëmijërisë dhe që në vazhdim
ishte zhdukur;
- Simptomat histerike lindin si një kompromis
ndërmjet dy impulseve të kundërta të kënaqësisë dhe instiktit, që këtej njëra
synon t’i japë shprehje një instikti përbërës të strukturës seksuale dhe tjetri
synon ta ndryshojë atë;
- Simptomat histerike mund të krijojnë idenë e
impulseve të ndryshme të pavetëdijshme joseksuale, por kurrë nuk mund të mos
kenë domethënie seksuale;
- Simptomat histerike janë nga njëra anë
shprehje e një fantazie seksuale të pavetëdijshme mashkullore dhe nga ana
tjetër femërore.
(marrë nga libri “Seksualiteti dhe jeta
dashurore” të Zigmund Frojd)
FROJD, Zigmund (FREUD, Sigmund), psikolog dhe
psikiatër austriak. Themelues i psikanalizës. Nga viti 1932 profesor në Vjenë,
kurse në vitin 1928 për shkak të hitlerianëve emigroi. Teoria e tij mbi jetën
psikike ndi-koi jo vetëm në zhvillimin e psikologjisë (Adleri, Jungu e tjerë),
por me modifikime të ndryshme dhe korrektura të shumta është e pranishme edhe
në disa teza filozofike deri në kohën tonë (E. Fromi, H. Markuze e tjerë),
ndonëse vetë Frojdi refuzonte vendosmërtisht që t'i atribuohet çfarëdo intence
filozofike koncepcionit të tij «natyror-shkencor». Nocioni i nënvetëdijes është
kategori fundamentale e psikanalizës së tij. Duke konsideruar se baza e tërë
jetës është në sferën e cila është krijuar duke prapsur instinktin (para së
gjithash ate libidinoz) në sferën e nënvetëdijes, ai pohon se pikërisht kjo
sferë qenësisht përcakton të gjitha aktet tona të vetëdijshme. Të prapsurit,
mosplotësimi i kënaqësisë së plotë të instinkteve seksuale rezulton me neuroza
të ndryshme, ekscese patologjike, gabime në shkrim dhe në të folur e tjera.
Zbulimi i sferës së nënvetëdijshme, që i takon Frojdit, pa-raqet një zbulim
jashtëzakonisht të rëndësishëm, relevant sidomos për shpjegimin më të thellë të
disa feno-meneve jo vetëm psikike por edhe të përgjithshme kulturore.
Me zmbrapsjen e instinktit libidinoz në të
vërtetë nuk krijohen medoemos neurozat: në manifestimet e sub-limuara të
instinktit të paplotësuar shfaqet për shembull arti. Artisti kryesisht, për
shkak të nevojave të fuqishme instinktive është i paaftë të gjendet në
realitetin praktik: andaj i drejtohet botës së imagjinatës dbe në të gjen
kompensimin për plotësimin e drejtpërdrejtë të dëshirave të veta. Nga kjo botë
fiktive e artit nuk është larg shpeshherë rruga deri te neurozat. Mirëpo
artisti me anën e mekanizmit mbrojtës, domethënë rne anën e aftësive të
sublimimit - ndonëse ka pësuar disfatë në jetë dhe e ndien veten të vetmuar -
prapëseprapë gjen ngushëllim në faktin se u ofron ngushëllim joartistëve.
Ndërkaq, bukuria në vetvete nuk u takon qëllimeve të drejtpërdrejta të artistit:
për të pikërisht janë të rëndësishme problemet jetësore; bukuria i shërben
vetëm si armë për mbrotje dhe për lehtësimin e vështërsive. Neurotikët nuk e
kanë këtë armë, kështu që u bëhet «e pamundur rruga në realitet».
Në ëndrrat si dhe në religjionet dhe mitet
manifestohet gjithashtu bota e dëshirave të parealizueshme, të prapsura. Gjithë
simbolika që krijohet pikërisht për shkak të censurës dhe të pamundësisë që të
shfaqen drejtpër-drejt impulset libidinoze (këta censorë nuk flenë as në kohën
e ëndrrave) mund të kuptohet duke i reduktuar në format e veta të pacensuara.
Shpjegimet e ëndrrave zbulojnë dëshirat dhe qëllimet sekrete, madje edhe
atëherë kur iluzorisht duken se janë,të karakterit të kundërt.
Impulsi themelor dhe thelbi i gjithë mësimit
të Frojdit si dhe i një serie veprash teorike të jashtëzakonshme të tij qëndron
në synimin e tij që sa më shumë të eliminohet censura e përhershme, e cila
pengon të shprehurit e lirë të impulseve, që këta të depërtojnë pa pengesa nga
burgjet e tyre, që të shprehet në mënyrë autentike njeriu i vërtetë, burimor
dhe jo i rremë dhe hipokrit, që në asociacionin e drejtpërdrejtë të zbulohen
gjurmat e veprimeve jonjerëzore të njeriut. Andaj metoda fundamentale e
shërimit psikanalitik qëndron në faktin që duke i bërë të vetëdijshme elementet
e ndryshme nga nënvetëdija që shfaqen te pacienti (shpesh për shembull edhe në
format simbolike në ëndrra), të zbulohen shkaqet e vërteta të neurozave me anën
e asociacioneve të lira dhe nëpërmjet bisedave. Teoria e tij mbi Egon, mbi
kompleksin e Edipit, mbi ëndrrat, mbi shkaqet e ndryshme të pervezioneve, mbi
krijimin dhe përjetimin e artit, shpjegimi i tij i totemit dhe i tabusë, si dhe
një seri e tërë tezash mbi strukturën psikike dhe sociale të popujve primitivë,
patën (dhe në një masë të caktuar kanë edhe sot) ndikim jashtëzakonisht të madh
në shumë vazhdues dhe popullarizatorë të psikanalizës në gjithë botën dhe në
fusha të ndryshme shkencore (nga psikologjia, psikiatria deri te sociologjia,
estetika dhe filozofia e kulturës). Ndërkaq, sot njëkohësisht provohet edhe një
seri e tërë e njëanshmërive dhe i tezave joshkencore, të ndera dhe të
pavërtetuara dhe i teprimeve plauzibile me të cilat, duke reduktuar tërë jetën
në elementet e instinkteve libidi-noze, janë të pasura veprat e Frojdit.
Biografia.
Zigmund Frojd lindi në 6 maj 1856-23 September
1939 AD , në qytetin e vogël, Fraiberg, në Moravia. I ati ishte tregtar me një
mendje të mprehtë dhe një sens të fortë humori. E ëma ishte një grua e gjallë,
gruaja e dytë e të shoqit dhe 20 vjet më e re se ai. Ajo ishte 21 vjeç kur
lindi djalin e saj të parë dhe të zemrës, Zigmundin. Zigmundi kishte dy
vëllezër më të mëdhenj nga ana e të atit, dhe gjashtë vëllezër e motra të tjerë
më të vegjël. Kur ishte katër apo pesë vjeç, s’ishte shumë i sigurtë se sa,
familja u transferua në Vienë, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij.
Një fëmijë i shkëlqyer, gjithnjë i pari i
klasës, ai shkoi në shkollën mjekësore, një nga opsionet më të mundshme për një
djalë të mençur hebre në Vienën e atyre kohëve. Atje, ai u përfshi në kërkime
nën udhëheqjen e profesorit të fiziologjisë Ernst Brücke. Brücke besonte në atë
që atëherë ishte një nocion i njohur, në mos radikal, të cilin sot e quajmë
reduksionizëm: “Asnjë forcë tjetër nuk është aktive në organizëm, përveç
forcave fizike e kimike.” Frojdi do të kalonte vite duke u përpjekur që ta
“reduktonte” personalitetin në neurologji, kauzë që më vonë do ta braktiste.
Frojdi ishte shumë i mirë në kërkimet e tij,
duke u përqëndruar në neurofiziologji, madje shpiku një teknikë të veçantë të
ngjyrosjes së qelizës. Por aty kishte vetëm një numër të kufizuar vendesh pune
dhe të tjerë mbanin radhën para tij. Brücke i dha dorë të merrte një bursë
studimi, si fillim me psikiatrin e madh Charcot në Paris, dhe më vonë me
rivalin Bernheim në Nancy. Të dy këta zotërinj po studionin përdorimin e
hipnozës në trajtimin e histerikëve.
Pas një kohe të shkurtër si rezident në
neurologji dhe drejtor i një strehëze për fëmijë në Berlin, ai u kthye në
Vienë, u martua me të fejuarën e tij prej disa vjetësh Marta Bernays, dhe
krijoi një praktikë në neuropsikiatri, me ndihmën e Joseph Breuer.
Librat dhe leksionet e Frojdit i sollën atij
edhe famë, edhe shkëputje nga radhët e bashkësisë mjekësore. Ai tërhoqi rreth
vetes një numër simpatizuesish shumë të mprehtë të cilët u bënë edhe bërthama e
lëvizjes psikoanalitike. Për fat të keq, Frojdi kishte prirje të largonte
njerëzit që nuk binin dakord me të. Disa u ndanë me të miqësisht, disa të tjerë
jo, dhe vazhduan rrugën e tyre për të themeluar shkolla të tjera.
Frojdi emigroi në Angli para Luftës së Dytë
Botërore, kur Viena filloi të bëhej një vend i rrezikshëm për hebrenjtë,
sidomos për ata të famshëm si Frojdi. Jo shumë vonë pas kësaj, ai vdiq nga
kanceri në gojë dhe mjekër, nga i cili kishte vuajtur 20 vjetët e fundit të
jetës së tij.
Teoria
Për të qenë të saktë, nuk ishte Frojdi ai që e
shpiku idenë e vetëdijes kundrejt pavetëdijes, por ai ishte përgjegjësi kryesor
për përhapjen e saj. Mendja e vetëdijshme është ajo për të cilën ju jeni të
ndërgjegjshëm në çdo çast të dhënë, perceptimet, kujtimet, mendimet,
fantazirat, ndjenjat e përjetuara në të tashmen. Të jesh i lidhur ngushtë me
mendjen e vetëdijshme është ajo pjesë që Frojdi e quante paravetëdije, të cilën
sot e quajmë “kujtesa e përdorshme”: çdo gjë në të mund të kthehet lehtësisht
në vetëdije, kujtime që nuk i sjell ndërmend për momentin, por që mund t’i
sjellësh lehtësisht në kujtesë. Askush s’ka probleme me këto dy shtresa të
mendjes. Por Frojdi sugjeroi se këto janë pjesët më të vogla të saj!
Pjesa më e madhe është pavetëdija. Ajo
përfshin të gjitha gjërat që nuk sillen lehtësisht në ndërgjegje, përfshirë
këtu shumë gjëra që kanë origjinat e tyre aty, si për shembull motivet apo
instiktet tona dhe gjërat që kanë zënë vend aty pasi ne s’e kemi të lehtë t’i
shohim, si për shembull kujtime apo emocione të lidhura me traumën.
Sipas Frojdit, pavetëdija është burimi i
motivacioneve tona, qofshin ato dëshira të thjeshta për ushqim apo seks,
kompulsione neurotike apo motive për një artist apo shkencëtar. Megjithatë, ne
shpesh priremi të mohojmë ose t’i rezistojmë vetëdijësimit ndaj këtyre motiveve
dhe shpesh ato na bëhen të përdorshme vetëm në mënyrë të kamufluar. Do t’i
kthehemi sërish kësaj.
Idi, ego dhe superego
Realiteti psikologjik frojdian fillon me botën
e mbushur me objekte. Midis tyre ndodhet edhe një objekt i veçantë, organizmi.
Organizmi është i veçantë pasi vepron në mënyrë të tillë që të mbijetojë dhe të
riprodhohet dhe udhëhiqet drejt këtyre qëllimeve nëpërmjet nevojave të tij –
urisë, etjes, shmangies së dhimbjes dhe seksit.
Një pjesë shumë e rëndësishme e organizmit
është sistemi nervor, i cili ka si karakteristikë të vet ndjeshmërinë ndaj
këtyre nevojave të organizmit. Në lindje, ky sistem nervor është thuajse i
njëjtë me atë të çdo kafshe tjetër, është një “diçka” ose një id. Sistemi
nervor, si një id, i shndërron nevojat e organizmit në forca motivuese të
quajtura në gjermanisht Triebe, çka është përkthyer si instikte apo impulse.
Frojdi i quajti edhe dëshira. Ky shndërrim nga nevojë në dëshirë quhet edhe
procesi parësor.
Idi vepron për t’iu përshtatur parimit të
kënaqësisë, i cili mund të kuptohet si kërkesë për t’u kujdesur menjëherë për
nevojat. Përfytyroni foshnjen e uritur, që ulërin me të madhe. Ai nuk e “di” çfarë
dëshiron në kuptimin e të rriturve, ai thjesht di që e do dhe e do tani.
Foshnja, në këndvështrimin e Frojdit është një id i pastër ose thuajse i
pastër. Dhe idi nuk është asgjë përveç përfaqësimit psikik të biologjisë.
Për fat të keq, edhe pse dëshira për ushqim,
si për shembull imazhi i një bifteku të shijshëm, mund të jetë i mjaftueshëm
për të kënaqur idin, ajo nuk është e mjaftueshme për të kënaqur organizmin.
Nevoja vetëm bëhet gjithnjë e më e forte dhe dëshirat vazhdojnë të lindin.
Duhet ta keni vënë re se, kur nuk keni kënaqur disa nevoja, si për shembull
nevojën për të ngrënë, ajo fillon të zërë gjithnjë e më shumë vëmendjen tuaj,
derisa vjen një pikë kur s’mendon dot për gjë tjetër veç saj. Kjo është mënyra
sesi nevoja apo impulsi pluskon në ndërgjegje.
Për fatin e mirë të organizmit, është një
pjesë e vogël e mendjes për të cilën folëm më parë, vetëdija, që lidhet me
botën e jashtme me anë të shqisave. Përqark kësaj vetëdijeje, gjatë vitit të
pare të jetës së fëmijës, pak nga “idi” kthehet në “unë”, në ego. Ego lidh
organizmin me realitetin me anë të ndërgjegjes që ka dhe kërkon objekte për të
kënaqur dëshirat që krijon idi për të përfaqësuar nevojat e organizmit. Ky
aktivitet i zgjidhjes së problemit quhet proces dytësor.
Ego, ndryshe nga idi, funksionon sipas parimit
të realitetit, i cili shprehet “kujdesu për nevojën, sapo të gjendet objekti i
përshtatshëm.” Ajo përfaqëson realitetin dhe në një shkallë të konsiderueshme
edhe arsyen.
Gjithsesi, ndërkohë që ego lufton për të bërë
të lumtur idin (dhe, në fund të fundit, organizmin), ajo përballet me pengesat
e botës. Ndonjëherë has objekte që e ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të saj.
Dhe ajo i regjistron këto pengesa dhe lehtësira. Në veçanti, ajo regjistron
shpërblimet dhe ndëshkimet që bëjnë dy nga objektet më ndikuese në botën e
fëmijës: mami dhe babi. Regjistrimi i gjërave që duhen shmangur dhe strategjive
që duhen përdorur kthehet në superego. Kjo nuk përfundohet deri në moshën
shtatëvjeçare. Në disa njerëz, nuk kompletohet kurrë.
Ka dy aspekte të superegos: njëri është
ndërgjegja, që është brendësimi i shpërblimeve dhe paralajmërimeve. Tjetri
është egoja ideale. Ajo vjen nga shpërblimet dhe modelet pozitive që njeh
fëmija. Ndërgjegja dhe ego ideale komunikojnë kërkesat e tyre tek ego me
ndjenja si krenaria, turpi dhe faji.
Është njësoj sikur në fëmijëri ne të kemi
fituar një tërësi nevojash dhe dëshirash shoqëruese, kësaj radhe të një natyre
shoqërore më shumë se biologjike. Për fat të keq, këto nevoja mund të përplasen
lehtësisht me ato që vijnë nga idi. Siç e shihni, superego përfaqëson shoqërinë
dhe shoqëria shpesh nuk dëshiron asgjë tjetër përveçse që dëshirat e tua të mos
plotësohen fare!
Instiktet e jetës dhe instikti i vdekjes
Frojdi e pa të gjithë sjelljen njerëzore si të
drejtuar prej impulseve ose instikeve, të cilat nga ana tjetër janë përfaqësime
neurologjike të nevojave fizike. Në fillim, ai iu referua atyre si instikte të
jetës. Këto instikte përjetësojnë
(a) jetën e individit duke e motivuar atë të
kërkojë ushqim dhe ujë, dhe
(b) vazhdimësinë e llojit, duke e motivuar të
bëjë seks. Energjinë motivacionale të këtyre instikteve të jetës, nxitjen që i
jep fuqi psikikës sonë, ai e quajti libido, nga fjala latine “unë dëshiroj”.
Përvoja klinike e bëri Frojdin ta shihte
seksin si shumë më të rëndësishëm sesa nevojat e tjera në dinamikën e psikikës.
Në fund të fundit, ne jemi krijesa shoqërore dhe seksi është nevoja më
shoqërore e të gjithave. Plus kësaj, duhet të pranojmë se Frojdi kuptonte shumë
më tepër se aktin seksual me fjalën seks! Gjithsesi, libido tani nënkupton jo
çdolloj impulsi, por atë seksual.
Më vonë, Frojdi filloi të besojë se instiktet
e jetës nuk janë të vetmet. Libido është një gjë e gjallë; parimi i kënaqësisë
na mban në një lëvizje të vazhdueshme. Dhe sërish, qëllimi i kësaj lëvizjeve
është të vazhdosh të jesh, të kënaqesh, të jetosh në paqe, të mos kesh më
nevoja. Qëllimi në jetë, ndoshta do të thoshit se është vetë vdekja! Frojdi
filloi të besojë se “nën” ose “në krah” të instikteve të jetës ishte instikti i
vdekjes. Ai filloi të besojë se çdo njeri ka një dëshirë të pavetëdijshme për
të vdekur.
Kjo duket një ide e çuditshme kur e sheh në
fillim, dhe në fakt u kundërshtua nga shumë studentë të tij, por unë mendoj se
ka njëfarë baze në përvojë: jeta mund të jetë një proces i dhimbshëm dhe
sfilitës. Për pjesën më të madhe të njerëzve në botë ka më shumë dhimbje sesa
kënaqësi, dhe kjo është diçka që e kemi të vështirë ta pranojmë! Vdekja premton
çlirim nga beteja.
Frojdi iu referua parimit të nirvanës. Nirvana
është një ide budiste, shpesh e përkthyer si parajsë, por që në fakt do të
thotë “fikje”, njësoj si fikja e qiriut. Kjo nënkupton mosekzistencën, asgjënë,
boshllëkun, që është qëllimi i të gjithë jetës në filozofinë budiste.
Faktet e përditshme të instiktit të vdekjes
dhe parimit të nirvanas janë në dëshirën tone për paqe, për t’u arratisur nga
stimujt, tërheqjen tonë drejt alkoolit dhe drogave, dobësinë tonë për
arratisjet, si p.sh. përhumbjen në libra dhe filma, dëshirën për të pushuar dhe
për të fjetur. Ndonjëherë ato paraqiten hapur si vetëvrasje dhe dëshira
vetëvrasjeje. Dhe siç teorizoi Frojdi, ndonjëherë ne e nxjerrim këtë jashtë
vetes në formën e agresivitetit, mizorisë, vrasjeve dhe shkatërrimit.
Frojdi tha dikur “jeta s’është e lehtë!”
Ego – uni – qëndron në qendër të disa forcave
mjaft të fuqishme: realitetit, shoqërisë që përfaqësohet nga superego;
biologjisë së përfaqësuar nga idi. Kur kërkesat ndaj egos përplasen, është e
kuptueshme që ajo – pra, ju – të ndjeheni të kërcënuar, të vënë poshtë, të
ndjeheni sikur t’ju shtyp një peshë e madhe. Kjo ndjenjë quhet ankth, dhe
shërben si një sinjal i egos që mbijetesa e egos dhe me të edhe i gjithë
organizmi, është në rrezik.
Frojdi përmendi tre lloje ankthi: i pari është
ankthi real, që unë dhe ju do ta quanim frikë. Edhe Frojdi kështu e quajti në
gjermanisht. Por përkthyesit e tij menduan se “frika” ishte fjalë tepër e
rëndomtë! Gjithsesi, nëse do t’ju hidhja në një gropë me gjarpërinj helmues, ju
do të përjetonit ankth real.
Lloji i dytë është ankthi moral. Kjo është ajo
që ndjejmë kur na afrohet një kërcënim jo nga bota e jashtme fizike, por nga
bota e brendësuar shoqërore e superegos. Në fakt, është një fjalë tjetër për të
përshkruar ndjenja si turpi dhe faji dhe frika nga ndëshkimi.
Lloji i fundit është ankthi neurotik. Kjo
është edhe frika e mposhtjes nga impulset e idit. Nëse jeni ndjerë ndonjëherë
se “po rridhnit”, po humbnit kontrollin, temperamentin, arsyen, pra mendjen,
atëherë keni ndjerë ankth neurotik. Neurotik është një fjalë latine për “nervoz”,
pra është ankth nervoz. Është lloji i ankthit që e intrigoi më shumë Frojdin
dhe shpesh ne e quajmë thjesht dhe qartë, ankth.
Mekanizmat mbrojtës
Ego merret me kërkesat e realitetit, idit dhe
superegos në mënyrën më të mirë që mundet. Por kur ankthi e mposht, ego duhet
të mbrohet. Ajo e bën këtë në mënyrë të pavetëdijshme, duke bllokuar impulset
apo duke i shndërruar ato në një formë më të pranueshme, më pak kërcënuese.
Teknikat quhen mekanizma të mbrojtjes së egos dhe Frojdi, vajza e tij Ana, dhe dishepuj
të tjerë kanë zbuluar mjaft prej tyre.
Mohimi ka të bëjë me bllokimin e ngjarjeve të
jashtme nga përvetësimi në vetëdije. Nëse një situatë është e tepërt për t’u
përballuar, personi thjesht refuzon ta përjetojë atë. Siç mund ta imagjinoni ky
është një mekanizëm mbrojtës primitiv dhe i rrezikshëm: nuk i shpëton dot për
shumë kohë realitetit! Ai mund të veprojë i vetëm, por më shpesh kombinohet me
mekanizma të tjerë që e mbështesin.
Njëherë isha duke lexuar ndërsa vajza ime
pesëvjeçare po shihte një film vizatimor (Smërfat, më duket). Ajo po rrinte siç
e kishte zakon, shumë pranë televizorit, kur filloi të jepej një reklamë. Mesa
duket, në atë televizion nuk e kishte mendjen njeri në punë, pasi dhanë një
reklamë për një film horror, me thika të përgjakura, maska dhe ulërima tmerri.
Meqë s’arrita ta pengoja fëmijën tim për të parë një horror të tillë, bëra atë
që do të bënte çdo baba psikolog: fola në lidhje me të. I thashë “Bobo, çfarë
reklame e frikshme që ishte, hë.” Ajo u kthye “Hë?” I them “Reklama… ishte e
frikshme apo jo?” Ajo tha “çfarë reklame?” Unë i them “Reklama që sapo u dha,
me gjakun, maskën dhe ulërimën…!” Mesa duket e kishte lënë jashtë vetes të
gjithë gjënë.
Që atëherë, kam vënë re fëmijë të vegjël që në
njëfarë mënyre mpihen kur përballen me gjëra që më mirë të mos përballeshin.
Kam parë njerëz që u bie të fikët në autopsira, njerëz që mohojnë realitetin e
vdekjes së një të dashuri të tyre, dhe studentë që nuk shkojnë të marrin
rezultatet e provimit. Ky është mohimi.
Ana Frojd përmendi edhe mohimin në fantazi:
kjo ndodh kur fëmijët, në imagjinatat e tyre e transformojnë një baba “të keq”
në një arush të dashur, ose një fëmijë të pafuqishëm në një superhero të fortë.
Represioni, që Ana Frojd e quajti edhe
“harresa e motivuar” është pikërisht kjo: të mos jesh në gjendje të kujtosh një
situatë, një person apo një ngjarje kërcënuese. Edhe kjo është e rrezikshme dhe
është pjesë e mbrojtjeve të tjera.
Kur isha adoleshent, më zuri një frikë e madhe
nga merimangat, sidomos ato me këmbë të gjata. Nuk e dija nga më erdhi, por
kishte filluar të bëhej shumë shqetësuese në kohën që hyra në fakultet. Në
fakultet, një këshillues më ndihmoi ta kaloja (me anë të një teknike që quhet
desensitizim sistematik), megjithatë ende s’e dija nga më ishte krijuar. Vite
më vonë, pashë një ëndërr, tepër të qartë, që tregonte se si kushëriri më
kishte mbyllur në një kasolle prapa shtëpisë së gjyshërve të mi kur isha shumë
i vogël. Kasollja ishte e vogël, e errët dhe kishte një dysheme të pisët të
mbuluar me, e menduat saktë, merimanga me këmbë të gjata.
Kuptimi frojdian për këtë fobi është mjaft i
thjeshtë: unë represova një ngjarje traumatike – incidentin me kasollen – por
të parët e merimangave krijonte ankthin e asaj ngjarjeje pa krijuar kujtimet e
ngjarjes.
Ka mjaft shembuj të tjerë. Ana Frojd na sjell
një që na tërheq ashtu si gjërat antike: një vajzë e re, në faj për dëshirat e
saj të forta seksuale, priret të harrojë emrin e të dashurit të saj, edhe
atëherë kur përpiqet ta prezantojë atë tek të afërmit! Ose një i alkoolizuar
nuk e kujton tentativën e tij për vetëvrasje, duke deklaruar se duhet t’i jenë
errur sytë. Ose dikush tjetër gati mbytet kur është ende fëmijë, por nuk e mban
mend ngjarjen edhe kur të tjerët përpiqen t’ia kujtojnë, megjithatë ai vazhdon
të ketë frikë nga deti i hapur!
Vini re, se që të jetë një shembull i vërtetë
i mbrojtjes, duhet të funksionojë në mënyrë të pandërgjegjshme. Im vëlla kishte
frikë nga qentë kur ishte fëmijë, por s’kishte lidhje me mbrojtjet: atë e
kishte kafshuar qeni njëherë dhe nuk donte t’i përsëritej më diçka e tillë!
Zakonisht, janë frikërat irracionale që i quajmë fobi ato që rrjedhin nga
represioni i traumave.
Asketicizmi, ose heqja dorë nga nevojat, për
të cilën pjesa më e madhe e njerëzve s’kanë dëgjuar, por që ka dalë sërish në
përdorim me lindjen e çrregullimit të quajtur anoreksi. Paradoleshentët, kur
ndjehen të kërcënuar nga dëshirat e tyre seksuale në lindje, mund ta mbrojnë
vetveten në mënyrë të pandërgjegjshme duke mohuar, jo vetëm dëshirat e tyre
seksuale por çdo dëshirë. Ata përfshihen në një lloj stili jete asketik (si të
murgjve) në të cilin ato mohojnë interesin e tyre për gjëra që njerëzit e tjerë
parapëlqejnë.
Sot tek djemtë, ka një interes më të madh në
vetëdisiplinën e arteve marciale. Për fat të mirë, artet marciale jo vetëm që
s’të dëmtojnë (edhe aq), por në fakt të ndihmojnë. Për fat të keq, vajzat në
shoqërinë tonë zhvillojnë shpesh një interes të madh në arritjen e një
standardi bukurie në lidhje me trupin e hollë. Në teorinë frojdiane, mohimi i
nevojave për ushqim është një mbulim i mohimit për zhvillimin e tyre seksual.
Shoqëria jonë konspiron bashkë me ta: në fund të fundit, atë që shumë shoqëri e
konsiderojnë një figurë normale për një grua të pjekur janë nja 10 kile
mbipeshë!
Ana Frojd diskuton në lidhje me një version më
të zbutur të këtij mekanizmi të quajtur kufizim i egos. Këtu, personi humbet
interesin në disa aspekte të jetës dhe fokusohet në diçka tjetër, në mënyrë që
të shmangë përballjen me realitetin. Një vajzë e vogël që i është mohuar
afeksioni nga objekti afektiv, mund të shmanget nga gjërat femërore dhe të
kthehet në një “intelektuale jo seksuale” ose një djalë i cili është i
frikësuar se do të turpërohet në ndeshjen e futbollit mund të krijojë një
interes të thellë në poezi.
Izolimi (shpesh i quajtur intelektualizim) ka
të bëjë me shkëputjen e emocionit nga një kujtim i vështirë apo një impuls
kërcënues. Një person, mund të flasë në një mënyrë shumë kavaliere se si është
abuzuar në fëmijëri, ose mund të shfaqë një kuriozitet të pastër intelektual
mbi orientimin seksual që ka zbuluar së fundmi tek vetja. Diçka që duhet të
jetë me shumë rëndësi, trajtohet sikur të mos ishte kështu.
Në situata emergjente, mjaft njerëz hiqen si
tepër të qetë dhe të përmbajtur derisa emergjenca kalon, pikë në të cilën ata
rrëzohen. Diçka të thotë se gjatë emergjencës, nuk mund t’ia lejosh vetes të
rrëzohesh. Është e zakonshme që të gjesh dikë totalisht të përfshirë në
detyrimet shoqërore në lidhje me vdekjen e një të dashuri. Doktorët dhe
infermieret duhet të mësojnë të ndajnë reagimet e tyre natyrale ndaj gjakut,
plagëve, gjilpërave dhe të trajtojnë pacientin përkohësisht, si diçka më pak se
një qenie e ngrohtë, e mrekullueshme njerëzore me miq dhe familje. Adoleshentet
kalojnë një stad në të cilin janë të fiksuar pas filmave horror, ndoshta për
t’u përballur me frikërat e tyre. Asgjë nuk e shfaq izolimin më qartë se një
teatër plot me njerëz që qeshin me eufori ndërkohë që jepet një person që e
bëjnë copash.
Zhvendosja është ridrejtimi i një impulsi tek
një objekt zëvendësues. Nëse impulsi, dëshira është në rregull, por personi ku
e drejton është kërcënues, ju mund ta zhvendosni tek një person ose diçka që
shërben si zëvendësues simbolik.
Dikush që urren nënën mund ta represojë
urrejtjen, por ta drejtojë atë tek gratë në përgjithësi. Dikush që nuk ka patur
mundësinë të dojë dikë, mund ta zëvendësojë qenien njerëzore me mace apo qen.
Dikush që ndjehet i sikletosur me dëshirën e tij seksuale për një person real
mund ta zëvendësojë atë me një fetish. Dikush që është i frustruar nga shefat e
tij ose të saj mund të shkojë në shtëpi, të godasë qenin, të rrahë një antar
familjeje ose të përfshihet në djegie të kryqit.
Kthimi kundër vetes është një formë shumë e
veçantë e zhvendosjes, ku vetë personi bëhet objekti i zëvendësimit. Zakonisht
përdoret në emocionet e urrejtjes, zemërimit dhe agresivitetit, më tepër sesa
impulset pozitive, dhe është një shpjegim frojdian për shumë nga ndjenjat tona
të inferioritetit, fajit ose depresionit. Ideja se depresioni është rezultat i
zemërimit që ne refuzojmë ta njohim pranohet nga shumë njerëz, frojdianë dhe jo
frojdianë.
Njëherë e një kohë, kur nuk ndjehesha edhe aq
mirë, vajza ime, rreth 5 vjeç, derdhi një gotë të tërë me qumësht me çokollatë
në dhomën e ndenjes. I bërtita duke i thënë se ishte shumë e ngathët dhe se
duhej të mësonte të ishte më e kujdesshme dhe se i kisha thenë njëqind herë… e
kështu me radhë, e dini vetë ju. Ajo qëndroi atje e ngrirë me një lloj
vështrimi përlotës në sy dhe, e goditi veten në kokë disa herë! Sigurisht, do
të kishte rrahur kokën time, por, ja që s’bëhet kollaj kjo apo jo? S’ka nevojë
ta them se që atëherë ndjehem në faj.
Projeksioni, të cilin Ana Frojdi e quajti
zhvendosje të jashtme, është thuajse e kundërta e kthimit kundër vetes. Ai ka
të bëjë me prirjen për të parë dëshirat e papërshtatshme të vetes tek njerëz të
tjerë. Me fjalë të tjera, dëshirat janë aty, por nuk janë më dëshirat e tua. E
pranoj se sa herë dëgjoj dikë që thotë se sa agresiv është dikush tjetër, apo
sesa perversë janë, vras mendjen nëse ky person ka vetë prirje agresive apo
seksuale në brendi të vetes, që më mirë të mos e pranonte.
Më lejoni t’ju jap disa shembuj: një
bashkëshort, i mirë dhe i ndershëm, tërhiqet jashtëzakonisht nga një grua
lozonjare. Por në vend që të njohë këtë epsh të vetin, ai fillon të bëhet tepër
xheloz për të shoqen, duke u shqetësuar vazhdimisht për besnikërinë e saj e
kështu me radhë. Apo një grua që ndjen se ka ndjenja të vagëta seksuale për
shoqet e saj. Në vend që t’i njohë këto ndjenja si tepër normale, ajo fillon të
shqetësohet gjithnjë e më shumë për praninë e lesbikeve në komunitetin e saj.
Dorëzimi altruist është një formë projeksioni
që në pamje të parë duket si e kundërta: këtu personi përpiqet të plotësojë
nevojat e tij dukshëm nëpërmjet njerëzve të tjerë.
Një shembull i zakonshëm i kësaj është
shoku/shoqja (të gjithë e kemi patur një të tillë) që edhe pse nuk kërkonte
marrëdhënie për veten, vazhdimisht nxiste njerëzit e tjerë rreth e rrotull dhe
ishte veçanërisht kurioz se “ç’ndodhi natën e kaluar” apo “si po shkojnë
gjërat?” Shembulli i skajshëm i lëshimit altruist është personi që jeton të
gjithë jetën e tij për dikë tjetër ose nëpërmjet një tjetri.
Formimi i reagimit, të cilin Ana Frojd e
quajti “të besosh të kundërtën” e ndryshon një impuls të papranueshëm në të
kundërtin e vet. Kështu një fëmijë i inatosur me të ëmën, mund të kthehet në
tepër i shqetësuar për të dhe të shfaqë në mënyrë dramatike afeksionin për të.
Një fëmijë i abuzuar mund të vrapojë drejt prindit abuzues. Ose dikush që
s’mund ta pranojë një impuls homoseksual, mund të deklarojë se ndjen neveri nga
homoseksualët.
Ndoshta shembulli më i zakonshëm ose më i
qartë i formimit të reagimit gjendet tek fëmijët midis moshës shtatë dhe
njëmbëdhjetë: pjesa më e madhe e djemve do t’ju thonë sesa të neveritshme janë
vajzat, dhe vajzat do t’ju thonë me po të njëjtën forcë sesa të pakëndshëm janë
djemtë. Të rriturit që i shohin në marrëdhënie mes tyre, gjithsesi, mund të
thonë me lehtësi se cilat janë ndjenjat e tyre të vërteta!
Zhbërja ka të bëjë me veprime apo rituale
“magjike” që bëhen për të fshirë mendime apo ndjenja të pakëndshme që kanë
ndodhur. Ana Frojd përmend një shembull të një djali i cili e recitonte
alfabetin mbrapsht sa herë që kishte një mendim seksual, apo do të kthehej dhe
do të pështynte sa herë që takonte një djalë tjetër që kishte të njëjtin pasion
si ai në lidhje me masturbimin.
Tek njerëzit “normalë” zhbërja është sigurisht
më e ndërgjegjshme dhe ne mund të angazhohemi në një akt ndëshkimi për disa
sjellje, ose kërkojmë falje zyrtarisht. Por në disa njerëz, akti i ndëshkimit
nuk është aspak i vetëdijshëm. Sillni ndërmend një baba të alkoolizuar i cili
pas një viti abuzimesh verbale dhe ndoshta edhe fizike, përpiqet me mish e me
shpirt për të bërë Krishtlindjet më të bukura për fëmijët e tij. Kur stina
mbaron, dhe fëmijët s’janë gënjyer akoma nga sjelljet e tij magjike, ai kthehet
në banakierin e njohur me ankesa për familjen e tij mosmirënjohëse, dhe për
faktin sesi e detyrojnë të pijë.
Një nga shembujt klasikë të zhbërjes ka të
bëjë me higjenën personale pas seksit: është mjaft e arsyeshme të lahesh pas
seksit. Në fund të fundit, pasojat mund të jenë të tilla! Por nëse ndjeni
nevojën për të bërë tre a katër dushe me sapun me kokrriza, ndoshta seksi s’bën
për ju.
Introjeksioni, i quajtur identifikim, është
bërja të tuat e karakteristikave të personalitetit të dikujt tjetër, pasi
kështu zgjidh disa vështirësi emocionale. Për shembull, një fëmijë që lihet
vetëm vazhdimisht, mund të përpiqet të kthehet në “mama” për të zvogëluar
frikërat e saj. Mund t’i shohësh që u thonë kukullave apo kafshëve që të mos
kenë frikë. Nga ana tjetër, shohim një fëmijë më të rritur ose një adoleshent
që imiton heroin e tij të preferuar në muzikë ose në sport në përpjekje për të vendosur
një identitet.
Një shembull më i zakonshëm është gruaja që
jetonte afër gjyshërve të mi. I shoqi i saj kishte vdekur dhe ajo filloi të
vishte rrobat e tij, edhe pse të rregulluara sipas masës së trupit të saj. Ajo
filloi të përdorte sjelljen e tij si p.sh. të pinte me llullë. Edhe pse
komshinjtë çuditeshin dhe e shihnin si “grua burrë”, ajo e dinte identitetin e
saj seksual. Në fakt, ajo u martua sërish, duke e ruajtur deri në fund veshjen
dhe llullën e të shoqit!
Duhet të shtoj këtu që identifikimi është
mjaft i rëndësishëm për teorinë frojdiane si mekanizmi me anë të të cilit ne
zhvillojmë superegon.
Identifikimi me agresorin është një version i
introjeksionit që fokusohet në adaptimin, jo të tipareve të përgjithshme ose
pozitive, por të atyre negative dhe të frikësueshme. Nëse keni frikë nga
dikush, mund të përballeni pjesërisht me frikën se do të ktheheni si ata. Dy
nga vajzat e mia, duke u rritur me një mace tepër të egër, mund t’i shikoje
shpesh tek mjaullisnin, kthisnin, pështynin ose ngrinin kurrizin përpjetë në
përpjekje për të shmangur që macja të dilte nga ndonjë qoshe e errët dhe t’i
sulmonte.
Një shembull më dramatik është ai i quajtur
Sindroma e Stokholmit. Pas një pengmarrjeje në Stokholm, psikologët u çuditën
kur zbuluan se pengjet jo vetëm që s’ishin të zemëruar me pengmarrësit, por
shpesh ishin simpatizues ndaj tyre. Një rast më i fundit kishte të bënte me një
grua të quajtur Patty Hearst, e familjes së fuqishme dhe të pasur Hearst. Ajo u
kap nga një grup i vogël i revolucionarëve të vetëdeklaruar të quajtur ushtria
çlirimtare simbioneze. Ajo u mbajt në dollape, u përdhunua dhe u keqtrajtua në
mënyra të ndryshme. Megjithatë, ajo vendosi të bashkohet me ta, duke bërë video
propaganduese për ata dhe duke tundur një armë në një vjedhje parash në bankë.
Kur më vonë u hodh në gjyq, psikologët sugjeruan se ajo ishte viktimë dhe jo
kriminele. Gjithsesi ajo u dënua për vjedhje banke me 7 vjet heqje lirie.
Dënimi i saj u tërhoq nga presidenti Karter pas 2 vjetësh.
Regresioni është kthim pas në kohë
psikologjike, kur dikush përballet me stress. Kur ne jemi të shqetësuar apo të
frikësuar, sjelljet tona shpesh bëhen më fëminore ose primitive. Fëmija mund të
fillojë të thithë gishtin sërish ose të lagë në shtrat kur u duhet të kalojnë
ca kohë në spital. Adoleshentët mund të jenë nervozë kur të sillen në një
situatë sociale ku ndodhet edhe seksi tjetër. Një student fakulteti mund të
dojë të marrë me vete një lodër nga shtëpia. Një mbledhje e njerëzve të
civilizuar mund të kthehet në një turmë të dhunshme nëse i nxit të besojnë se
mirëqenia e tyre vihet në rrezik. Ose një burrë më i vjetër pasi ka kaluar 20
vjet në një kompani dhe tani e gjen veten të papunë, mund të zërë poltronën dhe
të kthehet në një fëmijë të varur nga e shoqja.
Ku strehohemi kur ndeshemi me stres? Në
periudhën më të afërt në jetë, kur jemi ndjerë të sigurtë dhe të shëndetshëm,
sipas teorisë frojdiane.
Racionalizimi është shndërrimi mendor i
“fakteve” për ta bërë një ngjarje apo një impus më pak kërcënues. Ne e bëjmë
këtë mjaft shpesh në nivel të vetëdijshëm kur e shfajësojmë veten. Por për
shumë njerëz me ego të ndjeshme, shfajësimi vjen kaq i natyrshëm saqë nuk jemi
të vetëdijshëm për këtë gjë. Me fjalë të tjera, shumë prej nesh janë të
përgatitur për të besuar në gënjeshtrat që ngremë vetë.
Një mënyrë e dobishme për të kuptuar mbrojtjet
është t’i shohësh ato si një kombinim të mohimit apo represionit me lloje të
ndryshme racionalizimesh.
Të gjitha mbrojtjet janë gënjeshtra edhe nëse
nuk jemi të ndërgjegjshëm që i bëjmë. Por kjo nuk i bën më pak të rrezikshme,
në fakt i bën më shumë. Siç mund t’ju ketë thënë gjyshja “Kjo botë është e
gënjeshtërt…” Gënjeshtrat ushqejnë gënjeshtra, dhe na largojnë gjithnjë e më
tepër nga e vërteta, nga realiteti. Pas pak kohe, ego nuk mund të kujdeset më
për kërkesat e idit, apo t’i kushtojë vëmendje atyre të superegos. Ankthet
kthehen mbrapsht dhe ju rrëzoheni.
Megjithatë Frojdi i pa mbrojtjet si të
nevojshme. Nuk mund të presësh që një person, sidomos një fëmijë, të marrë në
sy dhimbjen e jetës ashtu siç vjen! Ndërkohë që dishepujt e tij sugjeruan se të
gjitha mbrojtjet mund të përdoren në mënyrë pozitive, Frojdi vetë sugjeori se
kishte vetëm një mbrojtje pozitive, të cilën e quajti sublimim.
Sublimimi është transformimi i një impulsi të
papranueshëm, qoftë ai seks, zemërim, frikë apo çfarëdo në një formë më të
pranueshme shoqërisht, madje edhe produktive. Kështu dikush me një ndjenjë të
forte armiqësie mund të bëhet gjuetar, kasap, futbollist ose ushtarak. Dikush
që vuan nga një ankth i tepërt mund të kthehet në një organizues, tregtar,
shkencëtar. Dikush me dëshira të forta seksuale mund të kthehet në artist,
fotograf, shkrimtar e kështu me radhë. Për Frojdin në fakt, të gjitha
aktivitetet krijuese ishin sublimime dhe sidomos të impulsit seksual.
Siç e thashë më parë, për Frojdin impulsi
seksual është forca më e rëndësishme motivuese. Në fakt, Frojdi mendoi se ajo
ishte forca parësore motivuese jo vetëm për të rriturit, por edhe për të
vegjlit, madje edhe foshnjet. Kur ai paraqiti seksualitetin foshnjor në
publikun vienez të ditëve të tij, ky i fundit mezi ishte i përgatitur për të
folur për seksualitetin tek të rriturit, jo më tek foshnjet!
Është e vërtetë se aftësia për orgazëm është e
pranishme që nga lindja. Por Frojdi nuk e kishte fjalën vetëm për orgazmën.
Seksualiteti nuk nënkuptonte vetëm aktin seksual, por të gjitha ndjesitë e
kënaqësisë që vijnë nga lëkura. Është e qartë edhe për më të ngurtin mes nesh
se bebet, fëmijët dhe padyshim të rriturit i pëlqejnë përvojat e prekjes si
p.sh. perkëdheljet, puthjet e kështu me radhë.
Frojdi theksoi se në kohë të ndryshme të jetës
sonë, pjesë të ndryshme të lëkurës na japin kënaqësi më të madhe. Teoricienët e
mëvonshme do t’i quanin këto zona erogjene. Frojdit i dukej se foshnja e gjente
kënaqësinë e tij më të madhe në thithje, sidomos të gjoksit. Në fakt, bebet
kanë një prirje për të çuar thuajse çdo gjë nga ambienti në gojë. Pak më vonë
në jetë, fëmija fokusohet tek dëshirat anale të mbajtjes dhe të lëshimit. Nga
mosha tre apo katër, fëmija mund të ketë zbuluar kënaqësinë e fërkimit apo
prekjes së gjenitaleve të tij apo të saj. Vetëm më vonë, në pjekurinë tonë
seksuale, ne gjejmë kënaqësinë më të madhe në aktin seksual. Në këto vëzhgime,
Frojdi ngriti themelet e teorisë së stadeve psikoseksuale.
Stadi oral zgjat nga lindja deri në rreth 18
muaj. Fokusi i kënaqësisë është sigurisht goja. Thithja dhe kafshimi janë
aktivitetet më të parapëlqyera.
Stadi anal zgjat nga 18 muaj deri në tre apo
katër vjeç. Fokusi i kënaqësisë është anusi. Mbajtja dhe lëshimi i jashtëqitjes
janë më të parapëlqyerat.
Stadi fallik zgjat nga tre apo katër deri në
pesë, gjashtë apo shtatë vjeç. Fokusi i kënaqësisë janë gjenitalet. Masturbimi
është i zakonshëm.
Stadi latent zgjat nga pesë, gjashtë apo
shtatë vjeç deri në pubertet, pra, diku tek 12 vjeç. Gjatë këtij stadi, Frojdi
besoi se impulsi seksual shtypej për t’i lënë vend të nxënit. Duhet të theksoj
se edhe pse shumica e fëmijëve duken të qetë seksualisht gjatë viteve të
gramatikës në shkollë, gati një e katërta e tyre masturbohen ose luajnë
“doktorash”. Në epokën represive të Frojdit, këta fëmijë të paktën ishin më të
qetë sesa homologët e tyre të kohëve moderne.
Stadi gjenital fillon në pubertet dhe
përfaqëson rilindjen e impulsit seksual në adoleshencë dhe fokusimin specifik
të kënaqësisë në aktin seksual. Frojdi besonte se masturbimi, seksi oral,
homoseksualiteti dhe shumë gjëra të tjera që ne i gjemë të pranueshme në moshën
e rritur sot, ishin të papjekura.
Kjo është një teori stadesh, që do të thotë se
frojdianët besojnë se të gjithë kalojmë përmes stadesh, në këtë rend, dhe afër
këtyre moshave.
Kriza e Edipit
Çdo stad ka disa detyra të vështira të lidhura
me të që ka të ngjarë të shkaktojnë probleme. Për stadin oral, është lënia e
gjirit. Për stadin anal është trainimi i uturakut. Për stadin fallik, është
kriza e Edipit, e emërtuar sipas historisë së vjetër greke të mbretit Edip, i
cili pa e ditur vrau të atin dhe u martua me të ëmën.
Ja, se si funksionon kriza e Edipit: objekti i
parë i dashurisë për të gjithë ne, është nëna. Ne duam vëmendjen e saj, duam
afeksionin e saj, duam perkëdheljet e saj, duam atë, në një mënyrë gjerësisht
seksuale. Djali i vogël, gjithsesi, ka një rival për tërheqjen ndaj të ëmës:
babanë e tij! Babai është më i madh, më i fortë, më i zgjuar dhe fle me mamanë,
ndërkohë që djali i vogël fle vetëm në krevatin e tij. Babai është armiku.
Në kohën kur djali i vogël e kupton këtë
situatë arketipale, ai është vetëdijësuar për disa nga ndryshimet më të fshehta
mes djemve dhe vajzave, përveç gjatësisë së flokëve dhe stileve në të veshur.
Nga këndvështrimi i tij naiv, ndryshimi është që ai ka penis, dhe vajzat jo. Në
këtë pikë, fëmijës i duket se që të kesh diçka është shumë herë më mirë se të
mos kesh asgjë kështu që ai është i kënaqur me gjendjen e tij.
Por ama lind pyetja: ku është penisi tek
vajzat? Ndoshta ajo e ka humbur diku. Ndoshta i është prerë. Ndoshta kjo mund
t’i ndodhë edhe atij! Ky është fillimi i ankthit të tredhjes, një emër tjetër i
ndryshëm për frikën e humbjes së penisit.
Për t’iu kthyer historisë, djali duke e njohur
superioritetin e të atit dhe duke patur frikë për penisin e tij, përfshihet në
disa nga mbrojtjet e egos: ai e zhvendos impulsin seksual për të ëmën tek
vajzat dhe më vonë tek gratë; identifikohet me agresorin, të atin, dhe përpiqet
të bëhet gjithnjë e më shumë si ai, pra, si burrë. Pas disa vjetësh latente, ai
hyn në adoleshencë dhe në botën e heteroseksualitetit të pjekur.
Vajza e fillon gjithashtu jetën me dashurinë
për të ëmën, kështu që është problem për ta parë se si i përcjell afeksionet e
saj tek i ati para se të ndodhë procesi i Edipit. Frojdi sugjeroi këtu idenë e
zilisë së penisit: vajza e vogël e ka vënë re gjithashtu ndryshimin mes djemve
dhe vajzave dhe ndjen se asaj i mungon diçka. Ajo do të donte të kishte një të
tillë së bashku me fuqitë që lidhen me të. Së paku, ajo do të donte të kishte
një zëvendësues të penisit, si p.sh. një bebe. Siç e di çdo fëmijë, njeriu ka
nevojë për një baba dhe për një nënë për të pasur një fëmijë, kështu që vajza e
vogël i hedh sytë tek i ati.
Babai sigurisht është zënë nga dikush tjetër.
Vajza e vogël zhvendoset nga ai tek djemtë dhe burrat dhe identifikohet me të
ëmën, gruan që mori burrin që ajo dëshironte. Vini re se ka diçka që mungon
këtu: vajza nuk vuan nga motivimi i fuqishëm i ankthit të tredhjes, meqë ajo
nuk mund të humbë diçka që nuk e ka. Frojdi mendoi se mungesa e një frike të
tillë kishte të bënte me faktin (siç e pa ai) që gratë janë më pak të
qëndrueshme në heteroseksualitetin e tyre si edhe më pak të orientuara nga
morali.
Përpara se t’ju mbetet mendja në këtë
konsideratë jo aq të gëzueshme mbi seksualitetin e grave, rrini të qetë pasi
shumë njerëz kanë reaguar ndaj kësaj. Do të flas më tepër për këtë në pjesën e
diskutimit.
Karakteri
Përvojat tuaja me kalimin e viteve
kontribuojnë tek personaliteti juaj, ose karakteri, kur jeni i rritur. Frojdi
mendonte se përvojat traumatike kanë një efekt veçanërisht të fortë. Sigurisht,
çdo traumë e veçantë do të kishte impaktin e vet mbi personin, çka mund të
zbulohet dhe kuptohet mbi baza individuale. Por traumat e lidhura me zhvillimin
në stade, meqë secili nga ne duhet t’i kalojë ato, duhet të kenë më shumë
qëndrueshmëri.
Nëse keni vështirësi në ndonjë nga detyrat e
lidhura me stadet – lënia e gjirit, trainimi i uturakut, apo zbulimi i
identitetit seksual – ju do të prireni të ruani disa sjellje të caktuara
fëminore ose foshnjore. Ky quhet fiksim. Fiksimi i jep çdo problemi në çdo stad
një efekt afatgjatë në drejtim të personalitetit apo karakterit tone.
Nëse në tetë muajt e pare të jetës frustroheni
në nevojën tuaj për të thithur, ndoshta sepse nëna juaj nuk ndjehet rehat apo
sepse është e ashpër me ju, apo përpiqet që ta lini gjirin shpejt, atëherë ju
mund të krijoni një karakter oral-pasiv. Një personalitet oral-pasiv priret të
jetë tepër i varur nga të tjerët. Ata kanë shpesh interes në “kënaqësitë orale”
si të ngrënët, të pirët dhe pirja e duhanit. Është sikur ata të kërkojnë
kënaqësirat që nuk arritën në foshnjëri.
Kur jemi midis pesë dhe tetë muajsh, fillojnë
të dalin dhëmbët. Një gjë shumë e kënaqshme kur dalin dhëmbët është të
kafshoni, si p.sh. thithkën e gjirit. Nëse kjo shkakton mërzitje apo çon drejt
lënies së shpejtë të gjirit, ju mund të zhvilloni një personalitet
oral-agresiv. Këta njerëz ruajnë një dëshirë afatgjatë për të kafshuar gjërat
si p.sh. lapsa, çumçakiza dhe njerëzit e tjerë. Ata kanë një tendencë për të
qenë verbalisht agresivë, sarkastikë e kështu me radhë.
Në stadin anal, ne mahnitemi nga “funksionet e
trupit” tonë. Si fillim, ne mund të shkojmë kurdo dhe kudo që duam. Më pas,
ashtu si papritur dhe pa kuptim e kupton se ka forca jashtë teje që duan që ti
t’i bësh gjërat në vende të caktuara dhe në kohë të caktuara. Dhe prindërit
duket se e vlerësojnë produktin final të këtyre përpjekjeve!
Disa prindër e vënë veten në mëshirën e
fëmijës në procesin e trainimit për në tualet. Ata luten, përgjërohen, shfaqin
gëzim të madh kur ata e bëjnë mire këtë gjë, ata sillen sikur u thyet zemra kur
nuk e bëni këtë gjë. Fëmija është mbreti i shtëpisë dhe ai e di këtë. Ky fëmijë
do të rritet dhe do të jetë një personalitet anal i jashtëm (ose anal agresiv).
Këta njerëz priren të jenë të pakujdeshëm, të çorganizuar, bujarë ndaj
gabimeve. Ata mund të jenë mizorë, shkatërrues dhe të dhënë mbas vandalizmit
dhe shkrimeve nëpër mure. Personazhi i Oskar Medisonit në Ciftin e Çuditshëm
është një shembull i mirë.
Prindër të tjerë janë striktë. Ata mund të
bëjnë gara me fqinjët ose të afërmit se kush do t’i trainojë fëmijët më parë
për në tualet (trainimi i hershëm sipas mendjes së shumë njerëzve lidhet me
inteligjencën e madhe). Ata mund të përdorin ndëshkimin ose poshtërimin. Ky
fëmijë ka të ngjarë të përjetojë konstipacion ndërkohë që përpiqet me dëshpërim
ta mbajë atë në çdo kohë dhe do të rritet si një personalitet anal mbajtës. Ai
ose ajo do të priret të jetë i pastër, perfeksionist, diktatorial, shumë
kokëfortë dhe dorështrënguar. Me fjalë të tjera, një anal mbajtës është i
shtrënguar në çdo drejtim. Personazhi i Feliks Unger tek Cifti i Cuditshëm
është një shembull i përsosur.
Ka gjithashtu dy tipe personalitetesh fallike,
edhe pse askush s’u ka dhënë emra. Nëse djali mohohet ashpër nga e ëma dhe
ndjehet i kërcënuar nga babai i tij tepër mashkullor ka të ngjarë që ai të
zhvillojë një vetëvlerësim të dobët mbi seksualitetin e tij. Ai mund ta kalojë
këtë ose duke u tërhequr nga ndërveprimet heteroseksuale, ose duke u kthyer në
një djalë librash, ose duke veshur një petk prej “macho”-je. Një vajzë e mohuar
nga i ati dhe e kërcënuar nga nëna e saj tepër femërore ka të ngjarë të ndjehet
e dobët në vetvete dhe të kthehet në një lule zbukuruese ose në një “bukuroshe”
ekstremisht femërore.
Por nëse djali nuk mohohet nga e ëma, por
parapëlqehet kundrejt babait të dobët dhe të squllur, ai mund të zhvillojë një
opinion shumë të lartë për veten (çka mund ta bëjë të vuajë shumë kur të
përplaset me jetën reale, ku askush nuk e do siç e do e ëma) dhe të shfaqet
mjaft femëror. Në fund të fundit, s’ka shkak për t’u identifikuar me të atin.
Po ashtu, nëse një vajzë është princesha e vogël e babit dhe shoqja e tij më e
mire, dhe mamaja lihet në një rol shërbyeseje, atëherë ajo mund të kthehet në
një person sipërfaqësor dhe egoist, ose edhe mjaft mashkullore.
Këto personazhe të ndryshme fallike tregojnë
një pikë të rendësishme të karakterologjisë frojdiane: skajet çojnë drejt
skajeve. Nëse frustrohesh ose perkëdhelesh, do të kesh probleme. Dhe edhe pse
çdo problem priret të çojë në karakteristika të caktuara, këto karakteristika
po aq kollaj mund të krijojnë të kundërtat e tyre. Kështu një person anal
mbajtës mund të bëhet papritur shumë bujar, ose mund të ketë pjesë të jetës në
të cilat është tmerrësisht rrëmujë. Kjo është frustruese për shkencëtarët, por
reflekton realitetin e personalitetit!
Terapia
Terapia e Frojdit ka qenë më ndikuese se
cilado teori tjetër dhe më ndikuese edhe se pjesa më e madhe e teorisë së tij.
Këtu jepen disa nga pikat kryesore të saj:
Atmosfera relaksuese. Klienti duhet të ndjehet
i lirshëm për të shprehur çdo gjë. Situata e terapisë në fakt është një situatë
e veçantë sociale, një situate ku nuk duhet të ndjeheni i frikësuar nga gjykimi
apo përjashtimi. Në fakt, në terapinë frojdiane, terapisti thuajse zhduket. Për
ta kompletuar skenën shtoni kolltukun relaksues, dritat e ulura, dhe muret e
izoluara hermetikisht nga zhurmat.
Asosacioni i lirë. Klienti mund të flasë për
pothuajse çdo gjë. Teoria nënkupton që me anë të relaksimit konfliktet e
pavetëdijshme do të pluskojnë në sipërfaqe. Vihet re një ngjashmëri midis
terapisë frojdiane dhe të parit të ëndrrave! Gjithsesi, në terapi është terapisti,
i cili është i trainuar për të njohur disa nga elementet e problemeve dhe
zgjidhjet që duhet të shohë klienti.
Rezistenca. Një nga këto elemente është
rezistenca. Kur një klient përpiqet të ndryshojë çështje, hutohet krejtësisht,
bie në gjumë, vjen vonë, apo s’vjen fare në takim, terapisti thotë “aha!” Këto
rezistenca sugjerojnë se klienti është pranë diçkaje në asosacionet e tij të
lira, që në mënyrë të pandërgjegjshme i sheh si kërcënuese.
Analiza e ëndrrave. Në gjumë ne jemi disi më
pak rezistentë ndaj pavetëdijes dhe ne lejojmë pak gjëra të vijnë në vetëdijen
tone në formë simbolike. Këto dëshira nga idi i japin terapistit dhe klientit
më shumë elemente. Shumë forma të terapisë e përdorin analizën e ëndrrave të
klientit, por interpretimi frojdian dallon në atë që ka prirjen për të gjetur
kuptime seksuale.
Lapsuset. Paraprakset ose lapsuset quhen
shpesh lapsuse frojdiane. Frojdi mendonte se ato janë elemente që të të çojnë
tek konfliktet e pavetëdijes. Frojdi ishte i interesuar në shakatë që tregonin
klientët e tij. Në fakt, Frojdi mendonte se thuajse çdo gjë nënkuptonte diçka
në thuajse çdo kohë – rënia e një numri gabim, marrja e një kthese të gabuar,
keqshqiptimi i një fjale, ishin objekte serioze të studimit të Frojdit.
Gjithsesi, ai vetë reagoi ndaj pyetjes së studentit se çfarë simbolizonte
puroja që tymoste gjithnjë, duke iu përgjigjur “ndonjëherë puroja është thjesht
puro.” Kështu të jetë vallë?
Frojdianët e tjerë krijuan interes në testet
projektive si Rorschachu ose testet e njollave të bojës. Teoria pas këtyre
testeve është se kur stimuli është i vagët, klienti e plotëson atë me temat e
veta të pavetëdijshme. Sërish, këto shërbejnë për t’i dhënë elemente
terapistit.
Transferencs, katharsis, dhe insight
Transferenca shfaqet kur klienti projekton
ndjenjat që i takojnë njerëzve të tjerë tek terapisti. Frojdi besonte se
transferenca ishte e nevojshme në terapi për të sjellë emocionet e shtypura që
e kanë rënduar klientin për shumë kohë, në sipërfaqe. Ju s’mund të ndjeheni
vërtet i zemëruar për shembull pa patur një person real për t’u zemëruar.
Marrëdhënia mes klientit dhe terapistit, në dallim nga ajo që besohet, është
shumë e ngushtë në terapinë frojdiane, edhe pse kuptohet që s’duhet të dalë
jashtë kontrollit.
Katharsis është shpërthimi i papritur dhe
dramatik i emocioneve që ndodh kur trauma del në sipërfaqe. Prandaj gjendet
edhe pakoja me shami letre poshtë tavolinës.
Insight-i është ndërgjegjësimi për burimin e
emocionit, për ngjarjen traumatike. Pjesa më e madhe e terapisë kompletohet kur
përjetohen katharsis dhe insight. Ajo që duhej të kishte ndodhur vite më pare –
por që ju ishit të vegjël për ta përballuar ose nën presione të ndryshme
konfliktuale – ka ndodhur tani, dhe ju jeni pranë të qenit një person më i
lumtur.
Frojdi tha se qëllimi i terapisë ishte i
thjeshtë “të kthente pavetëdijen në vetëdije”.
Diskutim
E vetmja gjë më e përhapur se admirimi i
verbër për Frojdin duket se është urrejtja e verbër për të. Sigurisht, qëndrimi
i duhur qëndron diku nga mesi. Le të shohim disa nga gabimet e dukshme në teorinë
e tij.
Pjesa më pak e pranuar e teorisë së Frojdit
është kompleksi i Edipit dhe idetë e ankthit të tredhjes dhe zilisë së penisit.
Cili është realiteti pas këtyre koncepteve? Është e vërtetë se disa fëmijë janë
shumë të lidhur me prindin e seksit të kundërt dhe shumë kompetitivë me prindin
e të njëjtit seks. Është e vërtetë se disa djem shqetësohen për dallimet midis
djemve dhe vajzave dhe kanë frikë se mos dikush do t’u presë penisin. Është e
vërtetë se disa vajza janë të shqetësuara apo dëshirojnë të kenë një penis. Dhe
është e vërtetë se disa nga këta fëmijë i ruajnë këto afeksione, frikëra dhe
dëshira deri në moshën e rritur.
Pjesa më e madhe e teoricienëve të
personalitetit, gjithsesi, i shohin këta shembuj si raste nëpër të, më shumë
sesa universale, përjashtime më shumë sesa rregulla. Ato ndodhin në familje që
nuk funksionojnë aq mire saç duhet, ku prindërit janë të palumtur me
njëri-tjetrin, përdorin fëmijët kundër njëri-tjetrit. Ato ndodhin në familje ku
prindërit denigrojnë vajzat për mungesën e tyre të penisit apo flasin për
prerje penisi tek djemtë e pabindur. Ato ndodhin veçantërisht në lagjet ku nuk
qarkullon as informacioni më i thjeshtë për seksin, dhe fëmijët mësojnë ide të
gabuara nga fëmijë të tjerë.
Nëse ne e shohim krizën e Edipit, ankthin e
tredhjes dhe zilinë e penisit në një këndvështrim më metaforik dhe më pak të
drejtpërdrejtë, ato janë koncepte të dobishme: ne i duam nënat dhe baballarët
tanë, por edhe jemi në garë me ta. Fëmijët ndoshta i mësojnë sjelljet standarde
heteroseksuale duke imituar prindin e të njëjtit seks dhe duke e pare tek
prindi i seksit të kundërt. Në një shoqëri të dominuar nga meshkujt, të kesh
penis – të jesh mashkull – është më mire se të mos kesh dhe humbja e statusit
si mashkull është e frikshme. Të duash privilegjet e të qenurit mashkull,
përveç organit mashkullor, është një gjë e arsyeshme për t’u pritur nga femrat
me aspirate. Por Frojdi nuk kishte parasysh që ne t’i shihnim këto koncepte në
mënyrë metaforike. Megjithatë, disa nga dishepujt e tij kështu bënë.
Seksualiteti
Një kritikë më e përgjithshme e teorisë së
Frojdit bëhet në drejtim të theksit mbi seksualitetin. Çdo gjë, si e mire edhe
e keqe, duket se rrjedh nga shprehja apo shtypja e impulsit seksual. Shumë
njerëz vënë në dyshim nëse ka apo jo forca të tjera që veprojnë. Frojdi vetë,
më vonë shtoi edhe instiktin e vdekjes, që tregoi se ishte një ide tjetër jo aq
e përqafuar.
Së pari më lejoni të theksoj se në fakt, shumë
nga aktivitetet tona në njëfarë mënyre janë të motivuara nga seksi. Nëse e
shihni me kujdes shoqërinë tone moderne, do të shihni që shumica e reklamave
përdorin imazhe seksuale, që filmat dhe programet televizive nuk shiten nëse
nuk përfshijnë stimuj të tillë, dhe se industria e modës është e bazuar në
lojën e vazhdueshme seksuale të “kukamsheftit” dhe se ne të gjithë e kalojmë
pjesën më të madhe të ditës duke luajtur “lojën e çiftimit”. Megjithatë ne nuk
mendojmë se e gjithë jeta është seksuale.
Por theksi i Frojdit mbi seksualitetin nuk
ishte i bazuar në sasinë e madhe të seksualitetit të dukshëm në shoqërinë e tij
– ai bazohej në shmangien e fortë nga seksualiteti, sidomos në klasat e mesme
dhe të larta, dhe sidomos në radhët e grave. Por ne harrojmë kollaj që bota ka
ndryshuar mjaft në 100 vjetët e fundit. Ne harrojmë se mjekët dhe priftërinjtë
rekomandonin një ndëshkim të forte për masturbimin, që fjala “këmbë” ishte një
fjalë e pisët, që një grua e cila kishte dëshira seksuale konsiderohej
automatikisht si një prostitutë e mundshme dhe se një nuse e re befasohej nga
ngjarjet e natës së parë të martesës dhe i binin të fikët kur e mendonte.
Është meritë e Frojdit që arriti të dilte mbi
qëndrimet e kulturës së tij për seksin. Edhe mentori i tij Breuer dhe i
shkëlqyeri Charcot nuk e kuptonin plotësisht natyrën seksuale të problemeve të
klientëve të tij. Gabimi i Frojdit ishte fakti që e përgjithësoi shumë dhe që
nuk mori parasysh ndryshimet në kulturë. Është ironik fakti që shumë nga
ndryshimet kulturore në qëndrimet seksuale i dedikohen në fakt veprës së
Frojdit!
Pavetëdija
Një koncept i fundit që kritikohet shpesh
është pavetëdija. Nuk argumentohet në lidhje me faktin nëse ajo ndikon në disa
nga sjelljet tona, por në lidhje me atë se sa ndikon dhe çfarë natyre ka kafsha
brenda nesh.
Bihejvioristët, humanistët dhe
ekzistencialistët besojnë të gjithë se (a) motivimet dhe problemet që mund t’i
atribuoheshin pavetëdijes janë shumë më pak nga ç’mendonte Frojdi dhe (b)
pavetëdija nuk është motori më i fuqishëm i aktivitetit tone. Shumë psikologë
sot e shohin pavetëdijen si gjithçka për të cilën ne s’kemi nevojë apo që
s’duam ta shohim. Disa teoricienë nuk e përdorin aspak këtë koncept.
Nga ana tjetër, të paktën një teoricien, si
Karl Jung, propozoi një pavetëdije para së cilës pavetëdija e Frojdit duket e
papërfshillshme! Por do t’i lëmë këto për kapitujt e ardhshëm.
Aspekte pozitive
Njerëzit kanë prirjen e pafatë që për një
plesht të djegin të gjithë jorganin. Nëse s’bien dakord me idenë a, b dhe c,
nxjerrin si përfundim se edhe x, y dhe z janë të gabuara. Por Frojdi na dha
shumë ide të mira, kaq të mira saqë janë përfshirë në mjaft teori të tjera, aq
sa ne harrojmë t’ia dimë atij për nder.
Së pari, Frojdi na bëri të ditura dy forca të
fuqishme dhe kërkesat e tyre tek ne. Dikur pas në kohë, kur çdokush besonte se
njerëzit ishin kryesisht racionalë, ai tregoi sesa shumë sjellja jonë ishte
produkt i biologjisë. Atëherë kur kushdo i shihte njerëzit si veçmas të
përgjegjshëm për veprimet e tyre, ai tregoi impaktin e shoqërisë. Kur secili i
shihte burrin dhe gruan në role të përcaktuara nga natyra ose Zoti, ai tregoi
sesa shumë vareshin rolet nga dinamika e familjes. Idi dhe superego – shfaqjet
psikike të biologjisë dhe shoqërisë – do të jenë gjithnjë me ne, në një formë
ose në një tjetër.
Së dyti është teoria bazë, duke u kthyer pas
tek Breuer, e simptomave të caktuara neurotike të shkaktuara nga traumat
psikologjike. Edhe pse pjesa më e madhe e teoricienëve nuk besonin më se të
gjitha neurozat mund të shpjegohen, apo se ishte e nevojshme të çliroje traumën
për t’u bërë më mirë, tani është kthyer në një besim të përhapur se fëmijëria e
mbushur me neglizhim, abuzim dhe tragjedi priret të formojë një të rritur të
palumtur.
Së treti është ideja e mbrojtjeve të egos.
Edhe nëse s’ju pëlqen ideja e Frojdit për pavetëdijen, është e qartë se ne
vazhdimisht përfshihemi në manipulime të vogla të realitetit dhe të kujtimeve
tona mbi atë realitet për t’i përshtatur ato me nevojat tona, sidomos kur këto
nevoja janë të forta. Unë do të sugjeroja që të mësoni t’i njihni këto
mbrojtje: do të zbuloni se kur u vini emra kjo ju ndihmon t’i vini re tek vetja
dhe tek të tjerët.
Së fundi, forma bazë e terapisë duket se është
ndërtuar gjerësisht prej Frojdit. Përveç disa terapive bihejvioriste, shumë
terapi të tjera janë një “kurë e të folurit” dhe ende përfshijnë atmosferën e
relaksuar fizike dhe shoqërore. Dhe edhe pse teoricienët e tjerë nuk
shqetësohen për idenë e transferenceës, natyra tepër personale e marrëdhënies
terapeutike shpesh shihet si me rëndësi për të arritur suksesin.
Disa nga idetë e Frojdit janë të lidhura qartë
me kulturën dhe epokën e tij. Ide të tjera nuk janë të testueshme kollaj. Disa
mund të jenë çështje të lidhura me personalitetin dhe përvojat e vetë Frojdit.
Por Frojdi ishte një vëzhgues i shkëlqyer i kushteve njerëzore dhe mjaft nga
ajo çka tha, ka vlerën e vet edhe sot dhe do të jetë pjesë e teksteve të
personalitetit edhe për vitet që do të vijnë. Edhe kur teoricienët dolën me ide
krejt të ndryshme mbi mënyrën se si funksionojmë, në fakt ata i krahasojnë
idetë e tyre me ato të Frojdit.
Comments
Post a Comment