Me bukë e krypë e zemër në sofrën tropojane

























Nga Albert Vataj
“Do të jesh të dielën për në Bajram Curri”. Ishte ky mesazhi që kolegu im Mina Hysa më dërgonte në Facebook. “Jemi të ftuar nga presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj në “Sofra Dardane 2014”. Ajo që zanafillon kësisoj në krejt atë që sajdis këtë gosti, ishte një “po” e imja aprovuese.
Plot 15 gazetarë dhe operatorë, në agimin e mrylët të kryeqytetit, lëshuam turrin me kah verilindjen e Shqipërisë. Mjeti, Mercedes Benz 18+1 vende i linjës Tiranë-Bajram Curri, u shkul prej parinës së Teatrit “Metropol”, për t‘u lëshuar përpara duke përshkuar rrugët ende të braktisura të kryeqytetit, që kridhej në gjumin e mëngjesit. Kur ende nuk ishim çliruar nga pushteti ngrehaluc i pallateve dhe gërmushjes hijerëndë të mureve të jargitur nga lagështia, mbi xhamin e mjetit që shigjetonte rrugën përpara, behën trokitjet e pikave të shiut.
Shërbimi sinoptik, për të dielën e kaplimit për nga zemra e bjeshkëve, nuk premtonte kohë të mirë, nga 34 gradë që shënonte një ditë më parë, për pritjen tonë koha do të ishte më e kursyer, parashihej ditë me shi dhe temperatura që do të varionin 14-15 gradë.
Rrugës për në Bajram Curri
Me frikën e shërbimit meteorologjik që rrekej ndër ne të gjente arsye për të mos e besuar, kur s’e kishim marrë veten prej trandjes detyruese të zgjimit, një rrebesh shiu u lëshua me tërbim e tërsëllimë duke shastisur kureshtinë e 15 palë syve, që ndiqnin këtë spektakël të natyrës, përtej xhamave të djersitur prej frymëmarrjeve të dendësuara. Kjo rendje si në ëndërr zgjatoi përgjatë gjithë rrugës me destinacion Bajram Currin, qytetin që na priste neve, syrin dhe zërin e një prej evenimenteve artistike, nga të paktat që do të gazmonin atmosferën e qytetit të vogël verior.
“Rruga e Kombit”, siç dhe do të merrte emrin prej nënshtrimit vetanak të maleve, gjarpërimit të një arterieje me rëndësi kombëtare, shfaqej e strukej para vërshimit tonë të shtruar, përmes shiut që binte dhe reve që ndereshin duke strukur nën vete malet e duke përmbytur luginat.
Pas ndalesës në Kukës për pak motivim kulinarik dhe përmendje, rinisemi drejt Morinit, nën shoqërinë e një shiu monoton dhe një qielli gri. Hera-herës shkrepnim foto duke memorizuar pamjet që i gërvishtte ecja e makinës. Operatorët filmonin tek-tuk plane, që do të përbënin më pas lëndën e mjaftueshme për kronikën e udhëtimit.
Kur ata që thyejnë rregullat, përballen me njeriun e ligjit që shkel ligjin
Kishim mbërritur në doganën e Morinës, këtë, kush më mirë do të na e thoshte sesa ulërima e një zëri që vinte nga kuadrati i sportelit të kabinës së kontrollit mbi shtangien tonë. Kjo britmë e njeriut të ligjit, e derdhi në hutim shpengimin tonë, e ngriu si në fokus harlisjen e zërave dhe qeshjeve. Edhe pse mungonte sinjalistika e domosdoshme, ishte i ndaluar filmimi dhe fotografimi në atë zonë, siç mungonte edhe takti i asaj krijese që i besonte vetëm ulërimës, si mënyrë komunikimi, atij efektivi të personelit të doganës, që legjitimon brutalitetin si mekanizëm shërbimi. Gazetari që filmonte, u desh të zbriste nga mjeti, duke shkuar kokulur dhe i zënë në faj, pas britmës, për t’u përballur me policin doganor dhe për t’iu bindur fshirjes së sekuencës së xhiruar. Ky ishte kontakti i taksapaguesit me shërbestarin e shtetit të ligjit dhe çomangën e Maliqit. Kësisoj u përplas në ne kjo formë komunikimi, kjo trajtë e ndërmendjes, se diçka ishte ndaluar në këtë shtet që përpëlitet në pamundësitë për t’u bërë e për t’u ndjerë si i tillë, nën lëkurën e këtij imazhi me të cilën je i detyruar të përballesh, në të hyrë e në të dalë të Shqipërisë sonë të dashur.
Sosëm në Tropojë
Për të mbërritur në Bajram Curri janë tri mundësi, ose më saktë, ishin aq. I vetmi shteg për të kapluar saora atje, ka mbetur ai i hyrje-daljes nga territori i Kosovës, duke përshkruar një pjesë të saj. Duke mënjanuar sakaq dy mundësitë tradicionale, atë me traget nëpër shkitjen ledhatuese të Drinit magjik dhe nga Qafa e Malit, ku të pret e të përcjell një prekje ngjethëse e mrekullisë së bjeshkëve.
Gjithqysh, pas më shumë 5 orësh nga Tirana, mbërrijmë në Tropojë, ku pritemi nga një kohë e mirë, së paku jo me shi dhe drejtuesi i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, i cili mirëseardhjen tonë e zyrtarizoi në bar-restorantin e hotel-turizmit e qytetit, ku do të na rezervohej një pritje e ngrohtë dhe një drekë e darkë zemërbardhë, ose siç thuhet, me “Bukë e krypë e zemër”.

Tropojë, 800 vjet Arbër shtrohen me këngë e valle në “Sofra Dardane 2014”
I startuar në pasditen e 15 qershorit, pas tri netësh, ka ulur siparin në qytetin e Bajram Currit, edicioni i 12-të i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, “Sofra Dardane 2014”. Në stadiumin e lojërave me dorë, “Amfiteatrin e Tropojës”, nën peshën e një atmosfere festive, gjëmimit të tupanit e piskamës e cyrleve, e nisi dhe e sosi rrugëtim e vet kjo sprovë e flokut gjithëshqiptar. Kostumet dhe ngjyrat, hareja dhe galdimi, llamburitën tablonë e murrme të kohës së vrenjtur e fillërimit të halorëve që qarkojnë qytetin e vogël verior.
Qindra banorë të qytetit e të zonave përreth, të ftuar e dashamirës të folkut, kësaj pasurie shpirtërore të kombit shqiptar, u bënë gjerdani më shndritës i mikpritjes së mbi 500 këngëtarëve, valltarëve, instrumentistëve dhe rrugëtuesve artistikë që kapluan Tropojën, për të kumtuar jo dhe aq pjesëmarrjen, sesa dëshmimin e trupëzimit arbnor 800-vjeçar, me vullnesën e artit, këtij visari estetik, kësaj memorie të bashkëjetesës ndër shekuj të shqiptarëve me të bukurën.
Në një klimë të tensionuar harrimi dhe mospërfilljeje, bojkoti shtetëror dhe anateme krahinore e politike, kjo sofër ia doli të shtronte gostinë e vet të 12-të, të çelte zemrën dhe konakun për krejt ata që gazmuan me pjesëmarrjen e tyre dhe lumnuan me vullnesën kombëtare.
"Sofra Dardane", Festivali Folklorik i Tropojës
Festivali “Sofra Dardane” ka si qëllim kryesor hulumtimin, ruajtjen dhe pasurimin e vlerave folklorike dhe etnografike mbarëkombëtare, të trevave të Veriut të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, që gjeografikisht përbëjnë Rrafshin e Dukagjinit.
Për të krijuar një atmosferë sa më festive dhe për t’u ndjekur nga të gjithë artdashësit tropojanë dhe me gjerë, shfaqjet e konkurrimit dhe ato të përshëndetjes zhvillohen në sheshin qendror të qytetit, si dhe në sheshin karakteristik në luginën e Valbonës, në funksion edhe të turizmit kulturor. Kjo veprimtari përveç pasurimit dhe gjallërimit të jetës artistike-kulturore të qytetit, shërben edhe për zhvillimin e biznesit vendas, si dhe ndërthurjen e vlerave të trashëgimisë shpirtërore me vlerat e turizmit dhe bukurive natyrore të kësaj treve.
Tradita që jeton me brezat
Magjia e këtij fest-folku ishin fëmijët, gjenerata e trashëgimisë së kësaj pasurie, pasuesit e kësaj stafete që kaploi shekuj; përmes flakës së luftërave, përrenjve të gjakut, tokës së lëruar prej varreve, qiejve të grisur prej pezmit e idhnimit, për të mbërritur sot, në të tashmen e iPhone-ve e intolerancës e mërive politike, në të sotmen e nanoteknologjisë dhe rrugës me mushkë, në të këtuhen e tryezës me ingredientë të modifikuar gjenetikisht dhe bukës me çerep e flisë.
Jetë prej jetës së tyre i dhanë këtij gazmimi shpirtëror. Me shenjnim e prekën prej t’prushtave pasione, shpërthimit të dritave dhe ngjyrave që stolisën ëndjen, e mbushën zemrat e mëdha të banorëve të këtij qyteti të vogël, njerëzish të zëshëm, trima e patriotë.
E ndërsa në Bajram Curri, është e çuar sofra, janë falmeshnetë me mysafirët dhe në eter vërtitet hareja e kësaj bujtjeje këngësh e vallesh, ngjyrash e kostumesh, me borxh nuk iket. Kësisoj, mirënjohjen më të epërme e meriton qyteti i Bajram Currit dhe bujaria e banorëve të saj, zemreku i kësaj kambane folku, kreu i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, kryebashkiaku Agron Demushi për asistencën e tij dhe “Vodafone Albania” për melhemin në plagën e pamundësive financiare.
Vetëm miq u shtrofshin në bukën tande “Sofër Dardane”. Të gjatë e paç jetën e të mirë vullnesën.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk