Telefonata e keqkuptimit për statusin e Shqipërisë, kandidat për antarësimin në BE
Nga Albert Vataj
Ora sapo kishte kaluar 22:00, kur kolona muzikore e këngës
"Mall" e të madhit Frederik Ndoci, tingëlloi në celularin tim. U
zhvendosa me praninë time fizike dhe këtë jare shkodrane, për t'iu përgjigjur
telefonatës në atë orë mbrëmjeje. Më merrte një i afërmi im. Hajër thashë, në
këtë orë. Një "Alo" e imja e
alarmuar iu përgjigj zërit të ngeshëm që vinte nga ana tjetër dhe zhaurimës që
depërtonte nga ambienti prej ku ai telefononte. Pasi u sigurova se telefonata
nuk kishte përmbajtje haberesh të këqija, mora frymë thellë dhe me një lloj
bezdie, iu drejtova për të mësuar se për çfarë më telefononte.
Për pak sa e harrova se ishte mbrëmja e dehjeve të marrjes
së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe
Botërori "Brazil 2014".
"Desha të të pyes, - më tha, - nëse marrja e statusit
na lehtëson mundësinë e lëvizjes në vendet e BE për një afat më të gjatë se
90-ditor, të drejtë të cilën shqiptarët e gëzojnë që 15 dhjetorin e vitit 2010".
Një "Jo" telegrafike, më ngjau se ishte e
pamjaftueshme dhe madje krijoi edhe ilaritet në ambientin e telefonuesit.
"Regjimi i lëvizjes pa viza në zonën Shengen nuk pëson ndryshim, me sa di
unë", u përpoqa të qetësoj tonin e prerë dhe kategorik.
"Gjatë periudhës 90-ditore të qëndrimit në një nga 28
vendet e Bashkimit Europian, nuk u sigurojnë qytetarëve shqiptarë të drejtën
për të jetuar më shumë së 3 muaj. Gjithashtu, u privohet e drejta e punësimit
në këto shtete. Kjo e drejtë është e mundur, - vazhdoja ta shpjegoja të
interesuarin, - nëpërmjet një aplikimi të detyrueshëm që duhet bërë pranë
ambasadës apo konsullatës së vendit pritës. Kjo nëse ju jeni të detyruar të
qëndroni, në një nga vendet e zonë Shengen për një periudhë më të gjatë kohore,
sesa afati i përcaktuar në liberalizimin e lëvizjes së lirë në vendet e BE.
Zakonisht këto qëndrime afatgjata duhet të jenë për arsye shëndetësore,
biznesi, studimesh, por edhe për arsye pune".
Për t'i hedhur balsam në plagën e këtij zhgënjimi, unë
vazhdova në telefonatën sqaruese. "Edhe vetë qytetarët e vendeve anëtare
të BE-së nuk kanë të drejtë të qëndrojnë për një periudhë kohore afatgjatë, më
shumë se tre muaj, në rast se nuk kanë arsye të motivuara qëndrimi, për punë,
biznes, studim, madje kjo duhet mbuluar dhe me koston financiare, e cila duhet
të jetë e garantuar".
Nga ana tjetër e telefonit, kishte rënë qetësia. Nuk ishte
dhe aq hutimi i rezultatit zhgënjyes të Italisë që kishte nënshkruar largimin
nga "Brazil 2014", sesa ajo që ata dëgjonin nga viva-voce e
telefonuesit.
Duke vazhduar munda ta sqaroj, por jo ta bind mbase, se
BE-ja në filozofinë e saj ka lëvizje të lirë të punëtorëve dhe jo të
qytetareve, që do të thotë, se qytetarët nuk mund të lëvizin aty ku kanë
dëshirë për të jetuar, në rast se nuk kanë arsye pune, studimi, shëndeti, dhe
se duhet të kenë mundësi financimi të siguruara për periudhën e deklaruar të
qëndrimit. Rregullat për qytetarët e BE-së kërkojnë që në rast se lëviz për më
pak se tre muaj, nuk ke detyrim për t'u deklaruar në shtetin përkatës (kjo
varet edhe nga shteti pritës), por në rast se i kalon tre muaj, ke detyrim
ligjor të deklarohesh dhe në këtë moment të bëhet me dije administrata e
atyshme, e cila nga ana e saj kërkon që për regjistrim nevojitet kontratë pune,
studimi, burime financimi, pra deklarimi i të ardhurave me të cilat do të
jetosh, sigurimi shëndetësor etj. Në rast se nuk deklarohesh dhe qëndron përtej
afatit të përcaktuar prej 90 ditësh, rrezikoni penalitetet e parashikuara
ligjore.
Statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian është
kthyer tashmë në kryefjalën e ditës dhe keqkuptimesh të mëdha. Shumë pak e dinë
ç'nënkupton ai dhe ç'përfitojnë realisht qytetarët. Një pjesë e konsiderueshme
e lidh marrjen e statusit dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, me mundësinë
e lëvizjes së lirë, zhvendosjes për të jetuar dhe punuar në vendet ku ata
dëshirojnë. Kjo nuk është e mundur dhe i duhet bërë me dije të gjithë
opinionit, nëpërmjet formave dhe mjeteve të komunikimit. Impaktin kryesor,
fitimi i statusit do ta japë në ekonomi. Konkretisht, në shumëfishimin e
fondeve që vendi përfiton nga BE. Por krahas parave, që nga ky moment, shtohet
dhe monitorimi dhe përgjegjësia me të cilat do të përballemi.
Është një ndikim që shkon jo vetëm për institucionet
shtetërore, por edhe tek grupet e shoqërisë, duke përmendur fermerët, krahun e
punës, i cili nuk ka kualifikimet e nevojshme dhe do të disbursohen fondet nga
BE që kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore, të rëndësishme që do të
nxisin zhvillimin ekonomik e social. Këto fonde nuk vijnë automatikisht, ka një
tjetër kusht që duhet plotësuar, që është ai i ngritjes së institucioneve të
cilat do të merren me menaxhimin e kontrollimin e gjithë procesit.
"Kjo është gjithçka që mund të të sqaroj, i
dashur", - i thashë personit me të cilin konsumova një telefonatë të gjatë
dhe larg, shumë larg pritshmërive që dëshironte ai.
Për ta ngushëlluar, nuk mora përsipër të bëja ekspertin e
politikës së lëvizjes së lirë në vendet e zonës Shengen, por gjithsesi bëra një
përpjekje modeste për të qartësuar keqkuptimin e kësaj telefonate për marrjen e
statusit.
"Një faleminderit", që u artikulua nën zë nga
telefonuesi, i dha fund bisedës, por jo bindjes së tij të verbër se marrja e
statusit dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është kurorëzim i
një eksodi, ikjeje për të kërkuar një të nesërme më të mirë, diku gjetkë.
Comments
Post a Comment