Arthur Rimbaud, shndriti dhe u shua si një meteor
Nga Albert Vataj
Ai nuk ishte vetanaku tragjik në udhën e shepenguar të
jetësimit pasionues. Nuk bëri asgjë më shumë ngase mëheret e mëvonë bënë
sëmbimet e “kalorësve të ferrit” në natën e llamburitur yjesh të gjenialitetit.
Ai, Arthur Rimbaud, shndriti dhe u shua si një meteor. Me penën majëmprehtë ai
shkroi lavdinë dhe mohimin, katapultoi eterin dhe u gropos në skutat më të
terrta të vetmisë. U lëshua në krahët e potershme të Parisit vullnetlirë dhe
ëndrrimtar, sosi si një katolik i devotshëm dhe u kapit si një heretik.
Kujtesë dhe mirënjohje
Arthur Rimbaud, lindi 160 vite më parë, më 20 tetor 1854 në
Charleville, provincë e Francës. Prej armatës së fjalës së shpirtit, shkulmit
të sentimenteve, drithmave të mishit, Arthur Rimbaud është ndryshe nga të
gjithë, krejt tjetërlloj. Gjithqysh, jeta dhe krijimtaria e korifeut të vargut
të lirë dhe i figurës poetike, mëtojnë tjetërçka ngase rëndom jemi rrekur të
përftojmë nëpër dritëlëshime të jetës dhe aktit solemn të krijimit, ndër
autorë, pararëndës dhe dishepuj.
Arthur Rimbaud, nuk ka asnjë mëdyshje në të qenin një poet i
famshëm francez, anipse lavdia ishte ajo që e ngjiti në kryq gjithë trazim.
Përmasa e lirisë që rroku ai shpirt i regjur dallgëve të pasionit dhe
shpengimit e plazmuan në memorin e trashëgimisë së poezisë, si një visar. Gjatë
lëvizjes dekadente, ai u ndikuar ngultas përnga letërsia, muzika dhe arti
modern, duke mbetur i tillë edhe në maksimësn që la".. me doemos duhet të
jesh modern". Krijimtaria e Rimbaud spikat për veçantinë e saj dhe kritika
e ka konsideruar si shumë origjinale në lëvizjen simbolist.
Kaplimi i "foshnjës shekspiriane", siç do ta
quante Viktor Hygo, rend nëpër një densitet të lartë përjetimesh dhe
aventurash. Ai jeton si apostull pasioni në gërmadhat e normave gjaksore të
moralit. Në gjithë këtë skenë mëkatimi ka çmos; pije pofund, konsum substancash
haluçinative, pasion e perversitet, deri te krismat e armëve, plumba, plagë dhe
dergjie pas hekurave. Përreth këtij jetëshkurtëri të famshëm, këtij shpërthimi
pararëndës të surrealizmit, një tymnajë anateme dhe brerore hyjnizimi ngrihet.
Arthur Rimbaud e zanafillon me poezinë në kalvarin e
adoleshencës, tekave dhe perversiteteve, pasionit dhe marrosjes pariziene,
vetëm gjatë 5 viteve (15-20 vjeç). Kësomoshe mëton të mbetet një shpërthim i
rrëmetshëm krijues, vezullim i cili shuhet beftas duke lënë nga pas një habi dhe
përçmim nga bashkëkohësit, por një mirënjohje dhe dakordësi nga gjeneratat. Ai
ishte dritim që feks papritmas dhe kaq tinzisht ikën duke gërryer një gropë të
thellë mungese dhe abandonimi.
Ky njeri i shthurur dhe shpirt i shqetësuar, nuk e dha veten
asnjëherë. Brodhi pandalim në tre kontinente, armatosur me poliglotin dhe
sqimën e sharmantit me vete. Bëri poetin dhe tregtarin, aventurierin dhe
nihilistin, zullumqarin dhe tekanjozin, pa mëshiruar aspak dhe pa u ndjerë në
pendim. Natyrisht që pjesë e sendërtimit të kësaj embleme të allasojtë të
letërsisë francezë dhe të gjëmës së tabuve është marrëdhënia e tij me simbolistin parizien të poezisë, Paul
Verlaine, me të cilin u njoh kur ishte ishte vetëm 17 vjeç, kur ai jepej
marrues dhe zotnues, gjithqysh, përmbikrejt me poetin në apogje.
Shpërthimi i meteorit
Në dhjetor të vitit 1873, Arthur Rimbaud i bindet sëmës, për
t'u kthyer në vendlindje Charleville. Asokohe shkroi një nga vëllimet e tij më
të famshme, "Një stinë në ferr". Ishte po ajo, nëna, që do ta ndihmonte
të botonte librin, libër i cili e ndau nga miqt e tij të letrave, e vrau si
poet, e arratisi si shpirt lirie, por pa e vrarë si kumtues. Mohi nuk do të
kridhej pa lënë vragë të thella dhe lënguese në shtatin prej kurbani. Kjo bëri
që Rimbaud të braktiste i dëshpëruar Parisin dhe te kthehej pranë të dashurve
të zemrës në Charleville. I dalldisur nga pezmi i braktisjes, dogji jo vetëm
disa dorëshkrime që kishte marrë me vete, por dhe kopjet e vëllimit "Një
stinë në ferr".
Ishin ata, poetët e "Parnasit" që e braktisën. Dhe
ai, për 15 vite iku, u zhduk, i'u lëshua Orintet cep më cep, me poetin në
zemër, duke u marrë me tregti kafeje, fildishi dhe armësh. Deri në pranverën e
vitit 1891, kur dhimbjet e tmerrshme dhe entja e këmbës e zbojnë përdhunshëm
nga bota e harrimit, nga parajsa tokësore e indigjenëve. Këtë realitet idilik e
prekim dhe e ndjejmë nëpërmjet letërkëmbimeve që Arthur Rimbaud kishte me
tëmën, motrën zemërdhemsur Isabelle dhe disa miq të pakët. Ngjyresat e hareshme
dhe kumtin flakatar, me të cilën ai vizaton Afrikën e largët, rrëfejnë se me sa
dhimbje e brengë u detyrua të ikte pa kthim. Ngarkuar mbi ëndrrën për jetën ai
kapërcen përgjithmonë Lumin e Vdekur duke i ikur kancerit vdekjeprurës që
mbushi me pezëm e hidhërim dhe duke e lënë më një këmbë.
Deri në mëngjesin e 10 nëntor të vitit 1891, kur ai shuhet
në moshën 37-vjeçare. Dy gra me të zeza e përcollën në rrugën e pasosun.
Comments
Post a Comment