Oskar Uajlld, shkallmuesi dhe preja e moralit puritan



Nga Albert Vataj
Tash 160 vite më parë lindi më 16 tetor 1854 në Dublin, Oskar Uajlld. Merr jetë për t'u plazmuar në amshim, kurmi zjarmues i penës më magjepsëse e gjeniut rebel. Morali puritan nuk kishte pre më të qenësishme në art që prej viti 1558 kur lindi, se sa Oskar Uajlld, atë që i’a shiti shpirtin djallit më thekshëm se askush më heret. Oskar Uajlld mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm nga çdo qasje fillimore; për ta përcaktuar, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës. Si në të përditshmen e ngasuar nga një jetë e shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar.
Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkasë të modeluar nga kodi i skizmës viktoriane. Ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozit, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet cytëse të civilizimit të asokohjes. Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë.
Edhe në çastet më kritike të jetës, që mbeten në ndërkohjen e strukët të agonisë, Oskar Uajlld u tret duke ndritur, si një kandil, dritë e cila udhërrëfen atëmot, tash e përgjithmonë, dyke kungu krejtkah atë galeri shpirtrash eternë. Sa më shumë që atij iu ndërsyen, aq më thellë ai u injektua në gjakun e kohës, aq më shenjtëruese do të mbeteshin në shkulmet e zjarmta të pasionit. Gjithçka që la në art, është pjesë e reflektimit, sjelljes dhe mëtimeve që kumtoi epokës në ngjizje.
Ky rebel, ky "hero i së keqes", skaliti mbi muret e rrjepura të Londrës, jo vetëm emrin e patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. Qiellgërvishtësit e tij të lirisë, edhe sot, çajnë retë e konformizmit dhe fanatizmit. Predikoi vetveten dhe personazhet me të hyjshmen që shuguronte arti. Promovoi doktrinën e artit-njeri. Thundra e rëndë e anatemës e vu përfundi shpirtin që "Mund t'i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit". Buja e zëshme e gjithçkasë e veshi me famë dhe lavdi, por nuk u kursye ta çirrte përditë e më ethshëm portretin që formësoi përplot pasion dhe përkushtim.

Ish-i dashuri të tij, lordi Alfred Douglas, do të kumtonte për Oskar Uajlld se: "Ai ishte një ndër forcat më të fuqishme të së keqes që u përplas në Evropë, në 300 vitet e fundit. Askush tjetër nuk ia shiti shpirtin djallit më shumë se ai".
Si nxitës  dhe përhapës i flaktë i teorisë së ndikimit të vlerave të artit në jetë, ai mishëroi më të epërmen përvoja në krejt larminë e vet.  "Moderimi është diçka fatale. Asgjë s'është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre", kjo maksimë e Oskar Uajlld është, më së shumti, tharmi që nxuni një nga tiparet më të pazakonta të filozofisë në art. Pikërisht, teprimi dhe kryekëput, sentenca "Unë mund t'i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve", përmbushën në perimetrin e së tërës, një gjeni kokëkrisur.
Paragjykimi dhe keqkuptimi mbeten deri në fund të të gjallëve të tij, ajo që shoqëria e asokohëshme mëtoi në rrafshin e këndshikimit të gjithçkasë që ai kumtonte. Megjithëse në jetën nuk u plagos asnjëherë nga vetmia, ishte kryekëput ajo që i skaliti me një përkujdesje mizore gurin më të rëndë të varrit. Shoqëria dhe koha, ajo që e ngriti në qiejt e lavdisë dhe përkorjes, e paragjykoi duke e gjykuar, e anatemoi duke e dënuar, jo vetë me burg, por edhe me përçmim. Dhe ylli i tij shndritës do të strukej nën zhelet dhe zhulin e harrimit dhe nëpërkëmbies. Çdo lëvizje, për nga një stuhi çmendurish dhe pasionesh të shpenguara, merr yshtje nga fondamenti dhe qëllimësia e tij artjetuese.
Gjeniu Oskar Uajlld nuk kishte marrë pak nga familja, thuajse e jashtëzakonshme. Natyra rebele dhe gjestet teatrale ishin dhuratë e së ëmës, Jane Francesca Algee, që mburrej me prejardhjen e saj italiane.
Tërheqjen nga veset, ato të cilat e ngritën në qiejt e pafund dhe e fundosën në terrin e pamatë, Oskar i kishte trashëguar nga i ati, William, okulist i Mbretëreshës Viktoria dhe një Kazanovë i zedhshëm.
Qejfet e shfrenuara, netët pa gjumë e përplot me gosti e shkëlqim, do të ngjishnin fort brendinë dhe pasionet, gëlimi i të cilave shprehej me shpërthim. Dogma "Arti për art",  kunguar nga Uollter Peiteri, do ta  yshtte përpara me një ambicie që gjallonte te "Princi i gjuhës", epitet që i ngjitën miqtë në Kolegjin Magdalen të Oxfordit.  Përmbledhja e tij "Poezi" daton më 1881. Asohere hidhet në teatër me "Unaza e Fejesës" dhe "Nihilistët", qasje këto që do ta ndikonin dukshëm në vendvendosjen në kryeradhë.

Një vit më vonë, kapërceu Atlantikun për një turne leksionesh me tematikë, lëvizjes estetike. Njeriun sharmant dhe me tendencë ekstravagante në veshje, do të rrëmbente përnjëherë zemrën dhe shpirtin e asaj bote që ngjitej. Amerika do ta priste dhe ngjishte me mbresa. Ky hop do ta njihte me personalitete dhe intelektualë të njohur, një prej të cilëve do të ishte Uitmani i madh, i cili edhe e ftoi në shtëpinë e tij. Më 1882, Parisi do t'i pasuronte njohjet me majat e artit që nga ati i "Njeriut që qesh", "Të mjerët", Viktor Hygo deri te poeti i avangardës, i shfrenuari Varlen. S'la altar të artit parizien pa marrë kungim s'atyshmi. Kalendari i Oskar Uajlld do të cekte në vitet 1887-1891, periudhë kur gjenialiteti shpërthyes do të plazmonte gjithnjë e më fort, do të ngjiste gjithnjë e më lart, yllin e tij. Një larmi gjinish në letërshkrime. Asokohe do të lindte "Prototipi milioner", "Krimi i Lordit Artur Sabil", "Rënia mashtruese", "Një borgjez i pamoralshëm" dhe kryeveprën "Portreti i Dorian Greit". Njohja dhe afria emotive me lordin Alfred Degllas do të dyzonte jetën e shkulmet zjarrmtare të shpirtit, do ta hidhte në krahët e një jete qejfesh të shfrenuara, pa drojë e kokëçarje, por jo pa pasoja. Prirja e tij homoseksuale shndërrohen në një gropë e thellë përpirëse. Lidhja me Degllas do të ishte një vetvrasje e parathënë. I ati i lordit do ta yshtte në një betejë ligjore Oskar Uajlld, të cilin ky i fundit e humb, duke humbur njëherazi lirinë për dy vjet dhe lavdinë.
Në kryeveprën e tij "Portretit të Dorian Greit", Oskar Uajlld, vazhdon të na flasë për veten, si për të na bindur me çdo kusht për batutën e thënë para Andre Gide: "Gjenialitetin tim e kam përdorur në jetë, në veprat e mia kam vendosur vetëm talentin dhe kjo është tragjedia e madhe e jetës sime". Në këtë tragjedi, ku përfshihen farsa dhe melodrama, vazhdon të lulëzojë miti. Ikona moderne mbeti në amshim. Tash pas 160 vjetësh, nuk mund të mos mendosh se esteti ekscentrik i salloneve të fundshekullit është me të vërtetë një ikonë jashtëzakonisht moderne. Ashtu si eleganca dhe talenti provokues mediatik, i parakohshëm, Oskar Uajlld ka qenë një predikues i ekstravagancës. Vdekja e gruas, Constance Lloyd, më 7 prill 1898, në Xhenoa, një brune irlandeze me të cilën pati dy fëmijë, Cyril dhe Vivian, do të jetë fillimi i fundit të tij tragjik. Agoni që do të numëronte ditët e zeza në Francën Jugore. Gropa e thellë e vetmisë dhe anatemës nisin duke e thithur gjithnjë e më thellë në terrin e acartë, ku ai zvarritet si një bishë e plagosur. Tashmë, atë e dëbojnë, e pështyjnë, e shtyjnë, s'e njohin, s'e përfillin. Kjo panoramë e mrrylët, tejet e trishtë dhe mizore, e ndjek deri në buzë të varrit. Më 30 nëntor 1900, bien në koma dhe pas pak, vdes në duart e hotelierit. Gjeniun e madh, ai që u duartrokit me ovacione dhe triumfin e tij të letrave, e ktheu në epokë ndryshimesh dhe ardhmërie. Vetëm shtatë persona e përcjellin trupin e tij të pajetë për në banesën e fundit. Tre prej tyre ishin anglezë, nga ata lordi Alfred Degllas, i cili vinte në Francë nga Suedia, i cili pagoi dhe varrimin. Prehja e tij e fundit u bë jashtë Parisit. Vetëm kurora e hotelierit ishte me dedikim: "Qiraxhiut tim". Nëntë vite më vonë, më 1909, trupi i tij u rivarros në Per Lazhezë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk