55 vite nga vdekja e mistershme e Albert Kamy




Nga Albert Vataj

Askush nuk do të besonte në një fund të këtillë tragjik dhe misteriaoz që i ra për risk, gazetarit, publicistit, dramaturgut dhe romancierit nobelist, Albert Kamy. I gjithë opusi letrar i absurdit të egzistencës së njeriut, gremiset në minutin tragjik të fatit të Sizifit absurd. Mëngjesin e së hënës të 4 janarit 1960, 55 vite më parë, filozofi dhe mendimtari radikal, Alber Kamy do të largohej vonë nga Hoteli “Chapon Fin” i qytezës franceze Tuasej, ku ishte akomoduar për të rendur drejt shtegut fatal. Udhëtonte me makinën e botuesit të tij, Mishel Galimard, që manovronte makinën. Kamy ishte i ulur pranë Galimardit, ndërsa bashkëshortja e këtij të fundit, Zhanina, gjendej e rehatuar në sedilen e prapme pranë vajzës së saj dhe qenit të racës “terrier”. Kjo ishte pak a shumë sinopsi i këti udhëtimi fatkeq. Krejt papritmas në lartësinë e Peti-Vijeblevin, makina devijon për tu përplasur fatalisht pas një rrapi krah vijës ndarëse të rrugës. Albert Kamy do të këputej së gjalli, si një dritë qiri që një shkulm fryme e ndal dritimin e praruar, ndërsa bashkëudhëtari do të kishte të njëjtin fat pas disa ditëve përpjekje agonike në spital. Një fund absurd për atë që me absurdin e ekzistencës ishte përballur triumfalisht si në rrapëllimat e jetës ashtu edhe në faqet e mbrujtura përplot nerv të librave të tij.
Kështu u shua në moshën 46-vjeçare një prej penave më me ndikim në shekullin XX, një prej zërave më të fuqishëm dhe mendimtarëve më kurajoz. I kësisojtë ishte fundi i autorit i të romaneve, “I huaji” dhe “Murtaja”, dhe monumenteve të mendimit filozofik “Miti i Sizifit” dhe “Renia”. Laureati i Nobelit në letërsi, tre vite më për “përqafon” vdekjen në një aksident automobilistik, i cili edhe sot pas 55 vitesh vazhdon të mbetet e mbërthyer nën një mjegull të dendur misteri. Mes atyre llamarinave të shtrembëruara, me kafkën e thyer dhe qafën e këputur, përfundon mundin e tij prej Sizifi ekzistencialisti me fytyre njerëzore, “humanisti” libertin. Fundi fatal nuk do të kursente vullnetmirin, ngadhënjimtarin dhe dalzotësin e pashoq të fatit të shtypurve.
Mbi shkaqet e daljes nga rruga të makinës, që rezultoi fatale për Kamynë, dhe njëkohësisht për vetë Galimardin, kanë lulëzuar shumë hamendje: “Aksidenti dukej se ndodhi për shkak të bllokimit të një rrote ose thyerjes së një aksi, por edhe ekspertet nuk dinin si ta shpjegonin atë aksident katastrofik mbi një rrap, në një rrugë 9 metra të gjërë dhe pa trafik”, mëtohet të ketë kumtur në përpjëkjen për të hedhur dritë në terrin e gnjeshur të misterit të këtij fundi fatal, biografi Herbert R. Lotman ne librin monumental të tij, “Kamy”  botuar më 1984.
Por, një dokument i panjohur që publikohet spariherë para disa vitesh qaset të  davarit mjegullën e dendur që mban të mbështjellë të vërtetën që mori jetën e një filozofi dhe mikut të tij. Kjo përpjekje e një disidenti çek hedh një rreze drite të habitshme dhe njëherësh tragjikisht ëe arsyeshme. Aksidenti hamendet të jetë vepër e gatuar në zyrat e kobshme të KGB-së. Madje shkohet deri aty sa të drejtohet gishti nga persona konkret të iniciuar prej mërive që zanafillojnë prej penës dhe mendjes së antikonformistit. Akuzohet direkt ministri i asokohshëm i Ministrisë së Brendshme ruse, Dmitri Trofimovic Shepilov, të cilin Albert Kamy e kishte sulmuar drejtpërdrejtë për pushtimin e Hungarisë nëpërmjet një artikulli të gazetës “Franc tireur”, në mars 1957. Opinioni publik dhe kritika janë të prirur të besojnë në këtë hamendje, si në një të vërtetë të pakontestueshme. Ai që “guxon” të ngre krye dhe të dëshmojë është një personazh aspak ekuivok dhe i padyshimtë për mitomani. Bëhet fjalë për poetin dhe përkthyesi çek, Jan Zabrana, i cili rreket ta çlirojë prej misterit këtë fund tragjik të Kamysë dhe këtë e mundëson në një faqe të ditarit të tij “Cely Zivot” (E gjithë jeta), publikuar pas vdekjes më 2004 nga shtëpia botuese “Torst” e Prages.
I ndare nga jeta në vitin 1984, Zabrana, falë të cilit u përkthye në çekisht edhe romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut. Ai kishte provuar burgjet pas vitit 1948 dhe u përndoq bashkë me familjen gjatë regjimit komunist, i cili ndaloi dhe botimin e poezive te tij. Asokohe ai u detyrua të merrej me përkthime, mbi të gjitha nga rusishtja. Kështu ai mund të njihte ambientin politiko-kulturor të atij “burri që di shumë gjëra, dhe ka burime nga mund t’i marre”. E citon ditarin e tij pa e përmendur në emër duke iu referuar një burimi te saktë në kontakt me shërbimet sekrete sovjetike. Ky ditar u bë publik rregullisht në edicionin e gjuhës çeke, origjinali i së cilës ruhet nga bashkëshortja, Maria Zabranova, i kataloguar si “Fletorja blu numër 91”.
Ai që e ka zbuluar këtë thesar të tragjikut është shkrimtari italian, Antonio Tabuko, i cili “jeton në Pragë nga larg” dhe publikon lëmuesve në “Pais”. Por sapo mundet vrapon për në qytetin e Rudolfit II dhe Franc Kafkës, të Arcimboldit dhe Golemit, sikur ta kishte një atdhe të shpirtit. Behet fjalë për kremonezin Xhovani Kateli, autor i dy përmbledhjeve në prozë të shkurtër “Gjeografi dhe Largesi”, ndersa kumton edhe librin e parë me poezi, “Trena”.
“E frekuentoj Pragën prej më shumë se 20 vjetësh”, tregon Kateli, “dhe e njoh mire Maria Zabranovan, e cila ka mbikëqyrur versionin çek të librit “Gjeografi”. Kur, ndërsa lexoja ditarin e burrit të saj, u gjenda përballë lajmit që lidhej me vdekjen e Albert Kamysë. Pata një lloj shoku. Hidhte një dritë të re mbi fundin e një autori shumë të rëndësishëm për formimin tim dhe të kushedi sa të tjerëve. E mora si detyrë për t’ia bërë të njohur të gjithëve”.
Ne fakt, ditari “Cely Zivot”, një vellim i rende prej 1.000 faqesh, nga i cili qe publikuar tre vjet me pare ne France nje pjese, nen përkujdesjen e Patrik Ourednik në bashkëpunim me shtëpinë e vogël botuese “Allia”. Por, bëhej fjalë për një antologji rreth 150 faqesh, ku pjesa për vdekjen e Kamysë ishte lënë jashtë.
“Në gjendjen aktuale”, nënvizon Kateli, “mbetet fakti se në rreshtat akuzues të ditarit të Zabranas, kaq përvëlues në ftohtësinë e objektivitetit të tyre, nuk është reflektuar aq sa duhet”. Dhe shton një tjetër motiv, veç polemikës mbi faktet e Hungarisë, që mund ta ketë shtyrë Shepilovin për të armatosur krahun operativ të KGB-së kundër një shkrimtari të fortë vetëm në pacifizmin e rrënjosur thellë tek ai dhe në humanizmin e pamposhtur:
“Nuk duhet harruar mbështetja vendimtare që i dha Kamy një autori të përndjekur nga regjimi sovjetik, si Boris Pasternaku për të marrë çmimin Nobel në letërsi, që në fakt autori i “Doktor Zhivagos” e mori në vitin 1958, një vit pas tij”.
Ne një letër që ia dërgonte Roland Bartezit ne vitin 1955, Albert Kamy shkruante për një romanet me të famshëm të tij: “Murtaja ka si përmbajtje të dukshme, luftën e rezistencës evropiane kundër nazizmit”. Nga hipoteza e sabotimit mes 1.000 faqeve të ditarit të Zabranas, një tjetër murtajë totalitare do të bëhej përgjegjëse për fundin e parakohshme të Kamysë, të përhershmit njeri në revoltë që nuk besonte në revolucionin komunist.
Ajo që nuk mund te heshtë është zotësia e shkrimtarit për “t’i rezistuar ajrit të kohës”. Vepra e tij, ashtu si murtaja që në roman mbyt për një vit qytetin e Oranit, për t’u zhdukur me pas krejt në mënyrë të pashpjegueshme ashtu siç erdhi, ka ende atë force apokaliptike të shfaqjes së shpirtit që nuk mbyllet vetëm në një domethënie njëkuptimshme. Dhe pikërisht për këtë arsye, na përket me shumë se kurrë nga afër.
Urdhri i ministrit të Brendshëm sovjetik
Nga ditari i Jan Zabranas: “Nga një njeri që di shumë gjëra, dhe ka burime nga të cilat mund t’i marrë këto, kam dëgjuar diçka mjaft të çuditshme. Ai thotë se aksidenti rrugor i vitit 1960, në të cilin mbeti i vdekur Albert Kamy, u organizua nga spiunazhi sovjetik. Arritën të dëmtonin pjesën pneumatike të makinës falë një mjeti teknik që për shkak të shpejtësisë së madhe ka prere ose shpuar gomën.
Urdhri për këtë aksion eliminimi u dha personalisht nga ministri i Brendshëm Shepilov, si “shpërblim” për artikullin e publikuar në gazetën “Franc-tireur” të marsit 1957, në të cilin Kamy, lidhur me ngjarjet e Hungarisë, e sulmoi atë ministër, duke e cituar në mënyrë eksplicide. Thuhet se u deshën tre vjet qe spiunazhi të mund ta përfundonte këtë detyrë. Dhe në fund ia arritën qëllimit, dhe në një mënyrë kaq perfektë saqë bota deri me sot ka besuar se Kamy ka vdekur për shkak të një aksidenti banal rrugor, siç mund t’i ndodhe kujtdo.
Ai njeri refuzoi të me thoshte se si kishte arritur të merrte këtë informacion, por më tha se ishte krejtësisht i besueshëm, dhe se ai e di me saktësi absolute dhe pa asnjë dyshim se gjerat shkuan pikërisht kështu, qe ata kanë mbi ndërgjegjen e tyre vdekjen e Albert Kamys”. (Jan Zabrana)
Por në një skenar të tillë nuk beson filozofi francez Michael Onfrei, i cli punon prej kohësh me biografinë e Camus. “Mendoj se kjo nuk është e mundur. KGB-ja ka pasur mënyra të tjera që ta eliminonte shkrimtarin Albert Kamy “, tha Onfrej, duke shtuar se Kamy gjatë fatkeqësisë ka pasur biletë kthimi për në Paris, ku kishte planifikuar t’i kalonte Krishtlindjet me familjen, por në momentin e fundit kishte vendosur të kthehej me mikun dhe botuesin, Michael Galimar. Gjithashtu edhe Vojtek Ripla nga Instituti për studimin e regjimeve totalitare në Pragë mbetet dyshues në versionin e Katelit, duke thënë se është e pamundur të besohet, pasi Rusia i ruan rreptësisht të gjitha informata e policisë sekrete komuniste. Kjo përplasje duket se ka vendosur ta mbajë ende kyçur në mister fundin tragjik të Albert Kamysë edhe sot pas 55 vitesh.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk