Sekreti e jetës, sipas Leon Tolstoit
Roman Krznaric
Tolstoi shte anëtar i fisnikërisë ruse, nga
një familje që zotëronte një pronë dhe qindra shërbëtorë. Jeta e hershme e
kontit të ri ishte e zhurmshme, imorale dhe e dhunshme. “Unë vrisja njerëz në
luftëra dhe i sfidoja njerëzit në duele me qëllim që t’i vrisja”, shkruante ai.
“Unë humbisja në bixhoz, konsumoja punën e fshatarëve, i dënoja me ndëshkime,
jetoja i lirë, dhe i mashtroja njerëzit… kështu jetova për dhjetë vjet.” Por ai
gradualisht filloi t’i largohej këtij stili jete prej racisti dekadent dhe i
hodhi poshtë besimet e marrë prej tabanit aristokratik, duke adoptuar një këndvështrim
jotradicional të botës, i cili i trondiste bashkëmoshatarët. Ja çfarë
këshillash mund të na ofrojë rrugëtimi personal i Leon Tolstoit, për të riparë
filozofinë tonë të jetës.
1. Qëndroni mendjehapur
Një nga dhuntitë më të mëdha të Tostoit ishte
aftësia dhe dëshira e tij për të ndryshuar mendjen, bazuar në eksperienca të
reja. Gjakderdhja e tmerrshme që ai pa ndërsa luftonte në Luftën e Krimesë në
1850-ën e shndërroi në një pacifist për gjithë jetën. Në 1857-ën, pasi pa një
ndëshkim publik në gijotinë në Paris – ai nuk e harroi kurrë zhurmën e kokës së
prerë ndërsa binte në kutinë poshtë – ai u bë një kundërshtar i bindur i
shtetit dhe i ligjeve të tij, duke besuar që qeveritë nuk ishin vetëm brutale,
por në esencë i shërbenin interesave të të pasurve dhe të fuqishmëve. “Shteti
është një komplot,” i shkroi ai një miku. “Prandaj, unë kurrë nuk do t’i
shërbej ndonjë qeverie ndokund”. Tolstoi ishte në rrugën e shndërrimit në
anarkist. Ai ishte i pari që do të na nxiste të vinim në dyshim besimet
themeltarë dhe dogmat me të cilat jemi rritur.
2. Praktikoni ndjeshmërinë
Tolstoi shfaqi një kapacitet të pazakontë për
t’u prekur duke e vënë veten në vendin e njerëzve, jeta e të cilëve ishte shumë
e ndryshme nga e tija. Në 1860-ën ai jo vetëm adoptoi veshjen fshatare, por
filloi të punonte krahpërkrah me punëtorët e sapoemancipuar në pronën e tij,
duke punuar me parmëndë fushat dhe duke riparuar shtëpitë e tyre me duart e
tij. Sigurisht që kishte një element paternalizmi, por e vërteta është se ai e
shijonte shoqërinë e fshatarëve dhe në mënyrë të vetëdijshme i largohej elitës
letrare dhe aristokratike në qytete. Tolstoi besonte se ju nuk mundet kurrë të
kuptoni realitetin e jetës së njerëzve të tjerë, nëse nuk e provoni vetë atë.
3. Bëni ndryshimin
Ai u dallua nga moshatarët e tij të kastës së
lartë duke ndërmarrë veprime praktike për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve të
tjerë, më evidente ishte puna e tij për lehtësimin e urisë. Pas dështimit të të
lashtave në 1873-shin, Tolstoi ndaloi së shkruari Ana Kareninë-n për një vit,
me qëllim që të organizonte ndihmë për ata që vdisnin urie. Në këtë kohë, ai i
shkruante një të afërmi: “Nuk mund të shkëputem nga krijesa që janë reale, për
t’iu kushtuar krijesave imagjinare”. Shokët e tij, ashtu si edhe familja,
menduan se ishte çmenduri që njëri nga romancierët më të mirë t’i vendoste
veprat e tij gjeniale në plan të dytë. Ai e përsëriti këtë gjë gjatë zisë së
bukës së 1891-shit, kohë kur kaloi dy vite duke punuar në “kazanët e supës” dhe
për mbledhje fondesh. A mund ta imagjinoni dot një shkrimtar të sotëm, nga ata
që shesin shumë kopje, që të lënë mënjanë librin dhe t’i kushtohen për dy vite
punës humanitare?
4. Zotëroni artin e të jetuarit thjeshtë
Pas një krize nervore në fundin e vitit 1870,
Tolstoi hodhi poshtë gjithë fenë e organizuar, duke përfshirë Kishën Ortodokse
në të cilën ai ishte rritur. Ai adoptoi një lloj revolucionar të Kristianizmit
i bazuar në jetën e thjeshtë shpirtërore e materiale. Ai i dha fund alkoolit,
duhanit dhe u bë një vegjetarian. Tolstoi frymëzoi gjithashtu krijimin e
komuniteteve utopike të jetesës së thjeshtë, ku pasuria ishte e përbashkët.
Këto komunitete “Tolstojane” u përhapën rreth e rrotull botës dhe e shtynë
Gandin të themelonte një vendbanim fetar në 1910-ën, me emrin Ferma “Leo
Tolstoi”.
5. Kujdes nga kontradiktat tuaja
Kjo jetë e re, më e thjeshtë nuk ishte pa
mundime dhe kontradikta. Tolstoi predikonte dashuri universale, megjithatë
ishte në mënyrë konstante në luftë me të shoqen. Veç kësaj, apostulli i
barazisë nuk ishte kurrë i aftë të braktiste plotësisht pasurinë dhe jetën e
privilegjuar. Ai jetoi deri në moshë të madhe në një shtëpi të madhe me
shërbëtorë. Por në fillim të 1890-ës ia doli – kundër dëshirës së familjes së
tij – të hiqte dorë nga e drejta e autorësisë për një pjesë të madhe të veprave
të tij letrare, si pasojë duke sakrifikuar një pasuri të tërë. Duke marrë me
mend pozicionin e privilegjuar në të cilin Tolstoi e filloi jetën, transformimi i tij
shpirtëror, gjithësesi është për t’u admiruar.
6. Bëhuni zanatçi
Tolstoi kuptoi që arritja e një ekuilibri
midis mendjes dhe trupit ishte një pjesë thelbësore e procesit të tij krijues.
Ai jo vetëm e linte vazhdimisht penën për të marrë plugun mespërmes fushës, por
mbante një kosë dhe priste me sharrë duke u mbështetur pas murit ngjitur me
tavolinën e shkrimit. Në vitet e tij të fundit, kur gazetarë e shkrimtarë vinin
të respektonin plakun e zgjuar me mjekër, ata gjithmonë befasoheshin kur gjenin
një nga autorët më të famshëm botërorë të mbledhur kruspull mbi veglat e punës,
duke bërë një palë çizme. Nëse Tolstoi do të ishte këtu sot, ai pa dyshim do të
na sugjeronte të fusnim ndonjë zanat në jetën. Më mirë se sa të kalonim kaq
shumë kohë në twitter apo duke bërë mesazhe.
7. Zgjeroni rrethin tuaj shoqëror
Leksioni më themelor për jetën që ofron
Tolstoi është të kuptojmë se rruga më e mirë për të sfiduar hamendësimet dhe
paragjykimet tona, dhe të gjejmë rrugë të reja mbi vështrimin e botës është ta
rrethojmë veten me njerëz, pikëpamjet e të cilëve dhe stili i jetës së të
cilëve ndryshon nga i yni. Tek “Ringjallja” ai tregoi se shumica e njerëzve –
qofshin ata politikanë, biznesmenë ose hajdutë – “instiktivisht kapen pas
rrethit të atyre njerëzve që ndajnë pikëpamjet e tyre për jetën dhe vendin e
tyre në të”. Të përkëdhelur brenda grupit të shoqërisë sonë, ne mund ta
mendojmë absolutisht normale dhe të justifikueshme të zotërojmë dy shtëpi, ose
të kundërshtojmë martesat brenda të njëjtit seks, ose të bombardojmë vendet në
Lindjen e Mesme. Ne nuk e shohim që pikëpamje të tilla mund të jenë perverse,
të padrejta, ose të pavërteta, sepse ne ndodhemi brenda qarqeve që vetë i kemi
krijuar. Sfida është t’i përhapim krahët e bisedës tonë dhe të harxhojmë kohë
me ata njerëz, vlerat dhe eksperiencat e të cilëve bien ndesh me tonat. Tolstoi do të na
këshillonte se detyra jonë finale është të udhëtojmë përtej perimetrit të
rrethit./bookoflife/
Comments
Post a Comment