Ah, ti nuk më dashuron siç të dashuroj unë
Nga Albert Vataj
"Ah, ti nuk më dashuron siç të dashuroj
unë", është kjo psherëtima më e thellë dhe thirrje më therëse, mëdyshje më
lënguese dhe trazimi më cytës, që ka sëmbuar dhe do të vazhdojë të bashkëjetojë
me zemrat që i përflak dëshirimi dhe shpirtrat që i harbon pasioni i dashurisë.
Burri dhe gruaja mund të dashurojnë me të njëjtën
forcë, pavarësisht peshës specifike si njësi matëse të kësaj force. Por ata e
kanë të pamundur, të dashurojnë në të njëjtën mënyrë, edhe nëse duan.
Ndjenja dhe pjesëmarrja në dashuri nuk kalon nëpërmjet
një logjike matematike, sado skrupulozë dhe të vetvetishëm të jenë partnerët në
përfshirjen e trupave të tyre në këtë proces biokimik, në këtë alkimi çastesh, në
këtë kopulim energjie transformuese, në këtë kapërthim forcash përtëritëse.
Rruga drejt altarit të dashurisë na shpie nëpërmjet
shtigjeve të ndryshme. Nëpërmjet një procesi me shumë të pangjashma anatomike
dhe gjentike, dy partnerët duhet ti përshkojë kjo forcë dëshirimi për të kapur
qiellin, për të llamburitur në një yllë.
A duhet të jemi pareshtur dyshues dhe sa na sëmbon
kjo dilemë e destinuar të na përndjek që prej Edenit?
Në çdo fluturim të rrokaqiellt e harbim
dritash të vezullimta, cytje hënash kureshtare e dolldi të mbushura në të purpurtën
e perëndimit, feksin dhe fanitet, duken dhe zhduken, si shkreptima, atje ku
takohen e shenjtërohen dy trupa dhe e hyjshme brerore kurorëzon një dashuri.
E kur tokësoren kërkon ky solemnitet kurmesh, kjo
prehje trupash flakatar që paqtohet, si deti pas stuhisë, kryengrihet në mendjen e secilit andkimtare dilema: "Ah,
ti nuk më dashuron siç të dashuroj unë".
Kjo frazë, ky mundim, kjo prekje e ftohtë ngas
të zgjojë rinisjen, ashtu si natyra, e cila me afshin e vet të pranverës
thërret forcat e përtëritje e gjithçka mbulohet prej një vullneti mrekullues.
A nuk janë edhe zemrat tona, trupat tanë pjesë
e natyrës?
A nuk janë edhe ata të detyruar t'i binden
ligjeve dhe logjikës së saj?
Comments
Post a Comment