Një lamtumirë e përkorë për një krijesë kaq të dlirë e pafaj



Nga Albert Vataj

U këput kaq papritur jeta e kësaj krijese të pafajshme, e na pikëlloi kaq shumë kjo lamtumirë e parakohshme.
Të ndihesh i trishtuar, ndoshta nuk është një marrëdhënie afrish me emocione pozitive, por gjithsesi të ndodh që të kapesh në befasi nga një moment që të godet me dhimbje, siç në panik e mbërthen shkreptima e një rrufeje natën që struket nën petkat e errëta dhe të drojshme të heshtjes.
Pikërisht në atë moment ku një paqe e stolisur me njëmijë dritëza të praruara të përkund si një petale luleje, e nëpër ëndrra përhidhesh tue bashku mozaikun e feksjeve të ditës, një zgjim i ngasur prej një parandjenje të keqe më shkuli prej kësaj kredhje dhe vetja më çon para një krijese të mjerë e shuar së jetuari. U shtanga.
-Si kështu kaq papritur, thash me vete. Qëndrova për disa minuta duke e kundruar gjithë dhimbje dhe hutim.
-Megjithëse dëshmon një vdekje të paqtë që vizatohet në përkorjen, e ke të pamundur të besosh se shpirti i kësaj kafshe kishte zgjedhur pikërisht ta merrte nëpër natë rrugën pa kthim.
-Nuk kishte dhe aq shumë që kjo mace ishte bërë pjestare e familjes, por ishte kohë e mjaftueshme që të lidheshim për t'u ndarë pikëllueshëm me të.
-Nuk e trazova në gjumin e saj të amshuar, s'guxova t'i prishja paqen e saj qiellore në të cilën ishte lëshuar. I ktheva shpinën për t'u kthyer në dhomë ku im bir dhe bashkëshortja kridheshin në gjum.
-Im birë dhe unë ishim të fundit që u ndamë me macen sa ishte gjallë, e cila ashtu shtrirë refuzonte të hante apo të pinte diçka. E lamë me besimin se e nesërmja nuk do të ishte tepër vonë për të shpresuar se ky fatkeq do ta linte për më tej ndarjen prej nesh.
-Me heshtjen e përvajshme dhe një shkrehje të drobitur, e lamë të shtrirë mbi mbulesën e dyshemesë dhe ramë të flinim pa mundur të bënim diçka.
-Çfarë kishte që nuk hante. Nuk luante. Nuk kërkonte të dilte jashtë. Kaq papritur dhe si pakuptuar. Gjithçka e saj kishte shterruar shume shpejt.
Mes kësaj mjegullnaje mendimesh dhe një dhimbjeje që po më gërryente përbrenda, kërkoj më kot të gjeja fillin e këputur të gjumit që largohej duke më mundësuar të kapesha pas hamendjesh dhe dilemash se ngase kishte ngjarë kaq befasisht kështu, si me kast për të gjetur peshën e fajit në këtë bosh dyshimi. Ndërsa trandesha nëpër të këtilla mendimi, zhurmat përjashta sa vinin e bëheshin më intensive, duke lajmëruar startin e një dite që do ta niste me pikëllim dhe ndarje.
Dëgjova se bashkëshortja u ngrit, edhe ajo me merakun e maces. Doli nga dhoma dhe nuk vonoi të kthehej për të më dhënë lajmin. Përmes syve të përlotur e buzëve që i dridheshin përpiqej të më tregonte se ç'kishte sjellë mëngjesi këtë ditë.
-E di, i thashë unë, pa lëvizur nga vendi.
U largua dhe u kthye pas pak duke pëshpëritur.
-Ngrehu të shkojmë ta varrosim dhe të mos i tregojmë djalit, i cili ishte tepër i lidhur me të.
-Jo, ia preva unë, do t'i tregojmë.
-Nuk mund ta gënjejmë duke i thënë se ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer. -Është më mirë një ndarje me lot se sa një pritje me dhimbje.
U ngrita, u bëra gati dhe mendova t'ia përcillja unë lajmin e trishtë tim biri që ende flinte.
-Justi, Justi, thirra disa herë ndërsa ai mbante kokën të strukur mes rrobeve.
-Milo, Milo nuk është mirë.
-Milo më duket se ka vdekur.
-Ka vdekur.
Mes fjalëve të mia përgjëruese dhe ledhatimeve, ai futi kokën mes dy jastëkëve dhe nisi të qajë me të madhe.
 
-Milo, Milo, pse ike, shqiptonte të copëzuara këto fjalë dhimbjeje mes lotëve dhe dihamëve. Unë përpiqesha ta ngushëlloja, ndërsa gruaja si e përhumbur ndiqte skenën e pikëllimit që shakadahej nën cohën e hollë të një drite të zbehte që depërtonte nga perdet e dhomës së gjumit dhe të qarave dihatësh të tim biri. Vazhdoi për disa minuta kjo skenë dhimbjeje dhe lotësh, ndërsa në dhomën tjetër ajo krijesë e vogël dhe e pafajshme qëndronte shtrirë pa jetë.
-Çohu të shkojmë e ta varrosim, Justi.
-Mos qaj.
Pas lutjeve të mia dhe ngushëllimit që humbiste nën dihamë e lotëve që si reshtnin, u gjendëm të tre tek macja, trupin e së cilës nuk e ngrohën dot lotët tanë.
Ndërsa bëhesha gati, nuk i mbajta dot lotët.
-Aman, burrë, thashë me vete!
-Si qenka ndjenja e dhimbjes, ndarjes, një e pamundur për të ballafaquar guximshëm me krenarinë e burrit. Një ndjenjë faji më bluante. Përmes kësaj reje të mrrolët pendimi dhe dhimbjeje më faniteshin copëza të haresë së kësaj kafshëze, ndërmendje që mbetej nëpër gjithë shtëpinë.
Sakaq bashkëshortja u kujdes ta mbështillte mirë dhe ashtu duke e mbajtur në gjoks u nisëm të tre të gjenin një portë për jetën e pasosur të kësaj krijese të gjorë. Penetruam si njerëz që iknim nga përndjekja e një dhimbjeje dhe kureshtisë së mëngjesit. Gjetëm një vend në harrimin e barbarisë së pushtimit ndërtimor dhe ngula lopatën, jo mbi tokën e fortë, por mbi bindjen se të gjitha ndarja rëndojnë kaq shumë, të gjitha dhimbjet kafshojnë kaq thellë, të gjithë lamtumirat njomen vetëm me lot.
E venuam lehtë shtatin e ftohtë leshbardhë të maces mbi tokën e zezë, e mbuluam me fjalë zemre, lot e dhimbje, hodhëm nga një grusht dhé, i pëshpëritëm ndoca fjalë lamtumire dhe u larguam duke marrë me vete kujtimet.
Nuk mu shqit përgjatë gjithë ditës ajo krijesë e gjorë. Kujtimet që më mbanin të lidhur me të më ngërthenin gjithnjë e më shumë, ndërsa përpiqesha më kot të mbushja me pikëllim mungesën e lojërave dhe mjaullimave nëpër shtëpi.
Ndërsa punoja, ulej e qëndronte e shtrirë në anë të tavolinës e luante ndonjëherë me mauzin. Vështronte me sytë e pafajshëm copëzat e shikimeve të mia. Shoqëronte me mjaullima të lehta kur e thirrja në emër, e shtriqej gjithë naze kur e lëmoja.
Sa herë kthehesha nga puna, mbrëmjeve vonë, më mjaullinte të përsëritur më kujtonte reflekset e kushtëzuara të qenit të Pavllovit. Ai përpara dhe unë nga pas shkonim te vendi i ushqimi, i hidhja edhe nëse kishte, dhe, hanim të dy darkën e vonë.
Nuk e di se pse u lidha kaq shumë me këto gjeste lozonjare, këtë lojë të një marrëdhënie të sinqertë e të dlirë. Gjithçka prej tij tashmë do të më mungojë. Mjaullimat dhe sytë e ndrojtur poshtë tavolinës së ngrënies, gërhitjet mbi mbulesën e krevatit e gjuajtja tinëzare e hapave të mi teksa lëvizja nëpër shtëpi.
Nuk do të më duhet më të zgjohem orë e pa orë, t'i hap dritaren apo derën, për të dalë apo për të hyrë brenda. Por do të më duhet të mund veten dhe kujtimet që më mbajnë të lidhur me këtë fatkeq që u shua kaq papritur dhe na pikëlloi kaq shumë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk