Mirënjohje për mësuesit, ata që na mëkuen dije dhe dritë



Nga Albert Vataj

Nëse prindërve u detyrohemi jetën, mësuesve u kemi borxh amshimin.
Janë ata, njerëz të thjeshtë e pa pretendime, shërbëtor të përulur, besimtar të devotshëm e vullnetmirë, të cilët më shumë se sa për detyresë, mësuesisë i'u përkushtuan për pasion.
Në çdo 7 mars, ngucem prej një dëshire të zellshme, e yshtem prej një zani që m’përpush prej ndërkohjesh t’largta, atëherë, atëherë kur zvargesha rrëshqan e përgjërues mbas padijes, e nevojes për për me u çu vrik n'kam si shtatore zotnimi.
Gjithqysh, qasem sot mish e shpirt, me kumtu mirënjohje teme ma t’përunjur për ata; që duke u kujdes për ditunimin që na dhanë, me toksoren e tyne ngadhënjimtare që na mëkuan, me shenjtnimin e dijes dhe kthjelltsisë, na bekuan me zanin dhe andjen e tyne t'shugurueme ndër krej Zotat.
Duke na mëku dije, ata na kungun dritën e shëmbëllimeve të mrekullive.
Duke na hov nëpër botë të panjohuna, na krodhën në njasi bukurish që përtërijnë çdo moment ngurimi, e na hopin n'çdo përulje tonën, tuj e ep atë hovshëm natltësimeve.
Hynë dhe mbeten brenda nesh, shumë e shumë prej tyne, duke u ba limfa e gjallimit tonë në ngulm, duke mbet kujtesa ma e përkorë dhe e përgjithmonshme.
Jetojmë nëpër çaste t’patëdyta, të cilat na lidhin me ta, na tushkitin në pendim për hokat tona fëminore, dhe na përpushin në kreni, për ç’ka prej tyne u ba në ne, amanet Prometeu.
E s’reshtim së nxëni dhe s‘mrekullumi prej atij kremtimi të madhnushëm, siç asht dija. Tuj pranu njiherash, se atë gjunjëzim t'përunjët i’a kena borxh çdo ditë, shërbestarëve të dijes dhe si fli kena dëshirimin tonë t’pasosun, për me u hedh duhishëm në flakët e këtij shenjtnimi.
Kanë rrakëdhuar shumë vite, i pasosun asht karvani i kësaj yjësie që ka ndrit dhe kjartëson çdo ditë ngarëndien tonë drejt pafundësisë. Megjithatë unë ruaj në kujtimet e mia si t’pashlyer tre emna: Drita Matohiti, Angjelin Shiroka dhe Prel Grimaj. Janë pikërisht ata, që më kungun në vogli pjalmin e hyjnores, e s’mujta sa ishte koha me i falenderu, gja të cilën e kam ba me të tjerët, me petka ose jo të mësuesit, por që m’dhan prej vedit atë që u ba përgjithmonë e jemja.
Gjithqysh asht t’nxënit, dija, ajo që i ka naltësu ata, e na ka hyjnizu ne.
Duke udhëtu në mbamendjen këto emna, kanë bashkëjetu me ngarëndien teme drejt dijes së pasosur, si drejt dritës, ata kujtime që na mallin e na kandin me ambëlcim.
Duke u kalit me dritën e dijes, duke u pamjaftu me t’xënin, ne kena pranu gjunjëzimin e naltësum të hyjnores, kena rrok me nji dashuni t’amshume e mall t’paanë vullnesën e njeriut si qenie galaktike, si shugurues i t’përjetshmes në kremten e besimit te dija, në atë që ata kishin doktrin.

Aleksandrin e Madh e admiroj për shumëçka, por së këmnedmi njimendem krenueshëm në atë që ai mbamendet të ketë thënë:
E pyetën njëherë Aleksandrin e Madh se përse nderonte më shumë Aristotelin, mësuesin e tij, sesa babanë e vet?
- Sepse, - u përgjigj Aleksandri - mbreti Filip duke më dhënë jetën më zbriti nga qielli në tokë, ndërsa Aristoteli me mësimet e tij, më bëri të ngjitem nga toka në qiell.

Gëzuar miq ditën që e shenjtëron punën tuaj të mundimshme
Juaji, Albert Vataj!
7 mars 2015

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk