Peter Paul Rubens, "Homeri" që shkroi "Iliadën" me penelata zjarri
Nga Albert Vataj
Në historinë e pikturës Peter Paul Rubens do të
mbamendet jo vetëm si një nga piktorët më të jashtëzakonshëm flamand të
barokut, penelata flakatare e tablosë, por edhe mishërimi i idilit epik të
mitologjisë. Nëse Homeri sendërtoi një monument të letërsisë klasike siç ishte
"Iliada", duke ngjizur me nervin, mishin dhe gjakun e së atëhershems,
historikën heroike, eposin antik dhe perënditë që na magjepsin, Rubens i jetësoi
ato në imazhe, i veshi ato me kurme të fuqishme duke i pavdekësuar këto trille
në kujtesën e përgjithmonshme. Ai e shkroi si pakkush tjetër atë faqe të
historisë së njerëzimit, me gjithë shkëlqimin dhe të perëndishmen që ngriti në
kult mitin.
I fundit prej tre piktorëve Flamand dhe
krijuesi i stilit barok në veri, Rubensi u shqua në botën e artit si galeria më
e bollshme. Sasia e punëve dhe shpejtësia me të cilën ai i kryente pikturat do
ta veçojnë atë prej të gjithëve. Plot 1403 tablo me tema të antikitetit, skena
gjuetie, të zhanrit, peizazh, portret, vizatime të panumërta, grafika
ilustruese, projekte arkitekturore dhe kompozime skulpturore, që ai i krijoi në
më pak se katër dekada, vu në dukje zjarrin dhe entuziazmin e tij. Kësisoj ai
do të cilësohej si zot i gjithëpushtetshëm. Sipas një përllogaritje të thjeshtë,
dilet në përfundimin se Rubensit nuk i duheshin më shumë se njëzetë ditë për të
përfunduar një punë. Çdo krahasim me të mëhershmit apo të mëvonshmit e pikturës
do të ishte i pagjasë.
Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori
penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, "Homeri i pikturës" , ...perëndi
e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj
të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte
kudo, kumton Delakrue. Në qendër të këtij përkufizimi qëndron, jetësimi që
piktori i bëri në imazh pothuaj të gjithë miteve të përfshira në vepren
monumentale, "Iliada" të Homerit, dhe jo vetëm, krejt mrekullisë që
dëshmonte njerëzimit kahardhjen. Gjeneratat e trashëguan nëpërmjet zërit
kungues të dëshmive biblike dhe letërsisë klasike, pasurinë e jashtëzakonshme
shpirtërore, lindjen e hyjnive dhe mitet, Rubensi ishte ai që mishëroi gjithë këtë
përfytyrim idilik. Gjithë kjo gamë e jashtëzakonshme personazhesh, tipash dhe
karakteresh, supërheronjsh, do të ishte pjesa më vitale e pikturës së Rubensit.
Ai nuk u pajtua ta linte këtë shkëlqim vetëm si pjellë e imagjinatës dhe forcës
së fjalës. U dha me mish e me shpirtë për ti gjalluar këto shkrepëtima në pikturë, dhe ia arriti përmes ngjyrës,
tonit, dritës dhe energjisë depërtuese që kjo forcë rigjen në penelin e këtij
gjeniu. Me kolorin e tij të hareshëm ai e shkroi letërsinë klasike në pikturë.
Pakkush, si dhe sa ai e ka njohur dhe e ka ushqyer penelatën me ushqimin historik,
mitologjik, me densitetin dhe forcën depërtuese që ajo zanafillë rrëmen atëditë
e përgjithmonë ëndjen dhe dëshirimin e gjeneratave.
Studjuesi ka vërejture mënyrën entuziaste të
pikturimit të drejtpërdrejtë me ngjyrë, pa vizatim elementar dhe punë paraprake
të Rubensit.
Peter Paul Ruben lindi në qytetin e vogël
gjerman Zigel, ku i ati, avokat i njohur, kishte qenë i detyruar të emigronte për
arsye politike. Pas vdekjes së të atit familja u kthye në Flander, dhe e ëma u
kujdes që herët me edukimin e Rubensit.
Djaloshi 11-vjeçar ndoqi studimet në shkollat
latine. Në vitet e fundit të dijenxënies pati mundësinë të lexonte në origjinal
autorët antikë. Pasioni për ta do ta rrëmbente duke e kthyer në një dishepull të
këtij mëtimi artthënës. Ai ngeli deri në fund një zelltar i temave historike,
antike dhe biblike. E thënë me fjalë të tjera, dielli i këtyre ndërkohjeve do të
ngjynte pareshtur penelin dhe shpirtin dhe të sillte në jetë tablo monumentale
që na mahnisin edhe sot.
Pas mbarimit të shkollës latine ai studioi për
pikturë, në fillim pranë peizazhistit, Tobias Verhat, më pas në atelienë e Adam
van Norti dhe në të mbramë, për katër vite radhazi, në studion e Oto Verniusit.
Kështu ai, i formuar sa duhej në traditën flamande, në vigjilje të shekullit
XVII-të Rubensi e lëshoi veten në pelegrinazhin tradicional të artistëve veriorë,
për në Itali. Vizitoi Romën, Firencën, Mandovën. Studioi me interes të veçantë
monumentet antike dhe kryeveprat e Mikelanxhelos, Da Vinçit, Rafaelit,
Xhorxhones, Korrexhos, Karavazhos e Ticianit, të cilin pati rastin ti njihte
dhe një herë në koleksionin e veprave që gjendeshin në Madrid, gjatë udhëtimit
që pati atje midis vjeshtës së vitit 1603- 1604. Tetë vjet që kaloi në atdheun
e artit antik e rilindas, përcaktuan piketat e kumteve të tij artistike. Pa
pikturën dhe artin italian, vështirë që Rubensi të ishte ngjitur aty ku e
shohim ne sot.
Sëmundja e së ëmës e detyroi atë të linte
Italinë, ndonëse dëshironte të qëndronte më gjatë aty. Një vit pasi i vdiq e ëma,
Peter Paul Rubens u martua me Izabel Brandin, vajzën e një avokati dhe humanisti
të njohur, Jan Brandit.
I shumënjohur në rreth artistike dhe zyrtare
flamande, me nxënës të shumtë pranë, e me porosi të panumërta, ai filloi të
realizonte atë që kishte bërë Dyreri në epikën e Rilindjes, të krijonte stilit
barok flamand, në të cilin tradita e artit vendas, shkrihej natyrshëm me artin
antik, rilindas dhe barokun italian. Ne tablotë e mëdha fetare dhe mitilogjike
të këtyre viteve, figurat e mëdha muskuloze e që çuan përnga përthithja e
rrumbullaksisë së skulpturave, shprehin një forcë të madhe fizike dhe hyjnizojnë
bukurinë e trupit të njeriut, njëlloj si në veprat e Milelanxhelos në Kapelën
Sistina. Kompozimet në formë trekëndore, gjestet dhe fytyrat e personazheve që
pasqyrojnë dramën e tyre të brendshme, gjithashtu vijnë nga Buonarroti. Femrat
e kolme, shpesh me një ngarkesë të tepruar shëndeti, janë një kumtin që Rubens
bën për të mbajtur gruan sa sensuale aq dhe të fuqishme, sa amësore aq dhe
natyrale, një grua të gatshme për tu ndeshur si me tërbimin e jetës aq dhe me përkushtimin
e nënës. Ai lëvroi dhe mbarështoi traditat dhe kulturat, përvojat dhe
tematikat, stilet dhe sharmin për të ardhur deri sot jo si një rastësi, por si
një dëshmi dhe tharm që ngjizi pikturën, këto mjete shprehëse komunikimi dhe
kumtimi estetik.
Gama e pasur ngjyrore i përket artit venecian,
në veçanti Ticianit, ndërsa loja e dritës së fortë, me ngarkesë dramatike,
ngjan e huajtur nga Karavaxho. Ndërkohë paraqitja e hollësishme e gjërave, e një
luleje apo e një veshje të një ushtari flet qartë për ndikimin që pati tek ai
tradita flamande, vizatimi i zhdërvjellët, lëvizjes e vrullshme të personazheve
dhe format dramatike dhe dinamike njiheresh, që rrezatojnë tablotë, pasqyrojnë
trajtat më origjinale të Rubensit.
Të shkrira nga dora e artistit të madh, këto
burime krijuan stilin që në pikturë njihet me emrin rubensian. Fryma dramatike
dhe ndjenja e gjallërisë së jashtëzakonshme, janë cilësitë më dalluese të tij,
të cilat piktori i zhvilloi me përkushtim përgjatë rrugëtimit artistik. Tabloja,
"Rëmbimi i vajzave të Levkipit" që Rubensi e realizoi në vitin 1617,
flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre.
Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit
flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e
njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja
e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë,
ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së
bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme.
Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e
ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell
penelata e Rubensit.
Në mesin e viteve '20, me serinë prej 23
tabloshë që u vendosën në Pallatin e Luksemburgut në Paris, "Jeta e Maria
Mediçit", Rubensi hyn në moshën e pjekurisë dhe shkëlqimit të plotë
artistik. Shtëpia në Antverpen me atelietë e mëdha, me kopshtet e zbukuruara
plot me skulptura dekorative, prej kohësh mbahej si qendra artistike e vendit.
Misioni i piktorit që kishte marrë udhë një dekadë e gjysëm më parë ishte
realizuar me sukses, dhe barokut, nën petkun e stilit rubensian, lulëzuan në
Flandër. Nxënës të shumtë, me të cilëve dhe figura shumë të njohura si Van Djuk
dhe Snejdersi, punonin në veprat e panumërta që i porositeshin mjeshtrit dhe
vetë atë e quanin "piktor të mbretërve dhe mbret i pikturës". Vlerësimi
i parë rrjedhon për aktivitetin e piktorit në lëmin e diplomacisë. Rubensi bën
pjesë ndër artistët e rrallë që iu përkushtua kësaj kahje dhe shpesh në cilësinë
e ambasadorit shëtitës, përfaqësoi dhe mbrojti interesat e Flandrës pranë
mbretit të Spanjës dhe ndërmjetësoi për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara të
kësaj të fundit me Anglinë.
Pas vdekjes së Izabel Brandit më 1626 në moshën
53-vjeçare, Rumensi u martua me Elenë Furmenin, me të cilën pati pesë fëmijë
dhe një jetë plot mirëkuptim. Ky hop i ri ndjesor do të zgjonte tek
gjenialiteti i piktorit një tjetër aftësi, atë të portretit intim. Megjithëse
deri atëherë ishte marrë jo pak me këtë nëngjini, por gjithnjë i shtërnguar të
respektonte pozitën shoqërore të modelit e të pasqyronte me doemos atë. Ne
galerinë e portreteve të Rubensit gjendeshin ato të karakterit zyrtar, si ai i
Henrikut të IV të Spanjës, dekorativ, si ai i Isabel Brandit, ai i Maria
Mediçit, etj. por ishin të rrallë ato intime. Megjithatë vjen një nxitës në jetën
e shpirtërore që të zgjohet jo dhe aq një ndryshesë se sa një pasurim i galerisë.
"Gëzoftarja", portreti që paraqet Elenën në një qëndrim krejt intim,
mbahet si një nga veprat më të mira të Rubensit në këtë nëngjini. Si askund
tjetër, prej tij shpërthen dashuria e piktorit për të afërmit, për bukurinë
fizike dhe shpirtërore të njeriut, lëndë e cila kishte ngjyer jo pak herë
penelin e tij prej zjarri. Rumensi ecën kështu në gjurmët e portretistëve të mëdhënj,
Holbainit, Dyrerit, Rembrandit, që i nxorën kryeveprat pikërisht duke patur si
model njerëzit më të afërt shpirtërisht.
Martesa e dytë gjithashtu i zgjoi një interes
për tablonë e zhanrit të peisazhit. I larguar nga qyteti dhe i vendosur në Stin
që më 1635 Rubensi njohu nga afër jetën e fshatit dhe bukurinë mahnitëse të
natyrës. Jeta fshatare që më parë nuk e kishte tërhequr dhe aq, tani e ka fare
pranë, dhe fshatarët që vallëzojnë, ngasin karroca apo gjuajnë, vijnë e mbushin
gjithnjë e më shumë tablonë e tij, duke e bërë gjithnjë e më larushitëse mozaikun
e punëve.
Veç nxënësve të shumë e me kombësi të ndryshme
që nxori nga duart, ai ndikoi mjaft piktorë të stilit rokoko, romantik dhe
paraimpresionist. Megjithëse kritika e
sotme i gjykon figurat tepër të shëndosha, disa herë ceremoniale dhe të
pakujdesshme ndaj ligjeve të gravitetit në tablotë e Peter Paul Rubens, ai zë
një vend të nderuar në pikturën evropiane dhe së bashku me Van Ejukun dhe
Bryegelin, numërohet ndër piktorët që i dhanë Belgjikës emrin e madh që mban në
botën e artit.
Me vdekjen e Peter Paul Rubens, sot 375 vite më
parë, më 30 maj 1640, pothuajse pas tre shekuj lulëzim, emri i Flandës e humbi shkëlqimin
për tu ringritur edhe një herë më lart me piktorët realist belg të periudhave të
mëvonshme. Gjithqysh Peter Paul Ruben, ishte dhe mbeti Homeri që shkroi Iliadën
me penelata zjarri. Ai ndezi çdo tablo për të mbetur një diell që ngroh ende
shpirtrat dhe shpuzit ende ëndjet për artin klasik, historinë, mitet dhe heroiken.
Comments
Post a Comment