Në botën e Kainit, të jetosh si Abel
Do ta filloj që nga origjina. Eva lindi 2
fëmijë, Kainin dhe Abelin. Ishin fëmijët e mëkatit e megjithatë Zoti u dha të
dyve dy mundësi për të punuar e jetuar mirë. Kainit i la porosi të kultivonte
tokën e të rriste fruta të bollshme prej saj, ndërsa Abelin e porositi të
rriste bagëtitë e ta shumonte grigjën e tij. Të dy u munduan të bënin më të
mirën e mundshme dhe një ditë ia ofruan produktet e tyre Zotit që ua kishte ofruar
këtë mundësi. Nga të dy produktet që vëllezërit i ofruan, Zotit i pëlqeu më
shumë oferta e Abelit, flija e bagëtive. Duket sikur Zoti parapëlqeu bariun e
jo bujkun, por në fakt nuk është ashtu. Në këtë keqkuptim, Kainit iu errësuan
sytë, ndoshta nga Zilia dhe e vrau të vëllanë. Që atëherë Zoti tha se askush
nuk duhet ta prekte Kainin, pasi kjo ishte çështje e tij. Kurse Kainit vetë i
tha se do t‘i dilte shpirti brezni pas breznie e me shumë mund do t‘i nxirrte
të mirat e tokës që i ishte dhënë si dhuratë e që nuk e kish vlerësuar. Del e
qartë se nga egoizmi, nga kjo diçka në formë antiteze njerëzore, buroi Zilia
tek Kaini dhe kështu i përcatoi rrugën
dhe vuajtjet atij e trashëgimtarëve të tij.
Shumë shekuj më vonë, në kohën e Moisiut, kur
hebrenjtë e skllavëruar në Egjipt fituan lirinë vetëm falë vullnetit të Zotit.,
ndodhi një fenomen pak a shumë i ngjashëm. Pasi ata, hebrenjtë pra, dolën nga
Egjipti dhe kaluan shkretëtirën, vuajtjet e mundimet e tyre morën një rrjedhë
të re me Moisiun. Pasi kaluan vuajtjen e madhe të skllavërisë dhe ankthin e
përndjekjes, atyre u erdhi dëshira të kërkonin të mira materiale e begati për
të vazhduar një jetë më të mirë, pasi “bukë e gjellë, plus punës së
stërmundimshme” ata kishin edhe kur rrinin të lidhur me vargonj në Egjipt.
Kështu iu lutën Zotit. Ai i dëgjoi dhe ua dha, me zemërgjerësi. Por ata çfarë
bënë?! U turrën kush e kush më shumë të merrnin çdo gjë që kishte rreth tyre. E
nga grykësia, filluan të merrnin inat njeri-tjetrin deri në grindje e
përballje. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një grusht njerëzish që kishin
vuajtuar deri në ekstrem padrejtësitë njerëzore dhe më pas, falë Zotit kishin
fituar lirinë, duke harruar paturpësisht historinë dhe plagët e tyre, por mbi
të gjitha Dashurinë Qiellore, do përfundonin në një luftë vëllavrasëse prej
grykësisë.
Edhe njëherë, nga egoizmi buroi zilia, e pas
saj, nga dëshira për të patur sa më shumë, grykësia, doli në pah padenjësia e
qenjes së distancuar nga filli i krijimit të saj, Zoti.
Pikërisht kjo ka ndodhur kronologjikisht në
historinë e botës… e si rrjedhojë edhe në Europë. Njerëzit luten me dhimbje e
gulçime shpirtërore kur janë në vështirësi të thella, por vetëm se fill pasi
dalin nga kjo gjendje, ata harrojnë ku ishin dhe si dolën nga kjo situatë. Ata
harrojnë procesin e gjatë të lutjeve drejtuar Zotit në momentet e tyre më të
pashpresa. Ata harrojnë gjithashtu se pikërisht përgjigjja Hyjnore, mëshiruese
e zemërgjerë i kthen në kushte dinjitoze për të patur një jetë të begatë. Me dritëshkurtësi
dhe banalitet harrojnë se nuk janë ata protagonistët e rrugëtimit dhe ngjarjeve
të tyre. Pasi dalin nga gjendja e mjerimit fillon e zë vend në jetën e tyre
egoizmi, zilia, grykësia, tradhtia, mashtrimi, prita, hakmarrja. Të padenjët,
pasi harrojnë ku ishin dhe si erdhën në kushte dinjitoze, i vërsulen parasë,
pushtetit, vanitetit (vetpëlqimit) dhe sjelljes me prepotencë e mendjemadhësi
në publik. Sa herë dalin para syve tanë këto fenomene nga njerëz që duan të
shiten më shumë nga ç‘janë në të vërtetë?! Ndërkohë që njerëzit e vërtetë, ata
të plotësuarit e të vetëdijshmit për burimin e të mirave në jetën e tyre, kanë
një sjellje tjetër, krejt tjetër.
Kjo që cituam më lartë është kriza e moralit
të disa qenieve që patën fatin të parapëlqeheshin për të qenë njerëz. Por në
fakt ata nuk patën forcë dhe dëshirë të qëndrojnë njerëz e si pasojë
degjeneruan në qenje të joshura nga paraja-një copë letër, nga pushteti,
vaniteti dhe dëshira për t‘u dukur në publik nëpërmjet sjelljeve prepotente.
Kjo quhet pasoja e krizës morale.
Kur njeriu degjeneron i joshur nga veset e
mësipërme degjeneron në qenje dhe kjo përfaqëson pikën maksimale të krizës
morale. Nga kjo krizë e madhe, nga kjo krizë morale, vjen edhe rrënimi. Rrënimi
ekonomik. Rrënimi ekonomik shfaqet me rrëmujë, me një model jetese pa rregulla,
me improvizime.
Zoti është përbetuar disa herë për të krijuar
një rend të ri botëror prej këtyre devijimeve në mënyrën e jetesës së njeriut.
Që me Noen, i cili doli garant për përmbushjen e porosive të tij dhe Zoti e
besoi duke i sugjeruar varkën e shpëtimit. Më pas me Moisiun, i cili edhe ky
doli garant për të çuar në vend porosinë e Zotit duke ndikuar tek populli i
tij. Dhe Zoti e dëgjoi Moisiun, por siç rezulton qartë populli i doli fjale
Moisiut. Më pas kjo ndodhi me Jezus Krishtin, të cilit për të shlyer mëkatet e
patregueshme të njerëzve iu desh të gozhdohej mbi kryq. E Zoti, vetëm pse i
biri pësoi vdekjen më të dhimbshme për ndjeshmërinë njerëzore, vendosi të japë
ende kohë për reflektim. Por pas 2000 vjet kryqëzimi të kobshëm për shërbimin
tonë, çfarë kemi?
Kemi ende egoizëm, zili, grabitje, mashtrim,
prita, hakmarrje, pushtet, vese, vetëkënqësi e prepotencë në ambientet publike.
Kështu janë shkatërruar janë shkatërruar perandoritë e jo më familjet mafioze,
partitë fantazëm apo shtetet e krijuara artificialisht prej egoizmit njerëzor
që dëshiron të verë patjetër kufij.
Rasti shqiptar
Po në Shqipërinë tonë a ndodh e njëjta gjë?
Sigurisht që po. Pa i ardhur gjatë vërdallë historisë tonë të sakatuar, do
hidhemi menjëherë tek vitet e fundit të quajtura “në tranzicion”. Kjo periudhë
mjafton si kampion për të ilustruar të gjithë të kaluarën.
Shqiptarët lirishtypur dhe të përgjakur gjatë
komunizmit morën si dhuratë hyjnore lirinë. Edhe pse liri e pjesshme ajo ishte
liri, njësoj si ajo e hebrenjve që dolën nga Egjipti.
Menjëherë më pas, në shumë pak vjet,
shqiptarët patën edhe shpërblimin material, njësoj si 2 bijtë e Evës pas
mëkatit, si hebrenjtë pas shkretëtirës dhe si Evropa perëndimore pas gozhdimit
në kryq të Jezusit.
Paratë shqiptarëve u erdhën më së shumti nga emigracioni
vetëmohues i bijve që sakrifikuan dëshirat e moshës për t‘u ardhur në ndihmë
familjeve. Ata sollën shumë para falë ndihmës mëshirplotë të Zotit dhe popujve
mikpritës. Erdhën shumë para edhe nga organizma e institucione ndërkombëtare.
Erdhën shumë para edhe nga trafiqet, si pasojë e rritjes së egoizmit e
grykësisë tek disa individë të caktuar. Nga shenjtëria kanë zbritur në mëkat.
Në emër të këtyre shumave marramendëse parash, u komprometuan njerëz, familje,
grupime, parti, qarqe fetare (individë brenda tyre). Dhe kështu, modeli që u
krijua për shoqërinë shqiptare që sapo kish dalë nga shtypja dhe vargonjtë,
ishte ai i egoistit, materialistit, makiavelistit, grykësit, abuzuesit,
përfituesit, servilit, ziliqarit, tradhtarit dhe i të pashkolluarit. Po, po.
Sepse në Shqipëri, pasi çdo gjëje iu vu një çmim monetar: edhe burrnisë, edhe
moralit, edhe fesë, edhe fëmijëve, edhe vendit të punës, edhe idealeve… erdhi
momenti që iu vu një çmim edhe diplomave shkollore.
Populli ynë thotë: “Ja sheshi, ja mejdani!”. E
sheshi është zaptuar nga egoisti, ziliqari, tradhtari, i pabesi, prepotenti, provinciali
që me prepotencë i imponohet qytetërimit për ta kthyer mbrapsht, atje prej nga
erdhi ai vetë për të shpëtuar. Ky është paradoksi shqiptar brenda paradoksit
botëror.
Është i ngjashëm për nga procesi i degradimit
por shumë më i shëmtuar për nga ngjyrimet që merr gjatë rrugës së tij të
mbushur me provincializëm primitiv, armik ziliqar e i përbetuar i qytetërimit.
Në këtë krizë të thellë morali e qytetërimi së
bashku, rrënimi ekonomik sapo ka filluar dhe nuk ka kapur ende fundin. Kjo nuk
thuhet e nuk vërehet për dy arsye. Një sepse shqiptarët kanë qenë historikisht
në kriza ekonomike dhe dy sepse shqiptarët janë frikacakë e gënjeshtarë përballë
realitetit. Kjo vjen nga vogëlsia e perceptimi i vakët i një dimensioni
shpirtëror. Njeriu nuk mund të gënjejë veten edhe para pasqyrës. Por jo,
shqiptari e bën këtë: “bukur e mirë”.
Edhe në botë e në gjithë Evropën ka krizë
ekonomike por vetëm se atje thuhet e madje thuhet hapur. Ndërsa në Shqipëri
gënjehet edhe pse kriza morale e ekonomike është me data antike, që kur
shqiptari tradhtojnë veten.
Për të qenë më të drejtpërdrejtë dua të them
se:
-Gazetaria është nën thundrën dhe përçmimin ku
e kanë vënë të lartpërmendurit që e drejtojnë këtë vend me vektor kokëposhtë.
Moderatorët më të suksesshëm televizivë janë ata që ne njohim: fshatarë, armiq
të qytetërimit, në emisionet e të cilëve dominon modeli i “politikanit”
injorant, të shëmtuar e fshatar pavarësisht se ka lindur në kryeqytet, pijanec
dhe i djersitur me erë të keqe.
-Djemtë e moshës 17-20 por dhe më lart, shëtisin
me makina të shtrenjta. Veshin rroba të shtrenjta, mbushin trupin me tatuazhe,
qethen si killera (duke shprehur parapëlqimin e modelit shoqëror të duan). Ata
kanë të dashura që i ndërrojnë gati çdo ditë, si çorapet. Drogohen rregullisht
me mburrje. Janë të pashkollë, agresivë dhe përdorues të një zhargoni të
përbaltur. Ky individ që përdor ekstremisht sensin e sfidës ndaj joshjes
maksimale në jetën e tij, nuk mund t‘i shmanget stacionit të tij final. Ai
vetëm sa përshpejton kohën e mbërritjes në këtë destinacion. Pasi ka arritur
gjithë këto pika joshjeje maksimale në jetën e tij të shkurtër prej moshës së
re, ai nuk kërkon dhe nuk mund ta shmangë dot takimin e fundit me vdekjen.
-Vajzat e reja ëndërrojnë të bëhen të dashurat
e çdokujt që ka një makinë të mirë, të vetën apo të marrë hua prej dikujt.
Qoftë ky djalë i ri apo gjysh me proteza në gojë. Ato dalin në mëngjes nga
shtëpia e prindërve dhe përfundojnë kafeneve në pritje që dikush nga këta që
përmendëm më lart t‘i “rimorkiojë për një xhiro me makinë”. Në paradhomën e
trurit të tyre as që ekziston mendimi se mund dhe duhet të bëhen nëna të denja
për bijtë që do rrisin. Nëna nga ato që askush, askurrë, të mos u drejtohet
bijve dhe t‘i tregojë me sens përçmues si “i biri i asaj kurvës”. Ato as që e
çojnë nëpër mend se sa e rëndë është për një bir kur dëgjon keq e më keq për
nënën e tij.
-Po kështu gratë dhe vajzat e rritura që i
veçohen paksa kategorisë së mësipërme, jetojnë me ëndrrën materialiste. Ato
kanë mbetur pa u martuar sepse presin që burri i tyre të jetë gjithkush që të
ketë para të mjaftueshme e që të plotësojë dëshirat e tyre të përziera me doza
të larta injorance. Pretendimet e tyre nuk përkojnë aspak me ëndrrën për të
patur familje apo për t‘u bërë nëna. Ato nuk marrin aspak parasysh faktorin që
e kundërshton ashpër “aspiratën” e tyre. Ato harrojnë se aventurieri i radhës,
i cili lëvrin para për të joshur seksin tjetër, fokusohet në mosha relativisht
shumë të reja, sepse në këtë mënyrë ai merr maksimumin e shpërblimit për paratë
që jep.
Bota do jetë e barinjve të urtë, e
trashëgimtarëve të Abelit.
Bota do jetë e barinjve të urtë, e trashëgimtarëve të Abelit.
ReplyDelete