"Arkeologu dhe hijet" ndërmëndja e kohëve tragjike si çlirim



Nga Albert Vataj

Askurrë nuk është e pakohë një nevojë çlirimi. Ndoshta kur kujat kanë zënë e heshtin, një britmë vjen për të na ndërmendur kobin që bashkëjetoi me fatin tragjik të shumë njerëzve atëkohë e tash.  E sotmja ndoshta nuk ka nevojë të ngutshme për këtë ndërmëndje, por Albert Shala vendos të tregojë, të tregojë, të rrëmojë plagën që ka zënë kore, të sëmbojë dhimbjen që i ka ndryllur harrimi. Ky zë që ka vendosur të hesht për një kohë të gjatë, merr zemrë dhe kushtron për të kumtuar një cobëz prej të vërtetës së vaditur me gjak dhe të ushqyr me varre.
"Arkeologu dhe hijet" më shumë se sprova nistore në narracion, pa asnjë mëdyshje është një kërcim i kurajshëm në një aventurë që bota e ngjiz dhe ngërthen më lëndë të ngjeshur fatesh. Poeti dhe publicisti Albert Shala rreket të çlirohet prej të pamjaftueshmes që eteri petik i mëkon për ta lënë shpirtin e tij dorzan ferrit të jetëve të trishta. Ai vjen për të rrëfyer jetët tragjike të fateve të këputura. Ky roman i ngjan një përjetimi të makthshëm prej të cilit shumëkush del si bashkëjetues, të tjerë si viktima, dikush si rrëfimtar. Personazheve i rrethvjen pambarim një panoramë e zymtë ku gëlojnë zëra dhe hije, ku rëndon një pushtet ferri dhe tmerri. Ata janë aq të ngjashëm sa është e vështirë të qartësosh, se ku gurron pipëtima ndjellakeqe e njërit dhe ku sos tragjizmi i tjetrit. Pëersonazhet, Skënderi, Shpresa, Armendi, Arbënorja, Rama, Dragani, Sinisha, Rexhepi, Mihameti, Avniu, etj. gëlojnë në një lojë jetësore në përmbushje të profilit që shkrimtari i vizaton me shumë kujdes.
Të gjithë flasin, të gjithë heshtin, të gjithë kanë vendndodhjen e tyre në atë reale që fanitet fantazmagorike si një lojë magjish me figura, frymë, hije dhe zëra. Një realizëm magjik qaset të ngufasë pena e Shalës në këtë tregimtore.
Natyra me hiret e saja kërcënuese, shpesh është i vetmi dëshmitar i natës së varrit, i gjyqeve nën kërcënimin e tytës së armës. Në përpjekjen e saj për të qëndruar gojëkyqur janë hijet që e cytin në krimin e kallzimit, në nxjerrjen në pah të sythit të së vërtetës, syth që për tjetër pranverë për të çelur.
Albert Shala me romanin "Arkeologu dhe hijet" më shumë se i yshtun prej një vullnese rrëfimi,  është i ngucatur prej nevojës së denoncimit në këtë ndërkohje disi të pakohë. Ngre kry e kushtron, mbledh grushtin dhe godet. Shumëkush është përpjekur që nëpërmjet shprehive më ngjethëse të rrëfimit të tregojë kobin e tmerrit që u shemb kërcënues përgjatë një kalvari të pambarimtë të persekutimit serbosllav. Shala vjen ndoshta jo dhe aq për të mbushur ndonjë boshllëk që kjo rreziknatë shpaloi në fatet e kosovarëve, se sa për të shtegtuar rrëfimin e tij në atë vargan të gjatë dëshmitarësh që çlirohen prej robërisë së heshtjes dhe flasin, thërrasin, kushtrojnë.
Nëpër mjegull dhe shi shpërndahet ajo zemërata vullnetesh të ndrydhura, gremiset në varre e gjëmon me zemëratën e motit. Frymë të rrëmetshme përshkojnë përroin e jetës në këtë kënd të Kosovës, si në çdo kashore rënkuese të trupit të saj përplot plagë dhe varrë që despotizmi serb mbolli.
Bashkëjetimi me vdekjen, me tmerrin dhe terrin është për personazhet e Albert Salës një jetë paralele. Një shëmbëllim i makthshëm, që natën gris me të lehura vajtuese qensh, e gjumin ua thërmon dhimbja. Netëve dëgjohen hapa që rendin me nxitim, kërcitje lopatash, krisma dhe vdekje. Të vdekur pa varr dhe të gjallë që jetojnë në varrin e jetës.
Frymëmarrja gjithnjë është e tendosur në gjithçka gjallon asaj nahije e kulmon në Zabelin e Zanave, atje ku nata dhe vdekja flasin me gjuhën e hijeve, ndjenjës së zgrofit që këput vërshimin në shtatin e jetës.
"Arkeologu dhe hijet" është një roman që modelon arketipin rrëfimtar të dëshmisë së tmerrit. Brendia estetikisht dhe artistikisht ruan vlera horizontale. Gjithçka vërshon në mënyrë lineare pa e trazuar fatin e garrametshëm të personazheve që hyjnë të gjithë njëherësh në skenë, në atë realitet të trisht ku gjithçka është e parathënë nga një ndjesi e plogësht dhe e akullt, si një prekje që të gris.
Situatat gjithnjë të ngarkuara me tension të shtypin nën peshën e tragjikes. Nuk të mjafton dhimbja për të jetuar në çast që e keqja skërmit dhëmbët si shprehje paniku që ndjen vrasësi. Ai ka pushtetin, ka të drejtën të bëjë gjithçka në emër të ligjit dhe sërish është i përndjekur nga frika, nga pasiguria. Ata të gjithë jetojnë me vdekjen që i përgjon përgjatë gjithë rrugëtimit nëpër këtë panoramim të thkshëm tmerri, trishtimi dhe dhimbejej. Autori e përcjell tragjiken me atë ton ngjyre dhe atë dramacitet që vetë e atëhershmja e ka mrujtur realen. Duke e lezuar këtë roman, lipset ta rijetosh, të ndihesh i kapluar prej thonjve të skërmitur të së trishtes, pa mundur të çlirohesh edhe kur romani mbyllet në fillin e tendosur të tmerrit që vazhdon.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk