I DEHUN PREJ KETIJ MREKULLIMI
Nga Albert Vataj
Kjo pamje madhështore t'përshkon si një
rrezatim tue t'mbush me dritën e vet përtëritëse tançka n'ty përpëlitet
n'tërrin e mungimit dhe boshit. Ky asht nji eter qi shpalos tan madhështin e
vet t'natyrshme, delikate dhe ngasëse, nji frymëmarrje që e ndin teksa
t'përshkon me përqafjen e vet prej flladi, e t'mush me landën e kullueme ndër
sy që magjepsen prej saj.
Tej nën këtë poroz reshë të bardha gushti
kungojnë hijshëm kreshtën e krenaris malet që e fillërojnë Shkodrën, malet qi
përkundin në prehnin e tyne lirikën ngjethëse të njasaj bukurie marroke qi
kalamend çdo yshtje jetësimi . Tue u përqaf me qiellin, ky ngulm ngaset me e
mbush me epos krejt çka ëndja rreket me mru ndër kujtime e kallzime, këtë
panoramë që shtang potërshëm.
Poshtë, kridhet në ëndjen teme t’dehun prej
zotnimit, si kurmi i shtatit të një vashëze, Liqeni i Shkodrës, fort e epshmja
hijeshi. Me një paqti e joshje që mundet me nguc ma t’largtat harbime, qi
m’lidhin me te. Ky kumt idilik asht ma e kandshmja prehje që kundris teme
mundet me i’u shtriq, njashtu mbuluem prej nji cohe përfytyrimi që noton nëpër
këtë ujë të kjart e të kaltër, që prej fëmijnisë, asokohjes kur lundonim nëpër
te me u derdh në Shirokën magjepsëse, t’mundshmen fillimore të dëshirës me u
dhan shtat e andë, diellit e gurëve që zgjatojnë nëpër bregun e pamundun me u
ngop me shëlbim.
Vetëm përball një shfaqje të këtillë, na
mundna me mësu mbi eksplodimin e përmasave që natyra qaset të gostit kremtet e
magjishme të amshimit. Me dëshirën për zotnim i lëshohemi si frymë kësaj pamje,
e sakaq ndjejmë tëksa gjithçka e jona shpërbahet në mijëra thërmiaja drite, që
e bajnë t'mundshme kaplimin e kësaj kjartësie, shëlbimin e këtij Zoti, qi tue
na shpërbly kësisoj, kallzon se sa me përkushtim dhe pasion ai e ushqen
qëllimin e hyjshëm të jetës.
Në natyrë, si në këtë çast ngashërimi, krijusi
ka tret ëmën e tan devocioneve, ka mëku shpirtin e më të prushtave përjetime,
tue e zafill epjen ton si më të përkorën mirënjohje për tançka mbush këtë
rrëfimtore malli qi noton në syprinën e paqtë të këtij liqeni e fluturon me
pulëbardhat qi masin përmasat e këtij mrekullimi.
Comments
Post a Comment