Atë Gjergj Fishta gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare
Atë Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e
veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli
dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten
gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare.
E pamatshme është vepra e tij. Gjithçka që
rreket me formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte
të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një
univers, ishte një rast i përjashtuar nga logjika e krijuesit. I lindur për të
qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset
sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë
dhe si një fenomen.
At Gjergj Fishta, ishte i pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmim Nobel. Ai ishte dhe mbeti atëditë e sot një një figurë poliedrike, i pashok në gjithë galerinë e korifejve që kanë zënë vend në panteonin e nderit të Kombit shqiptar.
Tek At Gjergj Fishta është ngjizur dhe ka marrë trajtën e mrekullisë, misionari, poeti, publicisti, hartuesi i alfabetit shqip, gojtari, dramaturgu, regjisori, piktori, arkitekti, përkthyesi, përshtatësi, polemisti, burrështetasi dhe pedagogu. Ai gjithçka që preku e mbushi me më të hyjshmen dritë të përkushtimit dhe devocionit. Gjithkund ku behu ai ishte një vullnesë e mirë, një zë kushtrues, një dalzotës zemërzjarr, një bujar dorëngrohtë, një këshillues gojëëmbël. Ishte kudo që duhej të ishte dhe bëri gjithçka që duhej të bënte, dha gjithçka që kishte, la gjithçka që krijoi, gjithçka që e ushqeu me frymën e tij jetëdhënëse, më amshim.
Comments
Post a Comment