Klasiku Nicolas Poussin, ai që fisnikëroi penelatën e ndjenjës dhe arsyes
Nga Albert Vataj
Temperamenti im më shtyn drejt rregullit, kjo
është deviza e mjeshtrit klasik, Nicolas Poussin i cili sot mbush 350 vite prej
ndarjes nga jeta. Midis ndjenjës dhe arsyes ai ngriti një përmendore të lartë
të veprës.
Nicolas Poussin është përfaqësuesi i dytë i
pikturës franceze të shekullit VII. Ai ndoqi një tjetër kahje nga ajo që udhëtregoi
aktin krijues të Lui Lë Nënit. Ndonëse të dy u udhëhoqen nga idealet e larta humane
dhe racionale të shoqërisë franceze të asokohëshme. Burimet e frymëzimit dhe
ngarkesa emotive e figures që merr jetë prej këtij peneli, e veçojnë nga bashkëkohësit.
Nicolas Poussin nuk ndjen tërheqje nga skenat e jetës së përditëshme, tabloja e
zhanrit e cila erdhi si formë shprehëse në shekullin e VI, apo figurinat mëtuese
të Karavaxhos. Pëlqen historinë, letërsinë antike dhe mitologjike, artin
italian të Rilindjes dhe prej këtyre ai rrëmoi për të zgjuar muzat krijuese, të
cilat i erdhën nga pas përgjatë udhës së tij prej gjeniu.
Si shumë pararendës, bashkëkohës dhe pasardhës,
edhe ai pati atdhe të dytë Italinë, ose u lidh shpirtërisht dhe fizikisht me të.
Ashtu si Albert Dyrer dhe Pier Paul Rubens edhe Nicolas Poussin gjithçka në shkëlqimin
e tij do ia detyronte këtij vendi të burimeve të pamatshme gjenialiteti.
Nicolas
Poussin (15 Qershor 1594 – 19 Nëndor 1665), ishte piktor francez i stilit
Klasik. Punët e tij rrezatojnë qartësi, logjikë e rregull, linjat favorizuar
mbi ngjyrat. Piktura e Poussin shërben si alternativë ndaj stilit mbizotërues
Barok të shekullit XVII. Deri në shekullin XX ndikoi më shumë se kushdo
artistët e orientuar nga klasikja si, Jacques-Louis David,
Jean-Auguste-Dominique Ingres dhe Paul Cézanne. Kaloi kohën më të madhe të
punës në Romë, përveç një kohe të shkurtër, kur kardinali Richelieu e kthen në
Francë për të qenë Piktori i Parë i Mbretit. Shumica e veprave të tij janë të mbarsura
nga tematika historike, religjoze dhe mitologjike. Pjesë e kolanës së klasikut
Nicolas Poussin është peisazhi. Natyra vjen përmes penelit të këtij mjeshtri si
një formë delikate shprehëse estetike.
Duke e qëmtuar më në fondament dallojmë se në
aspektin përmbajtësor pikasim se temat e tragjedisë dhe vdekjes janë të shumëpërdorura
në punët Poussin.
Gjatë gjithë jetës së tij Poussin u ndal jo
vetëm tek tendencët popullore ndaj dekoratives në artin francez të kohës së
tij. Në veprat e Poussin gjalluan të fuqishme impulset e Rilindjes, të shoqëruara
këto me referencë të vetëdijshmes në artin e antikitetit klasik, si standard i
përsosmërisë. Qëllimi i tij ishte qartësia e shprehjes arritur nëpërmjet
sublimes së penelit.
Poussin është një figurë e rëndësishme në
zhvillimin e peisazhit pikturë. Në pikturat e tij të hershme peizazh zakonisht
formon një sfond i këndshëm për një grup të figurave; më vonë ai ka avancuar në
pikturën e peizazhit për hir të saj, edhe pse kjo veprimtari nuk ka mbërritur
dhe aq përfaqësuese deri sot.
Ai vuajti nga shëndeti gjithnjë në rënie, pas
1650, dhe u trondit nga një dridhje e duarve që u përkeqësua vazhdimisht duke e
lënduar jo vetëm impulset e tij krijuese por edhe vetë punën. Ai vdiq në Romë
më 19 nëntor 1665, sot 350 vite më parë. U varros në kishën e San Lorenzo në
Lucina.
Kujtesë dhe përshpirtje për atë kurm dhe forcë
shpërthyese emocionale, e cila jetësoi çka shëmbëllime të hyjshme behën në
shkëlqimimet e krijimit që shtangin kureshtinë e gjeneratave dhe magjepsin
ëndjen tonë estetike.
Comments
Post a Comment