Soela Zani, revista "People" shkruan për fotografen shqiptare
Në veri të Shqipërisë gjendet i fshehur një thesar: gjysmë milioni fotografi për kulturën, modën dhe historinë e vendit. Por imazhet e një bote të zhdukur ngaherë janë të fshehura mirë. Kush i kërkon – shpërblehet.
Pietro Marubi mbase as që do ta kishte parë ëndërr që një ditë atij do t’i kushtohej një muze. Po edhe sikur ta kishte marrë me mend, ky fotograf mbase kurrë s’do të kishte besuar sa mirë mund të fshihet muzeu i tij.
Artistët në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, na kishin thënë se patjetër duhet të shkojmë atje, në qytetin e Shkodrës, në veri të vendit. Një gjysmë milioni foto-negativë mrizojnë në arkivin e muzeut: kulturë, modë, arkitekturë dhe ngjarje historike nga historia e Shqipërisë prej më shumë se 100 vitesh. Një thesar kulturor!
Puna me thesaret është kështu: ato duhet zbuluar. Na thanë se muzeu gjendet në qendër të Shkodrës. Kur arritëm në qytet ishte mesditë, vapa përcëllonte. Qendra ishte e vogël: një rrethrrotullim trafiku, në mesin e të cilit një fontanë lagte artin komunist prej betoni, në anën e djathtë kupola e një xhamie, në të majtën kisha ortodokse.
Tabela e parë drejt Marubit na çoi te shkolla – ajo bart emrin e njëjtë. Në Google Maps kishim gjetur shënimin «Muzeu» pranë rrethrrotullimit, por aty hasëm vetëm një rrënojë të djegur. I pyetëm kalimtarët. Secili ishte i gatshëm të na ndihmonte dhe secili tregonte në drejtim tjetër. Në fund kamarieri i një bari na shoqëroi deri te dy rrugët më poshtë, pas dy qosheve, përmes hyrjes në një portë anësore, u gjendëm para tabelës: «Fototeka Kombëtare Marubi». Këtë tabelë e kishte vendosur Ministria Shqiptare e Kulturës. Me gjasë synimi ishte që thesari të ruhet për vete.
Muzeu gjendet në katin e parë të një ndërtese të përhimtë me fasadë të çarë. Në mure shihet një duzinë fotografish bardh-zi në korniza të errëta. Bukuria e fotografive gati na e mori mendjen: portrete të bujqëve shqiptarë nga malësia me revole dhe plisa; gra katolike me dimi, fytyrat e të cilave fshiheshin pas shamive të qëndisura; gra myslimane me jelekë të ngushtë me qëndisma ari dhe dimi me ornamente të ndryshme, të cilat në studio i tregojnë fytyrat e tyre të pambuluara; fotografi natyre nga kodrat e Shkodrës; fotografi nga ardhja e princit gjerman Wilhelm zu Wied, i cili më 1914 për disa muaj si princ i Shqipërisë qeverisi vendin.
Fotografitë tregojnë një botë të zhdukur mes Lindjes dhe Perëndimit, ato tregojnë për forcimin e qytetarisë, për jetën fshatare, për luftën e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe për depërtimin e modës së Parisit deri në skutat më të largëta të Ballkanit.
Pietro Marubi u lind mes viteve 1830 dhe 1834 në Piacenza të Italisë. Marubi ishte piktor, skulptor dhe përkrahës i Risorgimentos, lëvizjes unike italiane, nën drejtimin e Giuseppe Garibaldit.
Kur në vitin 1849 Garibaldi pas një humbjeje kundër trupave franceze dhe habsburgase iku në Amerikë, edhe Marubi braktisi atdheun. Përmes Korfuzit dhe portit të qytetit të Vlorës ai erdhi në Shkodër. Atëbotë qyteti ishte qendër kulturore. Marubi u shpërngul këtu dhe u martua me një grua me emrin Marietta, e cila po ashtu rridhte nga Italia.
Ajo ishte larëse rrobash dhe 20 vjet më e moshuar se ai. Si arriti Marubi të ketë një aparat fotografik nuk është e ditur. Në fotografinë e tij më e vjetër nga viti 1859 shihet luftëtari shqiptar Hamza Kazazi me shpatë, revole, pallto, me xhaketë të stolisur dhe me fustanellë të bardhë, të cilën shqiptarët e bartnin prej shekujsh.
Marubi e ndërroi emrin në Pjetër dhe u bë shqiptar. Ai dëshironte ta fotografonte natyrën e blertë malore rreth Shkodrës dhe të bënte fotografi të malësorëve kur ata vinin në qytet me veshjet e tyre. Marubi i botonte fotografitë e tij në magazinat italiane dhe franceze, këto fotografi ngjallnin romantikën e Ballkanit në Perëndim dhe mallin për aventura në treva të egra.
Marubi nuk qe i detyruar të depërtojë në rajone të largëta – malet vinin te ai. Shpejt lajmi mori dhenë që një i huaj me një «kuti magjike» kishte ardhur në Shkodër.
Deri atëherë në Shqipëri fotografia ishte e panjohur. Në të vërtetë raportet mbi zbulimin e mënyrës së fotografimit nga piktori francez Lous Jacques Mandé Daguerre që në vitin 1839 kishin depërtuar në zemër të Perandorisë Osmane, por në perifertë e saj teknika e re ende nuk ishte e njohur. Atëbotë thuhej se Marubi në Shkodër është piktor dhe vizaton me dritë.
Së shpejti ai hapi një studio të fotografisë në qytet. Pëlhura me treva idilike mali krijuan sfondet e para dhe para tyre fotografoheshin tregtarë, zyrtarë, familjet e tyre dhe gratë. Më vonë në skenë u vendosën mobilje, komodina apo kolltukë për të lehtësuar pozimin.
Fotografitë e Marubit ofrojnë pamje të një kohe kur moda përcaktonte statusin shoqëror. Rrobat ishin madhështore. Lordi Byron kishte thënë me entuziazëm se ato janë «më të bukurat e mbarë botës».
Ky mendim vlen edhe sot. «Në mbarë Ballkanin», shkruan historiania e artit Leyla Belkaïd në «Encyclopedia of National Dress» «rrobat e Shkodrës hynin ndër veshjet më artistike që bartnin gratë qytetare».
Zonjat e shtresës së lartë qytetare nuk kufizoheshin vetëm në kopjimin e modës nga Stambolli. Në veshjet e tyre shiheshin shumë ndikime kulturore. Gratë bartnin pallto të bukura, të quajtura «xhybe», të cilat janë të ngushta në gjoks dhe shtrihen nga beli te gjunjtë.
Në Shkodër mund të shiheshin variacione luksoze prej kadifeje, të stolisura me qëndisma ari, të cilat ishin të shpërndara në modele me lule dhe të kujtonin ndikimet bizantine. Nga otomanët gratë kishin shallvaret, edhe këto me qëndisma ari. Ornamentet kombinonin kryqet katolike dhe ortodokse, motivet islamike dhe simbolet hebraike, tregon Leyla Belkaïd.
Si stoli për kokë shërbenin mbulesat prej mëndafshi me lira prej ari apo argjendi. Lirat dhe hajmalitë, të cilat vareshin edhe në zinxhirët e gjatë të qafës, duhej të të mbronin nga syri i keq. Sa më i hijeshëm zbukurimi, sa më më të shtrenjta materialet, aq më i pasur personi. Qytetarët fotografoheshin me veshjet më të bukura dhe me portretet e tyre stolisnin portat e shtëpive për të ilustruar statusin dhe mirëqenien.
Fotografitë tregojnë edhe ndryshimin e shoqërisë. Pas rënies së Perandorisë Osmane dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912 burrat bartnin kostume të zeza sipas shembullit perëndimor. Gratë lanë palltot e qëndisura, bluzat dhe xhaketat në sirtarë dhe u orientuan nga moda e Parisit. Shamitë e mbulesat e tjera ia lëshuan udhën kapeleve dhe çadrave të qëndisura, korseja ngushtonte belin.
Njëri prej asistentëve të Marubit, 15-vjeçari Kel Kodheli, u bë njeri i besueshëm i Marubit. Kur fotografi vdiq në vitin 1904 dhe nuk la fëmijë, Keli e mori mbiemrin e mjeshtrit dhe vazhdoi veprën e tij. Ai kishte një sy të jashtëzakonshëm për fotografi. Disa prej fotografive edhe sot duken si skena filmi.
Drejtori i Muzeut të Marubit Luçjan Bedeni është pak mbi 20 vjeç. Ai na priti në një zyrë modeste postkomuniste. Pas dyerve të bardha të vitrinave të arkivit gjenden kuti të numëruara me gati 500 mijë foto-negativë dhe pllaka qelqi. Bedeni fut duart në dorëza prej pambuku dhe hap një kuti prej kartoni. Pllakat e qelqit janë të mbështjella me letër të hollë dhe të ndara me kadife.
«Jemi shumë krenar që i kemi këto fotografi», thotë ai dhe drejton një pllakë nga drita e neonit në tavan. Në negativ shihen vizatime me dorë me alfabete të ndryshme: cirilik, grek dhe latin, nën to nënshkrimet me shumë vija. «Një fotografi e dokumentit, me të cilin u vendos që për transkriptimin e gjuhës shqipe të përdoret alfabeti latin», tha Bedeni. Përqafimi i gjuhës amtare ishte me rëndësi për lëvizjen kombëtare. Dokumenti origjinal është zhdukur, ekziston vetëm fotografia.
Drejtori tregoi se me ekipin e tij të vogël është duke i digjitalizuar të gjithë negativët. «Kemi fat, Marubi ka qenë një mjeshtër pedant». Ai nxori një libër të madh dhe të zi, në të cilin gjendeshin të gjitha shënimet me dorë mbi çdo fotografi të arkivuar.
Që nga vitet 70-të, tha Bedeni, askush nuk është interesuar për këto fotografi. Atëbotë Gegë Marubi, i biri i Kel Marubit, kundër vullnetit të tij ia kishte dhënë arkivin regjimit komunist.
Më parë ai e kishte revolucionarizuar teknikën e fotografimit të babait të tij. Kel Marubi kishte studiuar në shkollën e fotografisë të vëllezërve Lumière në Francë dhe kishte bërë eksperimentet e para me celuloid. Më vonë ai ishte i pari që ngjyroste fotografi.
Kur diktatori komunist Enver Hoxha mori pushtetin në Shqipëri në vitin 1944 ai urdhëroi mbylljen e të gjitha dyqaneve private dhe i nacionalizoi ato, përfshirë edhe fotostudion Marubi. Diktatori i mbylli edhe fotografitë e arkivit.
Luçjen Bedeni dëshiron që thesarin kulturor ta prezantojë në një muze të vërtetë. Ai me krenari tregon për planet e arkitektëve nga Roterdami Helena Casanova dhe Jesus Hernandez për një ndërtesë në shëtitoren e Shkodrës.
Vitrinat me fotografi do të joshnin kalimtarët. Brenda fotografitë e Marubit do të ishin të prezantuara në pëlhurë, me tabela me shpjegime, një dhomë me aparate të vjetra dhe vegla për fotografim, në oborr një kopsht. Tamam ashtu që Marubi të mos fshihet më. /DialogPlus/
Comments
Post a Comment