Lamtumirë Ergi Dini! Familja, miqtë dhe kolegët përcjellin artistin unik

Lamtumirë Ergi Dini!
Familja, miqtë dhe kolegët përcjellin artistin unik
Mbrëmjen e hënë nga aksidenti tragjik në Tiranë humbën jetën dy të rinj. Këngëtari Ergi Dini 22 vjeç dhe Klejdi Halili 21 vjeç. Vdekja e dy të rinjve erdhi si pasojë e humbjes së kontrollit dhe përplasjes me motor. Të rinjtë që u dërguan menjëherë në spital, nuk mundën t’u shpëtojnë plagëve të rënda, ndërsa tragjedia tashmë ka pllakosur në familjet e tyre.
Lot, dhimbje dhe boshllëk!
Lamtumira e fundit Ergi Dinit iu dha ditën e djeshme në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Qindra e qindra miq e kolegë morën pjesë në ceremoninë mortore, ndërsa postime të shumta vazhdojnë të vërshojnë ende nëpër rrjetet sociale për humbjen e tij.
Aurela Gaçe, Ardit Gjebrea, Alketa Vejsiu, Vera Grabocka, Olta Boka, Altuna Sejdiu, si dhe ish- konkurrentët e “X Factor” kanë kujtuar mikun e tyre mes lotësh, duke u shprehur se nuk e besojnë ende që Ergi nuk jeton më.
“T'njoha në sfidën tënde më t'madhe dhe gëzohem që isha pjesë e saj! Të njoha në rrezet e para të tua të agimit që duhej të ishin dhe të perëndimit, por një ditë, jo kaq herët! Me ty derdha lotët e gëzimit, por këto lot tani nuk janë të drejta! U prehsh në paqe rebeli im kampion, sepse e di që engjëjt aty lart do kujdesen për ty!”, shkruan Tuna Sejdiu për Ergin, e cila përveçse mike ka qenë edhe mentore e tij në programin X Factor Albania.
Aurela Gaçe shkruan për Ergin, “S'ka pak që mora këtë lajm kaq të hidhur. Pa fjalë. Duket e pabesueshme. Paçka se nuk të njihja nga afër, zërin e talentin tënd ishte e pamundur të mos e duartrokisje fort, ishe kaq ndryshe. Shumë i ri, ti bashkë me shokun tënd. Zoti ju pastë marrë në krahët e tij e u prehshi në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjarë” përfundon Gaçe, ndërsa Ardit Gjebra thekson që nuk i besohet. “Ende nuk mësohem dot me idenë se Ergi Dini nuk është më në botën tonë... Shumë shpejt ike Ergi! Ti dhe shoku yt Kejdi. Dhimbje pafund që do më zgjasë, sepse jo vetëm të njihja, por se edhe të vlerësoja pamasë për zërin dhe talentin tënd. Tani na sheh nga lart, shpejt u ngjite aty, duke lënduar familjen që nuk u ngop me ty, e as ne me zërin tënd. Paqe për ty atje ku je, Ergi”.
Por, kush ishte Ergi Dini për ata që s’e njihnin
Artisti i ri, i cilësuar si një nga zërat më të fuqishëm shqiptarë që i vogël kishte nisur të merrej me këngë. Ergi Dini u lind në Shkodër dhe ishte vëllai i këngëtares së njohur, Barbana Dini. Karriera e Ergit në muzikë nisi fillimisht në festivalet për fëmijë, ku këndonte si solist, më pas në shkollën “Jordan Misja” dhe në vitin 2013, ku hodhi hapat e parë me pjesëmarrjen në X Factor Albania, prej ku doli edhe fituesi i edicionit me mentore Altuna Sejdin.
Ergi Dini u vlerësua për vokalin e tij, me një timbër mjaft të veçantë. Pas shpalljes fitues, Ergi publikoi “Morphine”, i cili ishte videoklipi i parë i tij, i kuruar me shumë kujdes dhe që u prit mirë nga publiku.
Më pas ai konkurroi në “Kënga Magjike” me këngën “Pa frymë” dhe në prill të vitit 2016, publikoi një tjetër videoklip me titull “Asnji gram”.

Së fundmi, Ergi ishte duke punuar për të sjellë një tjetër këngë. Vetëm para pak ditësh, ai kishte publikuar fotografi nga pushimet që po kalonte në Itali së bashku me motrën, Barbanën, me të cilën ishte shumë i lidhur. Përpos muzikës, 22-vjeçari merrej edhe me biznesin e tij të sapongritur, një agjenci udhëtimesh.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk