DENI DIDRO: Natyra është shumë më tepër se një mekanizëm i vdekur, ajo është jetë organike
Deni Didro (Denis Diderot),u lind më 5 tetor 1713 në
Langres, në Shampanjë; ai ishte bir i një tregtari thikash dhe i gruas së tij,
Anzhelikë Vinjeron. Nga viti 1723 deri më 1728, shkoi në kolegjin e jezuitëve
të Langresit, para se të vazhdonte kolegjin Luigji i Madh (ndryshe kolegji i
Harcurit) në Paris. Më 1732, mbasi mori titullin magister artum i Universitetit
të Parisit, u regjistrua në kurset e teologjisë në Sorbonë. Duke punuar në të
njëjtën kohë si ndihmës te një avokat, Didroi jetonte me punë të vogla: shkrime
predikimesh për fillestarët klerikë, mësime private, redaktim artikujsh
gazetash dhe përkthime nga anglishtja. Më 1742, u njoh me Zhan-Zhak Rusonë, me
të cilin do të lidhte një miqësi që vazhdoi për katërmbëdhjetë vjet, deri në grindjen
përfundimtare. Më 1743, kundër dëshirës së prindërve të tij, Didroi u martua me
një rrobalarëse, Antuanetë Shampion; nga katër fëmijë që patën do të jetonte
vetëm një vajzë, Anzhelika. Më 1746, Didroi u dha pas ndërmarrjes së gjerë të
Enciklopedisë, fillimisht e menduar si përkthim i thjeshtë i një vepre angleze
të Efraim Shambers (rreth 1680-1740), titulluar Cyclopaedm, or An Universal
Dictionary of Arts and Sciences, botuar më 1728. Nën nxitjen e bashkëbotuesve,
Didroit dhe D\'Alamberit, Enciklopedia mori pak nga pak përmasat e një vepre të
pavarur dhe monumentale. Bashkëpunëtorë të shumtë u ftuan të jepnin ndihmesën e
tyre, secili në specialitetin e vet. Botimi filloi më 1751 dhe do të vazhdonte
njëzet vjet. Paralelisht me punën e tij prej botuesi dhe bashkërenduesi, Didroi
përpiloi një numër të madh shkrimesh filozofike. Njëri prej tyre, Letër mbi të
verbrit në përdorim të atyre që shohin (1749), i kushtoi tre muaj e gjysmë burg
në Vansenë për \"materializëm\" dhe \"ateizëm\". Ai krijoi
gjithashtu pjesë teatrore (Djali i lindur jashtë martese, 1757; Ati i familjes,
1758), shkroi kritikë arti, tregime dhe romane. Nipi i Ramoit (1760-1777),
dialog satirik, në fillim u njoh në përkthimin gjermanisht të dhënë nga Johan
Volfgang Gëte (1749-1832). Rreth vitit 1762, Didroi filloi të mbante
letërkëmbim filozofiko-politik me careshën Katerina II e Rusisë, që e bëri
bibliotekar për gjithë jetën.
Filozofi e kaloi dimrin 1773-1774 në Shën Petërburg, ku pati
biseda të shpeshta me Katerinën e Madhe. Ai punoi gjithashtu për Plani i një
edukmi publik në të gjitha shkencat, në perspektivën e një reforme të
mësimdhënies në Rusi. Didroi vdiq në Paris më 31 korrik 1784.
Gjatë punës mbi \"Enciklopedinë\" u krijua një
bërthamë bashkëpunëtorësh të rëndësishëm, një rreth \"enciklopedistësh\",
qendra e të cilit ishte Didroi. Përveç atyre që morën përsipër hartimin e
veprës, Didroit dhe D\'Alamberit (që e cilësuan filozofinë \"fizikë
eksperimentale të shpirtit\"), ra në sy, mes të tjerëve, prania e Melshior
Grimit (1723-1807), publicist i shoqërisë së lartë dhe diplomat me prejardhje
gjermane, si dhe e një ithtari të moralit materialist të mbështetur mbi
egoizmin, filozofit Klod Adrian Helvetius (1715-1771), veç të tjerash edhe
fermer.
Enciklopedistët e kishin zakon të mblidheshin në shtëpinë e
baronit të pasur dhe me influencë Holbak (1723-1789), gjithashtu filozof. Pa
dyshim që Didroi bashkëpunoi për përmirësimin e veprës së tij Sistemi i natyrës
(1770), gjuha fillestare e së cilës ishte disi e ashpër. Kjo vepër e ngjizur si
\"bibla e materializmit\", përmbledh arsyetimet e fizikës dhe të
fiziologjisë së kohës kundër idealizmit dhe dualizmit të shpirtit dhe të
materies: shpirti është gjithmonë veçse shprehje e veprimtarisë së nervave të
trurit.
Georg Vilhelm Fridrih Hegeli (1770-1831), adhurues i madh i
Didroit, rimori te Fenomenologjia e shpirtit \"dialektikën e zotërisë dhe
të shërbëtorit\", që figuron te Zhak Fatalisti, dhe nxori prej andej
parabolën e çlirimit nëpërmjet punës që gëzonte borgjezia në krahasim me
fisnikërinë: skllavi, që jeton \"me frikën e të zotit\", bëhet i
domosdoshëm për këtë të fundit duke krijuar botën në të cilën jeton. Në fund,
vetëdija e botës së përpunuar nga shërbëtori zëvendëson këtë. Ne gjejmë te
Mjeshtri Puntila dhe shërbëtori Mati, të Bertold Brehtit (1898-1956), një
interpretim marksist të kësaj dialektike.
Natyra është shumë më tepër se një mekanizëm i vdekur: ajo
është jetë organike. Me qëllim që të pasqyrohet me drejtësi shumësia e natyrës
në përgjithësi dhe në veçanti ajo e jetës njerëzore - si Enciklopedia, nën
drejtimin e Deni Didroit, që u përpoq ta bënte në mënyrë metodike - autorët e
iluminizmit iu drejtu një shumësie zërash dhe formash letrare, duke përfshirë
këtu edhe dramën dhe romanin.
Më 1750 doli reklama e përpiluar nga Deni Didro (Denis
Diderot), që ftonte për pjesëmarrje në Enciklopedi. Në zanafillë, ky model i
gjithë fjalorëve enciklopedikë të ardhshëm parashikonte vetëm përkthimin e
plotë të një fjalori anglez që ekzistonte. Gjatë viteve dhe deri më 1772
Enciklopedia franceze arriti të bëhej një vepër monumentale, që përmbante
shtatëmbëdhjetë vëllime tekst dhe njëmbëdhjetë vëllime pllakash të gdhendura të
një cilësie të jashtëzakonshme. Ai qe botimi shkencor dhe
\"filozofik\" më i madhi dhe më i rëndësishmi i epokës së iluministëve.
Didroi i kushtoi njëzet vjet të jetës së tij, herë si botues, bashkërenditës
botimi dhe redaktor i shumë zërave. Ky Fjalor i arsyetuar i shkencave, arteve
dke zanateve ishte një përmbledhje e shkencave të kohës, por trajtonte
gjithashtu edhe artet dhe letërsinë; në fund, dhe kjo ishte një risi e madhe,
ai trajtonte \"artet mekanike\" dhe njohuritë teknike në fushën e
artizanatit dhe të industrisë.
Bashkëpunëtorët e Enciklopedisë - \"shoqëri e njerëzve
të letrave\" - ishin pak a shumë të gjithë mendimtarë të emancipuar, madje
mendimtarë të lirë, që përfituan nga rasti për të dhënë mendime nganjëherë të
guximshme për fenë dhe për politikën, gjithmonë nën kërcënimin e censurës;
mendimet më të rrezikshme fshiheshin nganjëherë në mënyrën e tërthortë të një
artikulli në dukje i lehtë ose nëpërmjet një loje të gjetur reference apo
shënimi. Botimi u ndalua shumë herë, por falë mbështetjes së miqve të fuqishëm
të iluministëve - si politikani Malherb apo zonja Dë Pompadur, dashnorja e
Luigjit XV - vepra gjigante u çua deri në fund. Enciklopedia ishte një vepër
kolektive, në të cilën morën pjesë personalitete të ndryshme, të tillë si
Volteri, Bufoni për botanikën dhe Zhan Zhak Rusoi, me të cilin Didroi mbajti
për një kohë të gjatë një miqësi të ngushtë. Të bëje të punonin me të njëjtin
shpirt tërë ato natyra aq shumë të ndryshme, kjo kërkonte nga Didroi dhe
bashkëbotuesi i tij, Zhan Lë Rond d\'Alamber (1717-1783), cilësi intelektuale
dhe njerëzore jo të zakonshme dhe një seriozitet dhe zell të jashtëzakonshëm.
Didroi mundi të frymëzonte dhe të drejtonte një projekt të
kësaj gjerësie, sepse dinte të shihte përtej grindjeve filozofike të ngushta
dhe se përfshinte në mendimin e tij shqetësime të reja, pa kërkuar të
mbërthente një sistem të mbyllur, por të shpaloste një mënyrë intelektuale
operuese, përparuese dhe përgjithësuese. Ai nisej nga pozicionet e Xhon Lokut
dhe të njërit prej nxënësve të tij, kontit të Shaftbërit, që kishte shtjelluar
empirizmin në kuptimin e një psikologjie sensualiste,duke dhënë kështu shkas
për lindjen e rrymës letrare të \"ndjeshmërisë\". Të jetosh dhe të
tregosh ndjenja të vërteta dhe autentike, u bë një perbëres vendimtar i
shoqërisë së mesit të shekullit XVIII. Në tekstet e mëvonshme mbi teatrin,
Didroi theksonte gjithashtu se duhej ditur, në disa raste, \"të
luaje\" realen për ta bërë më prekëse. Ky është i famshmi \"paradoks
i aktorit\"; gjesti që duket më i natyrshëm është ndoshta ai që është
zbërthyer dhe studjuar më me kujdes\" - Didroi është këtu në një mendje me
Rusoin - i kundërt me falsitetin e botës zyrtare të parukave të pudrosura, por
në një kuptim vetëm matematik të natyrës. Kërkimet natyraliste të kryera nga
Bufoni, drejtori i Kopshtit të Mbretit (Kopshti i ardhshëm i Bimëve, në Paris),
mbi kafshët dhe bimët vegjetale, kishin ndryshuar vështrimin: në fushën e të
gjallit shtjellohen cilësi \"morale\", të tilla si ndjeshmëria dhe
veprimtari të specializuara, sipas organeve korresponduese. Natyra zotëron
gjithmonë diçka \"shpirtërore\" dhe shpirtërorja, nga ana e saj,
zotëron një bazë fizike. Në fillim të iluminizmit - në linjën e Rëne Dekartit -
natyra shihej si një makinë, si një mekanizëm; tanimë ajo shihej si diçka
\"organike\", në rrjedhë të zhvillimit të gjallë. Në letrat dërguar
dashnores së tij Sofi Valan, si dhe në veprën e tij filozofike më të
rendësishme (Ëndrra e d\'Alaberit), Didroi hedh idenë e një bote molekulash
plot gjallëri, që bashkohen për të ndërtuar format më të zhvilluara të jetës.
Në këtë materializëm që merr tiparet e një panteizmi, natyra plot gjallëri është
vetë hyjnori, ndërsa dashuria është në vetvete një forcë e dobishme e natyrës.
Didroi nuk merr mundimin të \"të provojë\" konceptin e tij për botën:
matematika nuk vlen asgjë për të përshkruar të qenët gjallë, më shumë ia vlen
një gjuhë në vetvete, e gjallë.
Filozofi, duke qenë gjithashtu shkrimtar dhe poet, e sheh
horizontin e tij të zgjerohet në natyrë të gjallë, në moral dhe në art; ai nuk
ka pse të ndjekë më ligjet e përjetshme dhe në të njëjtën kohë matematike të së
Bukurës, por të jetë \"interesant\".
Didroi trajton në formë letrare, për shembull, determinizmin
(ashtu si e lë të kuptohet çdo materializëm të dalë nga ligjet e natyrës) dhe
vullnetin e lirë (në mënyrën si përputhet me ndjenjën natyrore) në
\"romanin\" e tij Zhak Fatalisti problemi i vullnetit të lirë mbetet
aty pa zgjidhje, por çel një temë edhe më interesante: atë të dialektikës së
Zotit dhe robit. Zhaku, nxënës i \"kapitenit\" misterioz, që nuk
resht së e cituar, beson fort në paracaktimin e çdo gjëje dhe drejton kështu
fatin e të zotit që beson te vullneti i lirë, por nuk vepron. Zhaku përpunon
vetë lirinë e tij vetjake, metaforë e lirisë politike të çdo individi.
Më 1776, viti i shpalljes së pavarësisë së Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, Didroi filloi të merrte pjesë në një projekt të madh
kolektiv, të krahasueshëm me Enciklopedine - Historia e dy Indive. Vepra
fshikullon gjendjen në koloritë, mallkon despotizmin e princave europianë, u
thur lavdi të drejtave të njeriut dhe u bën thirrje të shtypurve për të ngritur
krye. Vepra u bë shumë shpejt një best-seller që do të shënonte në mënyrë
vendimtare shpirtin e Revolucionit Francez. Iluministët - një nga mishërimet më
shembullore të të cilëve qe Didroi - qenë gjithashtu, mes të tjerash me
Enciklopedme, në zanafillë të buthtimit të një force të madhe të shndërrimit
politik.
JETËSHKRIMET –
KURSHTI NGA JETA E DENI DIDROIT
* Duke refuzuar, pas shkollimit te jezuitët, ofertën për
t\'u bërë prift, Didroi jetoi si bohem letrar, duke siguruar ekzistencën me
instruksione dhe përkthime. Së shpejti njihet me Rusoin, D\'Alamberin, Holbahun
dhe me iluministët e tjerë dhe botoi disa vepra të shtypura në mënyrë anonime
kundër fantazimit fetar dhe në përgjithësi anciem rëgimes. I kërcnuar
vazhdimisht nga persekutimet dhe burgjet dhe nën mbikëqyrjen rigoroze të
policisë, Ddidro megjithkëtë, filloi të bënte përgatitje për botimin e veprës
më të madhe të mendimit materialist të iluminizmit francez, të Enciklopedisë së
madhe.
* Pavarësisht nga një varg inkonsekuencash dhe bile nga
mënyra ezopike e të shprehurit (për të cilën enciklopedistët ishin të detyruar
për të evituar ndalimet e shpeshta të botimeve), Enciklopedia, së cilës vulën
themelore ia dha Didroja, është kryevepër e vërtetë e frymës progresive ateiste
dhe materialiste franceze, e cila dha impulse jashtëzakonisht të rëndësishme
dhe frytëdhënëse për zhvillimin e mëtejmë të kulturës evropiane si dhe bazën
ideore të atyre aksioneve revolucionare që pikërisht qëndronin para Francës dhe
botës. Në Enciklopedi njëmend është paraqitur «pasqyra e përgjithshme e
përpjekjeve të mendjes njerëzore të të gjithë popujve dhe ne të gjitha kohët»,
dhe janë vërtetuar edhe elementet themelore ideore të shkatërrimit të shoqërisë
së vjetër dhe provuar nevoja imperative e depërtimit më të guximshëm në drejtim
të njohjeve të reja mbi shoqërinë e ardhmërisë.
* Duke kaluar rrugën nga deisti te ateisti, Didro u bë një
nga kritikët më konseguentë të moralit religjioz, materialist i bindur dhe
iluminist. Sipas tij, materia është aktive, e përbërë nga thërrmija shumë të
imta, me bashkimin mekanik dhe ndarjen e të cilave çdo gjë ndodh në natyrë. Arsyeja
dhe njohja bazohen në ndjeshmërinë e përgjithshme të botës materiale. Didro e
shpjegoi jetën si organizëm në të cilin atomet bashkohen dhe gërshetohen
reciprokisht në atë mënyrë sa nuk krijojnë vetëm një strukturë të jashtme, por
përbëjnë një tërësi integrale.
* Në pikëpamjet e tij mbi zhvillimin e shoqërisë dhe të
historisë, Didro është iluminist tipik: ai besonte se progresi i njerëzimit
varet nga idetë që ndikojnë në zhvillimin e legjislacionit e që përcakton
formën e sundimit të disa vendeve dhe të epokave historike.
* Shpirt i lirë, kundërshtar i të gjitha autoriteteve dhe i
traditës, ateist i zjarrtë, luftëtar i pakompromis kundër të gjitha
indoktrinimeve religjioze dhe formave të tiranisë, Didro në shumë vepra të tij
jeton edhe sot, ndërsa prijësit dhe axhituesit fetar të çfarëdo lloji më se
njëqind e pesëdhjetë vjet pas vdekjes nuk mund ta falin e të pajtohen me fjalët
e ashpra dhe therëse që u drejtoi, kështu që edhe në kohën tonë bashkëkohore të
këtij shekulli përpiqen të ndalojnë realizimin e veprave letrare të tij dhe
përhapjen e ideve filozofike të tij.
Comments
Post a Comment