Razma, guri shndritësnë gjerdanin e turizmit malor
Nga Albert Vataj
Ke vendosur të bashkëngjitësh në agjendën
e larmishme gjeografike të pushimeve edhe një tjetër destinacion. Në këtë
bollek mundesishë që të ofron e sotmja, e dyndur tek turizmi, si mundësi dhe
kapacitet i frytshëm biznesi, Razma mbetet një goditje në shenjë. Kjo piketë e
re në hartën e dominimeve të ndërkallura nga dëshira për të provuar, Razma është
padyshim një nga mrekullitë shqiptare të natyrës, guri shndritës në gjerdanin e
turizmit malor. Një bukuri e virgjër të ndjek nga pas sapo përpjetesh në gjarpërimin
për në destinacionin turistik. Një frymëmarrje e gjallë, e thellë, laroshe dhe
e gjelbër, e mbush përplot me ambrozin e jetës, plazmojnë tablonë e këtij udhëtimi,
kësaj ngarëndje për t’i shpëtuar vapës përvëluese që jep shpirt përgjatë kacarritjes
në muret e dendura të gjelbërimit, e taftit të freskët që rigon nga qielli blu,
e gufon nga humusi i vitalitetit të jetës që gjallon këndej.
Megjithëse është ndër piketat e
kahershme të turizmit malor, Razma mbetet ende një mundësi pak e shfrytëzuar,
një magjepsje e natyrës, pak e kundruar, një bashkëjetesë mes njerëzve me zemër
të bardhë, e tubuar më shumë nga yshtje shëndetësore, sesa nga një tërbim i thellë
për t’u hedhur në krahet e një aventure ngasëse. Razma është një ndër pikat turistike malore më
të afërta me qytetin e Shkodrës, por jo kaq e artikuluar sa Thethi, që vazhdon
të mbetet një dashuri e të huajve.
Razma ndodhet e vendosur nën përkatësinë
administrative të komunës së Shkrelit. Eshtë në një distancë jo më shumë se 138
km larg nga Tirana, ose 40 km nga Shkodra. Zona e Razmës është e vendosur në
lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit. Pas një rrugë që gjarpëron
ngjeshur në disa kthesa të dyfishta dhe me kendshikim fare të vogël, gjë që e bën
të domosdoshme manovrimin me kujdes me makinë, në këtë rrugë. Është detyrues animi
i pjesshëm jashtë asfaltit i automjetit ndërsa kërkon të këmbëhesh, por lëvizjet
jo të dendura nuk bëjnë që ky detaj ta lëndojë udhëtimin.
Kujdes, pronoto para se të shkosh
Shpesh mëdyshjet anojnë në kahun e padëshiruar.
Vija në Razëm, pas dy vitesh, si tash, me pushime. Po me një ndryshim, asohere
ishte shtator dhe manaferrat ishin të pjekura dhe tash ishte korrik dhe ato
ishin në lule. Kjo preferencë nga ngeli ta shijonim poshte, ndërsa lë lartësitë
që të çojnë në pikën turistike, vetëm pak kilometra më tej. Ndaluam tek
rezidenca e preferuar dhe pa vramendje iu drejtuam, Rafaelit, 20-vjeçarit që
jeton dhe shërben bashkë me familjen. Pas një përshëndetje mes të njohurish, pa
shum ceremonial ligjërimi dhe pa e çuar në mend një përgjigje mohuese, i bëra të
ditur se kam ardhur me familjen për pak ditë pushim. Dhomat i kam të zëna deri në
mesin e muajit që vjen, shtoi, duke mos e fshehur keqardhjen që e shkroj përnjëheresh
në portretin e tij. Ngulmit tonë, për ta pyetur, se cila do të ishte adresa, ku
mund të drejtoheshim për të mundësuar një dhomë ai i’u përgjigj me ngirtje
supesh, ndoshta jo dhe aq se s’kishte informacion, se ku kishte dhe ku s’kishte
dhoma të lira, se sa për të hezitur të japë destinacion, një rivali të tij
biznesi, qoftë ky dhe xhaxhai. Fundja ç’rëndësi kishte, se pse ai hezitoi për të
na ofruar një shans. Gjithsesi, duke shfrytëzuar njohjet e mëparshme mundëm të
akomodoheshim në një banesë me kushte modeste dhe parapagesë. Ajo që kuptova
nga gjithë kjo pjesëz e së tërës së pushimeve në Razëm ishte, se kurrsesi nuk
duhej të shkoje ashtu kuturu, pa pronotuar më parë, për familjarët kjo, se
aventurierët gjithnjë gjejnë se ku të fusin kokën.
Një ditë që ndryshon kah
Mbrëmja binte shpejt në Razëm. Si çdo
prarim, zbriste si një pëlhurë delikate, e mbulonte me tisin e hollë shtatin e
përpushur prej pasioneve të limfës. Përreth një ngrysje e thukët e mbulonte
gjithë panoramën që të rrokte shikimi. Lëvizjet sa vinin dhe zhdukeshin thellë
në zgafellën e mbrëmjes që lëshohej si një terr i mraztë. Dritat dhe zërat
llamburisnin mes pishave shtatmesme dhe plot hijeshi. Siluetat e mbrëmjes ravijëzonin
format e çrregullta të gjegrafisë së lëvizjes, në sheshin përreth fushës që
shtrihej si një sofër në qendër të Razmës. Në shtëpitë e kthyera në shërbimtore
për pushuesit pipëtinin biseda të ndrojtura, që tafti i freskët i mbrëmjes i përziente
me një fllad që pihizte përmes halave të pishave. Nga njëri te tjetri, të gjithë
vendet bujtëse të pushuesve shihje pak njerëz. Të vonuarit, darkonin dhe
kundronin yjet që stërpiknin me drita shndritëse syprinën e bruztë të mbrëmjes.
Hapa dhe biseda vazhdonin të përçapeshin në këto orë prarimi të ditës. Shitoret
modeste që shihnin nga shëtitorja gumëzhinin nga bisedat dhe përçapjet e
mbylljes së ditës. Në dhomat e bujtësve dritat njëra pas tjetrës llamburisnin,
duke bërë të mundur kështu të çbusheshin rrugët dhe të niste jeta e kllapitjes.
Një ditë tjetër ndiqte me ngulmin e një shtegtari. Nata që sapo kishte kapluar
çdo majë e çdo shesh.
Një muzg me personazhin e zonës
Zakonisht darkonim te shërbimtorja e
tij, modeste dhe e këndshme, të cilën e kishte quajtur Bar “Kastrati”. Shërbente
ai, pasi në mbrëmje nuk kishte kush t’i jepte një dorë, kjo jo dhe aq ngase
njerëzit e shërbimit ishin nga fshati Vrrith, pak kilometra poshtë Razmës, por
se pushuesit kryesisht venoheshin në dhomate e tyre dhe s’para frekuentonin dhe
aq darkimin jashtë. Sapo zumë vend, nisa ta pyes mbi zonon, si quhej ai fshati
përtej, po ky grupi i shtëpive në atë lartësi, po kjo, po ajo. Pa përfunduar brëshërinë
e pyetjeve të mia, Engjull Babaj, burri tipik i zonës, dhe ndër më të hershmit
banorë që i kishte lidhur me Razmën jeta dhe puna, e tash biznesi, vendosi të më
befasojë. Do të vini t’u tregoj një vend të bukur, pa artikuluar përgjigjen tonë
pohuese, ai u drejtua nga fuoristrada që i’a kishte dërguar i biri, emigrant të
Zvicër. Ndërsa ngiste makinën në një rrugë të shtruar me kalldrëm, nisi të na
tregonte mbi zonën. Pas disa gjarpërimeve të rrugës e hopeve të terrenit zemërak,
ku makina e tij çante përpara, u shfaq në horizont nesh një vendbanim gati
mitik. Ishte si i kyçur mes lartësive të Kunorës dhe kodrave që e fillëronin. Krenazhdol, kështu quhej ai vendbanim i përkoshëm,
banorët e të cilit ishin çobanë dhe të moshuar që i kishin shpëtuar kthetrave të
vapës dhe zagushisë. Blegërima e deleve, këmborët dhe fishkëllimat, zërat
kumbues dhe shtëpitë tipike malore, përbënin panoramën e kësaj pllaje magjepsëse.
Duke qenë se ishte një vendbanim i përkohshëm, ose stanet si quhen, si shumë të
tjerë në këtë krahinë e në të tjerat përreth, këtu ende nuk mkishte mbërritur
drita elektrike. Nga 35 shtëpi që ndodheshin, pak prej tyre siguronin
elektricitetin me gjeneratorë. Megjithatë atje jeta ngiste nën ritmin e
ngjeshur të punëve dhe preokupisë. Njerëzit rrokin me afsh përjetësie çdo
moment, si një një dëshmi kjo e harmonisë së natyrës me gjithseçka tjetër.
Menyja e zonës
Nëse të ka ngucatur maraku të dish se
kush është specialisteti i zonës, dhe nëse këtë don ta mësosh para se të pyesësh
ata që do ta ofrojë një gjë të tillë, nuk do ta kesh fare të vështirë. Mjafton të
shkosh në Razëm dhe mënjeherë do të të mundësohet zbërthimi i kësaj enigma. Kudo
në tabelat shpjeguese është e cituar “mish fërliku”. Dhe vetëm kaq?! Ndryshe
nga të gjitha zonat e tjera malore, me përparësi blegtorinë dhe që ofrojnë si
servirje të para dhe kryesore mishin e pjekur, në Razëm ka edhe të tjera
servirje. Patatet janë gjithashtu nga më të preferuarat dhe të kudoservirura.
Turshitë, po ashtu përbënin menynë e preferuar të pushuesve dhe bujtësve.
Djathrat, ku nga më të preferuarit është ai i dhisë. Rakia e dëllonjës, të
ofrohet për mik. Jo më pake konsumuar është edhe vera. Për të qenë të sinqertë,
gatesat nuk shoqërohen me shumë ceremonial dhe përgatitja e tyre nuk ka shumë
ojna. Kjo e bën edhe të veçantë drekimin këtu, pasi pjesa dërmuese e bujtësve
vijnë nga zonat urbane ku nuk mungon ceremonailiteti, salltaneti dhe padyshim çmimet
e kripura.
Fundjavat e mbipopulluara
Një veçri që e tipizon Razmën është dhe
kthimi i saj një epiqendër e kalimit të një fundjave pranë qingjit që piqet në
hedh, e nën shoqërini e pijes dhe shakave, lojrave dhe hokave. Nga Tirana,
Shkodra, Laçi, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, bujnë në Razëm për fundjavë.
Zakonisht ata pronotojnë menunë që mbetet mishi i pjekur dhe për të tjerat nuk
kanë asnjë vramëndje. Vijnë afër mesditës dhe ikin kur dilli ka rënë pas supeve
të maleve me pisha dhe ahe. Shumë prej bujtësve të fundjavave vijnë dhe për
gjueti, natyrisht kur është sezoni i hapur. Gjithsesi, ata vijnë për të marrë
diçka nga kjo mrekulli e natyrës, e cila për fatin e mirë është ende e virgjër,
e shëndetshme e mbreslënëse. Ato jo vetëm marrin nga Razma, por edhe lënë përshtypjet
e mira ndaj njerëzve bujar dhe të papërtur, të thjeshtë dhe zemërbardhë. Ata
vijnë, ikin dhe përsëri vijnë, siç ndodh aty ku ke pse shkon dhe ka kush të pret.
Shen Prenja, festa e zonës
Është një festë tradicionale e zonës, e
cila daton më 26 korrik. Ajo që e bën shumë të veçantë dhe mjaft interesante këtë
festë është kur bijat vijnë dhe mbushin ujë në puset e Razmës. Ata janë plot 8
copë dhe konsiderohen si resurse të rëndësishme të ujit të pijshëm, i cili
mbetet një problem serioz. “Kjo festë është shumë e vjetër dhe nga me të rëndësishmet”,
shpjegon Frani, një i moshuar, i cili kishte ardhur nga Vrrithi për t’iu
bashkangjitur këtij ceremonaili mitik, ku nuse të reja dhe bija, me enë të
drunjta uji dhe vlagë shkojnë trumba-trumba tek puset dhe mbushin ujë. Tipari i
kësaj feste mbart në vetve një tregues shumë domethënës, atë të shkurjes së
bijave tek prindërit me ujë. Kjo tregon se zona ujin nuk e ka të bollshëm, përkundrazi
e ka të pakët dhe të vyer, aq sa të mbart mbi vete elementin kryesor të festës.
Personazhi tipik i Razmës turistike
Ai është Engjull Baba. E thërrisnin
Ejll. Kjo mospërputhje na shty ta pyesnim, se si e kishte në të vërtetë emrin,
pasi tjetër ishtë ai që thoshte, tjetër ai që dëgjoja. Si për shaka, dhe duke e
ruajtur kontekstin e përgjigjes ai vijoi: “Në kishë më thërrasin Engjull”. “Nga
ata engjujt e bardhë me krahë që vijnë nga qielli” – ndërhyri në bisedë im bir
6-vjeçar. Si për të mos dashur t’ia prishte ai vazhdoj: “Po nga ato engjujt”.
“Kura dal nga kasha, nuk e kam më atë emër”, vijoi ai me humor. Engjulli, një
burrë rreth 55-tave, i gjatë dhe i mraztë në portret, si për të dëshmuar se
edhe në vetvete kishte diçka nga ato male, nga ajo magji e thukët që
rrethrrotullohej ndaj nesh e që shpësh fuste kokën në re. Ai kishte pikënisur
punën e tij të shërbimtarit që në kampin e punëtorëve, që quhej asohere, kjo
falë një shkolle profesionale që kishte bërë. Megjithese kishte një shtëpi në
Lezhë, ai nuk e fshihte dëshirën se ndjehej më mirë këtu në pronën e tij, në
punën e tij, mes njerëzve, të afërmve e miqve të shumtë që nuk i mungonin.
Pak histori për Razmën
Razma përfshihët në komunën e Shkrelit,
Malësia e Madhe. Eshtë 40 km larg nga qyteti i Shkodrës. Zona e Razmës vendosur
në lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit. Historikisht kjo zonë ka qenë
bjeshka për verrin e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga
shumë tregtarë nga qyteti i Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore të
Shqipërisë, e cila është zbuluar që në shek. XIX nga të huajt. Të parët që e
kanë vlerësuar bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian
Antonio Baldoci, austriaku Dofler, dhe gjeologu Boran Nopce.
Atypari nga viteve 1920 datojnë
fillesat kur do të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e
standardeve të jetesës. Tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre
verore. Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të
punëtorëve, i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Sipërfaqja
totale është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave
tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet
kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të
pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat
alpine. Relieve të alltysta, thadruar në thellësi nga era, uji e akulli, të
cilat ju ndjellin me ngadalë në vorbullën e kohës, në përjetësinë e përpiktë të
një gatese të natyrës. Kjo pikturë që zgjaton në gjithë tablonë e shikimit është
përplot ngjyra dhe nerv, emocion dhe tendosje, pasion dhe klas. Është një
kryevepër, nga ato që natyra nuk na i ka kursye.
Fenomeni i shtëpive të braktisura
Ajo që një pushuesi në Razëm nuk do ti
shpëtojë pa e vënë re, janë shtëpitë e braktisura. E përcaktojmë e braktisur,
pasi prej vitesh nuk banon askush në to, por ato kanë pronarë dhe zotër. Gjithsesi
të bie në sy një veçori e këtyre ndërtimeve që datojnë që në vitet 1930, madje
edhe më heret. Arkitektura e përdorur dhe tërësia e komfortit të banesës, vilës
nëse mund ta quajmë kështu, është një përzierje stilesh. Të gjitha ishin me
ballkon dhe me pak këmbë shkallë që përqarkoheshin nga parmakë të dizenjuar.
Hauri për bagëtinë dhe për bazën ushqimore, oborri që i vinte qark shtëpisë,
vendosja në pika dominuese të terrenit, murët dhe mbuloja, dekoracionet e përdorura,
të gjitha këto vërtetojnë se këto banesa ishin, siç citohet edhe në Wikipedia,
të tregtarëve të Shkodrës, të cilët me sa duket i kishin ata si shtëpi pushimi
verore dhe dimërore. Klima e shëndetshme dhe distanca jo shumë e largët nga
Shkodra, i bënin ato një vend pushimi të prëfëruar. Asnjë mëdyshje nuk ka se ndërtimi
i atyre banesave ishte fillimi i historisë së Razmës turistike. Falë atyre
burrave, jo vetëm me para, por edhe me shije dhe passion, kemi sot një
destinacion. Razma është vendi ideal për të rigjetur vetveten, larg nga zhurmat
dhe nga stresi i qytetit. Në qetësine e mrekullueshme të maleve, e thyer vetëm
nga kenga e zogjve dhe nga era që fëshfërinë mes gjetheve të pemëve. Është kjo
që zotërit ë këtyre shtëpive kanë ditur dhe gostirur përmes atyre shtëpive, tq
cilat edhe në atë gjëndje mjerane që janë kanë shumë për të thënë.
Resurset natyrore
Relievi i Razmës ndërtohet tërësisht
prej shkëmbinjve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike të
ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshmërisë së këtyre
shkëmbinjve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zërë
morfologjia karstike. Ky reliev përfaqësohet nga fushat (e Razmës, Troshanit,
Fusha e Zezë) në trajtën e gropave, hinkave dhe shpellave karstike ku këto të
fundit përbëjnë një objekt turistik me vlerë për eksplorimin e tyre. Gjurmët e
veprimtarisë së akujve të kuatërnarit i gjejmë në Fushën e Zezë, atë të Razmës,
dhe depozitive midis Razmës e Vrithit. Format më të mprehta të relievit me
vlera turistike (alpinizëm, piknike etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor
Veleçik (1724 m) - Kunorë (1713 m) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës
(1862 m) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet impresionuese të
ahut e pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit,
përmban në vetvete vlera turistike të veçanta. Larmia e kafshëve dhe e
shpendëve të egjër në këtë zonë, përbën një mundësi të mirë për zhvillimin e
gjuetisë.
Destinacionet që mundësohen
Razma, si shumë destinacione të tjera të
gjerdanit të turizmit malor të Veriut të Shqipërisë, kanë specifikimin e tyre,
që përbën dhe veçantinë që i karakterizon ato. Llojshmëria e objektit të këtij
destinacioni janë;
Turizëm shkencor (gjeografik, turistik,
historik, etnografik, biologjik, zoologjik, spelologjik).
Turizmi gjeografik me larminë e
objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Veleçikut,
maja e Kunorës, etj.
Turizmi gjeologjik me karakteristikat
gjeologjike të kësaj zone, mund të themi se depozitimet e ndryshme të mesozoit,
të kenozoit dhe në pjesën më të madhe të kuaternarit si dhe thyerjet tektonik
tërthore e afrogjatësore të kësaj zone kanë një interes studimor për studiuesit
e kësaj fushe.
Turizmi historik: Popullsia e kësaj
zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm,
(turqit, serbët, malazezët) prandaj studimi i historisë së kësaj treve dhe
nxjerrja në pah i saj kanë një interes historik.
Turizmi etnografik: Zona e Razmës ofron
vlera të papërsëritshme studimore për etnografët. Vetë veshja karakteristike e
kësaj zone, për burrat këmisha e gjatë me Dallomë (xhamadan prej shajaku) dhe
për gratë e vajzat xhubleta 3000 vjeçare, vetë karakteristikat e banesavet ku
ato shquhen për një zgjidhje të thjeshtë dhe drejtim arkitekturor dhe dekorativ
të varfër. Ceremoniali i dasmës ku ishte zakon që dhëndërri ditën e dasmës të
vishej me rrobet më të vjetra e të shkonte me bagëti ose të fshihej në shtëpinë
e ndonjë shoku. Me zbritjen e nuses nga kali i vihej në prehër një djalë i vogël
(që nusja të lindte sa më shumë djem) por edhe për ceremonitë e tjera të jetës
së përditshme mendojmë se interesi studimor është mjaft i madh, ka traditë
këngën me lahutë, atë maje krahu (me jehona), ninullat, fyellin.
Turizmi spelologjik: Shpella e Majës së
Veleçikut, është e madhe, 28 m e thellë vertikalisht, Shpella e Lugjeve në V-L
të fshatit të Razmës, e cila ka një zhvillim gjatësor me ngritje 10° me gjatës
79 m në fund degëzohet në dy drejtime të ngushta. Ujërat që rrjedhin këtu janë
ujëra të pastra, të pijshëm, që formojnë burimet e grykës së Lugjeve mund të
vizitohet edhe nga amatorë e vizitorë të thjeshtë.
Edhe sporti i gjuetisë mund të
aplikohet këtu për turistët, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egjër
është e lloj-llojshme, e gjuetia në këto zona është shumë e përshtatshme.
Një mirupafshim nuk mjafton
Të kthesh kurrizin është gjithnjë e vështirë,
nuk është thjeshtë një zhvendsoje, spostim për tjetërku, turrengut për në krahët
e një tjetër dashurie. Është tjetërçka, të ikësh prejnga do ta kesh të vështirë,
është natyra, janë njerëzit, paqja dhe gjithçka tjetër që e ke dëshiruar dhe të
është dhënë, e ke marrë dhe e ke bërë krejt tënden, ato që ta bëjnë të vështirë
këtë ndarje. Megjithatë ti duhet të formulosh një mirupafshim, ashtu plot drojë
si ndarja e dy të dashuruarve, pas takimit të tyre të parë. Ndahesh përzemërsisht
me ata që të pritën të shtruan e të shërbyen. Ndahesh duke mos qenë të
mjaftueshme vetëm një dorështëngim apo këmbim i një buzëqeshje. Ata janë të
ngrohtë dhe të dashur, nuk janë tregtar që të të trajtojnë si një objekt,
megjithëse koha dhe nevoja për tu përfshirë në atë që quhet turizmi malor, i ka
yshtur edhe ata të jenë dhëmb në këtë ingranazh shumë të rëndësishëm të
ekonomisë. Në këto ndarje nuk mungojnë lotët. Mbrëmjeve “pronarët” darkonin me
bujtësit, këmbejnë kontaktet telefonike dhe elektornike, njohejt, miqt e të
tjerë. Për aq ditë ata tashmë i kanë marrë dhe i kanë dhënë njëri-tjetrit edhe
gjëra familjare që i kanë të shtrënjta. Kjo e bën këtë zonë, këto pushime jo
vetëm të shndetshme, argëtuese, por dhe të shtrenjtë.
Comments
Post a Comment