Njeriu, shëmbëlltyra e njerëzimit




Nga Albert Vataj

Njeriu në labirintin e tij të pikëpyetjeve, të cilave, qaset t’u rrethvijë, me një vullnet dhe përgjegjësi personale, të mikluar nga të qenit i kultivuar, tashmë i lipset të kapërcejë gjithë mëdyshjet, për me përcaktu qartësisht misionin e tij. Njeriu si alternative kryesore ka zgjedhjen midis jetës dhe vdekjes. Njeriu është i lirë të bëjë këtë, por liria e tij është e kufizuar. Ekzistojnë një mori kushtesh që favorizojnë ose jo drejt prirjes për të zgjedhur, konstitucionin psikik, specifika e shoqërisë, në të cilën ai është pjesë dinamike si familja, mësuesit, miqtë, të cilët i takon dhe i zgjedh. Njeriut i lipset të zgjerojë kufijtë e lirisë, të forcojë rrethanat që e favorizojnë jetën dhe të kundërshtojë potencialisht dhe vijimisht gjithë komponentët që tentojnë të normëzojnë mozaikun. Jeta dhe vdekja nuk janë gjendje biologjike, por të qenies, të qëndrimit ndaj botës. Jetë në një farë mënyre do të thotë ndryshim i pandërprerë, rilindje dhe reinkarnim, me brendinë e tij, të tërë amfiteatrit që e rrethqarkon. Përkundër asaj që vdekja merr përsipër të jetë, predispozitë e frenimit të rritjes, ngurosje. Ajo që cilësohet si fatkeqësi është ajo masë e madhe e njerëzve, të cilët shmangin zgjedhjen. Jeta për ta është një barrë, ndërmarrje pa asnjë kuptim, kurse aktiviteti produktiv transformohet në mjet vetëmbrojtjeje dhe vegjetimi cfilitës në mbrojtje të hijeve.
Gjithsesi as jeta, as historia nuk rrokin një kuptim të epërm, i cili do të mund të jepte jetës së individit kuptim dhe do ta konsideronte të justifikuar vuajtjen. Duke patur parasysh kundërshtitë dhe dobësitë që mbushin ekzistencën, është tërësisht e motivuar që njeriu të ngulmojë drejt “absolutes”, i cili i jep atij iluzionin e besimit, duke e çliruar nga konfliktet, dyshimet dhe përgjegjësia e fajit. Vetëm njeriu është i armatosur me një armë të tillë të panjëtëdytë, të kërkojë dhe të mundësojë ngulazi qëllimin e naltë të jetës.
Por misioni ynë nuk mund të kuptohet i ngërthyer dhe mbi gjithçka në korrnizën e vetvetes. Ai nuk e konsideron jetën si mision.
E vetmja gjë që mund të bëjë njeriu për të tjerët është tu tregojë alternativat me vërtetësi pa sentimentalizma dhe iluzione. Duke e vënë njeriun ballë për ballë me realitetin, me alternativat dhe të vërtetat, në gjithçka dhe për gjithçka, që percepton uni i tij i egos intelektuale, mund të zgjojë të gjitha energjitë, dhe ta stimulojë atë të zgjidh jetën si kundërpeshë të vdekjes. Zgjedhjet në favor të së mirës kalojnë nëpër dy rrugë. E para është t’i nënshtrohesh kërkesave morale. Ky kah i rrugëtimit mund të jetë efikas, por nuk duhet injorojmë faktin se gjatë mijëvjeçarëve, mjerisht vetëm një minorancë ka plotësuar urdhëresat e Dhjetë Porosive. Dominues mbeten ata që kanë rënë pre e peshës së mëkatit.
Rrugë tjetër është ngjallja e shijeve për mirëqenie dhe të përsosësh ndijimet e saj duke vepruar mirë dhe drejtë.
Mbi njeriun mund të ndikojë vetëm ideja e mishërimit, kurse ideja që ka mbetur verbale, ndryshon vetëm fjalët. Aftësitë e njeriut për tu vetëpërsosur janë vetë vitaliteti i ekzistencës së tij. Aftësia për tu mirëkenun, do të thotë se njeriu mund të arrijë qëllimin e tij. Po qe se individi nuk zgjedh në favor të jetës, po qe se nuk rritet, ai do të kthehet pashmangshmërisht në shkatërrues, në një kufomë të gjallë. Mëkatshmëria dhe humbja e egos janë aq reale, sa dhe virtyti dhe vitaliteti. Ata për individin janë dytësore, po qe se zgjedhja e tij konsiston në faktin që të mos realizojë mundësitë parësore. From, beson se vetëm në raste të jashtëzakonshme njeriu lind ose shenjt, ose kriminel. Shumica jonë është e privuar edhe për të mirën dhe të kundërtën e saj, ndonëse influenca përkatëse e këtyre prirjeve në njerëz të ndryshëm është e natyrshme. Prandaj fati ynë në një masë të konsiderueshme përcaktohet nga ato influenca, të cilat formojnë prirjet në fjalë. Influencën më të fuqishme e ushtron familja.
Familja është agjent i shoqërisë, rrip transmisioni për ato vlera dhe norma, të cilat shoqëria kërkon tua rrënjos pjesëtarëve të saj. Ndaj faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e individit janë strukturat dhe vlerat e shoqërisë, pjesë e së cilës ai është. Vetëm në bashkëpunim me njerëz të tjerë në procesin e punës, njeriu i zhvilloi forcat e veta, në procesin historik ajo krijoi vetveten.
Në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e sistemit shoqëror deri më tash u ka shërbyer interesave të pakicës, dhe këtë e ka bërë të mundur duke shfrytëzuar shumicën për interesat e saja. Ndaj pakica e ka shfrytëzuar pushtetin për të diskriminuar shumicën dhe për ta frikësuar (tërthorazi dhe veten) në këtë mënyrë duke u bërë dhe pengues i zhvillimit të aftësive të saja. Për këta arsye shoqëria asnjëherë nuk ka qenë në harmoni me humanizmin, me normat e përgjithshme, të vlefshme këto për çdo njeri.
Vetëm kur qëllimet e shoqërisë të përputhen me qëllimet e njerëzimit, shoqëria do të heq dorë nga gjymtimi i njeriut dhe nga favorizimi i të keqes. From, nënvizon idenë se çdo njeri përfaqëson të gjithë njerëzimin.





Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve