Elona Nallbani: Baletin do ta braktisja vetëm si moderatore spektaklesh
Izaura Ndoj
Pasioni dhe dashuria për artin
ishin dy elementët që e drejtuan atë të bëhej një artiste. Ishte fare e re kur
iu bashkua trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit, por Elona Nallbani u rrit
aty, iu përkushtua pasionit të saj për baletin, punoi me koreografët më të
njohur dhe u bë prima balerina e TKOB-it. Në një intervistë për “Summer Timme”,
Elona Nallbani rrëfen fillimet e saj si balerinë, karrierën e saj artistike
gjatë 16 viteve, të qenit nënë dhe bashkëshorte, si dhe projektet që do ta
rikthejnë në shtator. Teksa përqendrohemi tek intervista, kujtimet janë ato që ngacmojnë
në çdo moment. Shtysa e parë për baletin ka qenë nëna e saj, e cila tashmë nuk
jeton më, por çdo arritje Elona ia dedikon asaj. “Fatkeqësisht, dy prindërit e
mi nuk jetojnë, im atë ka vdekur para se unë të lindja, ndërsa nëna ka qenë ajo
që është kujdesur për mua deri në moshën 21-vjeçare. Gjithçka që unë sot kam
arritur profesionalisht ia dedikoj asaj. Ka qenë një dëshirë e jashtëzakonshme
e saj që unë të bëhesha balerinë dhe ajo më dha ndjesitë e para për artin”, -
pohon Nallbani. Më tej, gjatë intervistës, ajo na rrëfen dhe marrëdhënien e saj
me djalin 12-vjeçar Martin, shokun më të ngushtë dhe kritikun më të ashpër.
Elona, sapo keni mbyllur sezonin me baletin “Carmina Burana”, i cili
fali një sukses në skenën shqiptare, keni nisur punën për t’u paraqitur në
Ulqin me muzikalin “Rituali i jetës”. Ndjeheni e plotësuar si prima balerinë e
TOB-it?
Është gjëja më e bukur që mund t’i
ndodhë një artisti në momentin kur ai ndjehet i aktivizuar në të gjitha
shfaqjet dhe baletet që vihen në teatër. “Carmina Burana” edhe pse ishte një
rivënie, për mua gjëja më e veçantë ishte se erdhi koreografikisht me elementë
të rinj nga koreografi Arjan Sukniqi. Të jesh pjesë e punëve të koreografit
Sukniqi është bukur, pasi gjithmonë sjell një risi në çdo vepër apo balet. Është
shumë bukur kur t’i sjell afër dhe mendjes së publikut vepra të bukura
artistike dhe me gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Momentalisht po punojmë për
muzikalin “Rituali i jetës” ku do të performoj në Ulqin në kuadër të
100-vjetorit të Pavarësisë. Ky muzikal vjen pas shfaqjeve të “bujshme” që pati
në Shkodër dhe në Kalanë e Bashtovës.
E veçanta ime është se, kur e kam
ekzekutuar për herë të parë “Ritualin e jetës” kam pasur rolin e vajzës dhe momentalisht
do të luaj rolin e nënës. Duke njohur shumë mirë pjesën nga ana profesionale
mora përsipër të bëj një rol tjetër. Roli i nënës bën pjesë në aktin e parë të
baletit, siç është “Gjëma”. Gjëma për mua është shumë e dhimbshme, ka një
ngarkesë jashtëzakonisht emocionale, por emocioni që përcjell tek publiku është
ajo çka e bën këtë rol mbresëlënës. Kështu që kjo larmishmëri e roleve që më është
besuar gjatë këtyre viteve më bën të jem akoma më e bindur se arritja
profesionale është ajo çka publiku pëlqen.
Si i kujtoni fillimet tuaja drejt baletit? Ka qenë dikush nga familja që
ju ka shtyrë të bëheshit një balerinë, apo nja pasion?
Më vjen mirë që më pyesni në këtë
formë. Fatkeqësisht, dy prindërit e mi nuk jetojnë, im atë ka vdekur para se unë
të lindja, ndërsa nëna ka qenë ajo që është kujdesur për mua deri në moshën 21-vjeçare.
Gjithçka që unë sot kam arritur profesionalisht, ia dedikoj asaj. Ka qenë një dëshirë
e jashtëzakonshme e saj që unë të bëhesha balerinë dhe ajo më dha ndjesitë e
para për artin. Por, nuk mund të harroj dhe profesorin tim të parë Petrit Vorbësin,
i cili ishte një njeri i veçantë dhe do të ketë një vend shumë të rëndësishëm për
sa i përket formimit tim profesional.
Cili ka qenë roli dhe bashkëpunimi më mbresëlënës që keni ngjitur në
skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit?
Për një artist është e vështirë për
të vënë kapakun se cili është roli më i bukur apo më i realizuar, sepse çdo
pjesë baleti dhe çdo marrëdhënie me koreografin ka kujtimet dhe të veçantat e
saj. Nëse do të flisnim për baletet klasike me koreografin e ndjerë Prof. Agron
Alija, janë realizime të veçanta. Roli që do të veçoja për sa i përket arritjes
artistike dhe teknike ka qenë roli i Princeshës tek baleti “Bajadera”. Kjo ka
qenë ndër shfaqjet dhe rolet e mia më të mira gjatë këtyre 15 viteve në skenën
e TKOB-it.
Patjetër! Momente të vështira ka
gjatë gjithë kohës. Një artist që ka përgjegjësi dhe pretendime për t’u ngritur
nga ana profesionale, nëpër vite has plot vështirësi por, me punë dhe guxim ia
del më së miri. Por, nuk mund të harrojmë që mund të rritesh profesionalisht me
vite e vite pune, por vijnë të rinj që kanë energjinë dhe dinamikën,
pavarësisht se mund të mos kenë sharmin tënd, teknikën ose përvojën tënde. Në
këtë këndvështrim, mendoj se arti në përgjithësi është shumë i vështirë.
Elona përveçse një balerinë e zonja, dimë që jeni dhe një nënë e
përkushtuar. Si i keni marrëdhëniet me Martin, djalin?
Mund të them që jam një nënë që
mund të jap më të mirën e mundshme me tim bir. Kam një marrëdhënie fantastike
dhe e kam thënë gjithmonë ne e shikojmë njëri-tjetrin si dy shokë dhe jo si nënë
– djalë. Ne kemi shumë kofidenca, jemi dy shokë të mirë që ndajmë mendime, por
edhe shkëmbejmë fjalë ndonjëherë.
Ju ndjek në çdo shfaqje Marti, së bashku me bashkëshortin?
Me Martin kam nisur të kultivoj dëshirën
për artin. Dëshiroj që tim bir ta kem në çdo shfaqje, pasi ai po rritet dhe të
ketë një plus për formimin e tij. Marti për mua është një kritik shumë i mirë dhe
i besoj verbërisht në çdo gjë që më thotë. Ndërsa, për sa i përket
bashkëshortit, të them të drejtën nuk është sistematik, por kur janë shfaqje
kur unë shfaq stres, emocione dhe stres të jashtëzakonshëm në rolet e mia
impenjative është i pranishëm. Kur të dy vijnë dhe më shikojnë, mua më shtohen
akoma emocionet, pasi janë dy kritikë që nuk të falin në asnjë detaj. Jam shumë
e kënaqur që rrethohem nga dy meshkuj që më falin dhe dashuri.
Elona, përveç baletit ju keni spikatur edhe si një moderatore e zonja.
Ndoshta do të vijë ndonjë ditë që do të braktisni baletin për këto evenimente?
Një nga pasionet e mia pas
baletit është prezantimi që kam bërë jo shumë shpesh, por kanë qenë evenimente
të rëndësishme. Ndër këto vlen të theksoj; prezantuese në 2008 “Miss Globe
International”. Prezantimi është një pasion që ndoshta një ditë mund ta zëvendësoja
baletin me të duke qenë se i përket dhe ai fushës së artit. Por, përveç kësaj,
arsye më pëlqen që në këtë drejtim të shpalos edhe një anë tjetër të formimit
tim artistik.
Cilat janë projektet që do t’ju rikthejnë në shtator?
Janë të shumta projektet, por një
ndër këto është dhe bashkëpunimi i radhës me koreografin Sukniqi për baletin
“Ali Pashë Tepelena”. Pa diskutim do të jetë një vepër e madhe dhe me shumë
surpriza, por çdo gjë do t’i vërtetojë koha.
Comments
Post a Comment