CERN: Sfida e radhës, “antimaterja”


Në një intervistë të fundit, fizikani Rolf-Dieter Heurer, drejtori i përgjithshëm i qendrës së kërkimeve fizike CERN, në Gjenevë të Zvicrës, diskuton në lidhje me misteret ende të pazgjidhura të shkencës, që përbëjnë edhe objektivat e saj si dhe flet për zbulimin e jashtëzakonshëm, atë të grimcës “Higgs”.
Tani që më në fund grimca “Higgs” është zbuluar në CERN, a keni plane që të “fikni” përshpejtuesin e grimcave?
Në asnjë mënyrë. Ne kemi arritur një zbulim shumë të madh, por në fakt asgjë nuk përfundon këtu. Madje, këtu nis edhe puna më e madhe. Ne duhet që të masim zbulimin tonë, të vëzhgojmë ndërveprimin e tij me grimca të tjera dhe ta studiojmë atë më mirë. Dhe nëse ndërkohë, duke bërë këto gjëra do të zbulojmë diçka që bie ndesh me teorinë tonë, atëherë automatikisht do t’i çelim derën një tipi të ri të fizikës. Në fund të fundit, i ashtuquajturi Modeli Standard përshkruan dhe merret vetëm me 5% të universit tonë.
Po pjesa tjetër?
Pjesa tjetër… atëherë rreth një e katërta përbëhet nga e ashtuquajtura “materia e errët”. Është ajo që i mban të ngjizura dhe të bashkuara galaktikat dhe pa të, ato do të shpërndaheshin. Pra, është njëfarë boshti, nëse mund ta quajmë kështu. Ajo që ne cilësojmë si “energjia e errët”, ka të bëjë me tre të katërtat që mbeten. Ajo bën që universi të shtrihet dhe përhapet me një shpejtësi të madhe. Por ne ende nuk kuptojmë mekanizmin përmes të cilit hapësira përhapet, shtrihet njëproporcionalisht në të gjitha drejtimet.
A mund t’i shpjegojë grimca “Higgs” këto dukuri, në njëfarë mënyre?
Fusha ‘Higgs’, që është pjesë e grimcës, ka një karakteristikë vendimtare që përkon me energjinë e errët: ajo funksionon në të gjitha drejtimet njëherazi.
Pra, ‘Higgs’ mund të jetë një “urë” drejt së panjohurës?
Pikërisht. Ne nuk e dimë ende nëse kjo ka të bëjë me energjinë e errët, por dyshojmë se ekziston një fushë e tillë përtej Modelit Standard.
Dhe çfarë mund të ndodhë nëse grimca ‘Higgs’ nuk do t’ju “tregojë” sekrete të mëtejshme?
Në një rast të tillë, do të mjaftohemi me idenë që gjithsesi kemi zbuluar një grimcë që u jep të gjitha grimcave të tjera “masën”. Të paktën kjo grimcë provoi se Modeli Standard është në rregull dhe i saktë. Ajo që duhet të bëjmë tani, është që të gjejmë një “dalje” në këtë model, në mënyrë që të avancojmë për të zbuluar misteret e pjesës së mbetur të universit, pra 95% e mbetura. Ne ende nuk e dimë se cili është roli i grimcës që kemi zbuluar në gjithë këtë univers. Ajo që duhet të bëjmë, është që t’i afrohemi më shumë në mënyrë që të shohim më mirë veprimtarinë dhe funksionin e saj.
Çfarë planifikoni për të bërë më pas?
Në fund të vitit ne planifikojmë që të “përplasim” protonet me njëri-tjetrin. Është një mënyrë, të themi, që mund të tingëllojë paksa e çuditshme, por në fakt është kështu. Më pas do të fikim përshpejtuesin për rreth dy vjet, për t’i bërë disa punime mirëmbajtjeje. Kur ta rindezim pas periudhës së mirëmbajtjes, gjithçka do të jetë tepër interesante. Hap pas hapi do të dyfishojmë energjinë që do të na mundësojë t’u japim grimcave një masë dhe më të madhe. Dhe ndoshta në këtë mënyrë do të arrijmë që të zbulojmë edhe diçka në lidhje me materien e errët. Dyer të reja do të na hapen.
Çfarë shpresoni që të zbuloni në të ardhmen?
Fillimisht gjurmët e para të asaj që e quajmë supersimetri. Ky është emri i teorisë, sipas të cilës çdo grimcë ka edhe “hijen” e saj, pra bëhet fjalë për një botë “pasqyrë” të parashikuar nga teoria e anti-lëndës. Grimcat më të vogla të supersimetrisë mund të zbulohen edhe përmes aparatit tonë përshpejtues. Ky do të ishte një hap përpara në drejtim të zbulimit të mistereve të materies së errët. Nëse e zbulojmë atë, ky padyshim do të ishte një hap i madh përpara, një hap gjigant në fakt
Kur kryeni kërkimet tuaja, e dini saktësisht se ku dhe çfarë kërkoni, apo thjesht i bëni studimet dhe kërkimet në mënyrë të rastësishme?
Mund të them se të dyja mënyrat janë të vlefshme. Ne duhet që të jemi të hapur ndaj të gjitha zbulimeve që mund të ndeshim rrugës. Megjithatë, në lidhje me supersimetrinë, ne tashmë mendoj se e kemi një drejtim të saktë për të ndjekur dhe kërkimet tona kanë një objektiv. Por, nuk do të jemi të fokusuar pas saj, siç ishim për shembull në rastin e ‘Higgs’.
Kur ndërmerrnit kërkimet për ‘Higgs’, ju në thelb kishit bërë një profil të grimcës përmes asaj që publikoi shkencëtari Higgs, pra njeriu që i dha emrin kësaj grimce në studimin e tij në vitin 1964. A mendoni se ai meriton çmimin “Nobel”?
Mendoj se po. Por ka pasur edhe të tjerë që në atë kohë kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre për këtë model.
Sa shkencëtarë keni përfshirë në përpjekjen e gjatë për zbulimin e ‘Higgs’?
Në dy eksperimentet e mëdha të fundit kanë marrë pjesë 3 deri 4 mijë shkencëtarë.
A është e mundur që grupime të tilla të mëdha të mund që të përqendrohen në një objektiv të vetëm dhe të arrijnë objektivin që i kanë vënë vetes? A nuk mund të ndodhë që çdo shkencëtar, në fund të fundit, të fokusohet në objektivin e tij personal?
Jo. Njerëzit tanë do të jenë të gjithë të përqendruar në objektivin kryesor, veçanërisht tani. Aftësia për të punuar bashkë ka qenë “gjaku” i fizikës kuantike. Ata e mësojnë që në fillim, që është e pamundur që të avancosh në këtë fushë nëse je i vetëm.
A nuk mendoni se arritja individuale e një shkencëtari humbet në “turmë”?
Jo. Është shumë e lehtë që të identifikosh një shkencëtar të shkëlqyer. Njerëzit e zotë ngjiten lart me shpejtësi si në çdo lloj fushe.
Sa e madhe mund të jetë një skuadër kërkimi dhe që njëherazi të jetë e menaxhueshme?
15 vjet të shkuara kam drejtuar një projekt me 350 vetë. Në atë kohë, ne menduam se ky mund të ishte numri më i madh i mundshëm. Tani e kemi dhjetëfishuar këtë numër. Do të thosha se limitet e vërteta që duhet të prekim janë ato të teknologjisë.
Edhe për sa kohë do të vazhdoni që të kryeni eksperimente me përshpejtuesin në CERN? Kur mendoni se do t’i vijë fundi?
Kemi plane që të punojmë me të deri në vitin 2030. Mund ta përmirësojmë teknologjikisht makinën në vitin 2020 me një investim shtesë, por gjithçka do të varet nga zbulimet që do të mund të kemi bërë deri atëherë.
Po më pas? Ndoshta do t’ju duhet një makinë edhe më e madhe…
Është energjia dhe jo përmasat që kanë rëndësi. Sa më thellë do të duam të shkojmë në shkencë, aq më të shpejta duhet që t’i bëjmë mjetet. Në rastin tonë bëhet fjala për protonet. Të shumtë janë ata që sugjerojnë që sipërmarrja jonë e radhës do të jetë një përshpejtues që do të godasë elektronet me pozitrone. Kjo do të çelë një dritare të re për lëndën, dhe sigurisht për grimcën ‘Higgs’. Kemi, ndërkohë, planet gati për këtë. Çështja kryesore është se në cilin rajon të botës do të mund ta përdornim një makinë të tillë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk